Plani B i qeverisë/ Ushtria në terren për të furnizuar me ushqime të gjithë ‘ngujuarit’ nga koronavirusi 

Plani B i qeverisë/ Ushtria në terren për të furnizuar me ushqime të gjithë ‘ngujuarit’ nga koronavirusi 

TIRANË - Ushtria shqiptare do të angazhohet për blerjen e ushqimeve, me qëllim furnizimin në banesa të pensionistëve dhe të familjeve në nevojë, në kuadër të masave mbrojtëse kundër përhapjes së infeksionit të shkarkuar nga virusi covid-19. Plani është diskutuar në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve mes përfaqësuesve të qeverisë, kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi si dhe kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Për këtë qëllim, qeveria ka dërguar një projektligj në Kuvend, i cili i lejon ushtrisë të blejë ushqime dhe materiale të tjera, për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Bëhet fjalë për projektligjin për prokurimet në fushën e mbrojtjes së sigurisë, i cili do të shqyrtohet dhe miratohet me urgjencë në Kuvendi. 

Ligji përcakton rregullat e prokurimit në fushën e mbrojtjes së sigurisë, siç janë kufijtë monetarë, mënyra e përllogaritjes së vlerës së kontratës dhe ndarja në lote si edhe mënyrat e komunikimit me Autoritetin Kontraktor. Përcaktohen gjithashtu llojet e procedurave të prokurimit në varësi të rrethanave, si procedurë të kufizuar, procedurë me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit, dialog konkurues, procedurë me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës dhe marrëveshje kuadër. 

Për këtë nismë, në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, deputeti Taulant Balla, tha se “do të citoj në mënyrë të veçantë projektligjin “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes së sigurisë”. Kujto këtu se në planin e masave të ndërmarra nga qeveria për të përballuar këtë situatë i është lënë një fond i posaçëm Ministrisë së Mbrojtjes, pikërisht për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Pra, do të jetë Ministria e Mbrojtjes, që përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe Rezervave të Shteti do të blejë ushqime, të cilat do t’u vihen në dispozicion familjeve në nevojë. Për këtë është shumë e nevojshme që projektligji “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes së sigurisë” të jetë gati sa më shpejt”. 

Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ermonela Felaj tha se “U përmend edhe nga kryetari i grupit, edhe unë e thashë që të futet në kalendar ligji për prokurimet në fushën e mbrojtjes. Nuk e di, a ka një urgjencë për miratimin e këtij  ligji, në mënyrë që Komisioni i Sigurisë ta planifikojë, se besoj që ne jemi komisioni përgjegjës?”. Në përgjigjen e saj, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, tha se “Po. Në fakt e përmendi edhe zoti Balla dhe nuk e gjykova të arsyeshme ta përsëris, pasi e tërë, është një projektligj me përparësinë kohën që Ministria e Mbrojtjes ka një përgjegjësi të shtuar, në raport me përballimin e pandemisë. Do të ishte shumë mirë që Komisioni i Sigurisë si komisioni përgjegjës të mund ta vendosë në kalendar këtë projektligj”. 

Ndërkaq, përmes një akti normativ të depozituar në Kuvend, qeveria kërkon ndryshimin e ligjit të vitit 2016 për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive. Akti normativ synon të rregullojë pjesëmarrjen e forcave mbështetëse për mbikëqyrjen e zbatimit të masave parandaluese, sipas legjislacionit në fuqi, përkatësisht, strukturat e Policisë së Shtetit dhe, në rast nevoje, edhe ato të Forcave të Armatosura, të cilat mund të marrin pjesë në rast të një epidemie, fatkeqësie natyrore apo aksidenti të rëndë, të cilat mund të favorizojnë shpërthime epidemike. Pra, me anë të këtij akti normativ, angazhimi i ushtrisë në raste epidemish bëhet me ligj.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë