Drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu, u mor sot në pyetje për rreth katër orë nga Prokuroria Speciale e Kosovës në cilësinë e të dyshuarit, në kuadër të hetimeve për shpërdorim detyre që lidhet me kohën kur drejtonte Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në qeverinë e Albin Kurtit.
Pas daljes nga Prokuroria, Aliu tha se e sheh si një lehtësim faktin që më në fund pati mundësinë të japë shpjegimet e tij për akuzat e ngritura.
“Është lehtësi që pas dy vitesh heshtje pata mundësinë me e marrë dhe me e sqaru situatën para Prokurorisë për të gjitha sulmet dhe pretendimet ndaj meje, të cilat kanë degraduar aq shumë, por që unë jam përgjigjur me heshtje. Pata mundësi me e sqaru për gjithë periudhën sa kam qenë ministër, kam vepruar në përputhje me ligjin dhe sipas rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Nuk ka asnjë vendim që mund të më ndërlidhë mua me këtë proces, për pretendimin për mosveprim. I tërë rasti ka qenë i audituar nga ZKA-ja, ka pasur rekomandime dhe është vepruar në bazë të tyre”, u shpreh ai.
Edhe avokati i tij, Artan Çerkini, tha se Aliu iu përgjigj menjëherë ftesës së Prokurorisë dhe dha sqarime për të gjitha përgjegjësitë që kishte si ministër.
“Z. Aliu i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë pa asnjë hezitim. I ka dhënë të gjitha shpjegimet për funksionin e tij si ministër, të gjitha përgjegjësitë që i ka pasur në lidhje me pretendimet e ngritura. Mendoj se ka kontribuuar në mënyrë substanciale që kjo çështje të zbardhet”, tha Çerkini.
Aliu po hetohet në një çështje që lidhet me borxhet e kompanive të ambalazhimit të ujit ndaj shtetit të Kosovës. Sipas aktvendimit për zgjerimin e hetimeve, Prokuroria dyshon se gjatë kohës që ai ishte ministër janë lejuar veprime që çuan në uljen e detyrimeve të disa operatorëve ekonomikë, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm prej miliona eurosh. Vetë Aliu i ka mohuar këto pretendime, duke këmbëngulur se ka vepruar gjithmonë në përputhje me ligjin.
Aliu e mbajti detyrën e Ministrit të Mjedisit deri në gusht të vitit 2025, kur dha dorëheqjen, ndërsa më pas u emërua drejtor i Portit të Durrësit në Shqipëri.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento