Bashkimi Evropian thotë se ia ke shprehur shqetësimin qeverisë shqiptare në lidhje me projektin e ndërtimit në Zvërnec. Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Çështjet e Zgjerimit, Guillaume Mercier deklaron se Ministria e Mjedisit ka sqaruar se një vlerësim i thelluar për ndikimin në mjedis po kryhet.

“Ne i kemi shprehur tashmë shqetësimet tona Ministrit të Mjedisit në lidhje me mangësitë e mundshme të këtij projekti. Ministri është angazhuar se punimet e ndërtimit janë pezulluar dhe se për projektin do të kryhet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile”, tha Guillaume Mercier, zëdhënës i KE.

Mercier sqaron se Komisioni Evropian është në kontakte të vazhdueshme me palën shqiptare, teksa kujton përmbushjen e standardeve në negociatat integruese që lidhjen me mjedisin.

“Shqipëria pritet të përafrojë plotësisht legjislacionin e saj me legjislacionin e Bashkimit Europian në këtë fushë, duke përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet. Gjithashtu, ajo duhet të shfuqizojë legjislacionin e vitit 2015 për investimet strategjike”, tha Guillaume Mercier, zëdhënës i KE.

Zyrtari i Bashkimit Evropian tha se Brukseli pret që vlerësimi mjedisor për projektin në Zvërnec të kryhet në mënyrë transparente nga qeveria shqiptare.

Pyetje: Protestat në Shqipëri kundër një projekti luksoz lidhur me dhëndrin e Presidentit Trump, Jared Kushner, kanë hyrë tashmë në javën e dytë. Do të doja të dija nëse Komisioni po vlerëson në mënyrë aktive përputhshmërinë e këtij projekti me legjislacionin mjedisor të Bashkimit Europian dhe, rrjedhimisht, ndikimin që mund të ketë ai në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, a ka pasur kontakte midis zyrtarëve të Komisionit dhe zyrtarëve shqiptarë për këtë çështje? Për shembull, a është kontaktuar drejtpërdrejt Kryeministri Edi Rama në lidhje me këtë? Faleminderit.

Guillaume Mercier/Zëdhënës i KE për çështjet e zgjerimit: Lidhur me këtë çështje, ajo që mund të them është se Komisioni po ndjek nga afër zhvillimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro-Nartë. Ne i kemi shprehur tashmë shqetësimet tona Ministrit të Mjedisit në lidhje me mangësitë e mundshme të këtij projekti.

Ministri është angazhuar se punimet e ndërtimit janë pezulluar dhe se për projektin do të kryhet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile. Ne e dimë gjithashtu se projekti është subjekt i hetimeve të vazhdueshme të SPAK-ut, të cilat shtrihen përtej shqetësimeve mjedisore.

Ju po pyesnit nëse i kemi shprehur tashmë shqetësimet tona. Siç thashë, ne kemi folur tashmë me Ministrin, por më lejoni të theksoj se këto shqetësime nuk janë të reja. Kjo është përmendur tashmë në Raportin tonë të Zgjerimit, ku thuhet se zgjatja e përsëritur e ligjit për investimet strategjike vazhdon të ngrejë shqetësime për ndikimet e mundshme mjedisore, veçanërisht në zonat e mbrojtura.

Kur bëhet fjalë për procesin e anëtarësimit, më lejoni gjithashtu të kujtoj se, si pjesë e standardeve përmbyllëse për Kapitullin 27 mbi Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike, Shqipëria pritet të përafrojë plotësisht legjislacionin e saj me legjislacionin e Bashkimit Europian në këtë fushë, duke përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet. Gjithashtu, ajo duhet të shfuqizojë legjislacionin e vitit 2015 për investimet strategjike.

Për më tepër, për të mbyllur Kapitullin 27 për Mjedisin, siç e përmenda më parë, Shqipëria duhet të demonstrojë kapacitetin e saj për të menaxhuar zonat e ardhshme Natura 2000, duke përfshirë masat e ruajtjes dhe mbrojtjen e habitateve dhe specieve.

Së fundi, më lejoni të theksoj se Shqipëria duhet të përmbahet nga veprime që mund të minojnë përmbushjen e standardeve përmbyllëse dhe ne presim që autoritetet shqiptare të veprojnë pa vonesë. Pra, kjo çështje është në vëmendjen tonë dhe ne jemi në kontakt me autoritetet shqiptare lidhur me të.”

Pyetje: Vetëm një pyetje të shkurtër sqaruese, sepse përmendët deklaratat e Ministrit të Mjedisit se këto punime janë pezulluar. Megjithatë, Kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur projektin dhe ka deklaruar se ai do të vazhdojë.

Duke pasur parasysh këtë, a mendoni se diskutimet duhet të zhvillohen në një nivel më të lartë, për shembull? A do të konsiderojë Komisionerja Kos të kontaktojë drejtpërdrejt Kryeministrin? Dhe së fundi, vetëm për sqarim, a po thoni se ajo çfarë dini deri tani për këtë projekt duket se përbën shkelje të Kapitullit 27? A është ky një vlerësim që keni bërë apo ende nuk keni arritur në këtë përfundim? Faleminderit.

Guillaume Mercier: Më lejoni të kujtoj se, në kontekstin e Kapitullit 27 për Mjedisin, ekzistojnë masa që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e mjedisit dhe pikërisht në këtë kuadër ne kemi shprehur shqetësimet tona, në dritën e legjislacionit që sapo përmenda.

Sa i përket diskutimeve të mëtejshme dhe angazhimit në një nivel më të lartë, natyrisht që në këtë fazë nuk mund të spekuloj, por ne kemi qenë në kontakt, siç e kam thënë tashmë, me homologët tanë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Pyetje: Për të vijuar pyetjen e koleges sime dhe temën që ajo ngriti. Pra, Guillaume, për ta përmbledhur dhe për të qenë shumë specifik dhe i drejtpërdrejtë: a mund ta mbyllë Shqipëria Kapitullin 27 nëse vazhdon me këtë projekt të zhvillimit të pasurive të paluajtshme? Po apo jo? Faleminderit.

Guillaume Mercier: Unë do të rikujtoj vetëm atë që sapo thashë në komentin me të cilin përmbylla qëndrimin tonë më të gjerë për këtë çështje, që është se Shqipëria duhet të përmbahet nga veprime që mund të minojnë përmbushjen e standardeve përmbyllëse, në këtë rast të Kapitullit 27, dhe për këtë arsye ne presim që autoritetet shqiptare të veprojnë pa asnjë vonesë. Mendoj se kjo e përmbledh qëndrimin tonë. Vërtet, besoj se është e qartë.

Pyetje Jualian Kasapi:  Unë jam një gazetar shqiptar këtu në Bruksel. Protestuesit e kanë akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe konsultimi. Çfarë masash konkrete mbrojtëse pret Komisioni që vendet kandidate të zbatojnë përpara se të miratojnë projekte kaq të mëdha investimesh strategjike? Faleminderit.

Guillaume Mercier: Pra, siç thashë, ne i kemi shprehur shqetësimet tona Ministrit të Mjedisit, i cili u angazhua se punimet e ndërtimit janë pezulluar dhe se për këtë projekt do të kryhet një vlerësim i ndikimit. Pritshmëria jonë është që ky vlerësim të kryhet në mënyrë transparente. Po, diskutimet janë ende në vijim.