Propozime nga PD dhe PS për ndryshimet kushtetuese, Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Të mos ketë nxitim! Për vettingun e politikanëve të pyetet 'Venecia'

Propozime nga PD dhe PS për ndryshimet kushtetuese, Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Të mos ketë nxitim! Për vettingun e politikanëve të pyetet 'Venecia'

KShH dhe Kuvendi i Shqipërisë

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend tre amendamentet që synojnë ndryshimet në kushtetutë që përfshijnë një reformë të re zgjedhore dhe territoriale, si edhe vettingun e politikanëve. Ndryshimet fokusohen në zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut 2020, rikthimi i koalicioneve parazgjedhore dhe  rikthimi i komunave në ndarjen territoriale me funksionin e saj.

Projektligji i depozituar në Kuvend synon ndryshimin e nenit 45, 64, 68 dhe 108 të Kushtetutës, si dhe pas nenit 176 të Kushtetutës të shtohet pjesa e gjashtëmbëdhjetë, titulluar “Mekanizmi i garantimit të integritetit të figurës së funksionarëve publikë”, pra vetingu i politikanëve.

Gjithashtu Partia Socialiste ka propozuar shtyrje e mandatit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publik (neni 179/b i Kushtetutës).

Në lidhje me këto propozime, përmes një deklarate për mediat, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shprehet se është shumë e rëndësishme që të mos ketë asnjë nxitim në këtë drejtim.

KShH nënvizon se ndryshimet që kërkohen në hartën territoriale-administrative të vendit duhen bërë pas studimeve konkrete dhe të thelluara.  

Qëndrimet e Komitetit Shqiptar i Helsinkit:

1.   Ndryshimet në Kushtetutë nuk janë tabu, por ato duhet të jenë të rralla, të studiuara, të domosdoshme dhe në përputhje me dokumentet dhe standardet ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë, ato duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, parimet e shtetit të së drejtës si dhe nuk duhet të diktohen nga interesa apo marrëveshje ngushtësisht të natyrës politike, por duhet të kenë si kryefjalë interesin publik.

2.   Është e nevojshme që ndryshimet kushtetuese ti nënshtrohen diskutimeve dhe debateve të plota dhe gjithëpërfshirëse, të evitohen prirjet e nxitimit që është konstatuar si nga OSBE/ODIHR dhe nga Komisioni i Venecias. Vlen të përmendet se vetëm para një viti, u ndryshuan nenet 64 dhe 68 të Kushtetutës.

3.   KShH sugjeron që edhe ndarja administrative – territoriale e njësive të qeverisjes vendore që në vitin 2015 u parashikua me ligj, të mbështetet në studime paraprake objektive dhe të plota, për të evidentuar avantazhet dhe disavantazhet e ndarjes ekzistuese, sa akses kanë pasur njerëzit në shërbimet e organeve të qeverisjes vendore dhe cili është impakti i këtyre shërbimeve në jetën e tyre. Është e domosdoshme të zbatohet gjithashtu kërkesa e nenit 108, pika 2 e Kushtetutës që kufijtë të mos ndryshohen “pa marrë më parë mendimin e popullsisë që banon atje”.

4.  Për shtesën e gjashtëmbëdhjetë që propozohet të bëhet në Kushtetutë, duke pasur parasysh rëndësinë e përmbajtjes së saj dhe qëllimeve që ajo ka, sugjerojmë që Kuvendi të kërkojë opinionin e Komisionit të Venecias, siç është vepruar edhe me ligjin e “Dekriminalizimit”, draft amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës për reformën në drejtësi, të cilat u miratuan në vitin 2016, etj.

5.   Për shtyrjen e mandatit të anëtarëve të dy organeve të vettingut, përkatësisht të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë (sidomos për sa i përket afatit të shtyrjes), KShH mendon se konsultimi së pari me përfaqësues të këtyre institucioneve ka rëndësi të veçantë, por gjithashtu është e nevojshme konsultimi edhe me ekspertë konsititucionalistë dhe të fushës së drejtësisë, pedagogë të Fakulteteve të Drejtësisë në vendin tonë, organizata të shoqërisë civile që kanë monitoruar zbatimin e reformës në drejtësi, organizatat ndërkombëtare në vend, etj.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Si Lulzim Basha u dënua nga gjykata për shpifje për rastin e Olsi Ramës

Si Lulzim Basha u dënua nga gjykata për shpifje për rastin e Olsi Ramës