Propozimi i PD në Këshill pas konsensusit në Kuvend për listat mes PS e opozitës parlamentare! Të martën 'Ligjet' kalojnë nen për nen draftin final

Mazhoranca pret të gjejë gjuhën e përbashkët me opozitën parlamentare, duke dalë në një draft të vetëm për listat e hapura, e më tej t’i hapë rrugën PD-së dhe LSI-së për të shqyrtuar në Këshillin Politik propozimet që opozita jashtë Kuvendit solli në moment të fundit, të dielën mbrëma.

Teksa e marta do të jetë intensive në Komisionin e Ligjeve ku draftet e PS dhe opozitës parlamentare do të kalojnë nen për nen, e mërkura e 30 shtatorit, që është dhe dita e fundit për të çuar në seancën e 1 tetorit  projektligjin për votim, do t’i dedikohet draftit të opozitës për lista 100% të hapura dhe ruajtjen e formulës së njëjtë të koalicioneve parazgjedhore.

Nuk dihet akoma nëse do të gjendet dakordësia dhe kohë, që brenda 30 shtatorit, drafti final të përfshijë edhe propozime nga PD. Mbledhjen e Këshillit Politik, Rudina Hajdari e kërkoi të martën në mesditë, por refuzimi publik erdhi nga Gjiknuri.

“Sa i përket Këshillit Politik, ne mbrëmë vonë morëm draftin e PD-së. Komisioni i Ligjeve ka filluar shqyrtimin, dhe nesër do vazhdojmë me komisionin e ligjeve për të përafruar disa qëndrime dhe natyrshëm më vonë do t’i japim përgjigje dhe PD se kur do të thërrasim Këshillin Politik e më pas të fillojmë dialogun”, tha Gjiknuri.

Këtë qëndrim, e komplimentoi ambasadorja SHBA-së Yuri Kim. Ajo është shprehur e kënaqur që opozita jashtë Kuvendit ka marrë përgjegjësitë e veta.

“Jam e kënaqur që opozita jashtë kuvendit ka marrë përgjegjësitë e saj për të vazhduar përfaqësimin e popullit dhe për të qene e angazhuar. Është tejet e rëndësishme që opozita të ngelet e angazhuar dhe të gjithë paratitë të sjellin propozime që janë reale.Sot opozita ka bërë një propozim, jam e kënaqur që kam dëgjuar gjithashtu PS që ka thënë se do ta marrë në konsideratë këtë propozim. 5 qershori ishte gjithëpërfshirës dhe transparent dhe çdo palë që e ka nënshkruar duhet t’i qëndrojë fjalës së dhënë. Firma ime nuk është mbi atë letër. Ata që e firmosën kanë përgjegjësinë për të zbatuar 5 qershorin. 5 qershori të nderohet e nëse palët bien dakord përtej 5 qershorit, ne do t’i mbështesim. Po le të presim çfarë do të ndodhë", u shpreh Kim.

Javën e kaluar, Konferenca e Kryetarëve i caktoi politikës axhendën për t’i dhënë formë në Kodin Zgjedhor ndryshimeve kushtetuese të miratuara më 30 korrik, duke i lënë afat të fundit 1 tetorin.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Muzikë, DJ dhe ekspozitë me motorët ‘Vespa’, 3 ditë magjike te Pazari i Ri në Tiranë

Muzikë, DJ dhe ekspozitë me motorët ‘Vespa’, 3 ditë magjike te Pazari i Ri në Tiranë