‘Për çdo film kam ndjerë dhimbje’, ‘Lulëkuqet’ i restauruar, emocionohet Anagnosti! Roza: S’ka më bukur se kur puna e bërë me shpirt vazhdon të jetojë

Roza dhe Dhimitër Anagnosti janë ulur në radhët e spektatorëve. Për filmin “Lulëkuqe mbi mure” të kineastit nis një jetë e re.

47 vjet më vonë pas premierës së parë, Arkivi i Filmit këtë mesjavë e shfaq ‘Lulëkuqet’ të restauruar.

“Ndihem i emocionuar, jam përpjekur të bëj diçka të mirë”, shprehet regjisori Dhimitër Anagnosti.

Salla është e tejmbushur! Publiku qan me peripecitë që kalojnë djemtë e jetimores, qeshin me batutat, emocionohen, sikur ta shikonin për herë të parë.

“Nuk ka gjë më të bukur, që pasi bën një punë, shikon se edhe pas kaq vitesh vazhdon të jetojë”, shprehet aktorja Roza Anagnosti.

Është magjia e Anagnostit, me filma që i rezistojnë kohës. Por edhe mjeshtëria e aktorëve. 

“Më tha një ditë: Për çdo film kam ndjerë dhimbje! Dhe ashtu ishte, kur Dhimitri fillonte një film, çdo energji shpirtërore, mendore e jepte për të”, thotë më tej aktorja.

Timo Flloko si mësues Luani e ka skalitur personazhin e tij.

Interpretimi rrëngjethës i “Anës lumenjve” është një nga kulminacionet e filmit..

“Ky rol evidentoi më shumë vlerat e mia si aktor, si profesionist, ndonëse kisha bërë edhe role të tjera më herët, jo të pasuksesshëm. Sigurisht që jo të gjitha rolet do të bëhen të shkëlqejë aktori, por ky ishte një rol i veçantë dhe shumë i rëndësishëm në karrierën time midis roleve të tjera”, thotë aktori Timo Flloko.

Të pranishëm janë disa nga interpretët që jetësuan djemtë e jetimores. Mes tyre edhe Krenar Arifi.

“I jam shumë mirënjohës regjisorit. Isha i fundit nga ata që u aprovuan. Dhimitri më pikasi diku dhe tha ‘të vij ai ta provojmë’ dhe më zgjodhi”...

Tregon për skenën e fundit, momenti më prekës i filmit, kur Sulo vritet dhe ndërron jetë.

“Momenti kur bie nga muri, ajo skenë është bërë disa herë. Madje një herë më shpëtoi asistenti Ladi, se isha duke dalë jashtë dyshekut dhe do kisha thyer kokën në trotuar”, thotë Arifi.

Por filmi risjell, edhe figurat e mëdha të ekranit që mungojnë fizikisht mes tyre Agim Qirjaqin dhe Kadri Roshin.

“Këtë ka arti, veçmas arti kinematografik. Që vitet kalojnë, koha kalon,  ndonëse në këto filma mbetesh i ri... Mandej ikën nga kjo jetë, por vlerat mbeten”, thotë Flloko.

Bashkim Asllani ka qenë pas kameras së xhirimit, për të asistuar operatorin e ndjerë Pëllumb Kallfën. Ai tregon se për përzgjedhjen e fëmijëve kërkuan në disa shkolla të Tiranës dhe Durrësit, dhe se nuk ishte e lehtë të xhiroje me fëmijë, por falë mjeshtërisë së Anagnostit, koordinimit me operatorin dhe komponentët e tjerë, duke qenë në harmoni, bëri që çdo gjë të funksiononte.

‘Lulëkuqet’ risjell kështu një dëshmi të filmave që u bënë në kohë të vështira, dhe në rrethana e ideologji imponuese. Për pasardhësit e artistëve këta filma si dëshmi mbajnë gjallë familjarët e tyre. Për brezin e ri, kujtesën.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Grushti: 07/12/2023 20:34

    Mos te guxojne te na prekin filmat e para vitit 1990.Ata filma jane jeta jone dhe ne jemi shumica.Kujt si pelqejne le te shikoj filmat e pas viteve 1990.

    Përgjigju
  • mergimtari: 07/12/2023 16:43

    Filmat e asaj kohe tregojne ate kohe,perparimin e artit kinematografik.Ne ate kohe realizoheshin rreth 14-et filma me metrazh te gjate qe i rezistojne kohes.Loja e aktoreve ishte nga me te mirat.Roli edukativ i atyre filmave ishte ne nivele te larta.Natyrisht,edhe ideologjia e kohes eshte prezent si prove e ideologjizimit te asaj kohe.Ata qe duan ti ndalojne ata filma do te duhet te na japin prodhimet kinematografike te ketyre 33-viteve dhe aktoret qe po konfirmohen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Shumë zhurmë për asgjë, Juventus dhe Milan barazojnë 0-0

Shumë zhurmë për asgjë, Juventus dhe Milan barazojnë 0-0