Ylli Pata: Përplasja me SHBA, Ilir Meta e tejkaloi edhe Nikolla Gruevskin

Ylli Pata: Përplasja me SHBA, Ilir Meta e tejkaloi edhe Nikolla Gruevskin

Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski

Nikolla Gruevski, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, sot i dënuar për korrupsion, në vitin 2017 u përplas ashpër me SHBA-në.

Shërbimet sekrete perëndimore, zbuluan madje edhe infiltrimin dhe mbështetjen e shërbimeve ruse, në pushtimin e Parlamentit prej “paramilitarëve” të VRMO-DPMNE-së dhe masakrimin prej tyre të Zoran Zaevit e Zijadin Selës.

Gruevski nxori njerëzit e partisë së tij të sulmonin Sorosin me teoritë e tyre konspirative, por asnjë ditë nuk  foli zyrtarisht kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrtarëve të saj, apo Forcave të Armatosura të vendit më të fuqishëm të botës.

Maqedonia e Veriut nuk ishte atëherë anëtar i NATO-s, e për këtë fajtor e pengesë ishte vetë kreu i partisë nacionaliste.

Megjithatë, në fund, Gruevski u strehua në një vend që drejtohet nga një lider problematik, euroskeptik e populist si Viktor Orban, por që është anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Europian.

Ilir Meta mbrëmë ka folur një gjuhë totalisht kundërshtare dhe toksike ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke qenë president i një shteti anëtar i NATO prej 13 vjetsh.

Logjika e Metës që SHBA po mban anë është krejtësisht e pabazuar: si ambasadorja Yuri Kim, ashtu edhe diplomatët e tjerë në Tiranë, kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira, kanë bërë thirrje kundër blerjes së votës dhe kanë kërkuar që politika të qëndrojë larg dhunës.

Një sjellje që komuniteti ndërkombëtar e ka kryer gjithmonë në Shqipëri, sjellja e ambasadorëve është fotokopje, si në kohën kur vendin e ka qeverisur PD-ja me LSI-në, ashtu edhe sot.

Nëse opozita, Ilir Meta, apo aktorë të tjerë kanë shqetësime se mazhoranca po kryen veprime të paligjshme, kanë të gjithë instrumentet e mundshme për t’i denoncuar, kanë mediat, prokurori, gjykata, apo edhe komunitetin ndërkombëtar.

Nëse Ilir Meta apo çdokush do të ofrojë fakte dhe argumente, sipas të gjitha gjasave çështja do të marrë sensibilizimin e duhur.

Kështu ka ndodhur gjithmonë, e kështu ndodh edhe në vendet kur ka polarizime të ngjashme si Shqipëria.

Sulmi i Ilir Metës, që e konsideron SHBA-në si një vend që kërkon ta sulmojë atë me Flotën e Gjashtë Amerikane apo ta biombardojë me avionë strategjikë, ngjan kryekëput me fjalimet e Enver Hoxhës kundër “imperializmit amerikan”.

Me një ndryshim, se Shqipëria e Enver Hoxhës, jo vetëm nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-në dhe asnjë lloj marrëdhënie, por e kishte shpallur edhe armik të hapur.

Shqipëria e pas Enver Hoxhës u bë aleate e ngushtë e SHBA dhe e rrëzoi regjimin komunist, edhe për prishjen e marrëdhënieve me Amerikën.

Ndërkaq, përmendja e Rusisë nga ana e Metës, si një shtet me raketa bërthamore që balancon SHBA-në, edhe pse mund të konsiderohet si një lajthitje në prishje nervash e Ilir Metë, një prononcim i tillë i presidentit është një skandal i madh diplomatik.

Ku janë “diplomatët” që kanë vite e vite nëpër panele që akuzojnë mazhorancën e Edi Ramën për karshillëk ndaj Perëndimin e të tjera teorira.

Ku janë “specialistët” e “analistët” e marrëdhënieve ndërkombëtare që kanë kërsitur në vite, madje duke i dalë edhe në krah Ilir Metës në takime e mitingje, të cilët kanë heshtur dhe nuk e trajtojnë këtë skandal të nivelit të paparë ndonjëherë.

Ku janë ish-presidentët e Republikës: Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi e Bujar Nishani, të cilët kanë pasur të gjitha mekanizmat dhe benefitet e marrëdhënieve të ngushta me aleatët strategjikë, duke përfshirë edhe informacionin e klasifikuar që vjen nga SHBA dhe partnerët strategjikë?

Ku janë ish-kryeministra e politikanë të njohur sot jo aktivë në politikë, që kanë përfituar prej marrëdhënies me amerikanët, duke rritur kredot e tyre edhe brenda vendit?

Ku janë ato veprimtarë të shoqërisë civile, organizatat e të cilëve, kanë punuar dhe ushtruar aktivitetin e tyre civik, me anë të projekteve që janë mbështetura nga vendet partnere me Shqipërinë, në radhë të parë SHBA-në?

Përse nuk flasin, madje disa prej tyre janë përfshirë në fushatën politike të Ilir Metës, duke i vënë vizën të gjithë aktivitetit të organizatave të tyre ndër vite, e që duhen të jenë jashtë politikës.

Në Maqedoninë e Veriut, kur ndodhi një gjë e tillë, pati mjaft aktorë civil, politikë, por edhe nga institucione strategjike, që kërkuar urgjentisht nga Gruevski të mos dëmtonte marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit.

Ku është opozita e Lulzim Bashës, e cila edhe nëse nuk do të dëmtojë aleatin e tij strategjik në qeveri, gjithsesi duhet të shkruajë një rresht për theksimin e aleancës me SHBA, duke e riforcuar angazhimin e tij?

Të gjithë, duket presin çfarë do të ndodhë, por nëse flasin më pas, çdo frazë e tyre nuk do të vlejë më.

Ilir Meta e ka bërë dëmin në marrëdhëniet me SHBA dhe pas 25 prillit, do të jetë jo e lehtë për t’I rikuperuar.

Sot ka ende njerëz të Metës e PD-së që sulmojnë faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA në Tiranë me sharje nga më të ndryshmet.

Kjo nuk ndodh, as në shtetet ku SHBA nuk ka fare marrëdhënie të mira, dhe nuk kemi të bëjmë me qytetarë të “mërzitur”, por janë thjesht njerëz të ndërsyer…/ Gazeta "Tema"

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Kikia: Çdo ditë gjysma e qeverisë para se të shkojë në punë, shkon në SPAK një herë

Kikia: Çdo ditë gjysma e qeverisë para se të shkojë në punë, shkon në SPAK një herë