Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë: Të hapen gjykatat sipas rregullave për parandalimin e COVID-19! Pritet rifillimi i vettingut

Ministria e Drejtësisë propozon që të rinisin gjyqet në vend, duke zbatuar rregullat për parandalimin e COVID-19. Gazetari i Report TV, Arsen Rusta raporton se kërkesa e ministrisë së Drejtësisë i është përcjellë Këshillit të Ministrave ku kërkohet ndryshimi i aktit normativ, që i hap rrugë edhe vettingut në KPK dhe KPA. Për këtë Report TV  i ka kërkuar sqarim këtyre institucioneve, të cilat kanë deklaruar se presin zbutjen e aktit normativ.  

Gjithashtu gjykata mund të vendosë që pjesëmarrja e palëve, ndërhyrësit kryesor, ndërhyrësit dytësor, personit të tretë ose përfaqësuesve të tyre, prokurorit, avokatit të shtetit, dëshmitarëve, ekspertëve, përkthyesve si dhe çdo pjesëmarrësi tjetër të interesuar, në të gjitha seancat gjyqësore të sigurohet nëpërmjet ndërlidhjes audiovizive në distancë.

"Gjykata mund të vendosë që pjesëmarrja e palëve, ndërhyrësit kryesor, ndërhyrësit dytësor, personit të tretë ose përfaqësuesve të tyre, prokurorit, avokatit të shtetit, dëshmitarëve, ekspertëve, përkthyesve si dhe çdo pjesëmarrësi tjetër të interesuar, në të gjitha seancat gjyqësore të sigurohet nëpërmjet ndërlidhjes audiovizive në distancë, duke përdorur programe kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim. Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas marrjes së mendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Minsitrit të Drejtësisë, cakton listën e programeve kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim".

Propozimet 

KËSHILLI I MINISTRAVE

AKT NORMATIV Nr.__, datë_._.2020

“PËR

DISA NDRYSHIME NË AKTIN NORMATIV NR. 9, DATË 25.3.2020 “PËR MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA NË FUSHËN E VEPRIMTARISË GJYQËSORE, GJATË KOHËZGJATJES SË GJENDJES SË EPIDEMISË SË SHKAKTUAR NGA COVID-19”, MIRATUAR ME LIGJIN NR. 30/2020, SI DHE SHFUQIZIMIN E AKTIT NORMATIV NR. 13, DATË 2.4.2020, “PЁR MARRJEN E MASAVE TЁ VEÇANTA NЁ FUSHЁN E VEPRIMTARISЁ SЁ SHЁRBIMIT PЁRMBARIMOR GJYQЁSOR, NDЁRMJETЁSIMIT DHE ADMINISTRIMIT TЁ PROCEDURAVE TЁ FALIMENTIMIT GJATЁ KOHЁZGJATJES SЁ GJENDJES SЁ EPIDEMISЁ SЁ SHKAKTUAR NGA COVID-19”, MIRATUAR ME LIGJIN NR. 34/2020”

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Në aktin normativ nr. 9, datë 25.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID- 19, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

1. Neni 3, pika 1, ndryshohet si më poshtë vijon:

1. Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 gjykatat zhvillojnë seancat gjyqësore duke zbatuar masa organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, të nevojshme për të shmangur grumbullimet në ambientet e gjykatave dhe brenda sallave gjyqësore në përputhje me rregullat e miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor si dhe organet e administrimit gjyqësor të çdo gjykate në zbatim të nenit 3, pika 4 të këtij akti normativ.

          1

2. Neni 3, pika 2 shfuqizohet. 3. Neni 3, pika 3, shfuqizohet.

4. Në nenin 3, pika 4, shkronja “ç” fjalia “për çështjet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, në zbatim të pikës 2, të nenit 20, të ligjit nr.49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të nenit 173, të Kodit të Procedurës Civile, ose të nenit 340, të Kodit të Procedurës Penale” shfuqizohet.

Neni 4 ndryshohet si më poshtë vijon:

Neni 2

Neni 4

Pjesëmarrja në distancë në seanca gjyqësore

1. Gjykata mund të vendosë që pjesëmarrja e palëve, ndërhyrësit kryesor, ndërhyrësit dytësor, personit të tretë ose përfaqësuesve të tyre, prokurorit, avokatit të shtetit, dëshmitarëve, ekspertëve, përkthyesve si dhe çdo pjesëmarrësi tjetër të interesuar, në të gjitha seancat gjyqësore të sigurohet nëpërmjet ndërlidhjes audiovizive në distancë, duke përdorur programe kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim. Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas marrjes së mendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Minsitrit të Drejtësisë, cakton listën e programeve kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim.

2. Mënyra e ndërlidhjes në distancë duhet të sigurojë në çdo rast shikueshmërinë e ndërsjellë të personave të pranishëm në të dyja vendet e ndërlidhura dhe mundësinë e dëgjimit nga të gjitha palët. Nëse parashikohet pjesëmarrja e disa palëve ose pjesëmarrësve të tjerë në proces, secili prej tyre duhet të vendoset në kushte që të mund të shikojë dhe të dëgjojë të tjerët.

3. Në rastet kur seancat gjyqësore zhvillohen në distancë, provat, dokumentet shkresor si dhe çdo akt tjetër procedural i paraqiten gjykatës ose edhe palëve nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik si dhe dërgohen, brenda të njëjtës ditë, nëpërmjet shërbimit postar, me dërgesë të porositur. Dëftesa e marrjes në dorëzim duhet të ruhet nga palët deri në marrjen e vendimit formë të prerë. Në rast se pala nuk i dërgon aktet, sipas kësaj pike, konsiderohet që ato nuk janë paraqitur.

Neni 3

Dispozitë tranzitore

1. Afatet që kishin filluar të ecin por u pezulluan sipas nenit 3, pika 2, të aktit normativ nr. 9 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga covid-19”, fillojnë nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ për pjesën e paplotësuar të afatit. Afatet që duhet të fillonin gjatë periudhës së pezullimit, fillojnë nga data e hyrjes së fuqi të këtij akti normativ.

2

Neni 4

Shfuqizime

Aktit normativ nr. 13, datë 2.4.2020, “Pёr marrjen e masave tё veçanta nё fushёn e veprimtarisё sё shёrbimit pёrmbarimor gjyqёsor, ndёrmjetёsimit dhe administrimit tё procedurave tё falimentimit gjatё kohёzgjatjes sё gjendjes sё epidemisё sё shkaktuar nga covid-19”, miratuar me ligjin nr. 34/2020”, shfuqizohet.

Neni 5

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kryemadhi kritika në Komitetin Drejtues të PL-së: Ndryshimet në statut u paraqitën dy orë para mbledhjes

Kryemadhi kritika në Komitetin Drejtues të PL-së: Ndryshimet në statut u paraqitën dy orë para mbledhjes