Për të dhjetën ditë radhazi, qytetarët vijojnë me protestën në kryeqytet kundër investimit në Zvërnec.
Një protestues shprehu idenë për një qeveri tranzitore.
“Përveçse Rama ik, duhet të kemi një thirrje që ne të garantojmë që i gjithë ky proces të ketë tranzicion të ndershëm. Duhet të kemi qeveri tranzitore që të garantojë gjithë procesin”, tha protestuesi.
Sot fjalimet duket se i janë lënë në dorë qytetarëve e më shumë atyre që vijnë nga diaspora. Në ndryshim nga një ditë më parë kur prezantimi i fjalimeve bëhej nga aktivisti Andi Tepelena, sot detyra i është besuar Edison Likës.
Ata u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, vendtakimin e përhershëm të orës 18:00 dhe tani janë nisur marshimin drejt kryeministrisë. Po njësoj, vijojnë edhe thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe pankartat që bëjnë thirrje për anulimin e investimit.
Kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e qeverisë, ndërsa kanë artikuluar edhe idenë e një partie të re politike.
Një ditë më parë, protesta ‘u kap’ nga Sali Berisha dhe punonjës të televizionit të familjes së tij, Syri Tv, që morën në duar mikrofonin për të bërë deklarata. Kjo vijoi derisa një prej tyre, sërish punonjës i Syri Tv, u mbylli fjalimet qytetarëve.
Këta të fundit janë shprehur vazhdimisht për mospërfshirjen e klasës politike në protestë, ndërsa nuk munguan as thirrjet kundër Berishës dhe shprehjet “opozitë e shitur.”
Sipas raportimeve, ka pasur presione në drejtim të tri aktivisteve.
Në protestën e djeshme ishin të pranishëm edhe Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë dhe Adriatik Lapaj i Shqipëria Bëhet.
Lajm në përditësim...

Adriatik Lapaj i është bashkuar protestës bashkë me disa anëtarë të Shqipëria Bëhet. Në një video të ndarë në rrjetet sociale, Lapaj u është drejtuar qytetarëve me thirrjen:
“Merrni fëmijët për dore dhe dilni në shesh. Dilni për të ardhmen e tyre!”
Lapaj ishte i pranishëm edhe një ditë më parë, pavarësisht thirrjeve të qytetarëve që partitë politike t’i qëndrojnë larg protestës.
Protestuesi Arbër Lleshi nga Mati shprehu shqetësimin për largimin e shqiptarëve nga vendi, vështirësitë ekonomike, si dhe për gjendjen e banorëve të Kurdarisë, të cilët sipas tij prej 40 vitesh jetojnë pa rrugë dhe ujë të pijshëm, ndërsa uji i zonës po u merret për t’u dërguar në hidrocentralet, sipas tij, të lidhura "me qeverinë e korruptuar të Edi Ramës."
“Bashkëatdhetarë e keni mbushr këtë shesh me shpresë. Nga Londra në Nju Jork, nga Viena në Toronto, nga Roma në Uashington, sheshet e botës janë mbushur me shqiptarë që protestojnë në solidaritet me ju. Qeveria më e korruptuar që shqiptarët kanë parë, sot pretendon se ka 800,000 njerëz që e kanë votuar. Shqiptarët janë mbi 4 milionë dhe në 30 vitet e fundit, 1.5 milionë shqiptarë janë larguar nga vendi. Ambienti ekonomik është i pabanueshëm për një vend europian. Protesta juaj që nisi për shkak të dhunës mbi njerëz autoktonë në Rrjoll, Zvërnec ishte pika e mbushjes. Dua të sjell zërin nga zona e Matit, që nuk dëgjohen as në media e askund. Kanë 40 vjet pa rrugë e ujë të pijshëm, banorëve të Kurdarisë po u merret uji për ta çuar atë në hidrocentralet e kësaj qeverie të korruptuar. Sa të këqija i kanë ardhur këtij vendi nga ky kryeministër. Më në fund ka në dorë t’i bëjë një të mirë shqiptarëve e të japë dorëheqjen” tha Arbër Lleshi.

Një vajzë e re e cila ka ardhur posaçërisht nga jashtë për t’iu bashkuar protestës, e quajti këtë ngjarje një moment historik. Ajo tha se sot shenjohet fundi i tranzicionit të tejzgjatur, ndërsa bëri thirrje që më shumë qytetarë t’u bashkohen.
“Për herë të parë në 35 vite shqiptarët bëhen bashkë. Është moment historik sepse shqiptarët dëhsmojnë se Shqipëria është mbi gjithçka. Për herë të parë, tregojnë se nuk nëpërkmëben dot nga askush, sepse po shpaloset fytyra më dinjitoze e Shqipërisë. Sot, shenjojmë fundin e tranzicionit të tejzgjatur. Sot, fytyra europiane e Shqipërisë është kjo protestë, jeni ju. Sot Shqipërisë i dalim vetë për zot! Prandaj, gjej rastin, të bëj thirrje për çdo shqiptar që s’është ende këtu të na bashkohet përditë këtu në bulevard sepse është një përjetim që i takon kujtdo që e do Shqipërinë vërtet. Uroj që Zoti ta bekojë Shqipërinë, por bekimi i Shqipërisë është kjo protestë, jeni ju!”, tha protestuesja.
Ish-komandanti e Flotës Detare, Artur Meçollari, foli sot në protestën e 10-të që u mbajt në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec.
Meçollari tha se përveç kundërshtisë ndaj investimit në Zvërnec, qytetaët shqiptarë kanë shumë arsye të tjera për të protestuar sot.
"Kjo protestë është momenti historik, por po ndryshojmë mënyrën e të vepruarit, sepse po kuptojmë se një shtet të së drejtës, ligjor e të barabartë, e duam të gjithë. Zvërneci ishte pika e ujit që mbushi gotën. Por Edi Rama kërkoi ta devijonte debatin, duke thënë se s'ka projekt.
Dua t'ju kujtoj aeroportin e Kukësit. Asnjë avion nuk ulet dhe nuk ngrihet, ndërsa koncesioneri merr çdo muaj paratë nga shteti shqiptar për pasagjerët e munguar.
Porti i Durrësit është gjithashtu një krim shtetëror. Është porti i vetëm tregtar në Shqipëri që mban lidhjet rajonale dhe tragetare, por Edi Rama tentoi ta kthente në një port turistik.
Mund të shkojmë në Palasë dhe të shohim çfarë ka ndodhur aty, si është tjetërsuar mjedisi. Mund të shkojmë në Limion, që nga bazë detare u projektua për resort për oligarkët.
Kemi një kryeministër që është kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe të aleancës",- tha Meçollari.

Me refrenin për dorëheqjen e kryeministrit, e para që mori fjalën ishte banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj. Ajo tha se thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” ua kanë prishur gjumin shefit të qeverisë dhe kryetarit të PD dhe s’duhet të sprapsen nga qëllimi i tyre.
“Ia paraqesim kërkesat kryeministrit! Dorëhiqu! Na tha se janë 2000 vetë, unë nuk arrij t’i numëroj, por 2000 nuk më dukeni! Shumë më shumë! E gjithë rinia shqiptare është në shesh sonte! Na vjen keq që jua kemi prishur gjumin si kryeministrit, si atij që pretendon që drejton opozitën. E mira e kësaj proteste është që shqiptarët janë bërë bashkë prë ta shpëtuar shtetin shqiptar nga mafia e kapur, nga të gjitha padrejtësitë. Bashkëmoshatarët tanë s’kanë gjetur meritokracinë për të pasur një jetë dinjitoze. Ne jemi më të fortë se kurrë për ta bërë Shqipërinë për të jetuar me dinjitet në këtë shtet. Ne jemi këtu pa parti politike. thirrja “Rama në burg, Berisha në burg” ua ka prishur gjumin fare këtë kohë, por cilësia e jetës sonë është më e rëndësishme se gjumi i tyre. Sot është dita për një Shqipëri të re, për një Shqipëri dinjitoze! Sot është dita që ne të mos tërhiqemi nga sheshi pa u tërhequr ata që na kanë marrë peng prej 35 vitesh!”, tha Kokaj.
Vëmendjen e ktheu edhe te Rrjolli, për të cilin banorët protestojnë prej muajsh kundër ndërtimit të resortit të botuesit dhe ndërtuesit pranë familjes Berisha, Bashkim Ulajt. Kokaj tha se Rrjolli është zonë e mbrojtur dhe ndërtimi atje do të shkatërrojnë kanalet ekologjike. Gjithashtu tha se vendosja e telave me gjemba nuk do t’i shpërqendrojë banorët nga kauza e dorëheqjes së qeverisë.
“Rrjolli nuk është kundër zhvillimeve dhe investimeve, por kundër grabitjes së pronës. Për gjithë ambientalistët, është shumë e qartë që Rrjolli është zonë e mbrojtur, zonë ekologjike e rëndësishme. Ai resort që po ndërtohet sot në Rrjoll do të bllokojë kanalet ekologjike të shumë shpendëve, ndaj është pikë shumë e rëndësishme. Shteti shqiptar, përderisa është bërë pjesë e konventave ndërkombëtare, duhet t’i respektojë dhe s’mund të ndërtojë aty. Kam një lajm shumë të keq për gjithë rrjollorët që janë zgjuar me tokën e rrethuar nga telat me gjemba. Rrjolli do të shpëtojë ditën që Shqipëria do të shpëtojë. Ju bëj thirrje që të suportoni edhe Rrjollin këto ditë, që të hiqen telat me gjemba! S’duhet të harrojmë fokusin kryesor që është dorëheqja e kësaj qeverie!”, tha Kokaj.
Valës së protestave që kanë përfshirë prej ditësh Tiranën dhe qytete të tjera të vendit i është bashkuar sot edhe Lezha.
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në qendër të qytetit, duke shprehur pakënaqësitë e tyre për situatën ekonomike dhe sociale me të cilën, sipas tyre, po përballet vendi.
Gjatë tubimit, protestuesit ngritën një sërë shqetësimesh që lidhen me koston e jetesës, emigracionin, papunësinë dhe kushtet ekonomike. Ata kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama, të cilin e konsiderojnë përgjegjës për gjendjen aktuale.
Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, qytetarët marshuan në rrugët kryesore të qytetit, ndërsa organizatorët paralajmëruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.
Protestat nisën fillimisht për të kundërshtuar investimin që do të kryhet në Zvërnec të Vlorës, por gradualisht protestuesit kanë shpalosur edhe kërkesa e pakënaqësi të tjera.
“Shqipërinë po e ndajnë në copa”, ishte shqetësimi i artikuluar sot në Fushë Krujë, ku disa qytetarë u mblodhën në protestë kundër qeverisë. Me flamuj në duar dhe pankarta kundër Edi Ramës, protestuesit, mes të cilëve burra, gra dhe fëmijë, mbajtën fjalime të shkurtra ku shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj establishmentit politik.
Në Lushnje, thirrjes për protestë në orën 18:00 i janë përgjigjur fare pak qytetarë. Ata që janë përgjigjur, kanë marrë me vete edhe disa pankarta ku sërish kanë bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë.
Ky është organizimi i parë në qytet për protestën e Zvërnecit. Protesta u mbyll me thirrjen e një prej organizatorëve, Sevin Serjanit që i ftoi sërish qytetarët për të protestuar ditën e premte në orën 19:00.
Komente








Cfare do Albini dhe Kosovaret ketu ??? Organizatoret duhet te mos i pranojne !! Tironci
PërgjigjuPaskan dale per te bere foto instagrami Generata Z(ombje). Meqe nuk kane pune se rrojne me paret e babait dhe mamase, dalin nje xhiro me parrulla ne dore se ka dale moda.
Përgjigju