Presidenti Thaçi: Albin Kurti duhet të vijë të marrë mandatin, e ka gati. Isa Mustafa: LVV-ja vepron me logjikë lufte

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se e ka nënshkruar vendimin për t’ia dhënë mandatin e formimit të qeverisë Albin Kurtit dhe se lideri i Vetëvendosjes posa të jetë gati, mund të shkojë në Presidencë për ta marrë dekretin.

“Kosova nuk do të jetë edhe për shumë kohë e bllokuar. Unë do t’i shikojë të gjitha mundësitë dhe variacionet politike që kanë partitë për respektimin e vullnetit qytetarë. Të gjithë qytetarët që kanë votuar duhet t’i respektojmë dhe unë vazhdoj të besoj fuqishëm që do të vazhdojmë t’i përmbushim detyrat që kemi. Për hir të korrektësisë, unë i kam dërguar disa ftesa Kurtit. Takimi në zyrën time ka qenë një takim i vullnetit të mirë por në të njëjtën kohë dua të shpresoj dhe e ftoj përsëri kreun e VV të vijë të marr vendimin që unë kam nënshkruar, nomimimin e Albin Kurti është nominuar për kryeministër. Mandati është në tavolinën time”, ka thënë presidenti Thaçi.

Thaçi tha gjithashtu se vullneti për të lëvizur më shpejtë është më i madh se për të mbajtur peng votën e popullit.

“Nëse Kurti nuk e pranon dhe nuk është i gatshëm ta marrë vendimin për të qeverisur, atëherë mund ta refuzojë”- shtoi Thaçi duke thënë se ai do të shterrojë të gjitha mundësitë për krijimin e institucioneve.

Në një intervistë për median, lideri i LDK Isa Mustafa ka thënë se Vetëvendosja vepron me logjikë lufte dhe se LDK nuk mund të negociojë me këtë mënyrë sjellje.

“Ne, - tha Mustafa- nuk jemi në luftë. Me logjikë lufte pushtohet territori i një vendi. Pastaj na thonë hajde të merremi vesh për territorin tjetër. Por pjesën që e kam pushtuar, kjo mbetet e imja”.

I pyetur për letrën që Albin Kurti i kishte dërguar dy ditë më parë, në të cilën kreu i VV i bënte thirrje Mustafës, të hiqte dorë nga largimi i Konjufcës nga kreu i Kuvendit dhe e ftonte të rikthehet në tryezën e bisedimeve, Mustafa tha se ‘ajo më tepër i ngjante një esseje ideologjike sesa ishte një përgjigje ndaj kërkesave të LDK-së.

Dy ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje publikoi letren e liderit të saj Albin Kurtit në adresë të kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Në letër Kurti i bënte thirrje Mustafës, të hiqte dorë nga largimi i Konjufcës nga kreu i Kuvendit dhe e ftoi të rikthehet në tryezën e bisedimeve.

Në letër gjithashtu shprehej keqardhja për ndërprerjen e takimeve mes LDK dhe LVV.

Kanë kaluar mbi 100 ditë prej ditës së zgjedhjeve dhe dy partitë fituese, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kishin trumbetuar një koalicion të përbashkët e të emëruar nga vetë ata si “koalicioni i shpresës”, nuk po tregojnë se mund të ketë shpresë për këtë koalicion.

Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar një ofertë drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës ku parashihet rritja e numrit të ministrive nga 12 në 14 – ku një do t’i takonte LDK-së dhe një tjetër do t’u shkonte minoriteteve.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka refuzuar ofertën e LVV duke e quajtur tallje.

Në anën tjetër, Vetëvendosja është shprehur se Glauk Konjufca do të jetë kryetar i Kuvendit dhe kjo nuk mund të ndryshohet. 

Më herët kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se brenda kësaj jave do t’i jepet fund epilogut nga organet e LDK-së marrëveshjes për koalicion dhe se nuk do të heqin dorë nga një pushtet reciprok. Ai tha se do të përpiqen që takimi i radhës të jetë i fundit.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Spaho: Do kërkojmë të rikthejmë koalicionet parazgjedhore! Gjykata ka vetëm një alternativë, t'i kthejë vulën Rithemelimit

Spaho: Do kërkojmë të rikthejmë koalicionet parazgjedhore! Gjykata ka vetëm një alternativë, t'i kthejë vulën Rithemelimit