Politika uron besimtarët për Kurban Bajramin, Meta: Ruani e nderoni vlerën e personalitetit! Basha: Zoti na ka bërë sprovë për njëri-tjetrin

Politika uron besimtarët për Kurban Bajramin, Meta: Ruani e nderoni vlerën e personalitetit! Basha: Zoti na ka bërë sprovë për njëri-tjetrin

Foto ilustruese

Politika shqiptare ka uruar mbrëmjen e sotme festën e Kurban Bajramit, një festë e shenjtë për të gjithë besimtarët myslimanë. Presidenti i vendit, Ilir Meta me anë të një postimi ka shkruar se Kurban Bajrami është përkujtimi i shëmbëlltyrës sublime të sakrificës për jetën dhe lirinë. Ai ka dhënë një mesazh të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët me fjalët "Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit. Kurrë mos shkelni të drejtën dhe nderin e dikujt".

Postimi i Metës

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!

GËZUAR KURBAN BAJRAMIN!

Kurban Bajrami është përkujtimi i shëmbëlltyrës sublime të sakrificës për jetën dhe lirinë. Në këtë ditë feste, besimtarët myslimanë sjellin mesazhin e mirëkuptimit, solidaritetit dhe vëllazërisë. Pelegrinazhi, udhëtimi i vetëpërtëritjes individuale, simbolizon mënyrën e të jetuarit në paqe me veten dhe të tjerët. Një rit, një ndjenjë, një ideal, larg egoizmave, me qëllimin e përbashkët të respektit, tolerancës dhe dashurisë, rikthimin tek vlerat e shenjta të jetës, lirisë dhe drejtësisë. Është tepër e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm në festimet tona, duke respektuar dhe marrë të gjitha masat e duhura për të parandaluar përhapjen e mundshme të COVID-19 tek të afërmit dhe njerëzit tanë të dashur. Në fenë islame shëndeti dhe jeta kanë një rëndësi të veçantë, ndaj të kujdesemi për veten, familjen, të dashurit dhe njerëzit që kanë më shumë nevojë. Në një ditë si kjo, në fjalimin e lamtumirës, Profeti Muhamed citoi porosinë e tij të fundit: "Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit. Kurrë mos shkelni të drejtën dhe nderin e dikujt". Me mesazhet e kësaj dite të shënuar ju uroj: GËZUAR KURBAN BAJRAMIN! ZOTI E BEKOFTË SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT KUDO NDODHEN

Edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha ka uruar të gjithë besimtarët shqiptarë për këtë festë të shenjtë. Ai thotë se çdo ditë duhet të kujtojmë se është sakrifica jonë, është vullneti i mirë, janë aktet të nisura jo me qëllim përfitimi personal, por për të bërë vepra të mira për familjen, për shoqërinë e në veçanti për ata që janë më në nevojë, ato qe na lartësojnë para Zotit dhe para njëri-tjetrit.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Të dashur besimtarë myslimanë,

Gëzuar Kurban Bajramin, këtë kremtim të sakrificës dhe besimit në Zot! "Zoti na ka bërë sprovë për njeri tjetrin”- thotë Libri i Shenjtë, ndaj si në këtë ditë, çdo ditë duhet të kujtojmë se është sakrifica jonë, është vullneti i mirë, janë aktet të nisura jo me qëllim përfitimi personal, por për të bërë vepra të mira për familjen, për shoqërinë e në veçanti për ata që janë më në nevojë, ato qe na lartësojnë para Zotit dhe para njëri tjetrit. Fatkeqësisht ky Kurban Bajram e gjen vendin tonë mes krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike. Pandemia ka shkaktuar viktima dhe shumë qytetarë po trajtohen në spitale ndërsa varfëria ka pllakosur mijëra familje e papunësia po rritet. Le të gjejmë së bashku forcën dhe kurajën sot tek Mesazhi i Kurban Bajramit që dëshmon se nuk ka sprovë që nuk kalohet me besim tek Zoti, e duke u mbështetur tek njëri tjetri.  Gëzuar Kurban Bajramin! Zoti qoftë pranë shqiptarëve, u lehtësoftë ditët e vështira e u ndriçoftë të ardhmen.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hasan Pordha: 31/07/2020 00:01

    Mire e ka imzot George Frendo qe nuk i pranon politikanet duke i akuzuar publikisht se perderisa ata jane te lidhur me krimin drogen prostitucionin qe cdo lloj feje i ndalon nuk me interesojne fare urimet e tyre dhe sidomos vizitat e tyre ne seline time

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Meta grushte foltores: Në 27 prill ekzekutojmë nepotizmin, jo njerëzit

Meta grushte foltores: Në 27 prill ekzekutojmë nepotizmin, jo njerëzit