Përgjatë dy orëve e gjysmë, edhe protesta e kësaj mbrëmjeje para Kryeministrisë u mbizotërua nga thirrjet e qarta kundër kastës politike 35-vjeçare.

Thirrjeve në kor “Shqipëria e re”, iu bashkua edhe “Besëlidhja e Tiranës 2026”. Pankartat e larmishme edhe kësaj here karakterizuan protestën, ku nuk munguan edhe flamujt amerikanë dhe ata të UÇK-së.

E para që çeli fjalimet ishte një nga banoret e Rrjollit, Luçiana Kokaj, e cila u kujdes të sqaronte se nuk përfaqësojnë asnjë parti politike.

“Shqipëri e re, dorëhiqu. Jemi këtu pa parti politike dhe thirrje Rama në burg, Berisha në burg. Ua kemi prishur gjumin këto kohë. Të jemi çdo ditë e më shumë, çdo ditë e të më të fortë. Ata që janë larguar sot është dita për Shqipëri të re”, tha Kokaj.

Për ekspertin e njohur të çështjes së detit, Artur Meçollari, Edi Rama kërcënon sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe vetë NATO-s.

“Zvërneci ishte pika e ujit që mbushi gotën, por Rama tenton ta devijojë. Ka shkatërruar të gjithë Shqipërinë. Rama kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe NATO-s. Edi Rama nuk ikën vetë, e di fundin e tij. Të qëndrojmë deri në fund. Dorëheqje! Ju erdhi fundi!”, tha Meçollari.

Të rinj të ardhur posaçërisht nga diaspora, thanë se sot u shenjua fundi i trancizionit.

"Kemi 35 vite që na premtojnë të njëjtat gjëra. E mbajnë pushtetin se kanë frikë të japin llogari. Qeveri tranzitore, A jeni dakord? Qeveri tranzitore. Qëllim i vetëm ikja e kësaj qeverie."

Ndërsa një tjetër protestues riktheu tezat për një lëvizje politike.

Pjesë e fjalimeve u bë edhe një ish-luftëtar i UÇK-së, i cili nuk shmangu as tonet paralajmëruese.

“Mos na detyroni të marrim hapa që s’duam t’i marrim. Po ta kërkojmë me qytetari. Ke tradhtuar Kosovën për të shkëmbyer territore, kur doje të hyje në BE me Serbinë. Qeveri teknike me njerëz që nuk janë zhytur në politikën e 36 viteve, përnbdryshe do të përshkallëzojnë, s’do jenë më kaq paqësore”, tha ai.

Spikati edhe mesazhi i një nxënëseje të një shkolle 9-vjeçare:

“Nuk je kurrë shumë i vogël apo shumë i madh për të kërkuar drejtësi. Ne nuk do të ndalojmë”.

Aktori Gent Bejko u dha një përgjigje aludimeve se kush qëndron pas protestës.

“Liderët janë mes jush, jo të trashëguar nga sistemi para 90. Kërkojnë të gjejnë brenda nesh liderë e organizatorë do të thotë që ata janë të humbur. Autor i kësaj proteste është secili prej nesh”, u shpreh ai.

Në fund, një tjetër thirrje për protestën mbarëkombëtare të 10 qershorit.

“Nesër më shumë. Bashkojuni protestës mbarëkombëtare “Besëlidhja e Tiranës 2026!”. Jemi më shumë se patronazhistët.”

Marshimi drejt rrugëve kryesore të Tiranës nisi në orën 20.30.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:17
'Zvërneci', Korça zhvillon protestën e pestë kundër investimit

Për të pestën ditë radhazi u zhvillua një tubim edhe në qytetin e Korçës. Me pankarta të shumta, flamuj kuqezi dhe frazën ‘Atdheu nuk është në shitje’, qytetarët bënë thirrje se nesër në shesh do të jenë edhe më shumë.   

Ora 21:15
Protesta për Zvërnecin, i bashkohet edhe Elbasani

Dhjetëra qytetarë mbajtën një protestë edhe në sheshin kryesor të Elbasanit. Me fjalime e pankarta në duar ata kërkuan largimin e Ramës dhe Berishës nga politika. 

Ora 21:08
FOTOT/ ‘Parada’ e pankartave, çfarë idesh solli dita e 10-të e protestës

Veç flamingove rozë e pankartave, ditës së 10-të të protestës iu bashkuan edhe çadrat e një pelikan kaçurrel prej kartoni.

Shkrimet në pankarta mbeten me shprehje ironike, thirrje për dorëheqje dhe momente virale në rrjet, të modifikuara me fytyrën e Ramës.

Ora 20:44
Thirrja e aktorit Mehdi Malkaj: Shqipëria ka qenë gjithnjë e re, e kemi për detyrë ta mbrojmë!

 

Me entuziazëm, aktori Mehdi Malkaj mori fjalën në protestën për Zvërnecin duke thënë se Shqipëria ka qenë gjithnjë e re dhe është detyra e të gjithëve që ta mbrojnë.

“Nuk jam dakord Shqipëri e re! Shqipëria ka qenë gjithnjë e re, gjithmonë bukuroshe! Këta që kemi në krye janë për ta copëtuar! E kemi për detyrë ta mbrojmë Shqipërinë tonë! Ky është det i dashurisë o njerëz! I bëj një thirrje Dardanisë, Kosovës, se edhe ata kanë derdhur shumë gjak për të ngritur flamurin në Vlorë!”, tha aktori.

Ora 20:35
Përfundojnë fjalimet e protestës, nis marshimi i qytetarëve

Me përfundimin e fjalimeve, protestuesit kanë nisur marshimin nga kryeministria, duke ndjekur itinerarin e zakonshëm. Duke u ndalur para parlamentit, bënë thirrje "parlament i krimit."

Turma ka marshuar në disa rrugë të Tiranës, si "Rruga e Elbasanit", ish-Blloku, rrethrrotullimi i "Zogut të Zi", "Myslym Shyri". Gjatë gjithë itinerarit, u janë drejtuar edhe qytetarëve me thirrjen "çohuni nga kafja." 

Ora 20:30
Protestuesit në Tiranë nuk harrojnë! Kërkojnë vazhdimisht drejtësi për Masakrën e Peshkëpisë: ‘Fredi Beleri – I akuzuari’

1781030397_WhatsAppImage20260609at20.09.05.jpeg

Protestuesit kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec kërkuan edhe në protestën e dhjetë drejtësi edhe për ngjarjen e njohur si masakra e Peshkëpisë, e ndodhur më 10 prill 1994, ku 2 ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë u vranë dhe 3 të tjerë u plagosën nga një formacion paraushtarak i një grupi nacionalist grek, pjesë e së cilës dyshohet fort se ka qenë dhe Fredi Beleri, sot eurodeputet.

Nëpërmjet një pankarte me përmasa të mëdha që u shpalos para Kryeministrisë, protestuesit kërkuan drejtësi për vrasjen e Fatmir Shehut dhe Arsen Gjinit.

“Fredi Beleri – I akuzuari”, thuhet në pankartë.

Sulmi, ndaj një reparti kufitar pranë fshatit Peshkëpi të Dropullit, katër kilometra brenda kufirit shqiptar, solli vrasjen e dy ushtarakëve shqiptarë dhe plagosjen e tre të tjerëve. Ai nisi herët në mëngjesin e 10 prillit 1994 dhe u mor përsipër nga formacioni paraushtarak i një grupi nacionalist grek që kërkonte bashkimin e një pjese të Shqipërisë së Jugut me Greqinë. Pika kufitare e Peshkëpisë kishte në ato kohë 130 rekrutë të rinj dhe të paarmatosur.

Ora 20:16
Aktori Gent Bejko: Këta ua kanë shitur shpirtin shejtanit, liderët e rinj janë midis jush!

 

Aktori Gent Bejko u tha protestuesve se liderët e rinj do të dalin prej tyre, ndryshe nga Berisha e të tjerët që “ua kanë shitur shpirtin shejtanit.”

“Ika nga Shqipëria se nuk doja t’ia shisja shpirtin shejtanit. Këta kanë frikë se kush do të na fusë në Europë, por ne jemi Europa! E kemi në gen! Ne jemi geni i Europës! Ne nuk jemi të shitur! Këta ia kanë shitur shpirtin shejtanit, që nga Berisha te ky bisha! Liderët e rinj do të dalin, janë midis jush, nuk janë të trashëguar nga sistemi i ‘90-ës!”, tha Bejko.

Ora 19:55
Përsëritet thirrja e protestuesve për qeveri teknike: Rama të largohet me demokraci, mos na detyroni të marrim hapa që s’duam t’i marrim

 

Një qytetar i cili ka luftuar për UÇK tha se kryeministri Rama duhet të largohet me demokraci, ndërsa e akuzoi se ka tradhtuar Kosovën. Njësoj si disa parafolës, edhe ai shprehu qëndrimin se nevojitet qeveri teknike.

“Kryeministri po tregon agresivitet. Mos na detyroni të marrim hapa që nuk duam t’i marrim, por kërkojmë të largohesh me demokraci ose protesta s'do të jetë kaq paqësore. Rama e ka tradhtuar Shqipërinë në shumë projekte, e ka tradhtuar Kosovën. S’mund ta përdorë Kosovën si të dojë ai. I bëj thirrje çdo punonjësi shteti të ngrihen dhe të ruajnë identitetin kombëtar. Duhet një qeveri teknike nga intelektualë dhe akademikë”, tha protestuesi.

Ora 19:54
Protesta për Zvërnecin/ Qytetarja: Ne e ngritëm Edi Ramën, ne mund ta ulim

Në protestën e dhjetë që u mbajt në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec, një protestuese ka denoncuar mungesën e shërbimeve në spitale, ndërsa ka bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Mirëmbrëma Tirana, Durrësi, Tropoja, Kukësi. Rama ik! Berisha në burg. Jam e revoltuar për shumë arsye. Për spitalet ku të gjithë janë të korruptuar. Ky vend drejtohet vetëm nga ne. Ne e ngritëm këtë njeri, ne mund ta ulim. Ftojmë të gjithë të vinë. Ftojmë të gjitha nënat që presin dritareve që të kthehen fëmijët nga jashtë.”, tha protestuesja para Kryeministrisë.

Ora 19:51
Protestuesi reagon ndaj deklaratës së Ramës për Zvërnecin: Si bëhet vlerësimi mjedisor kur s'paska projekt?

 

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës me gazetarët e huaj se nuk ka projekt për Zvërnecin, një prej protestuesve në tubimin e sotëm i kërkoi kreut të qeverisë shpjegime se si mund të kryhet vlerësimi mjedisor në Zvërnec pa pasur më parë një projekt konkret. Ai gjithashtu e cilësoi kurth çdo thirrje të Ramës për negociata. 

‘Si mund të bëhet kjo? Ai kërkoi që ne të zgjidhnim 20 që të negocionim me të. Ky është kurthi i tij. Nuk ka negociata. Si mund të negociojmë ne me dikë që negocion pas shpinës sonë nën hijet e godinave të pushtetit? 2 fjalë edhe për mediat: ekspertët e mjedisit po përballen me deputetë e analistë injorantë që s’kanë njohur mjedisore. Nuk ka asnjë ekspert mjedisi që mund të jetë pro këtyre zhvillimeve. Le t’i japim besën Vjosë-Nartës dhe të mos e lëmë në baltë. Kryeministri Rama anulo projektin, dorëhiqu se gënjeshtrave të tua u erdhi fundi” tha ai

Ora 19:40
Protestuesi thirrje intelektualëve: Formoni një front politik!

 

Një protestues i ardhur nga Gjermania, i cili në bluzë ka të mbishkruar frazën “Diaspora është me ju”, u bëri thirrje intelektualëve të formojnë një front politik.

“Shqipëria nuk është pronë private, por atdheu  gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen! Unë e kam lënë vendin tim kur kam qenë 18 vjeç, por sot jam kthyer këtu sepse vendi ynë ka nevojë për ne! I bëj thirrje diasporës të vijë këtu me ne! U bëj thirrje gjithë intelektualëve në Shqipëri, bëni një front politik kundër. Të gjithë duhet të jenë këtu!”, tha protestuesi.

Ora 19:35
Protestuesja kundër ligjit për investitorët e huaj: Të majtë apo të djathtë, të gjithë na kanë tradhtuar

Një protestuese në tubimin përballë kryeministrisë ngriti shqetësime për shitjen e tokave, ligjin për investitorët e huaj dhe projektet në Skavicë, Nartë e Sazan, ndërsa iu drejtua mediave të huaja në gjuhën angleze duke thënë se  lëvizja qytetare është bashkuar nga zhgënjimi që qytetarët kanë ndaj të gjitha qeverive, si të majtë ashtu edhe të djathtë.

"Ju falënderojmë që po na jepni hapësirë, sepse shumica e mediave nuk po na pasqyrojnë. Kjo është një lëvizje e të rinjve, që ka nisur prej kohësh, por vetëm tani të gjithë janë bashkuar, sepse kanë parë se çdo qeveri i ka tradhtuar, qoftë e majtë apo e djathtë. Ata kanë miratuar legjislacion që lejon shitjen e tokave kujtdo që e shohin të arsyeshme. Ky është ligji i investitorëve të huaj. Kjo është arsyeja pse njerëzit kanë dalë në rrugë, sepse po shohin projekte si Skavica në veri, si edhe Narta dhe Sazani" tha ajo.

Ora 19:29
Me shkrime në ‘flatra’, pelikani kaçurrel ‘ulet’ në protestën e Zvërnecit

Një ‘pelikan’ kaçurrel ‘është ulur’ në protestën për Zvërnecin. Një protestuese mban në duar një pelikan prej letre, në krahët e të cilit shkruhet “Save Narta” (shpëtoni Nartën).

Ora 19:23
Lapaj sërish në protestën për Zvërnecin: Dilni për të ardhmen e fëmijëve!

Adriatik Lapaj i është bashkuar protestës bashkë me disa anëtarë të Shqipëria Bëhet. Në një video të ndarë në rrjetet sociale, Lapaj u është drejtuar qytetarëve me thirrjen:

“Merrni fëmijët për dore dhe dilni në shesh. Dilni për të ardhmen e tyre!”

Lapaj ishte i pranishëm edhe një ditë më parë, pavarësisht thirrjeve të qytetarëve që partitë politike t’i qëndrojnë larg protestës.

Ora 19:19
Protestuesi nga Mati: Banorët e Kurdarisë janë lënë në harresë, kanë 40 vjet pa rrugë e ujë të pijshëm

Protestuesi Arbër Lleshi nga Mati shprehu shqetësimin për largimin e shqiptarëve nga vendi, vështirësitë ekonomike, si dhe për gjendjen e banorëve të Kurdarisë, të cilët sipas tij prej 40 vitesh jetojnë pa rrugë dhe ujë të pijshëm, ndërsa uji i zonës po u merret për t’u dërguar në hidrocentralet, sipas tij, të lidhura "me qeverinë e korruptuar të Edi Ramës."

“Bashkëatdhetarë e keni mbushr këtë shesh me shpresë. Nga Londra në Nju Jork, nga Viena në Toronto, nga Roma në Uashington, sheshet e botës janë mbushur me shqiptarë që protestojnë në solidaritet me ju. Qeveria më e korruptuar që shqiptarët kanë parë, sot pretendon se ka 800,000 njerëz që e kanë votuar. Shqiptarët janë mbi 4 milionë dhe në 30 vitet e fundit, 1.5 milionë shqiptarë janë larguar nga vendi. Ambienti ekonomik është i pabanueshëm për një vend europian. Protesta juaj që nisi për shkak të dhunës mbi njerëz autoktonë në Rrjoll, Zvërnec ishte pika e mbushjes. Dua të sjell zërin nga zona e Matit, që nuk dëgjohen as në media e askund. Kanë 40 vjet pa rrugë e ujë të pijshëm, banorëve të Kurdarisë po u merret uji për ta çuar atë në hidrocentralet e kësaj qeverie të korruptuar. Sa të këqija i kanë ardhur këtij vendi nga ky kryeministër. Më në fund ka në dorë t’i bëjë një të mirë shqiptarëve e të japë dorëheqjen” tha Arbër Lleshi.

Ora 19:16
‘Moment historik’, protestuesja: Për herë të parë në 35 vite shqiptarët bëhen bashkë, shenjojmë fundin e tranzicionit të tejzgjatur

Një vajzë e re e cila ka ardhur posaçërisht nga jashtë për t’iu bashkuar protestës, e quajti këtë ngjarje një moment historik. Ajo tha se sot shenjohet fundi i tranzicionit të tejzgjatur, ndërsa bëri thirrje që më shumë qytetarë t’u bashkohen.

“Për herë të parë në 35 vite shqiptarët bëhen bashkë. Është moment historik sepse shqiptarët dëhsmojnë se Shqipëria është mbi gjithçka. Për herë të parë, tregojnë se nuk nëpërkmëben dot nga askush, sepse po shpaloset fytyra më dinjitoze e Shqipërisë. Sot, shenjojmë fundin e tranzicionit të tejzgjatur. Sot, fytyra europiane e Shqipërisë është kjo protestë, jeni ju. Sot Shqipërisë i dalim vetë për zot! Prandaj, gjej rastin, të bëj thirrje për çdo shqiptar që s’është ende këtu të na bashkohet përditë këtu në bulevard sepse është një përjetim që i takon kujtdo që e do Shqipërinë vërtet. Uroj që Zoti ta bekojë Shqipërinë, por bekimi i Shqipërisë është kjo protestë, jeni ju!”, tha protestuesja.

Ora 19:03
Protesta për Zvërnecin/ Artur Meçollari: Kemi një kryeministër që është kërcënim për sigurinë kombëtare

Ish-komandanti e Flotës Detare, Artur Meçollari, foli sot në protestën e 10-të që u mbajt në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec.

Meçollari tha se përveç kundërshtisë ndaj investimit në Zvërnec, qytetaët shqiptarë kanë shumë arsye të tjera për të protestuar sot.

"Kjo protestë është momenti historik, por po ndryshojmë mënyrën e të vepruarit, sepse po kuptojmë se një shtet të së drejtës, ligjor e të barabartë, e duam të gjithë. Zvërneci ishte pika e ujit që mbushi gotën. Por Edi Rama kërkoi ta devijonte debatin, duke thënë se s'ka projekt.

Dua t'ju kujtoj aeroportin e Kukësit. Asnjë avion nuk ulet dhe nuk ngrihet, ndërsa koncesioneri merr çdo muaj paratë nga shteti shqiptar për pasagjerët e munguar.

Porti i Durrësit është gjithashtu një krim shtetëror. Është porti i vetëm tregtar në Shqipëri që mban lidhjet rajonale dhe tragetare, por Edi Rama tentoi ta kthente në një port turistik.

Mund të shkojmë në Palasë dhe të shohim çfarë ka ndodhur aty, si është tjetërsuar mjedisi. Mund të shkojmë në Limion, që nga bazë detare u projektua për resort për oligarkët.

Kemi një kryeministër që është kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe të aleancës",- tha Meçollari.

Ora 18:59
‘Ia kemi prishur gjumin Ramës e Berishës’, Luçiana Kokaj: Rrjolli është kundër grabitjes së pronës

Me refrenin për dorëheqjen e kryeministrit, e para që mori fjalën ishte banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj. Ajo tha se thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” ua kanë prishur gjumin shefit të qeverisë dhe kryetarit të PD dhe s’duhet të sprapsen nga qëllimi i tyre.

“Ia paraqesim kërkesat kryeministrit! Dorëhiqu! Na tha se janë 2000 vetë, unë nuk arrij t’i numëroj, por 2000 nuk më dukeni! Shumë më shumë! E gjithë rinia shqiptare është në shesh sonte! Na vjen keq që jua kemi prishur gjumin si kryeministrit, si atij që pretendon që drejton opozitën. E mira e kësaj proteste është që shqiptarët janë bërë bashkë prë ta shpëtuar shtetin shqiptar nga mafia e kapur, nga të gjitha padrejtësitë. Bashkëmoshatarët tanë s’kanë gjetur meritokracinë për të pasur një jetë dinjitoze. Ne jemi më të fortë se kurrë për ta bërë Shqipërinë për të jetuar me dinjitet në këtë shtet. Ne jemi këtu pa parti politike. thirrja “Rama në burg, Berisha në burg” ua ka prishur gjumin fare këtë kohë, por cilësia e jetës sonë është më e rëndësishme se gjumi i tyre. Sot është dita për një Shqipëri të re, për një Shqipëri dinjitoze! Sot është dita që ne të mos tërhiqemi nga sheshi pa u tërhequr ata që na kanë marrë peng prej 35 vitesh!”, tha Kokaj.

Vëmendjen e ktheu edhe te Rrjolli, për të cilin banorët protestojnë prej muajsh kundër ndërtimit të resortit të botuesit dhe ndërtuesit pranë familjes Berisha, Bashkim Ulajt. Kokaj tha se Rrjolli është zonë e mbrojtur dhe ndërtimi atje do të shkatërrojnë kanalet ekologjike. Gjithashtu tha se vendosja e telave me gjemba nuk do t’i shpërqendrojë banorët nga kauza e dorëheqjes së qeverisë.

“Rrjolli nuk është kundër zhvillimeve dhe investimeve, por kundër grabitjes së pronës. Për gjithë ambientalistët, është shumë e qartë që Rrjolli është zonë e mbrojtur, zonë ekologjike e rëndësishme. Ai resort që po ndërtohet sot në Rrjoll do të bllokojë kanalet ekologjike të shumë shpendëve, ndaj është pikë shumë e rëndësishme. Shteti shqiptar, përderisa është bërë pjesë e konventave ndërkombëtare, duhet t’i respektojë dhe s’mund të ndërtojë aty. Kam një lajm shumë të keq për gjithë rrjollorët që janë zgjuar me tokën e rrethuar nga telat me gjemba. Rrjolli do të shpëtojë ditën që Shqipëria do të shpëtojë. Ju bëj thirrje që të suportoni edhe Rrjollin këto ditë, që të hiqen telat me gjemba! S’duhet të harrojmë fokusin kryesor që është dorëheqja e kësaj qeverie!”, tha Kokaj.

Ora 18:31
‘Zvërneci’/ Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, dhjetëra qytetarë mblidhen në qendër të Lezhës për të protestuar

Valës së protestave që kanë përfshirë prej ditësh Tiranën dhe qytete të tjera të vendit i është bashkuar sot edhe Lezha.

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në qendër të qytetit, duke shprehur pakënaqësitë e tyre për situatën ekonomike dhe sociale me të cilën, sipas tyre, po përballet vendi.

Gjatë tubimit, protestuesit ngritën një sërë shqetësimesh që lidhen me koston e jetesës, emigracionin, papunësinë dhe kushtet ekonomike. Ata kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama, të cilin e konsiderojnë përgjegjës për gjendjen aktuale.

Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, qytetarët marshuan në rrugët kryesore të qytetit, ndërsa organizatorët paralajmëruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Protestat nisën fillimisht për të kundërshtuar investimin që do të kryhet në Zvërnec të Vlorës, por gradualisht protestuesit kanë shpalosur edhe kërkesa e pakënaqësi të tjera.

Ora 18:31
Me flamuj dhe pankarta kundër Ramës, nis protesta qytetare në Fushë Krujë

“Shqipërinë po e ndajnë në copa”, ishte shqetësimi i artikuluar sot në Fushë Krujë, ku disa qytetarë u mblodhën në protestë kundër qeverisë. Me flamuj në duar dhe pankarta kundër Edi Ramës, protestuesit, mes të cilëve burra, gra dhe fëmijë, mbajtën fjalime të shkurtra ku shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj establishmentit politik.

Ora 18:30
Protesta për Zvërnecin, numër i ulët qytetarësh në Lushnje

Në Lushnje, thirrjes për protestë në orën 18:00 i janë përgjigjur fare pak qytetarë. Ata që janë përgjigjur, kanë marrë me vete edhe disa pankarta ku sërish kanë bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë.

Ky është organizimi i parë në qytet për protestën e Zvërnecit. Protesta u mbyll me thirrjen e një prej organizatorëve, Sevin Serjanit që i ftoi sërish qytetarët për të protestuar ditën e premte në orën 19:00.