Një ditë pas garës formale në Partinë Demokratike për të votuar emrin e tij që ishte i vetmi në fletën e votimit që solli rikonfirmimin e tij si kryetar, Sali Berisha ka bërë një reagim duke thënë se procesi ndoqi “procedurën më demokratike.”

Sipas tij, ka disa procedura për të zgjedhur kryetarin si kur ndodh me votim të fshehtë me “një apo disa kandidatura” ose me “votën e gjithë anëtarësisë”, rast për të cilin pretendon se ka ndodhur në zgjedhjet e 23 majit në PD.

“Partia Demokratike i zgjedh drejtuesit bazuar në demokracinë direkte dhe voton me parimin ‘një anëtar, një votë’ në çdo proces zgjedhor”, thotë Berisha duke shtuar: “PD-ja çdo katër vite zgjedh kryetarin dhe drejtuesit vendorë.”

Por ndërkohë, anëtarësia për të cilën Berisha flet, u tkurr. Nga 51 737, votuan 39 441 anëtarë, për të njëjtin emër që prej 35 vitesh tashmë qëndron në krye të PD duke e bërë termin e “demokracisë direkte” të tingëllojë qesharak.

Me të njëjtin ngulm, Berisha u përgjigjet edhe akuzave të ish-kandidatëve të skualifikuar tashmë nga gara si Ervin Salianji, Alesia Balliu apo Evi Kokalari se “ai e ka marrë peng partinë.”

“Për këta të pafytyrë, vota referendare e të gjithë anëtarësisë për kryetarin e partisë opozitare është ‘privatizim i partisë nga kryetari’ apo në rastin konkret ‘Berisha zgjedh Berishën’,”shprehet ai.

Sërish, Berisha nuk hoqi dorë nga një tjetër qëndrim që e shpalosi edhe në fjalimin pas rikonfirmimit si kryetar ku e trajtoi votimin e brendshëm të demokratëve si një “tmerr të vërtetë për Ramën.”

“Ja pse për Edi Ramën dhe të gjithë këtë hordhi puthadorësh e mafiozësh që gromësijnë dhe zhgërrehen në luksin dhe paratë që u vjedhin shqiptarëve, vota e rreth 40 mijë demokratëve dje ishte një tmerr dhe ferr i vërtetë; ishte dështim dhe turpërim publik (por ata turp nuk kanë) i tyre. Kurse për shqiptarët, ajo ishte vota e triumfit të dinjitetit të tyre mbi mafian më të rrezikshme të Europës.

Vetë shifra e afro 40 mijë demokratëve është e papërfillshme krahasuar me pjesëmarrjen që ndodh në procesin zgjedhor parlamentar, por duket se shija e ‘fitores’ (që edhe demokratët e kanë krahasuar me Enver Hoxhën), e ka ngazëllyer Berishën deri në humbje të arsyetimit.