Tiranë- Përfundon pas 3 orësh seanca paraprake për dosjen 5D.
Gjykata e Posaçme pasi dëgjoi SPAK dhe palët vendosi që të shprehet më 14 Shkurt, nëse do të kalojë apo jo çështjen për gjykim, informon gazetarja e Report TV, Keti Banushi.
Hetimet u mbyllën në muajin Dhjetor nga SPAK dhe dosja u dërgua për gjykim.

Redi Molla dhe Mariglen Qato, si dy ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës dhe 5 të tjerë ish-zyrtarë, janë dërguar për gjykim në GJKKO si bashkëpunëtorë në një skemë, që sipas SPAK, është korrupsioni dhe pastrim parash, e kryer nëpërmjet kompanisë 5 D Konstruksion.
Përveç Mollës e Qatos, të cilët akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, të pandehur janë edhe Taulant Tusha, Enton Punavija, Julian Zanaj, e ish-gjyqtari i futbollit Albano Janku, për shkelje të barazisë në tendera, si dhe biznesmeni Nestor Muhametllari dhe Shoqëria 5D, të akuzuar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
Për këtë çështje, SPAK ka çuar edhe fraksionin e dytë për gjykim javën e parë të muajit janar, duke marrë të pandehur 9 zyrtarë të bashkisë së Tiranës të akuzuar për “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim.
Komente

