Pluset dhe minuset e shkatërrimit të
armëve kimike të Sirisë në Shqipëri

Pluset dhe minuset e shkatërrimit të<br />armëve kimike të Sirisë në Shqipëri
TIRANE- Ka disa ditë që diskutohet për mundësinë e pranimit të një kërkesë të OKB, për shkatërrimin në vendin tonë të armëve kimike të Sirisë. Faktori kryesor negativ po të pranohej një gjë e tillë është rreziku për ndotjen e mjedisit, në një terren të caktuar të vendit tonë, si me pasoja emergjente, ashtu edhe me pasoja në një kohë relativisht të gjatë.

Një faktor tjetër negativ mund të jetë problematika për menaxhimin e përhershëm të mbetjeve të këtyre lëndëve, pas procesit të shkatërrimit të tyre. Ndotja e tejskajshme e vendit tonë dhe problemet me mjedisin janë një argument i fuqishëm për të kundërshtuar pranimin e lëndëve helmuese siriane.

Gjithashtu, një arsye tjetër pse këto armë nuk duhet të shkatërrohen në Shqipëri janë edhe mundësitë e pakta që ka vendi ynë për të kryer këtë operacion, të vështirë edhe për vende me mundësi, kapacitete dhe përvoja shumë më të mëdha se ne.

Pra, arsyeja pse nuk duhet të pranohen është ndotja e mjedisit dhe problemet me shëndetin dhe, pse jo, edhe rreziku për jetën e njerëzve.
Disa nga faktorët, pse vendi ynë mund ta pranojë kërkesën për shkatërrimin e lëndëve kimike mund të jenë, së pari, tregimi me vepra i asaj që Shqipëria ka deklaruar, se është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Rezoluta 2118 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e votuar unanimisht më 27 shtator, e cila kërkon nga Siria që të eliminojë armët kimike deri në mes të vitit 2014, është cilësuar nga OKB dhe BE si rezolutë historike dhe se duhet të shërbejë si standard për komunitetin ndërkombëtar, në përgjigje të kërcënimeve. Kjo deklaratë është përshëndetur fuqishëm nga Tirana zyrtare.

Një arsye tjetër për pozitivitetin në pranimin e këtyre substancave janë marrëdhëniet tona me SHBA. Dihet angazhimi i madh amerikan dhe veçanërisht i presidentit Obama, për situatën në Siri, deri në caqet e një ndërhyrjeje ushtarake. Me rënien e versionit të luftës, nga SHBA u ra dakord se diplomacia është mjaft e fuqishme për të “çaktivizuar armët më të këqija të luftës”. Shqipëria ka deklaruar se do të jetë në krah të SHBA, të aleatit të saj strategjik. Në këtë aspekt, kontributet tona për paqen dhe sigurinë, në krah të SHBA, në rastin e pranimit të lëndëve kimike, mund të marrin kuptim më të madh se kontributet e deritanishme.
Misionin për shkatërrimin e armëve kimike në Siri, do ta kryejë Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCË) e nderuar jo pa qëllim këtë vit me Çmimin Nobel të Paqes, në bashkëpunim me 100 punonjës të Kombeve të Bashkuara. Kjo organizatë, qysh nga viti 1997, ka mbikqyrur shkatërrimin e 80% të rezervave botërore të armëve kimike të deklaruara dhe kryen aktivitetin e saj në shumë shtete.

Sensibilizimi dhe rëndësia e madhe që shtete dhe organizata të fuqishme ndërkombëtare i japin operacionit të lëndëve kimike të Sirisë të bën të besosh se siguria në përmbushjen e tij do të jetë maksimale.

Një aktivitet i tillë nuk mund të jetë aktivitet biznesi dhe ka përmasa shumë më të mëdha se përmasat fitimprurëse ekonomike të ligjit të menaxhimit të mbetjeve, apo të importit të plehrave.

Programi i inicuar nga dy senatorët amerikanë Nunn dhe Lugar, për shkatërrimin e armëve kimike në vendin tone, i cili e ktheu Shqipërinë në një vend pa armë kimike është një shembull i mirë besimi dhe sigurie, në kryerjen e aktiviteteve të tilla në vendin tonë.

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Lëshonin fatura fiktive, Prokuroria e Tiranës kërkon arrest në burg për dy persona! I shkaktuan dëm shtetit 1 mln euro

Lëshonin fatura fiktive, Prokuroria e Tiranës kërkon arrest në burg për dy persona! I shkaktuan dëm shtetit 1 mln euro