Prezantohet ministri i ri i Brendshëm, Bledi Çuçi! Rama: Protestat? Ka nevojë për reflektim! Mbase jemi i vetmi vend ku ka më shumë policë të plagosur se protestues

TIRANË- Ditën e sotme është prezantuar ministri i ri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili vjen në këtë post pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt. I pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në Ministrinë e Brendshme, ishte edhe Kryeministri Rama.

Në fjalën e tij Rama analizoi gjatë ngjarjen e rëndë të ndodhur para 10 ditësh ku u vra 25 -vjeçari Klodian Rasha dhe protestat që e pasuan.  Kryeministri u shpreh se pas protestave ka nevojë për reflektim por dënoi ashpër përdorimin e të miturve në protesta, e cila sipas tij ndodh për herë të parë në historinë e kombit.

Rama deklaro se nëse nuk do të ishte Kryeministër do të kishte dalë të protestë edhe ai qetësish pasi rasti ishte një motiv i fortë për të nxjerrë njerëzit në protestë. Por kryeministri shtoi se dhuna ndaj policisë dhe thyerja e xhamave e shkatërrimet nuk janë pjesë e motivit për të cilën u ngrit protesta, por zhurmë e një pakice "që përzien përditë zorrët e këtij populli përmes mjeteve që ka". Rama është shprehur se Shqipëria mund të jetë i vetmi vend demokratik në të cilin gjatë protestave të dhunshme ka më shumë policë të plagosur sesa protestues. Rama konfirmoi u shpreh se reparti "Shqiponja" do t'i nënshtrohet një hetimi për mënyrën se si funksionon, Kryeministri Rama tha se duhet bërë gjithçka që ngjarje si vrasja e Klodian Rashës të mos përsëritet më kurrë.

Në përfundim të fjalës së Kryeministrit morën fjalën për një mesazh të shkurtër edhe ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Bledi Çuçi, i cili nga sot drejton një pej dikastereve më të rëndëishëm.

Kujtojmë se Bledi Çuçi dhe ministrja e re e Bujqësisë, Milva Ekonomi, u betuan sot në Presidencë duke marrë zyrtarisht detyrën.  Ditën e djeshme Kuvendi i kaloi dekretet e Presidentit për emërimet e dy ministrave të rinj dje me nga 97 vota.

Këto ndryshime erdhën pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:37
Çuçi flet si ministër i Brendshëm: Policia ka mbështetjen time absolute! Përmbushni detyrat tuaja me profesionalizëm e konform ligjit

Pas marrjes zyrtarisht të detyrës së Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka shkruar disa rreshta në profilin e tij në Instagram, ku ka falenderuar të gjithë për besimin. Ai ka pasur një mesazh të drejtpërdrejtë edhe për Policët, edhe pse tha se nuk do të mbahej mend si ministri i Policisë.

"Posti i Ministrit të Brendshëm është një funksion shumë i lartë publik dhe tejet i rëndësishëm në një kabinet qeveritar. Jo për konformitet tradite dhe jashtë çdo formalizmi, si fillim falënderoj Kryeministrin, që ma besoi mua këtë detyrë, mes shumë drejtuesve të tjerë nga radhët e Partisë Socialiste. Jam plotësisht i ndërgjegjshëm për peshën e madhe që ka Ministria e Brendshme në garantimin e rendit, sigurisë publike, jetës e pronës së qytetarëve, si dhe në përballjen e përditshme me paligjshmërinë. Por ky institucion është më i gjerë se sa Policia e Shtetit, që natyrisht ka rol të pazëvendësueshëm brenda këtij dikasteri. Të mos harrojmë gjithashtu se prej Ministrisë së Brendshme varen shumë shërbime të tjera të domosdoshme për qytetarët. Në përfundim të mandatit tim do doja që publiku të thoshte, që i mbaroi mandati Ministrit të Brendshëm, jo Ministrit të Policisë apo Rendit. Dua të falënderoj pararadhësin në krye të kësaj Ministrie, për punën e bërë në adresimin e sfidave që lidhen me sigurinë, rendin publik, pushtetin vendor, emigracionin dhe shumë e shumë çështje të tjera që mbulon Ministria e Brendshme. Inkurajoj në mënyrë të veçantë dhe mbështes pa asnjë mëdyshje të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, kësaj organizate solide, që prej krijimit të shtetit shqiptar ka mbajtur një barrë shumë të madhe. Policia e Shtetit ka mbështetjen time absolute dhe besimin e palëkundur të çdo shqiptari. Ju ftoj të përmbushni detyrat tuaja me profesionalizëm, konform ligjit dhe me përgjegjësi të lartë qytetare. Faleminderit", shkruan Çuçi.

 

Ora 17:30
'Ka ardhur pa dëshirë', Rama korrigjon Lleshajn: Nuk kishte dijeni, jo se s'kishte dëshirë

Kryeministri Rama ka korrigjuar Lleshajn duke bërë një saktësim se Çuçi është bërë ministër i Brendshëm pa patur dijeni, por jo dëshirë.

"Një saktësim do bëj unë, ka ardhur pa dijeninë e tij, jo pa dëshirën e tij se duket sikur. S’ka pasur mundësinë të thotë as sa dëshirë e ka," tha Rama.

Ora 17:25
Ministri i ri i Brendshëm/ Bledi Çuçi: Dua të mbahem mend si ministri i Brendshëm, jo si ai i policisë

Ministri i ri i Brendshëm, Bledi Çuçi, në fjalën e tij të parë si ministër u shpreh se në përfundim të mandatit dëshiron të mbahet mend si 'ministri i Brendshëm dhe jo si ministri i Policisë'.

"Në politikë është si në dramaturgji. Vëmendjen e spektatorit nuk duhet ta marrë mënyra se si hyn aktori në skenë por ka shumë rëndësi dalja nga skena. Kështu që përveç shprehjes së angazhimit tim maksimal për të justifikuar besimin e Kryeministrit dhe nga Grupit Parlamentar dhe për të fituar besimin e publikut mbi të gjitha do të doja të thosha vetëm një fjalë, që në përfundim në mandatit tim do të kisha dëshirë që publiku të thoshte që 'i mbaroi mandati i Ministrit të Brendshëm' dhe jo mandati i ministrit të policisë apo ministrit të rendit, gjë që për fat të keq është një perceptim që vazhdon edhe pse Sandri bëri një përpjekje shumë të madhe për ta ndryshuar. Besoj fort, madje i bindur që nuk u kuptua Ministria e Brendshme si e tillë, si e tërë asnjë reformë, qoftë  në policinë e shtetit, nuk do të ketë efektivitetin e duhur", tha Çuçi

Ora 17:21
Lleshaj i dorëzoi çelësin Çuçit: Erdhi pa dëshirë, kam besim se do e bëj mirë punën

Sandër Lleshaj i dorëzoi çelësin e Ministrisë së Brenshme, Bledi Çuçit duke thënë se ka besim të plotë se ai do e bëjë punën shumë mirë dhe se është një zgjedhje e mirë nga kryeministri Rama. Lleshaj tha se gjatë 2 viteve si ministër i brendshëm ka qenë një vit dinamik që ka njohur rezultate të mira në shumë drejtime me Policinë e Shtetit.

"Po e mbyllim pas 2 vitesh një udhëtim që ka qenë dinamik, shumë të ngarkuara. E para e ngarkuar me një ethe të madhe politike dhe tektonike e pandemike. Këto dy vite që kanë treguar se institucionet e vendit tonë funksionojnë. 2018 ishte sfida e madhe, një ethe politike që u drejtua kundër shtetit të vet, që na tregon se duhet të kuptojmë se protesta nuk drejtohet kundër shteti, pasi ne nuk jemi pronarë të tij. Megjithëse një periudhë dinamike, arritëm të ndërtojmë kapacitete të munguara sidomos te policia, kemi transformuar logjistikën e policisë dhe kemi berë lëvizje të mëdha me Akademinë e Sigurisë. Besoj se është bërë një zgjedhje e mirë me pasardhësin. Nëse pasardhësi im do vinte pa dëshirë, do e bëjë shumë mirë punën dhe unë e di që ai se ka kërkuar më ngulim këtë post",   

Ora 16:56
'Shqiponja nën hetim nga SHÇBA'/ Rama: Klodianin nuk e kthejmë dot, por të bëjmë gjithçka që raste të tilla të mos përsëriten kurrë

Duke konfirmuar faktin që reparti "Shqiponja" do t'i nënshtrohet një hetimi për mënyrën se si funksionon, Kryeministri Rama tha se duhet bërë gjithçka që ngjarje si vrasja e Klodian Rashës të mos përsëritet më kurrë.

"Nuk është nevoja të ndodhë prapë dhe kurrë mos ndodhtë më për 1 mijë vite dhe nuk është nevoja të jetë kaq ekstreme ngjarja por duhet të vlejë për të analizuar të gjithë nivelet tekniko profesionale, edhe në aspektin e motivimit psikologjik shkallën e gatishmërisë së trupave që janë në atë zinxhir, nivelin e trajnimit të tyre, cilësinë e trajnuesve të tyre, procesin në vetvete. Pa shkuar te ekstremet kemi bërë jashtëzakonisht shumë së bashku për të larguar gjithmonë e më shumë efektivin e policinë në rrugë nga lidhja e menjëhershme me bakshishin, me korrupsionin. Nuk duhet të gënjejë mendja askënd që kjo është një betejë e fituar, është një betejë që duhet të vazhdojë. Të gjitha duhen parë më vëmendje, ajo që ndodhi nuk e kthen më në jetë Klodianin edhe sikur ne të gjithë së bashku të japim jetën tonë. Por ajo që ndodhi duhet të shërbejë që të mos ndodhin kurrë të tilla tragjedi. Zbardhja e ngjarjes është meritë e drejtorit të SHÇBA, drejtorit të Policisë së Shtetit dhe padyshim Sandër Lleshaj.

Ora 16:50
Vrasja e Klodjan Rashës, Rama: Po të mos isha në këtë rol, do kisha dal të protestoja edhe unë paqësisht

Kryeministri Rama tha se po të mos ishte në rolin e tij drejtues, do të kishte dalë të protestë edhe ai qetësish pasi rasti ishte një motiv i fortë për të nxjerrë njerëzit në protestë. Por kryeministri shtoi se dhuna ndaj policisë dhe thyerja e xhamave e shkatërrimet nuk janë pjesë e motivit për të cilën u ngrit protesta, por zhurmë e një pakice "që përzien përditë zorrët e këtij populli përmes mjeteve që ka".

"Urdhrat dhe thirrjet e  policisë nuk mund të diskutohen, ata duhet vetëm të zbatohen. Do të shohim se kush e sponsorizon dhunë , është ose pjesë e amnistuesve pa kushte të masakrës së 21 janarit, ose pjesë e një axhende politike, për shkak të së cilës policia e shtetit ka vuajtur kaq shumë ndër vite.  Policia e Shteti është një nga shëmbëlltyrat më kuptimplota të ndryshimit në këto vite. Është goditur policia e shtetit, pasi ajo nuk është më fare e pushtetit, Një pakicë që arrin të bëjë zhurmën dhe të përziejë përditë zorrët e këtij populli përmes mjeteve që ka. ky nuk është opinioni publik. Fati ynë i madh është që jemi pjesë e një populli shumë të mençur që nuk merret dot për budalla. Pse ndodhi protesta? Protesta erdhi si rezultat i një arsye jashtëzakonisht shumë të fortë, vrasja e një të riu  natën në një situatë absolutisht të pangarkuar me asnjë element apo rrethanë operacioni nga një efektiv policie., kjo është tejet tronditëse për këdo. Po të mos isha në këtë rol do kisha dalë edhe unë në protestë jo për të gjuajtur policinë me gurë, apo thyer xhamat. Kur shoqëria reagon si një familje, sepse një anëtarë  i një familje të madhe. Gjëja më e natyrshme në një vend demokratik është se shoqëria mblidhet dhe reagon për të thënë se bashkësia jonë është këtu dhe po ju shikon", tha Rama.  

Ora 16:35
'Protesta e dhunshme të opozitës'/ Rama: Mund të jemi i vetmi vend ku ka më shumë policë të plagosur se protestuest

Në fjalën në Ministrinë e Brendshme, Kryeministri Rama është shprehur se Shqipëria mund të jetë i vetmi vend demokratik në të cilin gjatë protestave të dhunshme ka më shumë policë të plagosur sesa protestues.

"Megjithatë janë të gjithë dëshmitarë që edhe ndaj protestave të dhunshme të opozitës policia e shtetit nuk e ka tejkaluar kurrë të drejtën e tejkalimit të forcës. Ky mbase është i vetmi vendit demokratik që numërohen më shumë policë të plagosur dhe lënduar sesa protestues.  Atëherë pse policia e shtetit akuzohet vazhdimisht për dhunime që nuk i kanë bërë dhe as kanë dhënë shenja se duan t'i bëjnë? Pse abuzohet me episode të shkëputura për të bërë montazhe dhe pastaj shpërndahen në rrjetet sociale?

E thashë dhe e përsëris se askush nuk dëshiron që të kapi një qytetar në dorë për ta spostuar nga një vend në tjetrin dhe kur e sposton sigurisht që nuk mund të jetë i tillë sikur dalin për kafe. Ja që kjo kur është e nevojshme është e nevojshme. Rezistenca kur ligjit nuk mund të justifikohet me të drejtën e protestës, e cila fillon dhe mbaron aty kur fillojnë të drejtat e qytetarëve të tjerë dhe të shtetit. Dhe të drejtat e shtetit janë të mëshiruara në uniformën e Policisë së Shtetit. Ata janë shteti aty. Duke iu referuar pamjeve që mbështesin akuzat absurde për terror policor në Shqipërisë, pamjeve të atyre që refuzojnë të lëvizin nga një godinë që duhet shembur për një vepër publike, që duhet çliruar se ka një projekt tjetër.

Këtu unë ngre një shqetësim, ndërkohë që pa asnjë diskutim policia e shtetit në të gjithë tërësinë e arritjeve të veta ka ende shumë për ta shtrirë sjelljen e vet profesionale dhe qytetare deri në qelizën e vet të fundit. Por konsolidimi i idesë se me policët mund të sillesh si të duash kur ata janë në krye të detyrës ka krijuar bindjen e gabuar te individë të caktuar se mund t'i bëjnë policiët cctë duan dhe ai ska të drejtë të reagojë", u shpreh Kryeministri.

Ora 16:32
Rama: Në 7 vite kemi respektuar të drejtën e protestës! Policia s'e ka tejkaluar kurrë të drejtën e ushtrimit të forcës edhe pse janë sharë e gjuajtur

Kryeministri Rama tha se në 7 vite e pak qeverisje, qeveria e tij nuk ka shkelur kurrë të drejtën për të protestuar, madje në disa raste ka reflektuar nga protestat qytetarë dhe ka vendosur në favor të tyre. Rama tha se vetëm këtu në Shqipëri partitë politike nxisin dhunë në protesta dhe mendojnë se kanë të drejtën për të sharë dhe gjuajtur policinë dhe të mos kenë pasoja nga pas. Rama tha se deri më sot policia e shtetit nuk e ka tejkaluar kurrë të drejtën e ushtrimit të forcës gjatë protestave.

"E thënë ndryshe demokracia është e keqja më e vogël ndër format e mundshme e njohura deri më sot të organizmit shoqëror dhe shtetëror që do të thotë që padrejtësisë janë të pashmangshme edhe në demokraci, dhe protestat janë të pashmangshme, Protestat janë edhe të dobishme, Qeveria edhe më e mira në botë as nuk i zgjidh dot të gjitha hallet e një vendi apo shoqërie. Dhe ne jemi larg të qenit të pagabueshëm. Mund të them me plot gojën që gabimin e mosrespektimit të protestës qytetare ne nuk  kemi bërë asnjëherë. Jam krenar për faktin se në këto 7 vite qeveria jo vetëm e ka dëgjuar gjithnjë zërin e protestuesve, por jo në pak raste ka reflektuar dhe ndryshuar qasjen apo qëndrim në lidhje me një çështje të caktuar përballë arsyes së protestuesve. Kjo mbase nuk është shumë por as pak, po të marrim parasysh eksperiencat e mëparshme. Për mua më e rëndësishmja është të bëhet gjëja e drejtë, dhe gjithnjë të ketë të drejtë qeveria. E drejta e protestës nuk është diskutuar asnjëherë, e drejta e protestuesve është gjithnjë në pikëpyetje. Kjo qeveri nuk e ka diktuar kurrë të drejtën e protestës dhe çdo protestues është respektuar gjithnjë. Respektimi i të drejtës së protestës ka shkaktuar shkeljen e të drejtës së të tjerëve po qytetar. Për shembull në rastin e Unazës së Re, e drejta e protestës është ushtruar dhe respektuar në interes të një grupi të caktuar, ndërkohë që është shkelur e drejta e një numri të madh qytetarësh për të qarkulluar lirisht çdo ditë me orë të tëra. E njëjta gjë me teatrin, ku një grup i caktuar artistësh mori peng për dy vite me radhë pronën publike dhe dhunuar me forcë zhvillimin  enjë projekti për një teatër të ri kombëtar. nuk ka qenë dobësi nga ana jonë. Protestat mund të jetë një e drejtë që ushtron shumica apo pakica, nuk janë numrat që e përcaktojnë dhe një njeri ka të drejtë të protestojë. ka gjithmonë një kohë për të dëgjuar dhe një kohë për të vendosur, në një rast në favor të protestuesve dhe në një rast tjetër në favor të qeverisë, dhe kur them qeverisë është e drejta për të vendosur me manitin që ka nga shumica. Në 7 vite nuk ka ndodhur asgjë ndryshe nga vendet demokratike në lidhje me sjelljen e policisë me protestuesit. Por ka ndodhur që partitë politike kanë ushtruar dhunë, jo njëherë , por për muaj e muaj, me cikle apo ka ndodhur që është kthyer si një e drejtë e ligjëruar që polici mund të preket me dorë. Në asnjë vend demokratik nuk mundet që qytetari të shaj policin pa pasoja. Policia e shteti nuk e ka tejkaluar kurrë të drejtën e ushtrimit të forcës. ", tha Rama

Ora 16:17
Protestat pas vrasjes së Klodian Rashës/ Rama në prezantimin i Çuçit: Ka nevojë për reflektim, përtej faktit fatkeq që për herë të parë në historinë e kombit u përdorën fëmijët

I pranishëm në ceremoninë e prezantimit të ministrit të ri të Brendshëm, Kryeministri Rama e vuri theksin në atë që ai e quajti zanafilla e këtij ndryshime.

Rama vuri theksin në te protestat, të cilat sipas tij duhet të ccojnë në reflektim por edhe të analizohet ajo që ndodh për herë të parë në historinë e kombit tonë, minorenët në protesta.

"Sigurisht që ky moment dhe ky takim i sotëm ndodhi si rezultat i një ngjarjeje. Unë dua ta nis me fundin, jo me zanafillën për të shkuar më pas edhe të zanafilla. Kur them fundin kam parasysh shpërthimin e një proteste goxha të veçantë në llojin e vet, e cila duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë përtej faktit fatkeq që përfshirje për herë të parë të historinë si komb e minorenëve , e fëmijëve, për të luftuar brenda vetes, për qëllime të caktuara. Një fat tejet fatkeq por sidoqoftë domethënëse, jo vetëm për të kuptuar natyrën e agresionit ndaj policisë së shtetit, një agresion i frymëzuar, i nxitur, i organizuar, sistematik për vite por edhe përtej saj. Për të kuptuar se çfarë ne, e gjithë qeveria dhe shoqëria duhet të bëjmë që kurrë të mos përsëritet një shfaqje e tillë ekstreme, e denjë kur fëmijët janë mish për top për organizata ekstremiste dhe terroriste që nuk ndalen në përdorimin e mjeteve ekstreme", tha Rama.

Ora 16:15
Anketimi i Qeverisë suedeze/ Rama: Pasqyrë mbresëlënëse për opinionin e shqiptarëve për policinë e shtetit

Kryeministri Rama në nisje të fjalës së tij në prezantimin e ministrit të ri në Ministrinë e Brendshme, ka përmendur anketën e fundit të Qeverisë suedeze mbi mendimin e shqiptarëve për Policinë e Shtetit.

"Përpara pak ditësh, qeveria suedeze ka publikuar anketimin e përvitshëm lidhur me policimin në komunitet dhe unë do të dëshiroja shumë që rezultatet e këtij anketimi të jenë edhe hapi i parë i komunikimit të ministrit të ri të Brendshëm në të gjithë trupën e Policisë së Shtetit dhe po ashtu edhe me publikun, pasi bëhet fjalë për një anketim tërësisht të pavarur, të besueshëm dhe shumë domethënës për të pasur një pasqyrë objektive të ecurisë së punës së Policisë së Shtetit.

Bëhet fjalë për një anketim krejtësisht të pavarur dhe shumë të besueshëm dhe shumë domethënës për ecurinë e punës së policisë,. Shumë e rëndësishme posaçërisht në këtë moment një pasqyre besnike e marrëdhënieve mes policisë së shtetit dhe qytetarëve. Janë pyetur qytetarët dhe prej tyre është marrë opinioni mbi perceptimin  tyre për policinë e shtetit dhe për aspekte të ndryshme të punës dhe veprimtarisë së policisë.  Më vjen mirë të nënvizoj se bëhet fjalë për një pasqyrë mbresëlënëse dhe shumë domethënëse edhe sa i përket potencialit të përmirësimit të punës së policisë", tha Rama.

 

 

 

Ora 16:05
Milva Ekonomi merr çelësat e Ministrisë së Bujqësisë: E gatshme për të dëgjuar bashkëpunëtorët e mi! Çuçi: Kam besim se do i çojë para punët e nisura

Bledi Çuçi i ka dorëzuar pasardhëses së tij Milva Ekonomit çelësat e Ministrisë së Bujqësisë. Ekonomi është zyrtarisht ministrja e re e Bujqësisë, ndërsa gjatë mesazhit të saj të parë u shpreh se do të jetë  gjithmonë e gatshme për të dëgjuar e konsultuar  me bashkëpunëtorët e saj në çdo rast.

"Gjatë marrjes së detyrës nga Bledi Çuçi, u njoha më në detaje me punët e realizuara, por edhe me ata të planifikuara për vitin që vjen. Me ketë rast i sigurova bashkëpunëtorët e mi, se do ta jem gjithmonë e gatshme për t’i dëgjuar e konsultuar në çdo rast për procese të rëndësishme që kanë në fokus rritjen e qëndrueshme të produkteve bujqësore dhe përafrimin me praktikat më të BE, për një Bujqësi Europiane", shkruan ministrja e re e Bujqësisë Milva Ekonomi.

Edhe Bledi Çuçi shprehu besimin se ministrja e re, Milva Ekonomi, do të çojë përpara punët në këtë sektor kaq të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, që kontribuon me mbi 20% në PPB-në e vendit.

I dorëzova sot detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zonjës Milva Ekonomi, koleges dhe bashkëpunëtores sime të vjetër, me të cilën punuam një vit më parë për hartimin e Raportit të Vlerësimit të Nevojave pas Tërmetit të 26 nëntorit. Jam shumë i kënaqur që këto dy vite në drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural arritëm të shtojmë mbështetjen për fermerët dhe të ndërmarrim nisma e reforma me ndikim të madh në zhvillimin rural.

Prej vitit të ardhshëm fermerët do të përfitojnë naftë pa taksa për punimet në bujqësi.

Shërbimi Veterinar po riorganizohet pas ndryshimeve ligjore dhe do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, duke iu dhënë mundësi mbi 400 veterinerëve të jenë pjesë e këtij shërbimi shumë të rëndësishëm.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është ka hyrë në një fazë ristrukturimi që do të fuqizojë ndjeshëm kontrollin e sigurisë ushqimore në Shqipëri. Ndërsa, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë akreditoi gjatë vitit 2020 plot 49 teste të reja analizash nga 53 të tilla që ka pasur deri në vitin 2019. Kjo do të thotë më shumë besueshmëri për operatorët e biznesit ushqimor dhe konsumatorët.

Edhe në një vit të vështirë për shkak të pandemisë së COVID-19, bujqësia ishte sektori që performoi më mirë. Tregues domethënës dhe provë e pakundërshtueshme e këtij fakti është rritja dyshifrore e eksporteve të produkteve bujqësore. Dhe jo vetëm kaq, por harta e shteteve ku eksportohen produktet tona bujqësore, u zgjerua me tregje të reja.

Sigurisht që këto rezultate konkrete nuk janë të rastësishme, por fryt i politikave mbështetëse të qeverisë. Implementimi i Programit IPARD II është gjithashtu një histori suksesi më vete. Miliona euro të bashkëfinancuara nga BE dhe qeveria shqiptare janë investuar dhe po investohen në sektorin rural dhe agropërpunim, duke hapur vende të reja pune, duke rritur prodhimin dhe konkurrueshmërinë e produkteve tona bujqësore.

Me këtë mbështetje, përfunduam markatën e peshkimit në Shëngjin, një hapësirë e kompletuar me të gjitha kushtet dhe standardet për peshkatarët dhe tregtarët. Po punohet ndërkohë për markatën e Vlorës e më pas do të hapen kantieret për Durrësin e Sarandën.

Shpreh bindjen se ministrja e re, Milva Ekonomi, do të çojë përpara punët në këtë sektor kaq të rëndësishëm për ekonominë shqipare, që kontribuon me mbi 20% në PPB-në e vendit, si dhe do të dijë të adresojë më së miri sfidat me të cilat ndeshen fermerët, agropërpunuesit, operatorët e biznesit ushqimor dhe konsumatorët.

Nuk dua të bëj zinxhirë lëvdatash, që me siguri as ju s’do të donit t’i lexonit prej meje, por falënderoj nga zemra gjithë bashkëpunëtorët e mi në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për këto dy vite, duke nisur nga zv.ministrat, kabineti, drejtuesit brenda dikasterit dhe institucionet e tjera të varësisë, si dhe çdo punonjës që është përkushtuar në përmbushjen e detyrave funksionale. Pa kontributin tuaj të çmueshëm, nuk do të kishim arritur këto rezultate. Mirënjohje për secilin prej jush! 

Shumë suksese për Milvën!

 

K.T./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • asl: 19/12/2020 06:28

    Duke vene perballe parullen se PS eshte parti komuniste dhe ata jane te vetmit demokrat ne Shqiperi ne cdo proteste bejne si tju doji qejfi thyejne djegin plagosin,perfundimi:te gjitha demet i paguan populli.Kjo demagogji ka ardhur koha ti jepet nje zgjidhje.

    Përgjigju
  • Dervishi: 19/12/2020 01:52

    Ky eshte fundi I karieres politike te te cucit edhe ky si kater para ardhesit e TIJE do perfundoje kjo pune eshte Me te futme

    Përgjigju
  • Marko: 18/12/2020 19:42

    Cka terheq vemendjen dhe duket disi shqetesuese ne deklarimet e kryeministrit dhe tespektivisht ministrave: - Kryeministri deklaron se do te kishte protestuar edhe vete, nese nuk do te ishte ne poziten qe ka. Se pari, nuk ka asnje ndalim per te qe te protestoje. Dhe se dyti, ai nuk tregoi se ndaj kujt ose kunder cfare do protestonte: Policise, Ministrit te Brendshem apo Qeverise e Kryeministrit,  pra per politikat e gabuara ose mos ushteimin e detyrave qe kushtetuta dhe ligji u atribuon ketyre autoriteteve. Kuptohet nje deklarim i tille eshte demagonje dhe mungese e theksuar pergjegjshmerie. - Kryeministri deklaroi mbi hetimin ndaj "repartit Shqiponja". Eshte strukture, hallke policore dhebjo repart. Reparti zakonisht i rezervohet strukturave ushtarake. - Kryeministri "koorigjon" ish ministrin lidhur me deshiren ose jo te ministrit. Se pari, jo etike dhe ofenduese per cildo pjese e kabinetit te nje qeverie. Se dyti, deshmues i faktit qe nje vendimmarrje e tille e Kryeministrit, per caktimin e nje ministri te ri as konceptohet apo permban vullnetin e diskutimit paraprak me estabilishmentin politik ne pushtet dhe vete personin qe do te caktohet. - Kryeministri deklaron se "merita" e zbardhjes se ngjarjes i takon drejtoreve te SHCBA dhe Policise si dhe Ministrit. Me e pakta eshte lajthitje dhe me e shumta nje taktike politike per te treguar mbeshtetjen preferenciale. Ne rast te kryerjes se nje krimi, eshte detyre e policise gjyqesore dhe prokurorit te hetoje ngjarjen. Dhe ketu nuk duket te kete vend per "merita" por zbatim ligji. Dyshoj qe kompetencat e policise gjyqesore te jene kryer nga dy drejtoret. Se pari, ai i SHCBA , pasiqe ajo kryhet nga sektori perkates dhe punonjesit perkates. Qe edhe neneshkruajne procesverbalet. Se dyti, ai i policise as qe lejohet te nderhyje ne nje hetim te tille, pasi ka konflikt interesi dhe eshte ne pozite te ndryshme te procedimit penal. - Kryeministri deklaron se "urdherat e policise zbatohen dhe nuk diskutohen". Kjo eshte per te vene duart ne koke. Pasiqe eshte nje shprehje qe karakterizonte hirearkine e urdherit ne forcat e armatosura ne kohen e komunizmit. Dhe te evokohet nga nje kryeminister i nje vendi te NATO??? Tragjedi! Duhet dikush ti mesoje se ne nje vend demokratik urdherat nuk zbatohen, jo ato te policise, por te ushtrise e me radhe nese jane haptazi ne kundershtim me kushtetuten dhe ligjin. Kjo eshte nje tregues qe ti mesosh nje mesuesi vizatimi ligjin eshte si te fusesh gamilen ne koken e gjilperes! - Ministri i ri ben paralelizime me "dramaturgjine", si lloj, zhaner i teatrit dhe aktrimit. Nje tregues se pari i mungeses se njohurive per detyren qe do te kryeje dhe se dyti i perceptimit mbi detyren: thjesht aktrim. Kjo eshte teresisht absurde dhe per me teper deshmues se pritshmerite e publikut as qe do merren ne konsiderate. - Lidhur me perceptimin ndaj "ministrit dhe ministrise". Perceptimi vjen si rezultat i veprimtarise se ministrave ne detyre dhe politikave te tyre te deshtuara. Per me teper, tregues jo vetem i faktit te mos njohjes se ligjeve perkatese dhe pergjegjesive qe u ngarkohen por edhe deshtimit per te kryer detyren sipas ligjit. Sipas ligjit, ka nje raport ndermjet Ministrit, dhe jo ministrise, me Policine dhe Drejtuesin e saj. Ministri i ri ben mire te lexoje dhe mesoje ligjin. Ne deklarimet e pafundme rrush e kumbulla te bera, te tipit te skecit "tju tregoj per Belulin" ka plot e plot cudira e marrezira aq sa te keputet shpirti kir mendon se kush na perfaqeson e udheheq.

    Përgjigju
  • Toni: 18/12/2020 19:13

    Bravo rama,,populli e ka kuptuar qe as ti as lleshi nuk keni pergjegjesi per kete vrasje te bere nga nje hajvan-dhe gomar polic......

    Përgjigju
    • Përgjegjësi i turnit: 18/12/2020 20:55

      E drejtë! Nuk kanë asnjë përgjegjësi. Në fund të fundit me punën e palodhshme që kanë bërë, jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë kombin, na kanë rreshtuar krahë vendeve më të zhvilluara të globit (na e fut vetëm Norvegjia). Jemi krahë Serbisë dhe mikut Aleksandar kundër barbarëve. Vazhdoni kështu! Ah se harrova : Sali berisha është malok, shpellar, bashkëpuntor i serbve

  • Tironci: 18/12/2020 18:47

    Nuk jane shqiponjat gogol i policise por me hajdutet dhe arrogant jane policia rrugore me bandat e tyre! shefat e vendosur ne ato pozicione me miliona para.

    Përgjigju
  • sifi: 18/12/2020 17:41

    Emerimi i Cucit eshte i drejte si ish minister i pushtetit lokal, dhe nje jurist i afte qe kreu reformen teritoriale dhe ate zgjedhore ,bashke me te tjere.z Lleshaj do mbetet ministri me i mire i 30 vjeteve te demokratures ku kreu dhe aktin qytetar, te doreheqes, qe rralle qeveritar e kane bere deri sot.Per ate qe thote zoti Rama, se jemi i vetmi vend ku plagosen me teper polic se protestues ,eshte real ,por dhe faji e eproreve qe ne situate dhune i lene pa paisje mbrojtese

    Përgjigju
  • Raqi Taqi: 18/12/2020 17:26

    Edi Rama je si nata me ditën me të krahasuar me teveqelin malok bastard salmutin me ty. Ti je shëmbëlltyr jo si qeni bastard salmut hajdut, kriminel, gënjeshtar, komonist, psikopat me fytyr qeni të zgjebosur. Ti vazhdo punën populli Shqiptar të vlerson. Je Burr i madh i Shqipris.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale