Ish kandidati për deputet i PD, Aulon Kalaja i cilëson si jo të dhunshme protestat e organizuara nga kreu i PD, Sali Berisha dhe beson se edhe protesta e së nesërmes, më 20 shkurt, nuk do të jetë e tillë.
Në emisionin "Frontline" në Report Tv, Kalaja deklaroi se pas 20 shkurtit, do ketë tjetër protestë. Ai shtoi se opozita duhet të mendojë edhe alternativa të tjera si greva e urisë.
"Protesta do jetë protestë normale, siç protestojnë të gjithë kombet e qytetëruara. Kam marrë pjesë në protesta edhe në shtete të tjera, unë mendoj që kjo nuk është protestë e dhunshme, kjo që bën opozita. Ky është mendimi im. Ka shumë protesta që janë më të dhunshme se kjo. Unë kam qenë në bulevard se kam qenë gazetar atëherë, nuk dua të heq paralele me 21 janarin. Kam qenë në protesta në Greqi, politike ose jo politike, është protestë. Do jetë protesta e radhës për mendimin tim. Do ketë protestë tjetër pas 20 shkurtit, me informacionin që kam unë. Do jetë protestë normale. Do jetë protesa e radhës, kaq informacion kam unë. Opozita, nuk e di a do e rrëzojë Ramën me protesta. Duhet qëndresë, të shkojmë në akte sublime siç është greva e urisë. Opozita, patjetër që duhet të jetë në protestë, me këto skandale që kanë ndodhur", tha ai.
Eksperti i sigurisë, Faik Basha tha se nuk mund të bëhen protesta duke përdorur të miturit dhe bëri apel që policia të marrë masa. Basha theksoi se të miturit në protesta sulmojnë policët për t'i eleminuar ata.
"Ta rrëzojmë, por jo me të mitur, dhe jo duke vrarë policë. Të flasim për rregullat e menaxhimit të një proteste, ka qenë në një performancë të shkëlqyer profesionale, në drejtim të qëndrimit, të korrektësisë, nga ana e policisë. Protesta e nesërme do jetë tepër e dhunshme, policia të marrë masa. Parashikoj sesi do jetë. Për shkak se molotovët po hidhen nga adoleshentë, të mitur, fuqia e larghedhjes është shumë e ulët. Policia duhet të marrë masa të forta, të ashpra. Fëmijë të organizuar të cilët sulmojnë policinë për t’i eleminuar. Asnjë parti politike nuk bën protestë politike me molotovë", deklaroi eksperti.
Sipas deputetit socialist, Ardit Bido, opozita mund të protestojë sa herë të dojë, por dhuna është e papranueshme. Bido thotë se PD mbledh të rinj dhe i jep udhëzime që të hedhin molotovë pas fjalimit të Sali Berishës.
"Opozita duhet të dalë në protestë sa herë të dojë. Protestat e dhunshme nga partitë politike,janë të paparanueshme, thonë ndërkombëtarët. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që një protestë të jetë e dhunshme, e organizuar nga një parti politike. Në Shqipëri, kemi pasur protesta, si protesta studentore, një protestë model. Armët kimike, vrasja e Klodian Rashës. Qytetarët kanë bërë protesta jo të dhunshme. Atje brenda SHQUP-it, është një individ që mbledh 30 të rinj, që u thotë, fusni kapuçët, merrni molotovët me vete, kur Berisha të mbarojë fjalimin, shigjeton me flamur që të hidhet benzinë dhe zjarr ndaj institucionit të Republikës së Shqipërisë. Grup fëmijësh të organzuar, shkojnë dhe hedhin molotov. Partitë politike duhet të kenë edhe rolin e udhëheqjes shoqërore. Është emancipuar PS shumë më shumë se PD", tha Bido.
Ish-drejtuesi i policisë, Shemsi Prenç u shpreh kundër dhunës në protestë.
"Jam kundra çdo proteste të dhunshme, sepse organizata që e ka paguar më shtrenjtë tranzicionin, edhe me jetë, mbi 240 policë të vrarë, është organizata e plicisë. Nuk pajtohem me askënd që përdor dhunën. A ka pasur protesta të dhunshme? Vazhdimisht", nënvizoi ai.
Komente










