Problemi nuk është “non-grata” diplomatike, por ajo elektorale

Problemi nuk është “non-grata” diplomatike, por ajo elektorale

Fitorja e vulës së PD-së përvec entuziazmit ka krijuar edhe iluzionin e gabuar në kampin berishist se i vetmi problem me të cilin përballet tashmë PD-ja e Berishës ëshë cështja e non-gratës. Këtë iluzuion e kanë ushqyer jo vetëm berishistët por edhe kritikët e tyre që sulmet ndaj berishizmit shpesh i kanë përqendruar te non-grata.

E megjithatë problem real i berishizmit sot nuk është non-grata amerikane apo britanike por non-grata që shumica dërmuese i ka dhënë berishizmit që në zgjedhjet e vitit 2013. Ky verdikt u ri-përsërit si në vitin 2017 edhe në vitin 2021. Humbësi kryesor i tre zgjedhjeve të fundit parlamentare ka qenë berishizmi, që nuk arriti të fshihej pas buzqeshjes bosh të Bashës. E thënë shkurt, shumica dërrmuese e elektoratit shqiptar sot, dhe me shumë gjasa nesër, nuk e sheh berishizmin si alternativë qeverisëse, pavarësisht zullumeve të qeverisjes aktuale.

Ideja se një opozitë mund të vijë në pushtet thjesht si pasojë e degradimit të qeverisjes ra që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Ndaj është shumë i vogël probabiliteti që nesër, pra në zgjedhjet e vitit 2025, Berisha do transformohet në alternativë si pasojë e degradimit të qeverisë Rama. Standarti politik që ofron berishizmi është aq i ulët saqë i përjetëson lehtësisht socialistët dhe Edi Ramën në pushtet.

Kjo për arsyen e thjeshtë se qeverisja Berisha, përtej sukseseve të saj, ka shënuar disa nga skandalet korruptive më eksplozive të tranzicionit shqiptar, siç ishte Gërdeci ku është përfshirë direkt familja e tij. Pasurimi i kësaj të fundit nëpërmjet pushtetit mbetet një fakt politik edhe nëse nuk vërtetohet kurrë juridikisht. Pa përmendur bashkëqeverisjen e tij me Ilir Metën korrupsioni i të cilit është regjistruar me zë dhe figurë.

Por nëse Gërdeci ishte një nga shpërthimet më tronditëse të korrupsionit shqiptar, 21 Janari me vrasjen e protestuesve paqësor para kryeministrisë shënoi një nga pikat më të ulëta të demokracisë shqiptare. Reagimi i dhunshëm i Berishës ndaj mediave dhe sistemit të drejtësisë, që thjesht kërkonin të zbardhnin masakrën e 21 janarit, është një nga episodet më të errëta të demokracisë shqiptare. Ashtu sikurse denoncimi i Prokurores së Përgjithshme Ina Rama si “lavire bulevardi” nga kryeministri Berisha është një monument i dhunës së ekzekutivit ndaj pavarësisë së sistemit të drejtësisë si dhe i dhunës maskiliste në sferën tonë publike.

Natyrisht në këtë pikë gjithkush mund të argumentojë se problemi nuk është tek opozita por tek degradimi i qeverisjes Rama. Dhe degradimi i qeverisjes aktuale është i pamohueshëm. Problemi është se ai zbehet vazhdimisht përballë degradimit të opozitës berishiste që vetëm në këtë aspekt e fiton gjithmonë garën me pushtetin.

Përballë autoritarizmit të Ramës që e ka kthyer PS-në në piedestal personal, berishizmi e ka transformuar PD-në në pronë private të familjes Berisha që herët a vonë do trashëgohet nga djali apo vajza. Përballë SPAK-ut dhe reformës në drejtësi, që pushtetit socialist shpesh është përpjekur ti kapë dhe deformojë, berishizmi ofron Gjin Gjonin, simbolin më të shëmtuar të korruptimit të gjyqësorit shqiptar.

Përballë një grupi parlamentar socialist që ka degraduar në zgjatim të tekave anti-kushtetuese të Edi Ramës, berishizmi ofron një grup parlamentar pa parime dhe pa karakter që vazhdimisht lëpin atë që sapo ka pështyrë. Përballë një kryeministri që lejon hetimin por nuk merr asnjë përgjegjësi për korrupsionin e zv/kryeministrit të tij Arben Ahmetaj, kemi standardin Berisha që e mbrojti me dhunë dhe kërcënime ndaj drejtësisë korrupsionin e zv/kryeministrit Meta.

Korruptimi i vazhdueshëm i opozitës nga berishizmi është një nga tragjeditë më të mëdha të demokracisë shqiptare sot që eleminon çdo shpresë rinoviomi dhe përjeton socialistët në pushtet. Berishizmi tashmë e ka transformuar PD-në në një kënetë politike ku vdes çdo parim, ideal, normë apo shpresë e rinovimit politik.

I vetmi funksion politik i berishizmit sot është elemini i çdo alternative opozitare dhe ofrimi i një standardi politik më të ulët se pushteti socialist. Pikërisht për këtë arsye ai është shpallur non grata nga shumica e elektorati shqiptar, shumë më përpara se nga SHBA-të apo Britania e Madhe.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Like spiuni: 26/06/2024 08:39

    Nongrata elektorale për Sali Berishën ka egzistuar që kur rra komunizmi. Por mbështetja diplomatike me shërbimet e huaja e mbanin aty. Tani kërkojnë shqiptarë të qeverisin, por aty ka vetëm spiun të huaj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që në Shqipëri të ndalohet përdorimi i euros për pagesa?



×

Lajmi i fundit

Elektrizohet Kalaja e Rozafës! Za Fest rizgjon kulturën në Shkodër

Elektrizohet Kalaja e Rozafës! Za Fest rizgjon kulturën në Shkodër