Propozimi i Rudina Hajdarit për listat e hapura/ Gjiknuri: T’i japim kohë edhe opozitës jashtë parlamentare

Propozimi i Rudina Hajdarit për listat e hapura/ Gjiknuri: T’i japim kohë edhe opozitës jashtë parlamentare

Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri

TIRANË- Partia Socialiste i ka kthyer përgjigje deputetes së opozitës së re Rudina Hajdari për propozimin e saj lidhur me hapjen e listave.

Në letrën që Report Tv disponon, Gjiknuri duke falenderuar Hajdarin për propozimin e sjellë, i kërkon dhe pak kohë për opozitën, që edhe ajo të vijë me një draft konkret lidhur me hapjen e listave. Kjo nisur edhe nga fakti kryesor se ky Komision Jashtë Parlamentar  është krijuar pikërisht për këtë qëllim, që të dëgjojë "zërin e opozitës". Në rast se deri në afatin e fundit nga PD-LSI nuk do të ketë një propozim konkret, atëherë në Komisionin e Ligjeve do të mbeten për t'i diskutuar vetëm këto propozime, ku përfaqësohet si mazhoranca ashtu edhe minoranca në Kuvend.

Ndërkohë sa i përket propozimit të saj për të zhvilluar një mbledhje nesër në orën 10:00, nuk ka një përgjigje nga mazhoranca, por as nga opozita jashtë parlamentare.  

" Në mbledhjen e fundit të Këshillit Politik, Partia Socialiste depozitoi amendamentet e saja për ndryshimet në Kodin Zgjedhor si reflektim i ndryshimeve Kushtetuese të hyra tashmë në fuqi. Amendamente që në gjykimin tonë garantojnë plotësisht parimet kushtetuese për hapjen 100% të listave ashtu sikurse sigurojnë të drejtën e çdo qytetari për të vlerësuar nominalisht me votë preferenciale secilin kandidat e më tej duke ri rënditur listën përpara ndarjes përfundimtare të mandateve. Gjithësesi, duke konfirmuar se jemi plotësisht të gatshëm të diskutojmë rreth propozimeve tona me synim arritjen e një produkti me konsensus sa më të gjërë, në cilësinë e përfaqësuesit të mazhorancës kërkova nga përfaqësuesit e tjerë të Këshillit Politik që të sjellin opinionin në raport me draftin tonë ose propozime alternative.

Gjej rastin të ju falenderoj që Ju zonja Hajdari ju përgjigjet pozitivisht thirrjes për të kontribuar në mënyrë aktive, me propozime konkrete. Duke qenë se Këshilli Politik u krijua si strukturë ekstra-parlamentare, me synim primar përfshirjen e kontributit të opozitës jashtëparlamentare në procesin e reformës zgjedhore, do kërkoja mirëkuptimin tuaj për ti dhënë kohën e nevojshme edhe përfaqësuesve të opozitës jashtëparlamentare që të paraqesin dhe ata propozimet e tyre konkrete për amendamentet e Kodit Zgjedhor. Duke patur kontributin konkret me drafte nga të gjitha palët në Këshill, mund të kryejmë më pas procesin e negocimit në këtë strukturë ekstra-parlamentare, për një produkt me konsensus sa më të gjërë të mundshëm.

Në rast se opozita jashtëparlamentare, brenda afateve që na ka caktuar Kuvendi, do të vazhdojë të refuzojë ftesën për të dhënë kontributin e saj me amendamente konkrete të Kodit Zgjedhor, Ju si opozitë parlamentare keni gjithësesi të drejtat dhe hapësirat e plota ligjore për ti bërë amendamentet tuaja pjesë të diskutimit që do duhet të zhvillohet padiskutim në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe grupin përkatës të punës ku përfaqësohet si mazhoranca ashtu edhe minoranca në Kuvend. Duke ju ftuar të depozitoni një kopjo të propozimeve tuaja zyrtarisht edhe pranë Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, mbetemi në pritje që opozita jashtëparlamentare të depozitojë në Këshillin Politik ose në Kuvendin e Shqipërisë propozimet konkrete për amendamentet e Kodit Zgjedhor në zbatim të ndryshimeve Kushtetuese të 30 Korrikut", shkruan në letër.

Çfarë propozoi Hajdari? Në draft propozohet lista 100 % e hapur duke i dhënë 100 % fuqinë popullit të zgjedhë se kush do të jetë përfaqësuesi i tij. Gjithashtu për renditjen e kandidatëve, Hajdari propozon që ajo të jetë sipas rendit alfabetik dhe jo atij numerik dhe renditja përfundimtare që do të vendoset në bazë të votave që secili kandidat ka marrë në bazë të votave parapëlqyese. Ndërsa në draftin e propozuar nga PS, renditja e kandidatëve vendoset nga forca politike dhe për të ndryshuar këtë renditje kandidati duhet të marrë një numër votash parapëlqyese më të madh sesa mesatarja e votave të partisë në zonë ku ata votojnë dhe se skualifikimi fillon nga fundi.

Për shpërndarjen e mandatarëve sipas draftit të propozuar nga Rudina Hajdari duhet që ato t'u jepen vetëm kandidatëve që janë votuar më shumë nga populli. Sipas draftit fillimisht duhet përcaktuar numri i mandateve që merr një parti dhe më pas të shpërndarjen e tyre për kandidatët fitues duke ia dhënë atyre që kanë më shumë vota parapëlqyese. Shpërndarja e mandrave duhet bërë edhe duke u ruajtur kuota gjinore prej 30 %. Pra sipas Hajdarit, partitë politike kanë peshën për të përcaktuar kandidatë, ndërsa populli për të zgjedhur se kë do të çojë në Kuvend. Ndërsa në draftin që ka propozuar PS, shpërndarja e mandateve do të bëhet duke pasur parasysh 3 elementë; së pari, renditjen e kandidatëve në listën e dorëzuar paraprakisht në KQZ nga subjekti; së dyti, numrin e votave parapëlqyese të secilit kandidat dhe, e treta mesatarja e partisë sipas çdo zone zgjedhore.

Në lidhje me garantimin e përfaqësimit gjinor, Hajdari propozon se në listën e përgjigjur me kandidatët më të votuar, në rast se kjo kuotë prej 30 % nuk është respektuar nga përzgjedhja e votuesve, atëherë kandidati burrë që ka më pak vota nga kjo listë të zëvendësohet më një grua që ka marrë më shumë vota nga populli. Në këtë mënyrë sipas drafti të propozuar nga Hajdari ruhet dhe kuota gjinore prej 30 %. Në draftin e PS, kuota gjinore ruhej në përcaktimin e listës paraprake nga paritë politike, çdo dy burra duhet të jetë një përfaqësuese grua dhe se një burrë edhe pse mund të ketë marrë më shumë vota nuk mund të zëvendësojë një grua. Një grua mund të zëvendësohet vetëm nga një kandidate tjetër grua që ka marrë më shumë vota.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Komisioni hetimor për Shëndetësinë, PS i përgjigjet Vokshit: S’po pengojmë kërkesat për informacion! Aty je ‘moderatore’, mos na impono opinionet tua

Komisioni hetimor për Shëndetësinë, PS i përgjigjet Vokshit: S’po pengojmë kërkesat për informacion! Aty je ‘moderatore’, mos na impono opinionet tua