Përballja me COVID/ Albana Muçaj: U përshtatëm online, por xhiroja u tkurr deri 45%! Programet e partive? Sipërmarrja kërkon siguri jo 'luftë' me taksat

Përshtatja me nevojat e pandemisë, ishte sfida më e madhe për bizneset në vend. Albana Muçaj sipërmarrëse prej disa vitesh tregon për Report TV se sfida për mbijetesë përshpejtojë disa projekte të biznesit të saj, i fokusuar në fushën e edukimit.

“Gjatë pandemisë ne sollëm një revistë për fëmijë dhe prindër dhe numrin e parë e nxorëm vjet në verë, ku përfshin disa histori, përshtatjen, disa zhvillime të rëndësishme të asaj periudhe dhe do vazhdojë të jetë në treg. Po ashtu gjatë verës u përqendruam në disa konkurse dhe fituam mundësinë e krijimit të një platforma online të mësimit dhe aktualisht jemi duke e testuar në mënyrë që ta përmirësojmë edhe më tej”, shprehet Muçaj.

Platforma që po teston, sipas sipërmarrëses synon të lehtësojë komunikimin online mësues-nxënës.

“Nxënësit dhe lektori të mund të ndërveprojnë njëherësh ndryshe nga platformat kur mësuesi ngarkon materialin dhe mësuesi e shikon në një moment të dytë, dhe disa orë më vonë nxënësi jep përgjigjen dhe komunikimi është i zgjatur në kohë”, pohon sipërmarrësja.

Pavarësisht se Muçaj ja ka dalë të qëndrojë në biznes, shprehet se xhiro vjetore i është reduktuar ndjeshëm.

“Mund t’ju them diçka rreth xhiros së aktivitetit i cili ka rënë me rreth 40-45% krahasuar me vitin 2019”, tha Muçaj.

Përpos faktit që duhet të ambientohen me normalitetin e ri të dikuar prej pandemisë që ende vijon me shifra të larta, bizneset gjenden përballë zgjedhjeve elektorale që në fokus kanë ndryshimet e taksave, që sipas saj është luftë e gabuar.

“Programet duken ambicioze, e rëndësishme është që premtimet të mbahen, pasi do të rriste besimin tek cilido që do jetë fitues nesër. Sipërmarrja ka nevojë ndoshta më shumë sesa ulje taksash në vetvete ka nevojë për një politikë të qëndrueshme, pra të mos merren ndryshime dhe të ndryshohen në kohë afatshkurtër pasi kjo i krijon kosto sipërmarrjes, edhe nëse taksat janë të ulta apo edhe nëse ka lehtësi, sugjerohet të mos ketë ndryshime të vazhdueshme fiskale”, sqaron sipërmarrësja.

Bazuar në programet elektorale, risi është granti prej 5000 eurosh i premtuar nga PS për çdo emigrant që kthehet të investojë në Shqipëri, që për Albanën është i pamjaftueshëm.

“Duhet një nxitje më shumë se financiare, pasi duhet pasur parasysh se këtu flasim për persona shqiptar që jetojnë në Gjermani, SHBA, Itali ku të ardhurat janë të larta dhe ndoshta shumë shpejt ata mund ti kursejnë 5000 euro dhe mund të vijnë ti investojnë. Kërkohet diçka më shumë! Burokracia, korrupsioni dhe gjykatat duhen përmirësuar dhe kjo vlen si për sipërmarrjen shqiptare por edhe për ato të huaja që duan të vijnë në Shqipëri”, sqaron Albana Muçaj.

 

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Serbia ndalon një kosovar nën dyshime për krime lufte

Serbia ndalon një kosovar nën dyshime për krime lufte