‘Pasi vuajta 8 vite burg, në ’82-shin, i bëra një letër Enverit ku i kërkova ndërprerjen e fortifikimeve , por ai...’/ Dëshmia e rrallë e Kolonel Bunker

‘Pasi vuajta 8 vite burg, në ’82-shin, i bëra një letër Enverit ku i kërkova ndërprerjen e fortifikimeve , por ai...’/ Dëshmia e rrallë e Kolonel Bunker

Publikohet historia e panjohur të kolonelit Josif Zegali me origjinë nga Myzeqeja, i cili fitoi një bursë nga qeveria e Mbretit Zog dhe shkoi në Itali, ku ndoqi studimet e larta në Institutin e Agrikulturës, pranë Universitetit “Antonio Zanneli”të Rexhio-Emilias. Kthimi i tij në atdhe për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste, ku bashkë me dy vëllezërit e tij dhe xhaxhanë, klerikun e njohur ortodoks, Papa Josif Zegali, dolën partizanë në rradhët e Brigadës së Parë të Mehmet Shehut dhe në Brigadën 16 Sulmuese që u formua në Therepel të Skraparit, ku ata morën pjesë në të gjitha luftimet, deri në betejën për çlirimin e Tiranës, ku Josifi u takua për herë të parë me dy vëllezërit e tij partizanë, që familja dhe fshati i dinin të vrarë.

Diplomimi i Josifit në Akademinë Ushtarake të Xhenjos “Kujbishev” në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1960 ku ai doli me Medalje Ari dhe kthimi në atdhe, ku i’u dha grada e kolonelit kur ishte në moshën 33 vjeçare, duke u emëruar me detyrën e Shefit të Shtabit të Xhenjos në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Dëshmitë e Zegalit se si u ngarkua ai për ndërtimin e disa prej objekteve ushtarake më të rëndësishme të Shqipërisë komuniste, siç ishin Aeroporti i Gjadrit, Baza Ushtarake Detare e Shëngjinit e Porto-Palermos, Uzinat e Armëve në Poliçan dhe Gramsh, etj., si dhe tre vendstrehimet anti-atomike poshtë vilave të Mehmetit dhe Enverit në “Bllok”-un e udhëheqjes në Tiranë, ku pas mbarimit të tyre, ai u arrestua dhe u dënua si “bashkëpunëtor” me “Grupin puçist të Beqir Ballukut”, duke vuajtur vite me rradhë në Burgun e Burrelit etj. Historia e rrëfyer prej Zegalit, “Kolonelt Bunker”, që regjisori i njohur, Kujtim Çashku, e kthehu në filmin me të njëjtin emër…!

Fortifikimi i Bllokut kishte filluar që nga vitet 1967 – ’68, kur Shqipëria po përgatitej të dilte dhe ‘de jure’ nga Traktati i Varshavës. Në fakt fortifikimi i tij kishte filluar që më përpara, aty nga 1959-ta, por në ato vite ai filloj të përfeksionohej sipas projekteve që u bënë nga njerëz tepër të besuar e në fshehtësinë më të madhe. Kështu u vendos që në “Bllok”-un e udhëheqjes të ndërtoheshin tre fortifikime kryesore antiatomike, që të përballonin çfardolloj goditje: Një për Enver Hoxhën, një për Mehmet Shehun dhe i treti i përbashkët për të gjithë antarët e Byrosë Politike e të Komitetit Qendror të PPSH-së që banonin brenda “Bllok”-ut. Strehimet fortifikuese të Enverit e Mehmetit, u ndërtuan poshtë vilave të tyre dhe Enveri shpesh herë zbriste shkallët e shtëpisë e vinte aty poshtë për të parë ecurinë e punimeve. “Kështu e kujtonte mes të tjerash koloneli në pension, Josif Zegali, ose i njohur ndryshe si “Kolonel Bunker” (për faktin se ka qenë një nga ushtarakët e lartë të armës së Xhenjos dhe drejtuesit kryesorë të fortifikimeve në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore), fillimet e fortifikimit në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës dhe punën për strehimet anti-atomike për dy udhëheqësit kryesorë shtetit shqiptar të asaj kohe. Me një kujtesë, shëndet dhe energji që ndoshta nuk i “kuadronin” aspak me vitet që kishte mbi supe, pasi ishte intervistuar nga disa gazeta tepër të njohura dhe prestigjoze të Europës Perendimore dhe SHBA-ve, pranoi të rrëfejë dhe për ne, duke treguar gjithë historinë e dramat e jetës së tij, që për shqiptarët, pak a shumë janë të njohura edhe nga puna e regjisorit të njohur, Kujtim Çashku, në filmin me të njëjtin titull, “Kolonel Bunker”.

Burgoset me “Puçistët e Beqir Ballukut”

Aty nga viti 1973 – ‘74 Enver Hoxha filloi goditjen e ushtarakëve të lartë, duke i akuzuar ata si puçistë. Goditja që ju bë ushtarakëve të lartë e cila filloi me ministrin e Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku e dy zëvëndësat e tij, Petrit Dumen e Hito Çakon, u shtri shumë më gjerë, duke çuar në bankën e të akuzuarëve si “armiq të popullit” me dhjetra ushtarakë të lartë, ish kuadro të Luftës partizane, që kishin mbaruar shkollat e akademitë ushtarake më të njohura të Bashkimit Sovjetik. Në këtë kuadër, u godit dhe familja e Josif Zegalit, ku i vëllai tij Kozma Zegali, ish kuadër partizan në Brigadën e Parë Sulmuese të Mehmet Shehut, oficer i karrierës punonte në kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku. Lidhur me këtë, koloneli në pension, Josif Zegali, kujtonte: “Pas arrestimit të vëllait tim Kozmait, akuzat kundër meje dhe familjes time filluan të vërshonin nga të gjitha anët, duke pasur si bazë nisje, Sigurimin e Shtetit. Ato na tronditën aq shumë, saqë kur unë j’ua tregova gruas sime, Elenit dhe vajzave, me qëllim që ato të ishin të përgatitura për çdo gjë, ato u tmerruan dhe filluan të ulurinin me kuje.

Eleni më tha me lot në sy: Josif, ty do të arrestojnë, kurse neve do të na internojnë, tamam siç vepruan me Kozmain e fëmijët e tij. Kështu, pas arrestimit të Kozmait, mua si vëlla i tij, në fillim më hoqën nga puna dhe më nxorrën në lirim. Më pas filluan ndjekjet e survejimet nga Sigurimi i Shtetit, të cilat më detyruan që të mos dilja nga shtëpia. Ndonëse mundohesha të punoja, prapë ankthi më mundonte shumë. Nga gjithë kjo gjë, unë mundohesha që t`ju jepja kurajo fëmijëve, por ishte e pamundur, sepse nga një tronditje fizike dhe shpirtërore, unë pësova vetë një takikardi në zemër dhe më shtruan me urgjencë në Spitalin Ushtarak, në gjendje shumë të rëndë. Ndonëse mjekët që i njihja, mundoheshin të më kuronin, urdhëri kishte ardhur nga lart për tjetër gjë. Kështu një ditë, duke dalë në ballkon për t’u çlodhur, pashë rreth e rreth spitalit, roje të armatosura, që nuk kishin qenë më parë.

Në hyrje të Spitalit, pashë zv/Shefin e Sigurimit të Ushtrisë, V. Idrulin, me dy tre oficerë të Sigurimit. Pas pak në dhomën time erdhi zv/komisari i Spitalit dhe më njoftuan se duhet të dilja që atë moment prej andej. Unë dyshova, por nuk kisha se çfarë të bëja! Kur dola, hipa në makinën “BÇ” dhe e pashë veten në mes të dy oficerëve të Sigurimit. Aty e kuptova se isha i arrestuar, kur akoma makina nuk kishte marrë rrugën për t’u futur brenda ‘Burgut të Vjetër’. Aty më dhanë dhe urdhër arrestin, ku thuhej : ‘Josif Zegali arrestohet për krimin e sabotimit, për dobësimin e mbrojtjes së vendit’. Pas meje, operacioni që nuk e di se si u kodua, vazhdoi dhe në Ndërrmarjen e Ndërtimeve Ushtarake, duke arrestuar dhe Thoma Bejon, Bashkim Lleshin, Saba Majën e Luan Veshin.

Ky grup u quajt: ‘Grupi i sabotimit të fortifikimit të mbrojtjes, me përgjegjës, ish-shefin e Shtabit të Xhenjos dhe Drejtorin e Fortifikimit të Ushtrisë, Josif Zegalin”. Më pas, Ministri i Mbrojtjes Popullore dhe kryeministri Mehmet Shehu, lëshoi një urdhër me shkrim, ku njoftoheshin të gjitha repartet e Ushtrisë, se ishte arrestuar një ‘grup sabotatorësh, me në krye drejtorin e fortifikimit Josif Zegalin’. Kështu pas një hetuesie të gjatë, erdhi dhe gjyqi i Josifit, i cili zgjati 29 ditë me rradhë. Ai u mbrojt nga të gjitha akuzat, duke i hedhur poshtë ato, por që nuk mundi t’i shpëtonte dot dënimit! Kështu ai u përplas burgjeve të Burrelit e galerive të Bulqizës, për tetë vjet me rradhë, nga 13 janari i vitit 1975, deri më 15 majin e vitit 1982, me akuzën si ‘sabotator dhe armik i popullit’, që ‘kishte lënë dhjet vjet mbrapa, fortifikimet në Shqipëri’! Pas daljes nga burgu, Josifi dhe familja e tij ishin nën survejimin e përhershëm të Sigurimit të Shtetit, prandaj për të shpëtuar nga ajo e keqe që e ndiqte në çdo hap, ai u mbyll brenda në shtëpi, duke mos dalë fare. Ai studionte dhe shkruante për të përgatitur një libër, që bënte fjalë mbi fortifikimet mijra vjeçare në botë dhe në Shqipëri, libër i cili do të shërbente më shumë si tekst shkollor.

Zegali: Enver, ndërprit bunkerizimin…!

Pas daljes nga burgu në majin e 1982-it, Josifi Zegali habitet me ato ndryshime që kishin ndodhur gjatë atyre tetë vjetëve që ai kishte qenë i izoluar dhe trishtohet kur shikon me sytë e tij bunkerët e shumtë që kishin mbirë si kërpudha?! Lidhur me këtë gjë ai kujtonte: “Kur pashë gjithë atë bunkerizim marramendës, të mbjellë gjithë andej, në male e kodra, në fusha e në bregdet, në plazhe e nëpër qendra të banuara, në fshatra e në qytete, si produkt i një strategjie euforike e të çmendur dhe i zbatuar nëpërmjet një punë intensive tërë popullore dhe me investime kolosale materiale e financiare, u befasova deri në tronditje!

Dhe më e keqja e gjithë kësaj ishte, se ajo gjë po vazhdonte me ritme marramëndëse, duke angazhuar shumë ndërmarrje prodhimi e gjithë Ushtrinë! Në këtë vepër çmendurie që quhej: “Fortifikimi origjinal Shqiptar”, unë si specialist, e ish-kuadër drejtues i Mbrojtjes, i përgatitur në shkolla e akademi ushtarake në Bashkimin Sovjetik, studjues i historisë e i artit ushtarak e veçanërisht i atij Xhenier-fortifikues dhe që kisha njohuri të sakta, pasi kisha parë ndër më të fortat vija të fortifikuara në Evropë e Azi (Kinë, Kore e Vietnam), siç mund të përmenden ato më të njohurat e Luftës së Dytë Botërore: “Maxhino” në Francë, “Zigfrid” në Gjermani, “Manerhejm” në Finlandë në kufi me Bashkimin Sovjetik, etj., shtroja pyetjen: Ç`bëhet kështu?!”

Pas daljes nga burgu, për afro gjashtë muaj me rradhë, Josif Zegali luftonte me veten, që të ngrinte zërin për atë çmenduri që kishte ndodhur e vazhdonte me ritme marramendëse, apo të heshte! Të gjitha ato e mundonin së tepërmi shpirtin e tij dhe ai bënte fajtor, së pari Këshillin e Mbrojtjes për inkopetencë, e Shtatmadhorinë si të paaftë dhe jashtë të gjitha koncepteve të Luftës.

Po kështu me veten e tij, ai fajsonte dhe Kryeministrin Mehmet Shehu, e ish kolegët e tij, që drejtonin Xhenjon e Fortifikimin. Pas gjithë atij dyzimi që ja brente shpirtin pak nga pak, mbas kishin kaluar plot gjashtë muaj nga dalja prej burgut, në nëntorin e 1982-it, Josif Zegali vendos e ulet për të shkruar atë çka e mundonte prej kohësh. Kështu ai, në 12 faqe letër drejtuar Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxhës e Këshillit të Mbrojtjes, analizonte me kopetencë profesionale, të gjitha gabimet që ishin bërë në strategjinë fortifikuese dhe j’u bënte thirrje, që ta ndalonin sa më parë atë.

Për gjithçka sa shkroi në atë letër, Zegali nuk bisedoi me asnjë nga ish-kolegët e tij, por vetëm u konsultua me njerëzit e rrethit shumë të ngushtë familjar. Lidhur me këtë, Josifi kujtonte: “Pasi e nënshkrova letrën me emrin dhe firmën time, e futa në një zarf ku citoja se ishte ‘tepër sekrete dhe e një rëndësie të veçantë’ për Enver Hoxhën e Këshillin e Mbrojtjes, më 27 nëntor 1982, e dërgova dorazi në Komitetin Qendror.

Enveri: Të arrestohet ky birçe…!

Pas dërgimit të asaj letre, Zegali priste gjith shqetsim, se çfarë do të ndodhte me të. Po çfarë ngjau me atë letër, a e morri vërtet në dorë Enver Hoxha dhe cili ishte reagimi i tij? Lidhur me këtë, sipas dëshmive të ish Prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino, letra në fillim ra në dorë të Enver Hoxhës, i cili ja dërgoi me shënime Ministrit të Mbrojtjes, Prokop Murra. Pasi ajo u pa nga specialistë dhe ushtarakë të lartë të Shtatmadhorisë, Prokop Murra firmosi mendimin zyrtar, ku thuhej: “Letra është thellësisht armiqësore. Fortifikimi shqiptar është një vepër efektive madhore dhe origjinale shqiptare e mbrojtjes sonë, nga i cili duhet të mësojë bota. Çfarë thuhet aty nuk qëndron dhe Josif Zegali vërteton edhe njëherë se ai është armik i Partisë dhe i popullit…”! Më pas, kjo letër kaloi dhe në Ministrinë e Brendshme, ku nën firmën e Hekuran Isait, thuhej :”…Josif Zegali është armik i Partisë dhe i popullit dhe duhej pushkatuar që në burgimin e parë, por organet tona të Drejtësisë, u treguan liberale…” Po çfarë kishte shkruar Enveri në shënimet që kishte bërë për letrën e Zegalit, të cilën ja dërgoi Prokop Murrës?! Midis të tjerash, aty shkruhej:

Shoku Prokop

Po të dërgoj një material që ma ka shkruar një farë Josif Zegali, ish oficer i Xhenjos për Fortifikimin, por që ka qenë nja katër a gjashtë vjet në burg, në kohën e Beqir Ballukut, që është vëllai i atij Zegalit tjetër, po dhe ky komplotist e me puçistët dhe tani ndodhet në burg.

E lexova me durim letrën e “teoricienit të madh të fortifikimeve”. Ky njeri rrëzon të gjitha planet e fortifikimeve tona dhe pretendon se janë bërë të gabuara, janë bërë shabllone, si në fusha dhe në malet, janë ndërtuara pranë e pranë në hapësira shumë të vogla.

Për të na hedhur hi syve, ai na hiqet si teoricien i fortifikimeve dhe në fund të letrës bën dhe përshkrimin e vijave të fortifikuara, si ajo “Maxhino”, “Zigfrid”, “Mannerhejm” etj. Por fortifikimet që kemi ndërtuar ne, janë fortifikime speciale, që i përshtaten një sulmi e norma, jo si ato norma me të cilat NATO do të sulmojë Traktatin e Varshavës, ose anasjelltas, Traktati i Varshavës do të sulmojë Evropën Perëndimore ose Kinën e ku e di unë tjetër.

Pra, ky birçe që po më shkruan këtë letër dhe më hiqet si teoricien dhe kritikues i fortifikimeve tona, gjoja nga mendja e tij “pjellore”, përsërit teorinë e Mehmet Shehut, që unë ja kam hedhur poshtë, por ky nuk e di, e nuk e do këtë! Ky element që është një disfatist, të arrestohet, të merret në pyetje nga Prokuroria dhe Hetuesia Ushtarake dhe t’i përgjigjet pyetjeve të mëposhtëme:

– A ka shfaqur këto pikpamje të tij kur janë bërë planet e fortifikimit?

-Në qoftë se jo, d.m.th., në kohën kur ishte ministër Beqir Balluku, ai i ç’faqi ai këto kur ministër i Mbrojtjes u bë Mehmet Shehu?

-Pasi Mehmet Shehu vrau veten, ky person, “kur pa se ishin bërë gabime të mëdha” dhe gjoja me që ishte në burg, ose kishte frikë nga Mehmet Shehu, përse nuk i shkroi Komandantit të Përgjithshëm?

-A e di ai se vendi ynë ka një Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura? Sigurisht që e di.

-Kjo duhet të jetë një akuzë e rëndë për të, d.m.th., që nuk më vuri në korent për mendimet e tij, që në fakt janë të Beqir Ballukut e të Mehmet Shehut, sikurse thashë më lart dhe të arrihen në konkluzione për faje të rënda në këtë drejtim.

Prokurori dhe hetuesi ushtarak të shikojë më parë dosjen e këtij personi, përse është dënuar me burgim, të ketë parasysh dhe vendimet e Komisionit të Revizionimit dhe të Kontrollit të Partisë, ku thuhet se është njeri i dyshimtë, mbasi nga Mehmet Shehu e Beqir Balluku, është dërguar për shumë kohë në Itali e Suedi.

Pastaj në përfundim të hetimeve, të gjykohet në se duhet hedhur në gjyq, nga i cili të dënohet në bazë të Kodit Penal”.

Enver Hoxha

1.12.1982

Arrestimi i dytë i Zegalit, pas letrës dërguar Enverit

Pas kësaj letre të Enver Hoxhës, ndodhi ajo që pritej. Kështu më 17 dhjetor, plot 20 ditë që nga dorzimi i letrës në Komitetin Qendror, pallati ku banonte Josif Zegali, u gjend i rrethuar nga forcat e Sigurimit të Shtetit, të cilët, “në emër të popullit” e arrestojnë dhe kolona prej tre katër makinash, merr rrugën për në drejtim të ‘Burgut të Vjetër’ të Tiranës! Lidhur me këtë, Zegali kujtonte: “Aty më dhanë urdhër-arrestin, të cilën e lexoja dhe e stër lexoja. Atë e kishte firmosur Prokurori i Përgjithshëm, Rrapi Mino, ish i njohuri im si myzeqar, në të cilën thuhej: ‘Arrestohet për krimin e agjitacionit e propagandës, për dobësim dhe përmbysje të Pushtetit Popullor’. Pas kësaj, duke mos pasur rrugë tjetër, që të paktën të shpëtonte sa të mundte familjen e tij, Josifi vendos e bën “divorcin” me gruan dhe “heqjen e atësisë” katër vajzave, gjë e cila ju pranua menjëherë. Në qelinë e tmerrshme me nr. 13, të ‘Burgut të Vjetër’, Josif Zegali qëndroi për 107 ditë me rradhë, në palcën e atij dimri të akullt dhe kur priste nga çasti në çast që ta pushkatonin, ndodhi më e pabesueshmja: lirimi i tij?! Lidhur me këtë, Zegali kujtonte: “Pasi më komunikuan lirimin, ju thashë: Ju falenderoj për lajmin e mirë që më dhatë, por unë nuk dal nga burgu dhe kam arsye. Së pari: nuk kam ku shkoj dhe si armik që më kanë cilësuar, vendin e kam këtu. Së dyti: a e shihni si më keni katandisur, në një skelet gati për të vdekur, prandaj nuk dal nga biruca nr. 13, pa më zvëndësuar ai që më futi këtu. Pas këtyre fjalëve, ndërhynë të dy, prokurori dhe hetuesi, F.T., të cilët më thanë: Dëgjo Josif Zegali, ti je i mençur dhe e kupton se këtu u fute me urdhër epror dhe po me urdhër epror po del që këtej, mos bëjë marrëzira, se ne të nxjerrim me forcë. Prandaj mos e ço veten në atë shkallë, e për gjithë sa pe dhe folëm këtu, mos i bëj objekt bisedash, se vjen prapë këtë dhe nuk i dihet në del më”.

Po përse e liruan Zegalin dhe si ndodhi ajo që ai e quajti “tragjikomike deri në shëmtirë”?! Lidhur me këtë, ai dëshmonte: “Mos vallë unë tradhëtova veten dhe u futa në shërbim të tyre? Jo ajo nuk kishte ndodhur kurrë, as në burgun e parë dhe as në të dytin, nuk do të ndodhte. Lirimi im, u kushtëzua nga disa arsye, ku më primarja ishte se në atë kohë, Enver Hoxha ndodhej i sëmurë dhe dishepujt e tij Shehu, Kapo e Hazbiu, tashmë të njohur për ashpërsinë e tyre në krahët e Enverit, nuk ishin më. Prandaj ato teprime skandaloze, le t`ju ngeleshin atyre”. Kështu, atë natë të 3 marsit 1982, Josif Zegali pasi doli nga burgu, niset për të kërkuar familjen e tij, me ankthin se dikush do ta qëllonte nga prapa për ta vrarë! Pas një endje të gjatë, mezi gjeti familjen, pasi bashkëshortes, Elenit, që kishte shpëtuar nga një vetvrasje, ja kishin marrë shtëpinë! Po kështu, njëra nga vajzat, tashmë nuk rronte më! Ajo vdiq nga tronditja shpirtërore, pasi e divorcoi bashkëshorti, i cili “nuk mund të jetonte më me një vajzë armiku”, ndërsa tre vajzat e tjera, kishin përfunduar internimeve larg Tiranës. Po të njëjtin “fat”, kishin dhe fëmijët e vëllait, Kozmait që ishte akoma në burg. Atë e mundonte brenga, se të gjitha ato fatkeqësi, i kishin dhuratë prej tij! Pas viteve ‘90-të jeta tragjike e kolonelit të famshëm Josif Zegali, tërhoqi vëmendjen e interesin e regjisorit të njohur, Kujtim Çashku, i cili e takoi dhe realizoi filmin tashmë të njohur, “Kolonel Bunker”./Memorie.al

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Policia plan masash kundër kultivimit të kanabisit, kontrolle në gjithë territorin! Guardia di Finanza me monitorim nga ajri

Policia plan masash kundër kultivimit të kanabisit, kontrolle në gjithë territorin! Guardia di Finanza me monitorim nga ajri