Procesverbali/ 'Gjyshi i Shkëlzenit bëri pallat kur Berisha ishte President', akuza e Ilir Metës në 2002 që ka mbetur pa përgjigje

TIRANË- Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë një raport dinamik 30-vjeçar, i shënjuar nga kthesa të papritura, akuza të rënda, sulme, hakmarrje, aleanca, flirte, dobësi dhe urrejtje ndaj njëri-tjetrit, mesazhe të koduara kërcënuese, por edhe dashamirësie, bashkëqeverisje dhe braktisje. Kulmi i armiqësisë së tyre ishte në vitet 2000, kur Meta rrezikoi të merrej peng në Tropojë nga njerëzit e Berishës, pasur nga një hakmarrje e Metës, ku mesnatën e 28 nëntorit të vitit 2000, Sali Berisha u shoqërua në polici. Kjo perjudhë është shoqëruar edhe nga një fushatë e ashpër e Berishës, i cili denonconte korrupsionin e qeverisë së Ilir Metës. Në seancën plenare të 13 korrikut 2000, Ilir Meta, në atë kohë kryeministër, duke iu përgjigjur akuzave të Berishës, deklaron se vjehrri i Berishës, pra gjyshi i Shkëlzenit, kishte bërë një pallat gjatë kohës kur Berisha ishte president.

Bëhet fjalë për babain e Liri Berishës, Rexhep Ramajn, i cili gjithnjë sipas pretendimeve të Ilir Metës, kishte ndërtuar një kullë, pa dhënë detaje të tjera rreth saj. Meta e artikulonte këtë akuzë në cilësinë e kryeministrit, duke pasur informacione të hollësishme, ndërsa çuditërisht Berisha as nuk e ka mohuar dhe as nuk e ka konfirmuar pallatin e vjehrrit. Nga procesverbali i debateve të siguruar nga Shqiptarja.com, Berisha nuk ka reaguar pas pretendimit të Metës dhe as nuk e ka marrë më fjalën gjatë asaj seance. Çështja e pallatin të vjehrrit të Berishës nuk është përmendur më pas nga Ilir Meta. Megjithatë, raportet mes Metës dhe Berishës vijuan të ishin të zymta deri në verën e viti 2009, kur vendosën të qeverisnin sëbashku.

Në mars të 2013, Meta braktisin Berishën duke u bashkuar me Edi Ramën. Gjatë viteve 2014-2015, Berisha ndërmori disa aksione politike kundër Metës, sidomos për skandalin finaciar CEZ-DIA dhe akuzat për porositjen e pretenduar për vrasjen e Tom Doshit dhe Mhill Fufit. Fushatën e fundit kundër Metës e udhëhoqi Lulzim Basha para zgjedhjeve parlamentare të 2017. Një vit më pas, PD-LSI u bashkuan në opozitë kundër PS në pushtet, bashkim i cili afroi sërish Metën dhe Berishën, të cilët tashmë kishin edhe një betejë të përbashkët, atë kundër reformës në drejtësi. Ndërkaq, në 2 mars 2020, Berisha mori pjesë në mitingun e organizuar nga Meta në oborrin e Presidencës me qëllim për të rrëzuar qeverinë Rama.

Ndërkaq, ditët e fundit në media, sidomos Shqiptarja.com, ka botuar fakte që konfirmojnë se, Shkëlzeni, Argita dhe dhëndri Jamarbër Malltezi janë pasuruar si sekserë duke përdorur pushtetin e Berishës si kryeministër. Klientë të ndryshëm sajonin pagesa për 'konsulenca' dhe 'ndërmjetësime' për Argitën dhe Shkëlzenin, ku më pas kryenin punë dhe zgjidhnin hallet tek Berisha kryeministër. Kjo skemë klienteliste është kthyer në traditë për familjen Berisha, fillimisht nga Argita dhe Shkëlzeni të cilët i shitën prona Damir Fazlliçit dhe më pas nga Shkëlzeni.

Akuzat mes Berishës dhe Metës në seancën e 13 korrikut të vitit 2000

-Sali Berisha: Z. Dokle, ne erdhëm këtu për të respektuar Parlamentin dhe zgjedhësit shqiptarë, për të denoncuar maskaradën e gjashtë të qeverisjes suaj, sepse ju keni shndërruar institucionin e qeverisë, një institucion pa dyshim jetik për çdo vend të lirë e demokratik, në një institucion ku të gjithë këta ministra kanë pasur vetëm një objektiv: pushtimin e zonave të trafiqeve nga klanet e tyre. Po marr njërin prej tyre: Ilir Zelën, i cili, sado që është i korruptuar, në fakt as gjysma e mumuthit të korrupsionit, Angjelit, nuk është. (Të qeshura.) Z. Meta, të largosh Pandën nga qeveria dhe të mbash Finon, i cili përbën simbolin e korrupsionit për shqiptarët; të largosh Orizagën (Luan Hajdaragën) nga qeveria (të qeshura) dhe të mbash ata që ke përreth, asgjë tjetër nuk dëshmon veçse vullnetin e palëkundur për të shtënë në dorë çdo tender, çdo pikë kufitare, çdo kontroll, dhe nuk ka më keq se kjo. Ju me këtë qeverisje arritët dhe një rekord të ri, që nuk e kishit: ju i vutë drejtësisë shqiptare një cretin politik, i cili nuk ngurroi që në kulmin e vështirësive të këtij vendi të bëjë thirrje për luftë civile, sepse drejtohej nga lukueziot e Angjelit dhe të tjerëve.

Z. Kryeministër, transparenca është shumë e domosdoshme. Ju motivuat në grupin tuaj parlamentar largimin e Hajdutagës për marrëveshjen me ushtrinë greke. Kjo është thjesht një alibi dhe trillim. Marrëveshjen me ushtrinë greke, në kundërshtim me pasaportën tuaj që quhet Kushtetutë dhe që është një letër e vdekur për Shqipërinë, jeni ju dhe Boçka që e keni thyer dhe mbani kompaninë greke prej 6 apo 8 muajsh pa asnjë ligj. Do të thoni ju: “Po ju si opozitë?” Por ne, kur shohim Angjelin major të kompanisë greke këtu, ata kapterët e Yzberishtit janë krejt të parëndësishëm. Megjithatë, për një gjë duhet të jeni të sigurt: për thyerjet e ligjeve do të vijë dita që do të përgjigjeni. Ju kishit një rekord pa thyer, dhe ky ishte rekordi i drejtësisë, sepse në kodin moral të pashkruar të vendeve të lira, por edhe të shkruar në shumë raste, ministri i Drejtësisë gjithnjë është një profesionist. E larguat edhe Pandën, se nuk zbatoi urdhrat dhe gjetët edhe një herë një cretin politik, i cili është për t’u përgjigjur për thirrjet që bëri për luftë civile në emër të qarqeve më antishqiptare që e drejtonin nga Korfuzi dhe ky është Arben Imami. Pse e gjithë kjo? Z. Kryeministër, çdo njeri që punon në zyrat tuaja po emërohet ministër. Ke gjetur edhe Gëllçin (Thoma) që t’u japë shuke-gazetave për të sulmuar jo opozitën, se opozita nderohet kur ti e sulmon, por për të sulmuar këta që i ke në krah, të cilët kërkon që nëpërmjet shtypit t’i dërrmosh kur të dalin kundër. As me 30 ditë nuk përshkruhen bëmat dhe gjëmat tuaja. Unë detyrohem tani të ftoj shtypin që të bëj konferencë shtypi jashtë. (Largohet nga salla.)

-Namik Dokle: Fjalën e ka kryeministri Meta. Qëndro të dëgjosh, z. Berisha!

-Ilir Meta: Duke marrë shkas nga fakti që disa përfaqësues të Partisë Demokratike kishin nevojë për sqarime, pavarësisht se ata kanë një javë që po japin sqarimet e tyre, më vjen keq për paburrërinë e zakonshme të z. Berisha, se unë qëndrova dhe e dëgjova me shumë kënaqësi për budallallëqet e tij, tashmë gjithmonë e më qesharake. Unë dëshiroj të theksoj se ndryshimet që kam propozuar në qeveri synojnë për t’i dhënë asaj një ritëm të ri në disa sektorë të rëndësishëm, që nuk kanë ecur deri tani si disa sektorë të tjerë, dhe këta sektorë janë: punët publike, drejtësia, si dhe reforma në fushën e mbrojtjes. Madje, jo më shumë se dy javë më parë unë dhashë interpelancë këtu me kërkesë të një grupi deputetësh, edhe të Partisë Demokratike, të cilët bënë vërejtje dhe kërkuan një ritëm të ri dhe reformë në sistemin e mbrojtjes.

Ndryshimet bëhen në një kohë tepër normale, ato nuk kanë të bëjnë absolutisht me krizën e Qeverisë, pasi Qeveria është në ngritje, treguesit janë gjithnjë në përmirësim, por kanë të bëjnë pikërisht me synimin që tërë sektorët të ecin me një ritëm, në mënyrë që Qeveria të jetë më funksionale në të gjithadrejtimet. Për sa u takon emrave që propozohen për t’u ndryshuar e për t’u miratuar, tre prej tyre janë anëtarë të këtij parlamenti, një tjetër është ish-shefi i kabinetit tim, një njeri të cilin e njoh si tepër serioz e tepër të përgatitur, një njeri që ka punuar në diplomaci me ministrin Serreqi deri në vitin 1994 dhe pastaj ka mbrojtur masterin në diplomaci, një njeri për të cilin dy ditë para se ta emëroja z. Berisha ka shprehur konsiderata në një rreth gazetarësh në pritjen që është dhënë në ambasadën amerikane.

Por z. Berisha përfundimisht është një politikan i degraduar, një politikan që nuk dëshiron ta shohë realitetin në sy, një politikan që kujton se jemi ende në vitin ’95 dhe në vitin ’96, që kujton se me teorinë “shpif, shpif se diçka do të mbetet” mund të mbetet diçka në mendjen e qytetarëve. Unë dëshiroj t’i them z. Berisha dhe të gjithë atyre që folën për kontrabandën se në 6 muaj të këtij viti kjo qeveri ka realizuar të ardhura nga dogana aq sa ka realizuar zoti Berisha për katër 6-mujorë të viteve 1993, 1994, 1995, 1996 ose nga nëntori deri në mars, për 5 muaj, janë realizuar më shumë të ardhura nga doganat sesa janë realizuar në vitin ’96, që ka qenë viti i kulmit dhe njëkohësisht edhe i fillimit të rënies së qeverisjes të zotit Berisha për shkak të piramidave që ai projektoi.

Për sa u takon të ardhurave të tjera, si në tatime, në privatizim etj., nuk mund të ketë ndonjë diskutim, besoj, për sa i përket transparencës dhe rezultateve në këto procese në raport me kohën kur qeveriste zoti Berisha. Të gjithë e dimë se si i bënte z. Berisha privatizimet me bordet nëpër rrethe, ku fuste kryetarët e SHIK-ut të Gazidedes e me radhë dhe talleshin me pronat publike. Ndërsa sot të tërë janë të ndërgjegjshëm se si po bëhen privatizimet: një proces krejtësisht i hapur, me konsulencë ndërkombëtare dhe është një proces tepër i vlerësuar nga të gjithë organizmat ndërkombëtarë. Të gjithë e dimë se çfarë bëri z. Berisha me fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë bashkë me një Sulë Gurgurin, madje shtyu Sulë Gurgurin dhe ca të tjerë që të hapnin gjyq, me pretendimin gjoja për pronësinë ndaj fabrikës, dy ditë para tenderit të hapur ndërkombëtar për këtë fabrikë, me qëllim që të trembte e të largonte disa firma pjesëmarrëse etj., etj., dhe tani përpiqet të akuzojë Qeverinë përmungesë transparence.

Ne e dimë shumë mirë progresin që është bërë në rrugët, veçanërisht kohët e fundit, dhe këtë e dinë edhe qytetarët, që kalojnë çdo ditë nëpër rrugët e Shqipërisë. Në 5 vjet qeverisje z. Berisha nuk hapi një kanal rrugëve të Shqipërisë, përkundrazi, njerëzit e tij në këta sektorë u pasuruan dhe ca nga këta i kanë mbetur ende nëpër mitingje. Për sa u takon akuzave që bëri z. Gjana për punë vagonësh e punë librash, do të thosha se momenti më me humor për mua si kryeministër është në orën 7:30 të mëngjesit, kur lexoj shtypin dhe shikoj gazetën “Rilindja Demokratike”, ku shikoj një çekuilibër të madh, shikoj një çmenduri të madhe, por shikoj edhe një pabesueshmëri shumë të madhe, që nga shkrimet se Meta e Meidani kanë marrë makina nga 12 milionë marka e ku di unë, që janë tërësisht të pavërteta, e deri te shtëpia e vjehrrit tim, që e boton z. Berisha, të cilën vjehrri im e ka ndërtuar në tokën e tij në kohën kur unë nuk kam qenë anëtar qeverie dhe nuk kam qenë as dhëndri i tij.

Ndërsa z. Berisha mund të na botojë pallatin e vjehrrit të tij, që e ka bërë gjatë kohës kur ai ishte president, për transparencë me opinionin publik. Për sa u përket akuzave që do të botojë zoti Berisha çdo ditë për mua, për gruan time, për vajzën time, për gjithçka që ka të bëjë me mua, unë jam tepër i qetë. Për sa i takon problemit të Kushtetutës, z. Berisha e di shumë mirë se unë jam betuar këtu për të mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe, në qoftë se ai dhe ndonjë tjetër kadëshirë ta provojë, është i lirë ta bëjë edhe këtë provë. Por të jetë i sigurt se në Shqipëri nuk mund të bëhet siç do zoti Berisha, madje as siç dua unë që jam sot kryeministër, as siç mund të dojë çdo politikan. Dhe së fundi dua t’ju premtoj se këto ndryshime synojnë një ritëm të ri dhe nuk janë ndryshimet e fundit, por do të vazhdojmë me ndryshime edhe në nivele të tjera, sepse jemi të ndërgjegjshëm se administrata duhet të funksionojë më mirë, më me përgjegjësi, më me profesionalizëm, se vetëm në këtë mënyrë do t’i bëjmë vendit një shërbim më të mirë sesa deri më sot. Dhe jemi po ne që tashmë kemi filluar zbatimin e reformës në administratën publike dhe për herë të parë krijuam shërbimin civil në Shqipëri, ndryshe nga neni famëkeq 24/1 që bëri z. Berisha, sepse duam që vendi të ketë një administratë që t’u rezistojë të gjitha ndryshimeve të partive në pushtet, pavarësisht nga fakti se jemi ne sot në pushtet dhe nesër mund të jetë një forcë tjetër politike. Por jam i bindur se nuk mund të jetë kurrë më zoti Berisha. Po kështu, për çdo ndryshim tjetër unë do të vazhdoj të komunikoj me Kuvendin, me Grupin Parlamentar dhe me opinionin publik.

Ajo që dua të them është se kam gjetur mbështetje e inkurajim për ndryshimet dhe për frymën e këtij ndryshimi jo vetëm në Grupin Parlamentar, jo vetëm në mjediset e Partisë Socialiste dhe të koalicionit, por edhe në opinionin publik. Dhe jam i bindur se Partia Demokratike e sotme e z. Berisha përfaqëson një pjesëz të opinionit publik.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Likja: 10/08/2020 08:28

    Meta dhe Berisha e njohin mire njeri-tjetrin, ua dine pasurite dhe krimet. Jane pjese e fatkeqesise kombetare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon