Pse SHBA i frikësohet Kinës?

Pse SHBA i frikësohet Kinës?

Sekretari i SHBA-ve Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se administrata e Presidentin Joe Biden synon të udhëheqë bllokun ndërkombëtar që është kundër agresionit rus ndaj Ukrainës, në një koalicion më të gjerë për t’i bërë ballë atij që Uashingtoni e sheh si një kërcënim më serioz dhe afatgjatë për rendin global nga Kina.

Në një fjalim në Uashington të enjten, zoti Blinken detajoi politikën e administratës për të konkurruar me Pekinin në një garë për të përcaktuar ekuilibrin ekonomik dhe ushtarak të shekullit të 21-të.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara e shohin Rusinë si kërcënimin më të mprehtë dhe të menjëhershëm për stabilitetin ndërkombëtar, zoti Blinken tha se administrata amerikane beson se Kina përbën një rrezik më të madh.

Sekretari i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë ta izolojnë Kinën nga ekonomia globale, por duan që Pekini t'u përmbahet rregullave ndërkombëtare.

Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara nuk do ta bllokojnë Kinën që të rrisë ekonominë e saj apo të përparojë interesat e popullit të saj, por do të mbrojnë dhe forcojnë ligjin dhe institucionet ndërkombëtare që ruajnë paqen dhe sigurinë dhe bëjnë të mundur që vendet – përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën – të bashkëjetojnë dhe të bashkëpunojnë.

"Ne nuk po kërkojmë konflikt ose një luftë të re të ftohtë. Përkundrazi, ne jemi të vendosur t'i shmangim të dyja", tha zoti Blinken në fjalimin që mbajti në Universitetin George Washington.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë ranë në nivelin më të ulët në dekada nën administratën e ish-presidentit Trump dhe janë përkeqësuar më tej nën Presidentin Joe Biden, i cili deri tani ka mbajtur në fuqi tarifat gjithëpërfshirëse të paraardhësit të tij për mallrat kineze.

Ai gjithashtu ka ndërmarrë hapa për të thelluar lidhjet me aleatët e Indo-Paqësorit dhe më gjerë për të frenuar ndikimin në rritje të Pekinit.

Megjithatë Presidenti demokrat Biden është përballur me kritika nga republikanët dhe disa analistë të politikës së jashtme pasi nuk ka paraqitur një strategji zyrtare për Kinën, ekonomia e dytë më e madhe në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe rivalja kryesore strategjike e Uashingtonit.

Fjalimi i zotit Blinken përkon me fillimin e një turneu të ministrit të jashtëm të Kinës në vendet e ishujve të Paqësorit, një front gjithnjë e më i tensionuar në konkurrencën për ndikim midis Pekinit dhe Uashingtonit dhe aleatëve të tij. Ai tha se vëmendja e Uashingtonit mbetet “e palëkundur” nga Indo-Paqësori dhe Kina.

Blinken: Do të zgjerojmë bashkëpunimin me Tajvanin pavarësisht Kinës

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të zgjerojë bashkëpunimin me Tajvanin, pavarësisht nga "kërcënimet në rritje" të Pekinit.

Zotit Blinken tha se Uashingtoni ende i përmbahet politikës së "një Kine” duke njohur Pekinin, por që lejon marrëdhënie jozyrtare me Tajvanin dhe i shet këtij vendi armë.

Komentet e sekretarit Blinken të enjten në Uashington pasojnë vizitat e Presidentit Joe Biden në Korenë e Jugut dhe Japoni, ku Kina ishte pjesë e diskutimeve.

Presidenti Biden ngriti pikëpyetje gjatë këtyre vizitave kur tha se Shtetet e Bashkuara do të vepronin ushtarakisht për të ndihmuar Tajvanin të mbrohej në rast të një pushtimi nga Kina, e cila e konsideron ishullin si një provincë tradhtare.

Administrata këmbënguli se Presidenti Biden nuk po ndryshonte politikën amerikane dhe zyrtarët thanë se zoti Blinken do të ritheksonte se SHBA-të nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e saj./VOA

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të miratohet ligji për amnistinë fiskale deri në 2 milionë euro?



×

Lajmi i fundit

John

Përleshje e dy grupeve shqiptare në aeroportin e Perugias në Itali! 8 persona të arrestuar, momenti kur qëllohen me grushta e shkelma (VIDEO)