Presidenca, Kuvendi dhe Kryegjyshata e Bektashinjve vishen blu për autizmin: Fëmijët në vështirësi për shkak të COVID-19

TIRANE-Një pjesë e institucioneve shqiptare mbrëmjen e sotme janë ndriçuar me ngjyrën blu në shenjë sensibilizimi në kuadër të ditës së autizmit. Presidenti Ilir Meta, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, por edhe Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve janë solidarizuar me këtë kategori.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:38
Autizmi, Baba Mondi: Po luftojmë për këtë kategori! Vendi vështirësi nga koronavirusi

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve është solidarizuar me ditën botërore të autizmit duke ndriçuar godinën blu. Haxhi Baba Edmond Brahimaj u shpreh se po luftojmë që kjo kategori të inkuadrohet në jetën tonë të përditshme. "Në kuadër të ditës botërore të autizmit bashkëngjitemi fondacionit duke ndarë këtë muaj bashkë me ata 'ndriço blu' duke u solidarizuar me këtë shtresë që ne luftojmë dhe punojmë që edhe këta të jenë të inkuadruar në jetën tonë të përditshme për t'u ardhur në ndihmë të kësaj kategorie të njerëzve autikë. Unë lutem bashkë me ju që Shqipëria në këtë situatë të vështirë të kalojë këtë periudhë të rëndë të këtij virusi vdekjeprurës, ata që janë sëmurë Zoti i shëroftë shpejt, ndërsa armatën e mjekëve Zoti u dhënë fuqi dhe shëndet" tha ai.

Ora 20:15
Autizmi, Kuvendi ndriçohet në blu: Solidaritet kushtuar kësaj kategorie të fëmijëve

1585857314_1585851379kuvendi.jpg

Me rastin e 2 prillit, Ditës së Ndërgjegjësimit Botëror për Autizmin Kuvendi i Shqipërisë është ndriçuar në ngjyrë blu. Kuvendi i bashkohet  me këtë veprim nismës së  Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë “Domenic Scaglione”, për sensibilizimin dhe solidarizimin e publikut për këtë ditë kushtuar kësaj kategorie të fëmijëve shqiptarë.

Ora 19:50
Presidenca vishet blu për autizmin, Meta: Koronavirusi ka sjellë vështirësi të mëdha për këta fëmijë

Në ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta ka veshur Presidencën me ngjyrën blu në shenjë sensibilizimi duke iu bashkuar fushatës botërore. Meta thotë se fëmijët dhe familjet e tyre, të cilët kanë nevojë për solidaritet, ndihmë, përkujdesje dhe dashuri të përhershme. Situata e krijuar nga koronaviursi, Meta thotë se ka sjellë vështirësi të mëdha, veçanërisht për fëmijët me autizëm, të cilët nuk mund të zhvillojnë veprimtaritë dhe aktivitetet aq të domosdoshme për zhvillimin e aftësive të tyre.

"Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin, na kujton detyrimet institucionale dhe shoqërore, për fëmijët dhe familjet e tyre, të cilët kanë nevojë për solidaritet, ndihmë, përkujdesje dhe dashuri të përhershme. Sot kjo Ditë shënohet në mes të një krize të rëndë shëndetësore dhe ekonomike, për shkak të pandemisë globale COVID-19, që ka sjellë vështirësi të mëdha, veçanërisht për fëmijët me autizëm, të cilët nuk mund të zhvillojnë veprimtaritë dhe aktivitetet aq të domosdoshme për zhvillimin e aftësive të tyre.

Mbështetja dhe përkrahja e këtyre fëmijëve, si dhe zgjidhja e problemeve thelbësore që shqetësojnë familjet e tyre, duhet të jetë përparësi. Shoqëria jonë ka nevojë për solidaritet, për një Shqipëri të dhembshur dhe humane, për dashurinë, kujdesin dhe përkushtimin ndaj njerëzve më në nevojë!" shkruan Meta.

Presidenca e veshur me ngjyrën blu në shenjë sensibilizimi për ditën e autizmit 
Ora 19:00
‘Unë të dëgjoj’, lançohet në Ditën Botërore të Autizmit këshillimi online për nxënësit me aftësi ndryshe në bashkinë Durrës

Në kuadër të situatës së krijuar në vend nga përhapja e virusit COVID-19 si dhe masave për të përballuar sa më mirë këtë situatë, Bashkia Durrës dhe Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Durrës (ZVAP), me mbështetjen teknike të Projektit “Bashki te Forta”, kanë lançuar linjën e këshillimit online “Unë të dëgjoj” pikërisht në Ditën Botërore të Autizmit.

Kjo linjë komunikimi u vjen në ndihmë prindërve të fëmijëve me aftësi ndryshe të cilët frekuentojnë arsimin parashkollor dhe atë 9-vjeçar, në bashkinë Durrës

“Me këtë nismë që i vjen në ndihmë fëmijëve me aftësi ndryshe por edhe prindërve të tyre, shënojmë punën konkrete për të lehtësuar sadopak problemet e shkaktuara nga COVID-19”, tha kreu i Bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj.

Shërbimi psiko-social ofrohet nga 17 psikologë të shkollave dhe kopshteve dhe nga ky shërbim do të përfitojnë 187 nxënës me aftësi ndryshe.

Linqet e formularit për të marrë shërbimin e linjës “Unë të dëgjoj”: https://forms.gle/nBMjm7v7gXc52VGJ7 Më shumë detaje në linkun https://www.durres.gov.al/bashkia/njoftime-shpallje/1223-une-te-degjoj-keshillim-online-per-nxenesit-me-aftesi-ndryshe-ne-bashkine-durres

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Lirohet nga qelia ish-kryetari i Bashkisë së Fushë Arrëzit, Fran Tuci

Lirohet nga qelia ish-kryetari i Bashkisë së Fushë Arrëzit, Fran Tuci