'Profesor Neri thoshte do ta fitoj edhe këtë betejë!' COVID-19 i mori mësuesin, boksieri për 'Report TV': Të gjithë e donin

Christian Demaj është boksieri shqiptar që në karrierën e tij ka fituar 11 tituj kombëtar, ndërsa nuk kanë munguar edhe ndeshjet ndërkombëtare. Në shumicën prej tyre ka patur trajner Skënder Kurtin, ish-boksierin dhe trajnerin e kombëtares së boksit, që dy ditë më parë u nda nga jeta për shkak të koronavirusin. Në një intervistë për 'Report TV', Demaj foli për Kurtin, të cilit i drejtohej 'profesor Neri'. Fillimisht shkodrani që tani bokson në boksin profesionist, e nisi intervistën me një fjalët që Kurti i thoshte para se të futej në ring:

"Besim, kurajo, fitore fitore fitore, ka qenë kryefjala e tij. Fatkeqësisht u nda nga ne, nga jeta. I uroj ngushëllime familjes dhe të gjithë botës së sportit. Ishte një dhimbje e madhe, nuk gjej fjalë të përshkruaj dhimbjen për profesoer Skënderin, Për të gjithë brezat do mbesë një motiv."

1586261998_boksieridemaj.jpg

Si e mësuat lajmin për humbjen e Skënder Kurtit?

"Lajmin e dëgjova nga mediat. E mësova pikërisht nga report tv dhe komunikova me djalin e profesorit. Profesori ishte miku ynë. Komunikim kryesor e kam patur me djalin, me Renaton, që vazhdimisht përsëriste mësimin që na ka dhënë profesori. 'Babi thoshte do ta fitoj edhe këtë betejë'. Besimi ka qenë në maksimum që do ia dali."

Si e ke njohur profesor Skënderin, kush ka qenë kontakti i parë?

"Unë profesorin e kam njohur në 2007 në një kampionat të njohur në Tiranë. Që atëherë më pat thënë që ti do bëhesh. Kemi qenë gjithmonë bashkë në aktivitetet ndërkombëtare,ndërsa në kampionatet kombëtare e kam patur kundërshtar se unë isha me Vllazninë. Nuk e harroj asnjëherë një aktivitet kur para se të fillonte turneu profesor Skënderi më tha do ta fitosh trofeun. Ishte shumë e vështirë, por kur e mora u gëzova shumë. E fitova dhe trofeun unë e quaj titullin e profesor Skënderit."

Çfarë la pas profesor Skënderi?

"Absolutisht te unë la pas shpirtin e garës. Të gjithë sportistët kur humbin ndonjë ndeshje është e vështirë, por profesori na e bënte sikur e kishim fituar jo humbur. Na motivonte, e bënte në përgjithësi edhe për jetën."

Për sjelljen e Skënderit, fjalë shumë të mira për të në rrjetet sociale.

"Një ndër tiparet e tij ka qenë qetësia. Nuk u bënte kurrë me nerva dhe kurrë nuk dilte jashtë kontrollit. Edhe kur Vllaznia ia merrte titujt u shfaqte sikur ishte me nerva, por unë e dija se ai me të vërtetë vlerësonte meritat e çdo sportisti që shpallej kampion. Kishte vlerësim të drejtë për çdo sportist."

Ti boskon në Gjermani, të ka penalizuar mbyllja e kufinjve?

"Unë ndodhem në Shkodër në shtëpinë time, kam tre katër javë këtu. Nuk mund të shkoj në Gjermani se janë mbyllur kufinjtë. Në këtë rast situatën do ta kaloj në Shqipërinë time. Fatkeqësisht nuk arrita të zhvilloj ndeshjen e radhës që e kisha me 25 prill, pasi në këto rrethana është pamundur."

Mesazh për shkodranët, të cilët këto ditë pandemie nuk kanë qenë qytet shembull

"Shkodranët besoj që e kanë kuptuar tashmë, edhe pse një fije me vonesë, që tani duhet me u rujt, duhet me pas kujdes. Mesazhi që kam për të gjithë është ai që thoshte profesor Neri: 'kurajo, besim, fitore fitore fitore."

Ne.k./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?