Të hiqet ligji i luftës me Greqinë! Nisma e Idrizit të PDIU-së bën bashkë PD e PS! Pr/deklarata kalon në Kuvend javën tjetër

Tirane-Një projekdeklaratë e propozuar nga PDIU përmes së cilës synohet t’i bëhet thirrje Greqisë të heqë ligjin e luftës më Shqipërinë ka unifikuar politikën në vend.

Mazhoranca dhe opozita si rrallë herë kanë rënë dakord dhe të dyja palët i thanë “Po” propozimit të ardhur nga grupi parlamentar për “Demokraci dhe Integrim”. Projektdeklarata mori dritën jeshilë sot (9 korrik 2024)  në konferencën e kryetarëve, për t’i kaluar për seancës plenare për diskutime dhe votim të enjten e 18 korrikut.

Kalimi i kësaj deklarate ka rëndësi të jashtëzakonshme pasi pas kaq shumë vitesh merret një hap politik dhe pozicionim politik lidhur me këtë absurd që ekziston ende mes dy vendeve tona. Të dyja vendet jemi anëtarë të NATO-s, kemi traktat miqësie që presupozon krijimin e grupeve parlamentare mikse që do të krijojnë mundësi për abrogimin e këtij ligji dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj" tha deputetja e PDIU-së Mesila Doda.

Ndërsa mazhoranca e shprehu qëndrimin e saj përmes ministres së shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, duke e cilësuar si një hap tejet pozitiv për marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Qeveria shqiptare ka bërë çdo përpjekje me qeverinë greke për abrogimin e ligjit të luftës që është një ligj absurd, krejt i panevojshëm dhe i dalë kohe. Ligji nuk reflekton as marrëdhëniet miqësore mes dy shteteve, as marrëdhëniet miqësore mes dy qeverive dhe as marrëdhëniet miqësore mes dy popujve tanë”.

Në një prononcim për mediet në përfundim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ministrja Spiropali u shpreh se, “qeveria shqiptare ka bërë çdo përpjekje me qeverinë greke për abrogimin e ligjit të luftës që është një ligj absurd, krejt i panevojshëm dhe i dalë kohe”.

“Jo vetëm në përpjekjet tona dypalëshe, jo vetëm deklaratat e ministrave të jashtëm të Greqisë ndër vite , si deklaratat e z. Kotsias që e quan ligjin “një budallallëk historik”, apo deklarata e z. Dendias, ish-ministri i jashtëm që e quan “një atavizëm i panevojshëm”, por edhe në takimet më të afërta me homologët tanë dhe me qeverinë greke ne e kemi prezente qëndrimin tonë”, tha Spiropali.

Projektrezoluta iu propozua Kuvendit nga grupi parlamentar “Demokraci dhe Integrim” më 4 korrik 2024 dhe do të shqyrtohet në seancën e kuvendit të 18 korrikut. 

Projektdeklarata nga ana e kuvendit të Shqipërisë “Për forcimin e bashkëpunimit me Republikën Greqisë dhe heqjen e ligjit të luftës” kërkon të njëjtin vullnet edhe nga Kuvendi i Greqisë.

Në teori pala greke përmes qëndrimeve të ministrave të saj të jashtëm ndër vite, ka shprehur vullnet për heqjen e ligjit të luftës, që qëndron aktiv në absurditet që nga viti 1940, por iniciativa reale deri më tani nuk ka pasur. Edhe vetë Kryeministri Rama, në takimin me emigrantët shqiptarë më 12 maj në Athinë, e konsideroi ligjin e luftës si një absurditet, që qëndron në fuqi dhe që lidhet kryesisht me pronat e shqiptarëve çamë.

Permbajtja e pr/deklarates e dorezuar nga PDIU ne Kuvend 

“Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e madhe dhe nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe strategjike me Greqinë, si dhe vullnetin e dyanshëm për t’i përmirësuar e thelluar ato në të mirë të dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe kontributin për forcimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajonin tonë.
Duke mbajtur parasysh se dy vendet tona janë anëtare të Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe në këtë kuadër bashkëpunojnë pa rezerva për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes tonë të përbashkët.
Duke mbajtur shënim kontributet e përbashkëta të vendeve tona në organizatat e bashkëpunimit për paqen, sigurinë dhe të drejtat e njeriut, në rradhë të parë OSBE dhe KiE.
Duke vlerësuar kontributin e Greqisë për ecjen përpara të proceseve integruese në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe bashkëpunimin në organizatat rajonale përkatëse.
Duke mbajtur parasysh se midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë është nënshkruar “Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë.”
Duke mbajtur shënim se marrëdhëniet mes vendeve tona kanë ecuri pozitive dhe se të dy vendet, në frymën e mirëkuptimit dhe në të mirë të dy popujve tanë, kanë bashkëpunuar për të zgjidhur çështjet e hapura mes vendeve tona.
Vëren se, ndryshe nga fryma e “ Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ”, si dhe nga vullneti politik i dyanshëm i shprehur në mënyrë të përsëritur, Ligji i Luftës Nr. 2636/40, mbetet ende në fuqi dhe vijon të prodhojë disa nga efektet negative që lindin kur shtetet janë në gjendje lufte; 
Me synimin dhe dëshirën për të zgjidhur edhe këtë çështje të trashëguar nga një e kaluar që nuk mund të kthehet.

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
- I bindur në vullnetin e mirë të Parlamentit të Republikës së Greqisë për t’i dhënë shtysë pozitive marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë, duke bërë përpjekje konstruktive për të zgjidhur çdo çështje të hapur,

- Fton Parlamentin e Republikës së Greqisë të mbështesin përpjekjet e qeverisë së tyre për jetësimin e vullnetit politik të shprehur më shumë se një herë nga Ministrat e Jashtëm të Republikës së Greqisë për abrogimin e Ligjit të Luftës Nr. 2636/40 me Shqipërinë, dhe në këtë frymë pozitive të marrin në konsideratë e të miratojnë çdo instrument ligjor që do ti shërbente korrigjimit të kësaj situate që nuk përputhet me realitetet e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi.

- Në përputhje me angazhimin ndërparlamentar të parashikuar në Traktatin e miqësisë, bashkëpunimit reciprok, sigurisë mes dy vendeve, ne bëjmë thirrje të krijohet një grup pune mes dy Parlamenteve që të kontribuojë zyrtarisht në këtë drejtim, apo në adresimin e çdo problemi të ngjashëm në marrëdhëniet mes dy vendeve tona sipas parimeve të njohura të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Gjithashtu, 
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

-   I kërkon Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e Greqisë për abrogimin e Ligjit Nr. 2636/40, dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj. 
-   I kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që, në vijim të kontributeve të konfirmuara të politikës sonë të jashtme për fqinjësi të mirë, për paqe dhe për siguri, të mbajë të informuar rregullisht Kuvendin e Shqipërisë dhe partnerët tanë euroatlantikë NATO dhe BE për përpjekjet sistematike të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Greqisë, për zgjidhjen e kësaj çështje të bartur nga e kaluara”.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Finalja mes Spanjës dhe Anglisë, sipas jush kush e fiton Euro 2024?



×

Lajmi i fundit

Digjet automjeti në aksin rrugor Vlorë-Levan, detajet e para

Digjet automjeti në aksin rrugor Vlorë-Levan, detajet e para