Grupet kriminale po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, ndërsa krimet mjedisore po shfaqen si një kërcënim i ri për sigurinë në vend. Kjo është panorama që paraqet raporti SOCTA 2026 i Policisë së Shtetit, i hartuar sipas metodologjisë së Europolit, ku trafiku i drogës, korrupsioni, pastrimi i parave dhe migracioni i paligjshëm mbeten ndër rreziqet kryesore për Shqipërinë.
Raporti identifikon grupet kriminale të organizuara si kërcënimin më të madh për sigurinë, duke theksuar se ato po bëhen gjithnjë e më fleksibël dhe më të afta për të shfrytëzuar teknologjinë, sistemet financiare dhe lidhjet ndërkombëtare për të zhvilluar aktivitetet e tyre.
Sipas analizës, trafiku i drogës e vijon të mbetet një nga fenomenet më problematike, ndërsa korrupsioni, pastrimi i parave dhe migracioni i paligjshëm konsiderohen kërcënime serioze që kërkojnë bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve.
Një tjetër alarm i ngritur nga SOCTA 2026 lidhet me rritjen e krimit kibernetik. Sulmet ndaj sistemeve dixhitale, mashtrimet online dhe përdorimi i teknologjive të avancuara nga grupet kriminale po krijojnë sfida të reja për agjencitë ligjzbatuese.
Për herë të parë, raporti evidenton edhe krimet mjedisore si një kërcënim në zhvillim. Sipas autoriteteve, dëmtimi i mjedisit dhe shfrytëzimi i paligjshëm i burimeve natyrore nuk përbëjnë më vetëm një problem ekologjik, por edhe një rrezik për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë afatgjatë të vendit.
Gjatë prezantimit të raportit, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari tha se dokumenti synon t’i ndihmojë institucionet të kuptojnë më mirë tendencat kriminale dhe të ndërtojnë përgjigje më efektive.
"Përballë një kriminaliteti që po ndryshon me shpejtësi, edhe reagimi ynë duhet të ndryshojë. Nuk mjafton më të jemi efektivë vetëm në hetimin e krimeve pasi ato kanë ndodhur; duhet të jemi më të aftë në parashikimin, parandalimin dhe goditjen e tyre në fazat e hershme. SOCTA 2026 na jep një hartë të qartë të kërcënimeve. Tani përgjegjësia jonë është ta shndërrojmë këtë njohuri në veprim konkret, për të garantuar më shumë siguri, më shumë integritet institucional dhe më shumë besim për qytetarët shqiptarë”, deklaroi ai.
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se risia kryesore e raportit të këtij viti është pikërisht analiza e thelluar e krimeve mjedisore.
“Përmes metodologjisë së standardizuar të Europolit, ne kemi analizuar grupet kriminale, aktivitetet e tyre, faktorët lehtësues dhe dëmin që ato synojnë t’i shkaktojnë shoqërisë sonë. Ky proces na jep një avantazh të rëndësishëm, të kuptojmë jo vetëm se ku ndodhet kërcënimi sot, por edhe si mund të evoluojë ai nesër. Një risi e rëndësishme e këtij raporti është analiza e thelluar e krimeve mjedisore. Këto fenomene, edhe pse shpesh më pak të dukshme se format tradicionale të kriminalitetit, përbëjnë një kërcënim në rritje për zhvillimin e qëndrueshëm, ekonominë dhe sigurinë afatgjatë të vendit”, u shpreh Hita.
Komente









