Për një debat të vërtetë, të moralshëm dhe të dobishëm në PD

Selia e Partisë Demokratike

Qëndrimi i Kryetarit të PD ndaj ish-kryeministrit Berisha për shkak të shpalljes ‘non grata’ të këtij të fundit nga Shtetet e Bashkuara ka marrë të gjithë vëmendjen e një dueli në distancë brenda PD. Ndjeshmëria e mbështetësve të PD ndaj këtij debati është e kuptueshme dhe ndoshta e vetmja gjë e justifikueshme në këtë zhvillim.

Ndërkohë qëndrimet janë reduktuar në ‘pro’ apo ‘kundër’ pa u ndalur shumë në vërtetësinë, moralin dhe dobishmërinë e këtij dueli në distancë.

Shtrohet pyetja: Sa i vërtetë është ky duel? Përtej retorikës në dukje të ashpër (me të cilën PD është historikisht familjare) aksionet konkrete lënë vend për të qenë skeptik. Basha, duke u justifikuar publikisht me presionin e ndërkombëtarëve (pohim që në vetvete e asgjëson vlerën e qëndrimit të tij duke e kthyer atë veç në një xhest dhe jo aksion politik), ia ka dalë ta vërë në diskutim vërtetësinë e të vetmit veprim të tij në këtë situatë.

Nga ana tjetër, Berisha, këtij gjysmë veprimi i është përgjigjur vetëm me retorikë. Berisha e di mirë që përjashtimi i tij nga Grupi Parlamentar i PD adresohet, sfidohet apo konkretizohet brenda Grupit Parlamentar dhe jo në strukturat e partisë. Është interesant fakti që përtej retorikës, Berisha nuk ka marrë asnjë veprim sfidues ndaj aktit të Bashës brenda Grupit Parlamentar. Madje, në një situatë në dukje kaq dramatike, as në mbledhje të këtij grupi nuk ka marrë pjesë, megjithëse ka deklaruar që do merrte pjesë ‘kur t’i teket..’

Endja për të ndërmarrë një fushatë takimesh në bazë, edhe pse mund të jenë gjetje interesante për të prodhuar retorikë, nuk ka asnjë shans për të provokuar një vendimmarrje politike efektive.

Kjo qasje madje është mjaft e ngjashme edhe me veprimin a atakimit të vendimit të Sekretarit të Shtetit në Gjykatën Korreksionale të Parisit, që njësoj, është gjetje interesante për të prodhuar retorikë, por nuk ka asnjë shans për një vendimmarrje efektive.

Nga kjo pikëpamje retorika e ngritur shërben për një galvanizim të qëndrimeve ‘pro’ apo ‘kundra’ palëve, por nuk ka gjasa të gjenerojë domosdoshmërisht një produkt apo vendimmarrje politike. Palët nuk janë kaq të padijshme, ndaj është më racionale të dyshohet në vërtetësinë e qëndrimeve të palëve.

Për mbështetësin e ndershëm të PD duhet të jetë me interes të kuptohet edhe nëse dueli në distancë është apo jo i moralshëm.

Nga njëra anë Basha pretendon që vendimin e ka marrë zemërthyer, pasi Berisha nuk e meriton të përjashtohet nga Grupi Parlamentar, por është nën presionin e partnerëve ndërkombëtar.

Normaliteti e qetësia me të cilin Basha bën këtë pohim veçse tregon se sa apolitik është ky personazh.

Më shumë sesa dikotom, qëndrimi i Bashës është thjesht i pamoralshëm. Për të njëjtin lloj rasti (shpalljen ‘non grata’ të një deputeti të maxhorancës) PD dhe Basha kanë mbajtur qëndrime të kundërta, duke argumentuar heqjen e mandatit të deputetit si homologim të shpalljes ‘non grata’ me ‘dëbimin’ nga një shtet aleat, çka e bën deputetin subjekt të ligjit të dekriminalizimit.

Nga ana tjetër Berisha retorikën e tij e ka ndërtuar edhe mbi moralitetin e vendimit dhe qëndrimit të Bashës. Por kjo retorikë është veç simetrike me atë të Bashës, por jo domosdoshmërisht e moralshme.

Tashmë është ‘sekret publik’ fakti që Berisha ka qenë, jo thjesht me shkelje Syri, mbrojtësi më i madh i abuzimit, keqdrejtimit dhe bjerrjes së PD nga kasta sunduese e dy mandateve të fundit. Ndjesa me justifikimin se “nuk e paskam njohur Bashën” është po aq e pamoralshme sa kërcënimi ndaj kritikëve të Bashës, (pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2017) për “mosnjohje të kontributeve brenda PD nëse nuk rreshtohen në mbështetje të kryetarit Basha”.

Por nëse debate është i pavërtetë dhe i pamoralshëm, si mund të jenë i dobishëm për PD? A do mund t’i shërbejë ky duel PD-së apo do limitohet në ‘larjen e hesapeve’ me Lulin deri në piketimin e Lulit të radhës? Ajo çfarë do të ishte e dobishme për PD është nxitja dhe përballimi i një debati mbi orientimin politik pro-perëndimor të PD, qëndrimin kritik ndaj fenomenit të korrupsionit në qeverisjen e PD edhe pse 8 vjet në distancë dhe mbështetjen e proceseve që synojnë ndërprerjen e ciklit të pandëshkueshmërisë.

Vetëm atëherë PD mund të shpresojë të rifitojë besimin e publikut.

SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Ju duket e drejtë që studentët e pavaksinuar të humbasin vitin akademik?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Eduard Zaloshnja: Në komunat shqiptare VV mori 30% të votave, LDK 27% dhe PDK 25%