Profil-ArtistI/ Ismail Lulani, piktori dhe njerëzori me shpirt poeti (FOTO)

Profil-ArtistI/ Ismail Lulani, piktori dhe njerëzori me shpirt poeti (FOTO)

Piktorit Ismail Lulani

1.Peneli i piktorit...

Peneli i piktorit Ismail Lulani, Artist i Popullit, në shumë tablo mban ende “peng” fëmijërinë e tij. Ndoshta malli... Ndoshta... Sidoqoftë një gjë është e vërtetë: Vendlindja ka marrë një konstitucion shpirtëror të pathyeshëm, të cilën piktori dendur e shpalos si pohim i personalitetit të tij.

 Duke vërejtur krijimtarinë e Lulanit në hapësirë dhe në kohë, themi se piktura e tij është sa dekorative aq dhe potente. Ngjyra përftohet me një forcë të tillë sa të bën që natyrshëm edhe brenda vetes të ndjesh të të shpërthejë diçka e gëzueshme. Ndjen ikjen nga e përditshmja lodhëse ku jeton, të bën të ndjehesh i qetë, harmonik me natyrën që shijon në tablotë e tij sa të duket se realisht i jeton.

 E gjithë krijimtaria e tij shfaqet nga realja te fantastikja, nga realistja te modernia, nga ajo që jeton në atë që ndjen dhe deri në atë që kujton... Ndaj me të drejtë thuhet: “Në pikturën shqiptare Artisti Lulani veçohet dhe vlerësohet si një kolorist i njollave me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë...” Gjithashtu me të drejtë thuhet: “Ismail Lulani, ishte dhe mbeti ndër emrat e rëndësishëm të traditës e bashkëkohores shqiptare të pikturës. Një penel që diti të zgjonte në çdo stinë e në çdo trajtesë, kumtimin e epshit të ngjyrave dhe të mëkonte me një muzikalitet dehës poetikën shprehëse të subjektit. Kohështrirja në veprimtarinë krijuese dhe gjeografia e sfidës, dëshmuan tek ai një piketë të rëndësishme të artit vizual shqiptar. Llojshmëria e punëve dhe trajtesa e veçojnë Ismail Lulanin, duke e pozicionuar në një kreshtë të lartë të asaj që për ne është jo vetëm matshmëria e së epërmes ku ai e çoi shpirtin e tij koloristik dhe skaliti ligjërimin joshës, por edhe detyresë mirënjohjeje për testamentin që la.

Stinët janë në tablotë e tij ndalesa të hovshme dhe kumtime të andshme. Pranvera gufon në zjarrin e ngjyrave dhe jepet epshëm në lakimin e trajtës dhe lodrimin e dritëhijeve që të shpojnë si sy të epshëm dhe kureshtues që të ftojnë në ngasje. Vera e grunjtë dhe tafti i amësht i tokës, duart të tendosura dhe mëtime që shkrihen në shkujdesjen e penelatave dhe harbohen në afshin e hapsirës që rreket t’i përpijë. Vjeshta, stina e shirave dhe melankolisë, kridhet shpirtërisht duke marrë gjithçka nga thellësia dhe amështi, nga zjarri dhe tamli, e duke i miksuar në një trajtesë gjallimi koloristik që vetëm Ismail Lulani duket se mund t’i zotërojë. Dhe vjen ai, dimri, një stinë që ngjeth, një amë që e thërret me zë buçitës, një ngulm që grish në mallime e andrra t’kahershme që vërshojnë uturishëm, e shprehen në tablo me gjithë ashpërsinë dhe adhurimin. Gjithçka në dimrin e Lulanit ka një frymëmarrje që huajtet në kreshtat ku plaket bora e në krahnoret ku lyp fluturim shqiponja.”

2. “Ismail Lulani – pengu i një artisti që nuk mund të harrohet...”

Ky është titulli i një shkrimi që ka për autor kulturologun dhe enciklopedistin Moikom Zeqo. Nga studimet e gjurmimet e mia, ky shkrim i Zeqos është më dimensionali për figurën dhe krijimtarinë artistike të piktorit të shquar Ismail Lulani. Duke parë shumë tablo të tij, më bën të them krenarisht se është një emër i paarritshëm në pikturën shqiptare. Rri meritueshëm në panteonin e artit shqiptar e më gjerë. Piktori Ismail Lulani është kujtesë arti. Jo çdokush e meriton një emërtim të tillë. Në mos gaboj, po shkoj edhe përtej: Kujtesë e KOMBIT.

Moikomi thotë: “Dua të them dy fjalë për miqësinë tonë dhe për artin e piktorit Ismail Lulani, të cilin e njoh që prej 30 vitesh. Piktura e parë që më ka bërë përshtypje është një kompozim kryevepër, paraqitur në Ekspozitën e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kompozimi e tregon Herion Kombëtar të hipur mbi kalë, me shpatën në dorë, dhe me një pelerinë të kuqe që i valëvitet në supe.

Më tërhoqi vëmendjen stili i pikturës, modelimi i fytyrave të njerëzve të mozaikuar në tablo, koloriti i fortë dhe kontrastet mes ngjyrave të ftohta dhe të ngrohta. Pastaj e kam ndjekur krijimtarinë e Ismail Lulanit pothuaj në të gjitha vitet. Jam i bindur se Ismail Lulani do të mbetet një nga piktorët më të shquar shqiptar. Jam takuar me të në raste të ndryshme, kemi pirë nga një kafe dhe kemi biseduar thjesht si njerëz që kuptohen mirë me njëri-tjetrin. Ai qe jashtëzakonisht modest, madje do të thoja i drojtur, tepër i përkorë dhe në shumicën e rasteve i heshtur. Te Ismail Lulani nuk ishte gjurma më e vogël e madhështisë vetjake, e ekzibixionizmit dhe tendenca për të përjashtuar të tjerët. Nuk kishte paragjykime për artin dhe stilet e të tjerëve. Nuk fliste kurrë keq për askënd. Me heshtjen e tij të praruar nga mençuria e brendshme dhe thjeshtësia e paepur njerëzore, ai kishte skalitur vetëdijen e të qënit artist shqiptar në substancë, në të gjitha pikëpamjet dhe potencialet e shprehura dhe të pashprehura, që posedonte kjo vetëdije.

 ...

Ai e kuptoi se talenti është jo vetëm një prerje konceptuale e botës vizuale, çka ka të bëjë me stilin, por edhe një ngulmim pa përmasa për të arritur diçka të denjë, për të fisnikëruar kështu botën dhe realitetin me sqimën dhe shpirtin e artit. E gjatë, shumë e gjatë është rruga dhe rrafgimi i tij artistik. Mijëra e mijëra kompozime, peizazhe, portrete, përbëjnë opusin e tij pikturik. “I ngujuar” në Shkodrën – Dashnore e shekujve – siç e ka quajtur Migjeni, Ismail Lulani nuk pati prirjen, si shumë kolegë të tij për të ardhur përfundimisht në Tiranë, për t’u familjarizuar me famën e metropolit shqiptar, sepse Ismail Lulani nuk vuante aspak nga protagonizmi në shoqëri. Ishte njeri shumë i ndjeshëm dhe me emocione të mëdha. Shqetësohej, por nuk e shfaqte shqetësimin me fjalë. Gjestet i kishte të kursyera, megjithatë dukej se ziente nga brenda. Duket paradoks që një njeri kaq i heshtur të qe njëkohësisht kaq emocional. Tepër delikat, i prekshëm dhe vëzhgues i hollë. I bënte përshtypje çdo gjë. Adhuronte natyrën shqiptare. Paja shpirtërore e këtij piktori qenë pikërisht peizazhet alpine me malësorë, me kuaj, mushka, dhi dhe grigja delesh. Ai parapëlqente një sinkretizëm, një bashkëjetesë të ndërthurur të epikës me liriken. Qe esencialisht piktor shqiptar.”

 3.Meditim për atin...

 “Ora... Ora një zë ere preku qënien time, që më bëri të shkëputem nga libri dhe t’i tregoj kujdes zërit që era më solli. Hap më shumë dritaren, duke lënë erën që të hyjë brenda në dhomë. I ngul sytë diku thjesht në zbrazëti, mbaj frymëmarrjen dhe pres zërin të vij përsëri. ... Atëherë marr lapsin e po të sjell pranë. Skicoj dhe hedh linjat e para, mbase kështu bisedojmë qetë si dikur... Eh, kemi aq shumë për të thënë e për të kujtuar. Lapsi ngadalë shkarravit në letër, ti rri me dorë mbështetur duke vështruar dëborën. Është ftohtë, them unë. Ti qesh. E di që dëbora të pëlqen. ... Ti vazhdon e shikon qetësisht. Dëgjoje këngën e këtij zogu, më thua, e gjen çfarë është? Unë mundohem, mbase zog dëbore, s’e di, ndjek fluturimin e tij, ai sillet e sillet, sikur po kërkon strehë, dhe ulet pa u ndjerë në gjurin tënd si një mik i vjetër. Dhe unë atë çast ndjeva shumë mall, doja të thoje diçka por e mbajte për vete. M’u kujtuan ato momente kur ti lëshoje zogjtë në dhomë. Ajo brendi me nuanca të kuqe nga loja e flakës në oxhak, dhe fluturimi i çuditshëm i tyre, që kthenin çdo gjë në një situatë irreale, e mban mend, çdo gjë: orenditë, hijet mbi mure fluturonin bashkë me zogjtë. Ti që veç qeshje e qeshje, kur ata uleshin e qëndronin mbi kornizat e mbi pikturat, dhe zëri yt: “Ora, zogjtë e njohin shtëpinë e vet.” E çuditshme lidhja që kishe me ta!.. Me ikjen tënde dhe ata ikën një pas një... Ulën kokat, varën krahët, ikën pas teje. Dhe ky zog që tani qëndron i qetë mbi gjurin tënd, sikur mban me vete të 50 zogjtë që kishim në shtëpi... Zëri yt vjen përsëri: “Ora të du fort..!” Dhe shpirti im ngrohet, dhe me mirënjohje i drejtohem zbrazëtisë e bindur që ti më ndjen: “Edhe unë të du fort! Malli më ka marrë shumë! Mendja ime, dora ime krijon bashkë me ty! Faleminderit ati im!””

 (-Nga kujtimet e së bijës, Ormirës (piktore) për të atin, Ismail Lulanin; gaz. Fjala, 19.04.2015-)

 4.Një fotografi si kjo…

Teksa po punoja për shkrimin, m’u kujtua një fotografi mes shumë fotografive. E kisha parë të botuar nga e bija e piktorit Lulani, Ormira. Bisedova me të dhe ma dërgoi. Ajo fotografi mbart një ditë të rëndësishme. Është përurimi i ekspozitës së piktorit Ismail Lulani. Dhe një foto si kujtim i paharruar i piktorit me dy vajza të vogla. Njëra është ime bijë Eris dhe tjetra e mbesa e piktorit, Sanella. Sot si Eris dhe Sanella janë rritur dhe janë bërë piktore. Po ç’më kujton tjetër kjo fotografi? Fëmijëria e tyre i kaloi ditët e arta në studion e piktorit. Ai pikturonte, ata vizatonin. Pastaj në një moment i thërriste dhe u thonte: “Shikojeni dhe më thoni, çfarë nuk ju pëlqen...”. Ata shikonin herë pikturën dhe herë piktorin. Ata ishin aq të vogla, sa... Këtë moment ia kujtova këto ditë vajzës sime. Ajo më tha: “Po e mbaj mend mirë. Ai gjithmonë kërkonte mendim nga ne, edhe pse ishim të vogla, jo më shumë se 8 vjeçe. Ne i shikonim dhe mahniteshim. Pikturat e xhaxhi Smajlit na dukeshin si përralla magjike. E kush nuk e do një libër me përralla magjike! Një libër i tillë më shoqëron edhe sot e kësaj dite...” – e përfundoi bisedën vajza ime. Një fotografi si kjo... E ruante ende Ori Lulani - një piktore si ajo. S’mund të ndodhte ndryshe. Se është e bija e piktorit të shquar Ismail Lulani me të me të cilin mburret arti shqiptar.

Një fotografi si kjo... Mbase e rënë në prehër të kujtimeve të përmallshme, të trishta e prej loti për të atin e paharruar, ndoshta duke hapur ndonjë baulë antike, ndoshta duke rrëmuar në albume-vitesh... gishtrinjtë e saj nazikë papritur… prekin edhe këtë fotografi. Sikur të prekin një ëndërr… E prekin me mall, e ledhatojnë shpirtërisht… Zgjojnë kujtimet... Sikur i thonë njëri-tjetrit: “Nuk mund të rrinim pa u takuar!..” Dhe… ai çast e ai vështrim i Orit, ç’thonë tjetër?.. Ajo buzë e dridhur përmes një psherëtime bijësore, ato sy teksa pushojnë mbi sytë e babait për të mos trazuar rrëkezat e lotëve, ajo bardhësi e flokëve që afrohet pranë e pranë si një kujtim mrekullidhënës…, Thonë plot e plot do të thonë!..

Zgjohet fotografia, zgjohen vitet, zgjohen personazhet… E prej këtij zgjimi më shumë se 20 vjeçar, fotografia shtegton, ‘troket’ dhe hyn si mall edhe në shkrimin tim...

 5. Intervista...

 Po shfletoja ca dosje të viteve të mia të punës, kur isha gazetar në radio Shkodra. Mes shumë relikeve, gjeta dhe ca fletë pakëz të zverdhura nga koha. Ato fletë më sollën shumë kujtime dhe mallime... Ato fletë më çuan afro 19 vjet më parë, kur unë kisha ftuar në emisionin tim letrar piktorin Ismail Lulani. Ato fletë... kishin ruajtur atë intervistë të shtrenjtë...

- Cila është shtysa e parë që iu shtyu drejt magjisë së artit të pikturës?

  Ismail Lulani: Nuk e kujtoj mirë kur u shfaq interesi tek unë për të zhgarravitur e vizatuar, por mbaj mend se librat e fletoret e mia të shkollës, ishin të mbushura me vizatime shpendësh dhe kafshësh të ndryshme. Nuk kishte sipërfaqe muri të bardhë në ambientin që më rrethonte, që nuk ishte vizatuar nga unë. Për këtë punë shpesh më tërhiqnin veshin, por gjithmonë me ngrohtësi... Pra, unë vizatoja e hidhja ngjyra në letër e në mur, krejtësisht në mënyrë instiktive, pa menduar e pa ditur se ç’është piktura. Dua të kujtoj se në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, zhvillohej një kurs pikture dhe drejtohej nga padër Leon Kabashi, i cili ka qenë dhe mësuesi im i parë në pikturë. Më vonë ky kurs u drejtua nga piktori i shquar i Popullit Vladimir Jani. Nuk mbaj mend se kush më solli deri aty, por këtu fillova të punoj nën kujdesin e profesionistëve. Këtu fillova të mësoj ABC-në e parë në pikturë. Kujtoj që në këtë kurs merrnin pjesë Tonin Bazhdari, Selim Bilali, Vinçens Prendushi, Kolec Ljarja, Jone Saraçi, Bep Shiroka etj. Më vonë jam njohur me piktorët Angjelin Dodmasej e Franc Ashiku (tani nuk jeton) , të cilët u bënë shkak dhe më inkurajuan që unë të vazhdoja studimet e larta për pikturë. Këtu dua të kujtoj të paharruarin, karnavalistin e shquar e piktorin Kolë Shiroka, (babai i shokut tim të ngshtë Bep Shiroka), të cilit sapo kisha bërë një portret, kur mësoi se do të konkuroja për shkollë të lartë më dha tavolozin e tij me gjithë penela. Urimi i tij i bardhë, siç duket më kurorëzoi realizimin e një ëndrre...

 - Kur merrni penelin në dorë: është një motiv që ju ngacmon, një nevojë për t’u larguar nga realiteti ose për të ecur drejt tij, apo thjeshtë një nevojë e brendshme që s’ju lë rehat deri sa të shpërtheni së jashtmi me anë të ngjyrës..?

  Ismail Lulani: Penelin apo lapsin e marr në dorë, kur motivi më prek e më ngacmon, kur kam nevojë të harroj atë që më rrethon, kur jam nisur larg me mendime... Penelin e marr në dorë kur jam i qartë, dhe dëshira drejt telajos së bardhë më shtyn që të hedh ngjyrat e para. Sa më tepër që sipërfaqja e telajos mbushet me ngjyra e fillojnë konturet të lëvizin e të evidentohen, aq më tepër filloj të harrohem nga ajo që më rrethon dhe humb në botën e krijimit...

 - Në fillimet e karrierës suaj artistike, cila ka qenë tema e preferuar dhe a ka ndikuar koha në preferencat tuaja?

  Ismail Lulani: Tema historike ishte e preferuara ime. Lufta e popullit tim për liri dhe pavarësi. Tablotë e mia fillojnë nga Eposi i kreshnikëve e deri te Lufta Antifashiste. Mjafton të kujtoj: “Muji e Halili”,”Gjergj Elez Alia”,”Kostandini dhe Doruntina”, “Skënderbeu”, “Ali Pashë Tepelena”, “Kara Mahmut Pasha”, “Isa Boletini”, “Dedë Gjo’ Luli”, “Shotë e Azem Galica” e shumë figura të tjera historike. E kam trajtuar këtë temë me dashuri. Kam qenë i lidhur me të, pa u imponuar nga askush.

 - Keni lëvruar të gjitha gjinitë e pikturës: kompozimin, pejsazhin, portretin, natyrën e qetë etj. Megjithaë, a keni ndonjërën gjini më të dashur se tjetrën, apo kjo është një pyetje që tek ju nuk duhet të zërë vend?

  Ismail Lulani: Të gjitha gjinitë i kam trajtuar. Por që të jem i saktë, vite më parë më pëlqente më shumë kompozimi, sepse quhej “gjinia më superiore”, vlerësohej mbi gjinitë e tjera dhe piktorët që merreshin me këtë gjini quheshin si burra më të zotë. Kur dihet se një vepër arti është dhe një natyrë e qetë, një pejsazh, një portret, por pa përjashtuar edhe kompozimin. Varet nga vlerat që mbart tabloja.

 Mendoj se i jam borxhli pejsazhit. Vite me rradhë i kam kaluar anash. Tani më pëlqen të ulem këmbëkryq midis tij dhe t’ia “laj” borxhin... Sot për sot, kryesisht merrem me pejsazhin e natyrën e qetë, por pa harruar portretin dhe kompozimin, këtë të fundit me përmasa më të vogla.

 - Në shumë tablo ndjehen reminishencat e fëmijërisë. Tani, i thinjur, çdo të thotë kjo: mall për fëmijërinë e ikur, apo ndoshta mall për vendlindjen që ju mungon?

  Ismail Lulani: Nuk mban ndër mend mosha ime, se sa periudhën e fëmijërisë, këtë kohë të jetës: pa probleme dhe halle. E kujtoj si një ëndërr të bukur e plot nostalgji... Me nostalgji kujtoj shokët e shoqet e fëmijërisë, lojërat, shëtitjet bregut të Cemit, në livadhe dhe në Dhe të Zi, deri në Vllanë e në Vranjë etj. etj. Ndaj në ekspozitën time që çela pak më parë, dominojnë peisazhet me kodra e livadhe, të cilat në një farë mënyre më kujtojnë atë kohë të dashur! Në këto vende nuk lashë pëllëmbë pa e shëtitur: herë në këmbë e herë në kalë, megjithëse isha tepër i vogël.

 - Ç’ndjeni kur mbaroni një punim: kënaqësi,çlodhje, lodhje, dhembje që po ndaheni prej tij, apo... dëshirë të fortë t’i ktheheni sërish nga fillimi?

  Ismail Lulani: Kur një krijues përfundon një punë, sigurisht që ndien kënaqësi. Kënaqësi ai ndien kur mendon se ia ka arritur qëllimit. Gëzohet se i shtohet rreshtit të punëve të tij edhe një tablo tjetër. Gëzohet se puna që mbaroi i lë rradhën tablosë tjetër. Por... në mënyrë të njëkohshme dëshirë të madhe për t’iu kthyer sërishmi edhe një herë me një emocion të ri...

 - Kemi dëgjuar që i mbani shumë gjatë punimet në dorë, dhe i ktheheni kohë pas kohe, çka i bën pikturat tuaja mjaft të ngjeshura. Pse ndodh kjo?

  Ismail Lulani: Zakonisht punët i mbaj për një kohë të gjatë, sigurisht jo të gjitha. Varet se siecën puna, në ç’gjendje shpirtërore je etj. Një punë mbahet gjatë në dorë, kur krijuesi është i qartë. Ajo fillon e fiton vlera, krijon gjendje, fillon të peshojë dhe vjen dita vetvetiu të braktiset pa mundur t’ia gjej fundin. Por ndodh jo rrallë, kur një punë bëhet me një frymë, për disa seanca, dhe të ketë vlera më të mëdha se ajo që është punuar për një kohë të gjatë. Kështu që nuk ka rregulla për këtë punë...

 - A ju ka ndodhur ndonjëherë që diçka e rëndësishme, të ketë qenë shkak ose ngacmim që ka ndezur imagjinatën tuaj, për t’u reflektuar më pas në ndonjë tablo?

  Ismail Lulani: Kujtoj vitin 1979. Shkuam një grup piktorësh në Breg të Bunës, për të vizatuar e pikturuar punën që po bëhej për zhdukjen e pasojave të tërmetit. Arritëm në vend dhe u shpërndamë. Secili përpiqej të gjente një pikë shikimi sa më interesante për të hedhur në telajo përshtypjet e tij. Duke kërkuar edhe unë vendin e duhur nuk e di se si u gjeta afër një vathe ku ishin disa mullarë dhe një qerre e vjetër. Ishte një pamje e mrekullueshme. Bëra një etyd të bukur e më vonë një tablo. Kolegët kur e panë, ma pëlqyen. Njëri duke qeshur më tha: “Pse, more vëlla, për këtë punë ke ardhur ti!”

 - Jeni cilësuar si kolorist i lindur. Tek ju, a ka ndodhur ndonjëherë që ngjyra të ketë qenë shtysa për një tablo, pra ngjyra të ketë qenë motivi shtytës?

  Ismail Lulani:  Koloristi është i lindur. Kolorist nuk të bën shkolla. Përsa i përket pyetjes suaj, a ndodh që ngjyra të jetë shtysë përtë filluar një tablo, patjetër që ndodh. Dhe mua më ndodh në pranverë, në dimër, por sidomos në vjeshtë kur ngjyrat janë në kulmin e larmisë së tyre e sidomos pas shiut...

 - Keni bërë shumë tablo me ciganë. Çfarë ju pëlqen ose tërheq te ky motiv? Si ka lindur e para tablo me këtë motiv?..

  Ismail Lulani: Mbaj mend në Lezhë, si student i vitit të dytë, kishim shkuar në praktikë për një muaj. Ishte verë dhe shoqëroheshim nga pedagogët tanë. Një ditë, pedagogu im dhe piktori i shquar Sali Shijaku më thotë: “Ismail, nesër do të dalim së bashku të pikturojmë. Do të shkojmë te arixhinjtë. Besoj që do të jetë interesant...”

Arixhinjtë ishin të vendosur në një fushë të vogël prapa një kodre afër Lezhës. Na pritën mirë dhe shpejt u miqësuam me to. Punuam gjithë ditën e patëm rezultat. Kjo ditë u pasua dhe nga të tjerat. Kështu që mblodhëm shumë material. Shumë vite kanë kaluar që atëhere, por unë përsëri i kthehem kësaj teme. Kam bërë disa kompozime të vogla dhe portrete për këta njerëz plot temperament që kalojnë një jetë të lirë nën qiell të hapur, të cilët nuk i bëjnë dy netë rresht në një vend, e, shpesh më duket se janë më të lumtur se ne...

 - Hëna apo dielli, në shumicën e tablove tuaja janë kthyer në një lejtmotiv shoqërues dhe gati-gati janë animizuar përmes penelit tuaj dhe janë kthyer në personazhe për tablotë tuaja. Ç’mund të thoni për këtë?

  Ismail Lulani: Nuk kam ndonjë mendim të qartë për këtë. Me sa duket, ndodh si me poetët, qoftë në poezi popullore ose të kultivuar, ku dielli dhe hëna zënë mjaft vend.

 - Janë disa elementë që shfaqen dukshëm në tablotë tuaja dhe duket se derdhni shumë dashuri në to, si p.sh. zogjtë, kali, dhia,gjeli etj. Ç’lidhje të veçantë keni me to?

  Ismail Lulani: Zogjtë janë hobi im dhe i njoh mirë.

 - Më falni, sa i njihni mirë?

  Ismail Lulani: I njoh aq mirë, sa këtu ku jemi duke bërë bisedën bashkë, po të kalojë ndonjë zog nëqiell të hapur, unë e njoh nga cicërima se çfarë zogu është.

 Të vazhdojmë me zogjtë me të cilët studioja ime është e mbushur. U shërbej çdo ditë pa përtesë. Ata ma shpërblejnë këtë kujdes me këngën e tyre të mrekullueshme. Ndiej kënaqësi kur ato lahen e pastrohen, kështu që është e natyrshme që zogjtë janë prezentë në tablotë e mia.

 Përsa i përket kalit, është kafshë e bukur, shumë besnike, e mençur dhe fisnike.

 - Mos të kujton kalin e fëmijërisë?

  Ismail Lulani: Po. Kam pasur dikur një kalë. Babai ma shiti. Unë qava shumë ato ditë... E kujtoj dhe tani. Më pëlqen shumë. Dhitë më pëlqejnë për shkathtësinë e siluetën e tyre të bukur. Janë kafshë të mitologjisë sonë.

 - Tone dhe gradacione të ndryshme të jeshiles dhe të së bardhës shoqërojnë shumë tablotë tuaja. A mos janë këto mesazhet e ëndrrave të bardha, ëndrrave të jetës që vlojnë brenda jush dhe doni t’ua transmetoni edhe të tjerëve, apo thjeshtë çështje preferencash apo diçka intuitive?

  Ismail Lulani: Çështja e ngjyrave është preferencë e piktorit, e cila merr kthesa në periudha të ndryshme, varet, nga koha, përshtypjet, subjekti, kontakti e shumë shkaqe të tjera.

 -Ka gjithashtu shumë potencë dhe dekorativitet në tablotë tuaja çka i ofron shumë me ornamentikën popullore. Ç’domethënie ka kjo dhe si do ta komentonit ju?

  Ismail Lulani: Ju e dini mirë sa të pasura janë motivet që shohim në kostumet tona popullore, në qilimat, çorapet e në shamitë e Zadrimës, si dhe në shumë objekte qëdikur na kanë rrethuar... Kështu që mendoj që është e pamundur që tek një piktor që e respekton dhe e vlerëson këtë pasuri të çmueshme popullore, në tablo të veçanta të tija, në mënyrë të përpunuar të mos zërë vend një gjë e tillë.

 - Kam dëgjuar se ju pëlqejnë shumë shegët. Përpara se të thoni sa të mira janë, thoni: sa të bukura! Keni bërë shumë natyra të qeta me shegë. Arsyeja?

  Ismail Lulani:  Shegët më tepër më pëlqejnë si formë e bukuri se sa për t’i ngrënë, e gjithëse janë mjaft të shijshme. Shegët janë plot forma dhe me ngjyra të larmishme: të kuqe, shumë kuqe, rozë, jeshile. Kur i shikoj me vemendje vërej se në detaje janë krejtësisht të ndryshme njëra nga tjetra dhe ajo më interesantja për mua, shega të veçanta më duken se ngjasin me persona të ndryshëm.

 - Si e kaloni kohën e lirë? A është koha e lirë, e “lirë” nga piktura. Apo edhe aty, ndonjë dritë e ndezur diku thellësive të subkoshiencës suaj ju mban përsëri lidhur me të?

  Ismail Lulani: Dal e shëtis, si i thonë një fjale një vrap pele. Takoj shokë e kolegë, pijmë kafe, ndonjëherë edhe një gotë raki pse jo të Shorja (sidomos të shtunave), merrem me kanarinat, në mbrëmje lexoj, dëgjoj lajmet rregullisht dhe shoh kur ka ndonjë film të bukur...

 - Vajza juaj, Ori është piktore. Është fat që ju ka baba. Po për ju, çfarë është të kesh bijë Orin?

  Ismail Lulani: Ori është vajza ime, njeriu më i dashur për mua. Më do dhe më respekton. Jemi kolegë dhe shokë. Më ngjan mua edhe në pamje edhe si temperament. Punon e studion. Kjo më pëlqen. Kemi edhe ndonjë “mosmarrëveshje”, por gjithmonë profesionale dhe pa qeder.

 - Thonë që studioja juaj nuk ka “porta”. Shumë të rinj, qa tashmë janë piktorë, kanë hyrë pa trokitur në çdo kohë. Çfarë ju keni bërë atyre me penelin, por edhe me zemrën tuaj? Mos ndoshta edhe kjo është magji?..

  Ismail Lulani: Më vjen mirë, kur ish nxënësit e mi, sot kolegë, më respektojnë. Kjo është një kënaqësi për një mësues. Në të vërtetë kam pasur shumë nxënës, por nuk mund të harroj maturantët e Shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova”, që për katër vjet e kalova aq mirë, e më vjen mirë që të gjithë pa përjashtim mbaruan shkollën e lartë.

 Kujtoj me nostalgji nxënësit që kam drejtuar në rrethin e pikturës pranë Shtëpisë së Pionierit, si Gazmendin, Sadikun, Ikbalin, Davidën, Vasilin, Gjergjin, Rudolfin etj. etj. Sot janë të shpërndarë gati në të gjithë botën: të talentuar e simpatikë.

 Punoja me kënaqësi të madhe me ta. Vizatimin e bënim piktura në studio (klasë), dhe kur dita ishte e bukur me fletore vizatimi nën krah i silleshim rreth e përqark Shkodrës.

 Shpesh herë, edhe pse ishte ftohtë, frynte erë, binte shi e pse jo edhe borë, nxënësit nuk donin t’ia dinin. Gjithmonë ishin prezentë. Kam qenë korrekt me ta. Përpiqesha t’u jap gjithçka dija. I doja dhe i respektoja.

Shkodër, maj 2019

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Biden poston foton me të miturën amerikane që u mbajt peng për 7 javë nga Hamas: Të lirojmë dhe të tjerët

Biden poston foton me të miturën amerikane që u mbajt peng për 7 javë nga Hamas: Të lirojmë dhe të tjerët