Në përgatitjet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Shqipëria po mbështetet nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit deri tani janë miratuar 212.8 milionë euro.

“Qeveria e Shqipërisë e konsideron Instrumentin për Reforma dhe Rritje jo thjesht si një instrument financiar, por si një nga mekanizmat më të rëndësishëm për përshpejtimin e përgatitjes së vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mbi 212 milionë euro janë disbursuar dhe po përdoren si mbështetje e drejtpërdrejtë buxhetore dhe për bashkëfinancimin e investimeve strategjike. Shqipëria kryeson rajonin e Ballkanit Perëndimor për nga ritmi i zbatimit. Kjo tregon se kemi hyrë në autostradën e duhur drejt Brukselit”, shprehet zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.

Në mbledhjen e dytë të Komitetit Monitorues të Instrumentit për Reforma dhe Rritje Sigrid Brettel, përfaqësuese e Komisionit Evropian, thotë se institucionet shqiptare i pret shumë punë përpara.

“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është shndërruar gjithashtu në një faktor përshpejtues të procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke nxitur përafrimin real me standardet evropiane në fusha që lidhen drejtpërdrejt me procesin e screening-ut dhe grupkapitujt e negociatave. Duke parë përpara, hapat e Agjendës së Reformave për vitin 2027 përfaqësojnë një ngarkesë të konsiderueshme pune për njëmbëdhjetë institucione shqiptare”, tha Sigrid Brettel, përfaqësuese e Komisionit Evropian.

Shqipëria mund të përfitojë deri 1 miliard euro grante dhe kredi për të financuar projekte nga ky plan rritjeje, por me kushte edhe më të rrepta, për zbatimin e ligjit sidomos tek klima e biznesit, kapitali njerëzor apo tranzicioni digjital.

“Miratimi i një ligji është i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Një hap reformues konsiderohet i përmbushur vetëm kur qytetari, biznesi apo institucioni e përjeton efektin e tij në praktikë. Ky standard kërkon jo vetëm legjislacion, por edhe akte nënligjore, kapacitete institucionale, angazhime buxhetore dhe vullnet politik të qëndrueshëm”, tha Eridana Çano, drejtoreshë e SASPAC.

Shqipëria ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve negociues, dhe brenda këtij viti synohet mbyllja e 10 kapitujve të parë të negociatave.