TIRANË-Protesta kombëtare e Partisë Demokratike kundër qeverisë Rama, ndryshe nga herët e kaluara, është shtyrë me një orë dhe zhvillohet në 18:00. Kjo për të respektuar muajin e Ramazanit dhe faktin që deri pranë orës 17.30 qytetarët janë me agjërim.

Me përvojën e 2 protestave të kaluara kombëtare të PD-së, 24 janar dhe 10 shkurt, me bomba molotovë, gurë e fishekzjarrë, shumica e të cilave shënjestruan uniformat blu, tubimin e 20 shkurtit, policia nuk e aprovon. Edhe informacionet për këtë protestë, përfshirë dhe thirrjet publike të drejtuesve të PD-së, janë sërish për dhunë.

“Policia nuk jep aprovim për atë çka do kryhet, por do të jetë aty të garantojë rendin dhe sigurinë, ama nuk jep aprovim për tu kryer një protestë e cila 2 herët e fundit ka qenë me dhunë, dhe ende bëhet thirrje për të ardhur dhe për tu mbledhur në protestë të dhunshme”, tha Albana Koçiu.

Megjithatë, ligji për “tubimet” e detyron policinë që të marrë masa për garantimin e sigurisë dhe rendit, kur ka informacion se po bëhet një tubim. Dhe për aq kohë sa në shesh ngrihet një podium dhe ka informacione se mund të ketë dhunë, policia thotë se ndonëse nuk e mori përsipër zhvillimin e protestës, “ka ndërmarrë të gjitha masat me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi.” Pra, efektivët e policisë do të jenë në terren njëjtë si protestat e kaluara, por nëse ka akte dhune dhe bllokime rrugësh, përgjegjës do të jenë drejtpërdrejtë organizatorët e protestës.

Njoftimi për protestë më 20 shkurt, të cilin policia nuk e aprovon, Report Tv mëson se është firmosur nga Klevis Balliu, deputet i PD.  Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu u bëri thirrje organizatorëve të protestës që të distancohen nga aktet e dhunës, pasi përgjegjësit do të përballen me drejtësinë sipas legjislacionit në fuqi. 

“Si të jetë me leje, si pa leje, kushdo që kryen një verim që dënohet penalisht,  klasifikimin e veprës e bën policia prokuroria, në varësi të cilit veprim kryhet”, tha ministrja.

Duke shmangur komentin ndaj një vendimi të drejtësisë, ministrja e Brendshme Albana Koçiu, dha këtë koment, përballë policisë që arreston militantët e dhunshëm, dhe gjykatës që i liron: “Patjetër që çdo akt dhune është i dënueshëm, për këtë i bëj thirrje drejtuesve të protestës sot të distancohen nga dhuna.”

Thirrjen organizatorëve, ministrja ia drejtoi edhe për të shmangur përdorimin e të miturve në aktet e dhunës në protestë, një skemë kjo që siç Albana Koçiu është shprehur më herët,  përdoret për të shpëtuar nga përgjegjësia penale, autorët e vërtetë të dhunës.

“Organizatorët duhet të jenë të prerë dhe të distancohen. Dhe përgjegjësit ligjorë të tyre që i marrin dhe përdorin të miturit për akte dhune, të bëjnë maksimumin për të mos i përfshirë të miturit në protestë. Është një nga gjërat më të poshtra”, theksoi ministrja.

Në zbatim të masave që ka marrë policia sot do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:13
Sot protesta, Berisha porosi protestuesve: Mos shkelni në xhami, respektoni besimtarët

Sali Berisha nuk dha asnjë koment për skenarin që do të ndjekin në protestën e sotme, por u dha porosi protestuesve që të respektojnë besimtarët myslimanë dhe të mos afrohen tek xhamia pranë Kuvendit, duke qenë se ndodhemi në muajin e shenjtë të Ramazanit.

“Edhe njëherë, për të gjithë ata që agjërojnë, nderimin dhe respektin tim më të madh. Dënoj me forcën më të madhe pushtimin e vakëfit dhe të xhamisë nga banditë me uniformë dhe kërkoj që njeri prej tyre të mos shkelë në territorin e vakëfit dhe të xhamisë.

Protestuesit, absolutisht, përveç nderimit më të madh për ata që falin namazin në xhami, nuk mund të kenë asgjë tjetër. Ata që hyjnë me uniforma, ata që përdorin territorin kundër protestuesve paqësorë, ata në ferr do përfundojnë, në xhehenem, atje e kanë vendin. Ata kryejnë një akt dy herë më të rëndë. Prandaj, ne u shprehim respektin më të madh, se çfarë bëjnë banditët, ajo nuk është përgjegjësia jonë. Por ne do i çlirojmë shqiptarët edhe nga këta banditë”, tha Berisha.

Ora 13:12
Policia nuk mori përsipër protestën e PD, Berisha: Molotovët nuk i hedhim ne, janë inskenime të Prodës

Sali Berisha në një konferencë për shtyp komentoi vendimin e Policisë së Shtetit, e cila nuk ka marrë përsipër zhvillimin e protestës para Kryeministrisë. Kreu i PD vijoi me skenarët e tij absurdë, se nuk janë protestuesit ata që hedhin molotovë ndaj policëve, por janë vete efektivët që hedhin mjete piroteknike kundër opozitës. Madje, Berisha pretendoi se gjithçka është një inskenim i Ilir Prodës, ndonëse në fakt pamjet e protestës së fundit treguan qartë momentet kur militantët e Berishës hidhnin molotovë kundër efektivëve dhe plagosën 16 prej tyre.

Gazetarja: Ju paralajmëruat protestë paqësore, do të thotë që nuk do keni molotovë për të hedhur sot në protestë?

Sali Berisha: Tani, këto që thoni ju, nuk i organizon PD. Pse shihni ju ato inskenimet e Ilirjan Prodës, që i përgatisin në zyrat e policisë dhe i japin si foto, nuk i ha kush ato.

Protestën e fundit ishte policia që hidhte mjete piroteknike kundër opozitës. U kap me filma ajo.

Gazetarja:Kishte edhe eksponentë të PD bashkë me disa persona...

Sali Berisha: Jo, nuk kishte asnjë eksponent.

Gazetarja: Nuk keni hedhur molotov?

Sali Berisha: Kishte ndonjë njeri të zemëruar që hidhnin ndonjë shashkë apo ndonjë fishekzjarr.

Ora 12:55
Policia nuk mori përsipër protestën e Berishës, Koçiu: Do të garantojë sigurinë, por nuk e aprovon kryerjen e saj

 

Gjatë pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp, ministrja Albana Koçiu sqaroi njoftimin e policisë për protestën e Berishës. Në njoftim thuhet se “policia nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit”, ndërsa shton se “ka ndërmarrë të gjitha masat”. Sipas Koçiut, Policia e ka për detyrë garantimin e rendit dhe sigurisë, por nuk aprovon një protestë të tillë.

“Policia e shtetit është aty për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, e ka detyrë funksionale ta kryejë në çdo rast. Nuk ka dhënë leje për ushtrimin e protestës. Nëse është vënë në dijeni, i ka kthyer përgjigje duke thënë që nuk merr përsipër për të siguruar protestën. E drejta për të protestuar është e drejtë kushtetuese. Këtë ka dashur të thotë policia. Do të jetë aty të garantojë sigurinë, por nuk jep aprovime për kryerje të një proteste të tillë. Policia e shtetit nuk jep aprovim për atë që do të kryhet, nga ana tjetër do të kryejë detyrat e saj funksionale. Do të jetë aty si çdo ditë për të garantuar rendin dhe sigurinë, ama nuk jep aprovim për t’u kryer një protestë e cila 2 herët e fundit ka qenë me dhunë, dhe ende bëhet thirrje për të ardhur dhe për t'u mbledhur në protestë të dhunshme”, tha Koçiu.

Ora 12:54
Gazi lotsjellës i skaduar i përdorur në tubimet e PD, Koçiu: Kam urdhëruar të nisin hetimet, nuk e di nëse është apo jo i dëmshëm

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu tha se ka urdhëruar Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për të nisur hetimet lidhur me përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar në protestat e Partisë Demokratike. Koçiu tha se hetimet po vijojnë ndërsa nuk dha një përgjigje nëse është apo jo i dëmshëm për qytetarët.

“Këtë shqetësim e kam ndjekur kam urdhëruar të kryet një hetim nga policia dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Hetimet po vazhdojnë do të dalim në konkluzion. Nëse është i dëmshëm ose jo, këtë nuk di të ta them”, tha Koçiu.

Ora 12:47
Lirimi i militantëve të Berishës? Koçiu: Nuk komentoj vendime gjykatash, distancohuni nga dhuna! Përdorimi i të miturve, gjëja më e poshtër

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu refuzoi të komentojë vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila liroi të gjithë militantët e Berishës që sulmuan me molotovë ndaj policëve, duke caktuar ndaj tyre masën detyrim paraqitjeje. Ndërsa sot mbahet protesta e radhës, Koçiu u bëri thirrje organizatorëve që të distancohen nga aktet e dhunës dhe të mos përdorin të miturit.

“Nuk dua të komentoj vendime gjykatash, s’më takon mua t’i komentoj. Çdo akt dhune është i dënueshëm. Nga çdo akt dhune do duhet të distancohemi, u bëj thirrje të distancohen. Uroj të kemi protestë paqësore, të mos kemi akte të turpshme, uroj mos të kemi dhunë ndaj policisë e hedhje të bombave molotovë, gura e fishekzjarre. Nuk është kjo mënyra, jemi për protestë paqësore, po jo protesta të dhunshme. Të shmangni përdorimin e të miturve. Organizatorët duhet te distancohen nga përdorimi i të miturve në protestë, sikundër edhe përgjegjësit ligjor të tyre që i përdorin të miturit për të kryer akte të dhunshme dhe te dënueshme. Duhet të bëjnë maksimumin për të mos përfshirë të miturit në protestë. Është gjëja me poshtër, shfrytëzimi i të miturve në protesta. Do doja të kishim edhe një ndërgjegjësim sa i përket forcave të policisë, por edhe ju si media, për të mos incentivuar, apo motivuar këdo që kërkon të krijojë incidente të dhunshme, karshi atyre që janë në shesh për të kryer detyrën e tyre”, tha ministrja.

Ora 12:31
Policia nuk mori përsipër protestën e PD, Koçiu për Report Tv: Kush kryen akte dhune, përballet me drejtësinë! Organizatorët përgjegjës sipas ligjeve

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu komenton për Report Tv faktin që Policia e Shtetit nuk mori përsipër zhvillimin e protestës së PD. Koçiu tha për gazetarin Sokol Dema se protesta nuk u mor përsipër për shkak të akteve të dhunës, por gjithsesi efektivët do jenë në terren siç e parashikon ligji për tubimet.

“Ne e kemi thënë që protesta janë e drejtë kushtetuese, për të protestuar në mënyrë paqësore, për të shprehur bindjet apo opinionet. Sa i përket faktit që Policia nuk e ka miratuar zhvillimin e protestës, është një procedurë që është e lidhur me2 protestat e kaluara, duke patur në konsideratë veprimet e dhunshme. Ju e thatë vetë e drejta për të tubuar dhe manifestuar është e kujtdo, policia ka për detyrë të ruajë rendin dhe sigurinë”, tha Koçiu.

Por, kush do e ketë përgjegjësinë për aktet e dhunës? Koçiu thotë për Report Tv se kushdo që kryen akte dhune do të procedohet penalisht sipas rregullave në fuqi.

“Kush është përgjegjës? Si të jetë një protestë me leje apo leje, kushdo që kryen veprim i cili dënohet penalisht, bën klasifikimin e veprës, në varësi të çfarë veprimi kryen. Kjo nuk ndikon në faktin që nëse kemi një protestë me leje, apo pa leje, kushdo që kryen veprim të paligjshëm procedohet penalisht sipas rregullave në fuqi”, vijoi Koçiu.