Pse Ilir Meta i quan partnerët SHBA-BE, ‘pushtues’ që duhen trajtuar si pushtues?!

Pse Ilir Meta i quan partnerët SHBA-BE, ‘pushtues’ që duhen trajtuar si pushtues?!

Ilir Meta dhe Yuri Kim

Ka një kujdes të madh nga ana e mazhorancës socialiste por dhe nga ana e pjesës më të madhe të opozitës, në lidhje me emrin që do të përzgjidhet për të qënë President i Republikës në 5 vitet e ardhshme.

Kujdesi shkon deri aty se dhe publikisht është bërë e qartë se duhet një figurë konsensuale për kryetar shteti, që të jetë mbi palët, simbol i unitetit të Kombit siç e përcakton Kushtetuta e vendit. Por mbi të gjitha, të mos ketë asnjë ngjashmëri me presidentin aktual që dorëzon mandatin më 24 korrik të këtij viti, Ilir Meta. Pra duhet një President i kundërt me Ilir Metën.

E thënë në një terminologji më të thjeshtë, politika shqiptare po konturon qartë idenë e të pasurit kujdes, sepse meqënëse “është janë djegur nga qulli, tani kanë nisur t’i fryejnë kosit”!

Një konkluzion i tillë jo vetëm i politikës por dhe i mbarë shqiptarëve  është arritur, duke parë sjelljen 5 vjeçare të Ilir Metës në krye të Presidencës, veprimin e tij institucional e politik, qëndrimi vetëm në njërën “anë të peshores” dhe jo mbi palët, veprime këto që për pak shkaktuan konflikt civil më 30 qershor 2019 dhe u cilësuan si shkelje kushtetuese.

Janë proverbiale përfshirjet e Metës në politikë dhe pasi ishte mandatuar si President, por që ende nuk kishte bërë betimin e hyrë zyrtarisht në Presidencë, kur në zgjedhjet e 2017-ës kërcënoi nga Lezha për përplasje fizike dhe angazhim të truprojave të tij direkt në mbrojtjen e votës.

Apo me rrëzimin e shumicës së ligjeve të nxjerra nga ana e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, refuzimin e dekretimit të ministrit të Jashtëm, Gent Caka që vinte nga Kosova, zhdekretimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019 dhe dekretimin e datës së re më 13 tetor të po atij viti, apo dhe thirrjen e fortë në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, në drejtim të qytetarëve që të “kapin kosoret e sopatat kundër kësaj qeverie nëse tenton të vjedhë votën e qytetarëve”. Por dhe elementë të tjerë që për mazhorancën ishin shkelje të rënda Kushtetuese, ndërsa për “Venecian” shkelje Kushtetuese, dhe vetë Gjykatën Kushtetuese u perifrazuan si shkelje që nuk arrijnë në stadin që të shkarkohet nga posti i Presidentit, sikurse e kishte kërkuar mazhoranca socialiste.

Pra nëse Edi Rama ditën e votimit të Ilir Metës me votat e PS plus dhe ato të LSI si President i Republikës deklaroi se “kishte zgjedhur presidentin më të mirë të mundshëm të opozitës”, Ilir Meta e tejkaloi shumëfish këtë vlerësim, duke u vënë tërësisht në anën e opozitës që drejtohej nga Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, bashkëshorte e Metës, përkatësisht në krye të PD e LSI.

Ndërkohë që Presidenti aktual nuk rreshti që mbështeturi Sali Berishën, apo siç e quan me gjuhë miqësore “malësori tropojan, miku i malësorit skraparli” dhe “pika ime më e dobët, Doktori”! Mbështetje që kulmoi në zgjedhjet e 6 marsit të këtij viti në 6 bashkitë pa kryetar, ku mori siglën e LSI-së dhe paraqiti kandidaturat në emër të saj nën ombrellën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, duke kaluar PD parti të tretë e rrënuar Bashën politikisht, i cili ditë më vonë ai dha dorëheqjen.

Por sjellja e Metës nuk ka qënë aspak normale në raport me ambasadorët e vendeve partnere në Shqipëri, sidomos me ambasadorët amerikanë, duke filluar nga Donald Lu dhe përfunduar me Yuri Kim, si dhe me ambasadorët e BE, Romana Vlahutin dhe Luigi Soreca.

Konflikti me ish ambasadorët e SHBA e të BE, përkatësisht Donald Lu dhe Vlahutin lindi për shkak të reformës në drejtësi. Më se një herë Meta i akuzoi këta dy ambasadorë se po punonin me të gjitha mënyrat që ta vinin drejtësinë e re nën diktatin e Edi Ramës, i cili e kapi atë sipas tij.

Madje nuk lanë shoqatë prokurorësh dhe gjyqtarësh pa sponsorizuar, që të kundërshtonin dhe vononin përmes ankimimeve në sistemin gjyqësor shqiptar por dhe në Komisionin e Venecias Vettingun, strukturën dhe mënyrën e ngritjes së drejtësisë së re. Madje u sulmua fort dhe ish kreu i KED Ardian Dvorani me argumentin se po pengon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, duke mos lënë gjë pa bërë në drejtim të tij. Pa u penguar as nga vlerësimi amerikan për këtë gjyqtar, të cilin e shpalli “kampion të luftës kundër korrupsionit dhe krimit në sistemin e drejtësisë”, një titull mes disa homologëve të tij në të gjithë globin.

Meta nuk ia fali kurrë Dvoranit shënimin e lënë për gjykimin në Gjykatën e Lartë të përgjimit të ish ministrit të ndjerë të LSI Dritan Prifti, në të cilin Meta shfaqej me bllok në dorë duke kërkuar ryshfet 700 mijë euro dhe punësime të pamerituara. Megjithëse dhe Dvorani votoi pro shpalljes së Metës si të pafajshëm, duke qënë se “ekspertiza” e bërë nga dy të përzgjedhur nga vetë Meta e kësaj videoje, ia mundësoi anashkalimin dhe fshirjen e provave.

Akuza këto që janë artikuluar dhe nga vetë miku i tij Sali Berisha, të deklaruara publikisht pas prishjes së marrëdhënieve mes tyre, kur mazhoranca Rama-Meta qeveriste vendin pas humbjes së PD më 2013 dhe ku vetë Meta ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Në mënyrë të përmbledhur Metës i ishte mbushur mendja top se Reforma në Drejtësi ishte bërë nga ana e Edi Ramës dhe ndërkombëtarëve, për të futur në burg Ilir Metën. Pra e cilësonte si një komplot mes qeverisë së Edi Ramës dhe ambasadorëve më të rëndësishëm të vendeve partnere, për ta rrënuar atë dhe Berishën politikisht, por dhe për ta dënuar për akuzat e shumta që ka në kurriz, shumica e të cilave janë të artikuluara publikisht ngë “pika e tij e dobët” Sali Berisha.

Duke ia dalë ta bënte çorap drejtësinë, përmes vonesave dhe futjes në radhët e saj të kamikazëve të tij dhe njerëzve që u kishte bërë nder apo u kishte në dorë ndonjë gjë kompromentuese, Ilir Meta nuk kishte marrëdhënie të mirë as me ambasadoren e SHBA të radhës Yuri Kim dhe atë të BE, Luigi Soreca. Pavarësisht se ata treguan se nuk cedonin në përçimin e politikës së vendeve që përfaqësonin, SHBA e BE, duke ecur në gjurmët paraardhësve të tyre në selitë respektive. Vendet me demokraci të zhvilluar nuk ndryshojnë politikat dhe strategjitë sa herë ndërrohet pushteti në qendër, ata janë të qartë për punën që bëjnë dhe vendin që përfaqësojnë.

Qëndrimi i ambasadorëve është mbështetur në të gjitha rastet nga instancat e tyre eprore në qeverinë amerikane dhe nga Brukseli zyrtar, në momentet kur përfaqësuesit e tyre diplomatikë janë vënë nën sulmin e Berishës, Metës dhe mbështetësve të tyre në politikë, drejtësi dhe media.

Mjafton të përmendim qëndrimet e SHBA dhe BE pas akuzave të ish Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla i cili akuzoi Donald Lu dhe Romana Vlahutin se kishin lobuar për kompani të caktuara apo kishin bërë korrupsion me paratë e taksapaguesve të vendeve të tyre, apo se kishin kërkuar arrestimin e Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Por dhe reagimet për deklaratat e bëra nga krerët e opozitës dhe Presidenti ndaj ambasadorëve në lidhje me përfshirjen e tyre financiarisht e me mbështetje të fortë për reformën në drejtësi, duke e cilësuar si angazhim të qeverisë amerikane dhe asaj të BE për drejtësinë e re shqiptare.

Teksa është ndjerë i izoluar dhe gjithnjë nën kërcënim, sipas tij ka komplot ndërkombëtar për ta futur në burg, Ilir Meta nuk i ka kursyer akuzat ndaj ambasadores Yuri Kim e atij të BE Soreca për ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi sovran si Shqipëria, si për njohjen e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 pa pjesëmarrjen e opozitës apo të 25 prillit 2021 ku opozita shënoi humbje të rëndë, ashtu dhe për përkrahjen që i jepet drejtësisë së re.

Madje Meta arriti deri aty sa të akuzonte ambasadorët se po tentojnë të shembin sistemin demokratik të zgjedhjeve në Shqipëri, duke u treguar me gisht Phenianin se nëse e duan këtë mënyrë zhvillimi zgjedhjeje në Shqipëri të “shkojnë në Korenë e Veriut, pasi Shqipëria është vend sovran dhe ka politikanë e burra që i dalin zot këtij vendi”.

Nëse do të impostoheshin këto deklarata dhe të vendoseshin në planin me figurë të ish diktatorit komunist Enver Hoxha, nuk do të kishte ndryshim asnjë presje nga deklaratat e tij në atë kohë kundër “imperializmit amerikan, social-imperializmit sovjetik e reaksionit botëror që e kanë halë në sy Shqipërinë sovrane dhe kala të pamposhtur buzë Adriatikut”.

Madje Meta arriti deri aty sa të thotë se “amerikanët duan ta vrasin atë në Malin me Gropa me raketa, por raketa ka dhe Rusia” si dhe “amerikanët që janë këtu në Shqipëri i kap për veshi”, duke nënkuptuar ambasadoren Yuri Kim dhe akuzuar atë për cënim të sovranitetit të vendit. Njëlloj si mik-armiku i tij Sali Berisha, i cili në çdo dalje publike e quan ambasadoren amerikane Guvernatore në shërbim të PS dhe të Edi Ramës.

Dhe teksa shqiptarët ishin të bindur se Meta, i garantuar dhe nga Kushtetuta për ta konsumuar mandatin presidencial deri në fund, pra më 24 korrik të këtij viti, ishte qetësuar më në fund, kreu aktual i shtetit i “ngacmuar” dhe nga një artikull i gazetës më të madhe austriake që e akuzonte se kishte përdorur 700 mijë euro për lobim për një foto me presidentin amerikan të asaj kohe Donald Trump dhe për ndërhyrje estetike të bashkëshortes Monika Kryemadhi kryetare e LSI, tregoi se nuk kishte hequr dorë nga idetë e tij “sovraniste”.

Por s’kishte hequr dorë as nga akuzat për ndërhyrjen e ambasadorëve në punët e brendshme të Shqipërisë, duke diktuar, sipas tij, politikat e këtij vendi, përkundër detyrimit që kanë ata si ambasadorë për të përfaqësuar vendet e tyre sipas konventave ndërkombëtare.

Edhe një natë më parë Meta në një emision televiziv tregoi se nuk ka marrëdhënie të mira me ambasadorët e vendeve partnere, të cilat me sa duket i akuzon për izolimin e thellë që i kanë garantuar në raport me zyrtarët e lartë që vizitojnë vendin. Ka shumë kohë që asnjë përfaqësues i lartë i SHBA dhe i BE nuk e përfshin Presidentin në axhendën e takimeve në Shqipëri.

Madje teksa u shpreh se është i vendosur që me rolin e tij opozitar më 25 korrik e më pas kur të dalë nga zyra e Presidentit, të mbrojë sovranitetin e Shqipërisë. Meta i cilësoi partnerët tanë ndërkombëtarë si “pushtues”, duke paralajmëruar se do sillet me ta siç mund të sillen me një pushtues. Një qëndrim i tillë e Metës është artikuluar publikisht në kushtet kur gazetarët e panelit të emisionit televiziv e ngacmonin me pyetjen se “cila do ishte deklarata e parë që do të jepte kur SHBA ta shpallte atë “non grata” sikurse mikun e tij Sali Berisha, pikërisht një vit më parë”?

“Partnerët që sillen si partnerë, i respektoj, kur sillen si pushtues, do t’i trajtoj si pushtues. Kam lindur në male dhe kjo më ndihmon që të mos e njoh fare frikën. Ata që lindin nëpër male, jetojnë me ujqër dhe çakej. Mësohen që fëmijë…”, ka deklaruar mes të tjerave Meta në emision, duke dhënë me sa duket një përgjigje shterruese për të përcaktuar vijën e sjelljes në krye të LSI.

Se çfarë ka në mendje Presidenti aktual që të veprojë ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë, për të dhënë një përgjigje që jepet ndaj një pushtuesi (nuk flitet për pushtim real të kuptohemi, por për pushtim të institucioneve bashkë me Ramën sikurse e ka artikuluar më se njëherë Meta), pra se çka në mendje Meta askush nuk e di. Madje nuk e di as populli i ‘2 marsit’, sikurse e përmend shpeshherë po vetë Presidenti, se do t’i drejtohet sa herë që kapet shteti.

E vërteta është se deklarata të këtij kalibri, Ilir Meta është President i vendit por dhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kanë ndikim në politikën e jashtme pasi pa pëlqimin e tij nuk nënshkruhet asnjë marrëveshje me rëndësi jetike për vendin, apo negociatat me Greqinë për “detin”, kufirin tokësor, heqjen e Ligjit të Luftës apo trajtimin e varrezave greke të ushtarëve të rënë gjatë luftës së dytë botërore në Shqipëri, nuk është se merren seriozisht nga vendet partnere.

Mbetemi shpresëplotë se s’do t’i marrin serizozisht këto qëndrime siç nuk i kanë marrë deri më tani, dhe kur Meta të vendoset në krye të opozitës në Shqipëri, sikurse e deklaron shpeshherë.

Por një pasojë e kanë. Në krye të herës, sa të jetë Meta dhe miku i tij Berisha në krye të opozitës, alternativa e partive përbërëse të koalicionit opozitar s’ka asnjë shans për të ardhur në pushtet, duke e lënë vendin pa opozitë.

E dyta është se modeli presidencial i Ilir Metës në pesë vitet e mandatit të tij si kryetar shteti ka qënë aq negativ, sa si mazhoranca ashtu dhe pjesa më e madhe e opozitës, janë gati të pranojnë çdo lloj modeli për presidentin e ri, përpos atij të Ilir Metës. E duan të kundërtin e tij, dhe kjo nuk është pak. Në 5 vite Meta krijoi modelin se si nuk duhet të jetë një President në Shqipëri.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Blerina Bala merr drejtimin e Bashkisë së Himarës! Bashkëshorti këshilltar ‘bojkoton’ votimin! Votat që opozita bashkoi me PS

Blerina Bala merr drejtimin e Bashkisë së Himarës! Bashkëshorti këshilltar ‘bojkoton’ votimin! Votat që opozita bashkoi me PS