Pulla e Postës Shqiptare,
nën mëshirën burokratike

Pulla e Postës Shqiptare,<br />nën mëshirën burokratike<br>
Ishte parashikuar, që 550 Vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, Posta Shqiptare ta përkujtonte këtë datë me dy pulla: portrete të hershme të heroit. Do ishte kjo seri pullash poste nisma e veprimtarive, që do pasonin në vitin e Skënderbeut, por kjo nuk u bë e mundur. Pullës postare të Shqipërisë ka mbi dhjetë vjet që po i ndodh një gjë e paparë dhe që s’ka gjasa të ndodhë në asnjë shtet tjetër. Programohet vërtet nga Posta të përkujtohet një ngjarje, një personalitet, një zhvillim social, kulturor apo sportiv, një specie nga bota e pasur që ka vendi ynë në florë e faunë e për rrjedhë ajo t’i jepet qytetarit përdorues si tarifë shërbimi dhe kulturë kombëtare në sportelet e shërbimit postar në ditën e caktuar, por nuk bëhet dot e mundur!? Besoj se lexuesi do kuptojë rrokopujën se ç’bëhet, po t’i themi se pullat e të 11 emisioneve të programuara të vitit 2017 dolën të gjitha njëherësh, në muajin dhjetor.

Çfarë po i ndodh pullës postare?
Në të drejtën e saj, si institucioni i ligjshëm për të emëtuar e përdorur pullën postare, me objekt tarifimin e shërbimit, Postën Shqiptare e pengojnë. Atë nuk e lënë, asaj ja vështirësojnë, deri në pamundësi, të bëjë prodhimin e shpërndarjen në kohën e duhur. Aspekti kulturor e social i saj humbet. Gjithçka është rrjedhë e Ligjit nr. 9643, “Ligji për Prokurimin Publik”. Të gjitha seritë postare dalin njëherësh në fund të vitit, në shkelje të qëllimit pse ato tema u propozuan nga institucionet e rëndësishme shtetërore, akademike e studimore?

Si rregull, në shkallët e larta të emancipimit dhe kulturës, ku pamëdyshje ndodhen dhe ligjet e nxjerra, përjashtohen reagimet paradoksale, por kjo s’ndodh në rastin e pullës postare. Ligji e ka dëmtuar pullën në formë e përmbajtje, në qëllim dhe vlerë objekti. Si i tillë, ai nuk afron asnjë hapësirë mirëkuptimi dhe përjashtimi, siç është rasti i pullës postare. Askush nuk do t’ja dijë se pulla e postës nuk është një letër e thjeshtë me vlerë, por ka, mbështetet dhe përcjell tek ne një moral të fuqishëm kombëtar, që qendron në forcën dhe vërtetësinë e artit të përdorimit dhe koleksionimit.

Qëllimi i tematikës së pullës dhe planifikimit të nxjerrjes në qarkullim, tashmë i shtrembëruar, është harruar. Jeton ky deformim mes nesh, më së shumti mes koleksionistëve, vendas apo të huaj, të çoroditur, por dhe të familjarizuar. Nuk i bën më përshtypje kërkujt marrëzia e sjelljes.

Vetëkuptohet që ligji i prokurimeve publike është menduar të bëhet i tillë, që t’u mbyllë rrugët grabitësve të pasurisë publike, qofshin ata në nivelin e lartë apo të mesëm të administrates shtetërore, ndodhur nën cilësimin juridik “Autoritet Kontraktor”. Ligji me të drejtë kërkon të sigurohet mirëpërdorimi i fondeve publike. Përcaktimi i rregullave që zbatohen për prokurimet e mallrave, të punëve dhe të shërbimeve nga autoritetet kontraktore dhe qëllimi që mbart ligji, për rritjen e efektshmërisë prej tyre, vlen për kudo qoftë, por jo për pullën e postës.

Ndërmarrja antikorrupsion, që ligji kërkon të frenojë, është shprehja ligjore që ka sjellë gjendjen absurde prej vitesh e vitesh. Ai nuk parashikon dot rastin rutinor, kur një nga entet konkuruese në tender bën ankimim. Procedura e ankimimit ka kohën e saj dhe...përkundje në kohë, përgjumje, ndërsa pullat me portretin e Skënderbeut, nga janari që duhej të dilnin do jenë gati përpos se në nëntor ose dhjetor. Përpos këtyre, dyshoj që Agjencia e Prokurimit i sheh dhe vlerëson shtypshkronjat për sigurinë e tyre, si e kanë të organizuar e disiplinuar kontrollin e prodhimit të letrës me vlerë dhe me çfarë cilësie e arrijnë prodhimin e pullës postare.

A ka mundësi dalje nga qorrsokaku?
Në rrethanat kur Ministria përkatëse që mbulon Postën Shqiptare, me administrata që shkojnë e vijnë, duke qenë se nuk i bën asnjë përshtypje pse ndodh kështu, që nuk njofton kryeministrin për çka ndodh, që nuk e informon se si e pengon ligji shqiptar i prokurimeve publike prodhimin e pullës, se si ky ligj emetimin e pullës postare e ka shndërruar sa qesharak aq dhe grotesk e nuk ndërmerr iniciativën ligjvënëse, mbetet të shihen zgjidhje të tjera.

Ka një zgjidhje të thjeshtë, që i jep fund kësaj çoroditjeje, prodhimi i pullës postare nga vetë posta, me mjetet e saj, pa qenë nevoja të hyjë në prokurim publik. Mjaft që të investojë në instalimin pronësor të një makinerie shtypi offset shumëngjyrësh, me anekset përkatëse të parapërgatitjes dhe performimit. Sa kohë nuk merr përsipër as ta shqyrtojë dhe as ta bëjë këtë investim, është e detyruar t’i drejtohet tenderit publik.

Por ka një zgjidhje edhe më të përshtatshme, që i shërben njëherësh si dinjitetit ashtu dhe shëndetit social dhe ekonomik të shtetit: ngritja dhe funksionimi i një sipërmarrjeje shtetërore për prodhimin e letrave me vlerë. Pak a shumë, e ka patur vëndi një të tillë, afërsisht të ngjashme, pavarësisht prodhimeve të kufizuara që bënte, por e rrafshuan dhe mbi të “lulëzon” sot një shumëkatësh.

Sipas vendit dhe kuvendi, thotë një shprehje e popullit! Kështu ndodh edhe me shtetet. Një vështrim mbi përvojat e vendeve të tjera sjell shumëllojshmëri. Kështu, ithtarja më e thekur e privatizimit të gjithanshëm të ekonomisë njihet të ketë qenë kryeministrja Mbretërisë së Bashkuar, Margaret Theçer. E ndodhur nën peshën shtypëse të sindikatave të fuqishme britanike, zonja e hekurt zgjodhi t’i hiqte qafe, duke filluar një valë privatizimesh të papara të pronave e veprimtarive shtetërore, të cilat për të keqen tonë ndodhi t’i kopjonim keq (siç ndodhi me energjinë elektrike). Gjithsesi, një sektori nuk ju afrua: prodhimit të letrave me vlerë. Ky sektor strategjik i shtetit mbeti pjesë administrative e shtetit, deri kur në vitin 2005 një pjesë e prodhimit të pullës postare ju kalua përmes tenderimit sektorit privat.

Po kështu, në SHBA, shteti tipik kapitalist, me politika sociale të kufizuara dhe ligje që anojnë nga privatja, në vitet ’90-të, rreth 20 përqind e prodhimit të 54 miliard pullave ju kalua shërbimit privat, por 80 përqind të prodhimit të pullës vazhdon ta mbajë shtypshkronja federale e letrave me vlerë.

Ndryshe e ka Italia. Në shtetin e tyre nuk mund të ndodhi që të ketë pasaporta e karta identiteti fallco (siç ndeshet tek ne herë pas here) apo të qarkullojnë pulla postare fallco e ilegjitime (siç ndodhi tek ne në vitin 2007). Shteti italian e ka të përqendruar në stabiliment shtetëror çdo gjë me vlerë e të rendësisë së veçantë. Është Instituti Poligrafik i shtetit, “Zecca”, përgjegjëse për shtypjen e Vlerave të Shtetit, duke përfshirë pullat e postës, pullat e taksës, pullat e taksave të akcizës dhe emëtimin e monedhë-kartmonedhës, të botimeve zyrtare shtetërore (përfshirë Gazetën Zyrtare), prodhon letrën e filigranuar, duke patur kontroll të plotë në fushën e sigurisë kundër falsifikimit; prodhon letërnjoftimet (pasaportat), kartat e identitetit, biletat e komunikacionit, dokumentet e doganave, medaljet, madje bën edhe shtypjen e targave të automjeteve, deri tek artikuj që nuk na e merr dot mendja: recetat mjekësore dhe vulat e mjekëve.

 

Pse shteti fqinj ka këtë organizim, e dinë ata arsyen?! Përkundrazi, nuk e mbajnë të fshehtë, por e shpjegojnë!? Në ligjin e veprimtarisë së Institutit Poligrafik “Zecca”, cilësojnë se shteti nuk e shpërndan, por mban të përqendruar prodhime të rendësisë së veçantë, me hapësira përdorimi tejet të rendësishme e që kërkojnë domosdoshmërisht rigorozitet e kontroll të lartë në ndjekjen e prodhimit e administrimin e tij. Si objekt i rëndësisë së veçantë, me siguri të lartë ruajtje, ky institucion ndodhet kurdoherë nën kontrollin, drejtimin dhe shikimin e dy ministrive: të Ekonomisë dhe të Financës.

Ne, që kemi kopjuar (për mirë e në dobi tonë) çdo gjë nga Italia, kode e ligje, organizime e struktura, pas kaq shumë telashesh që kemi patur në funksionimin e ligjit për lëshimin e dokumente të identitetit e letrat me vlerë, ku krimi ndodh të shfaqet sheshit, herë-herë edhe i organizuar, nuk e kemi përfillur këtë përvojë. Po ta kishim parë, do kishim shpëtuar nga kokëçarjet, dhe pulla e postës, që u bë motivi nxitës për sa shkrova, nuk do përfundonte në gjendjen qesharake ku e kemi çuar.

A mos ndoshta duhet të rikthehet Shtypshkronja e letrave me vlerë?


e.gj/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit i kërkon Kosovës “përparim urgjent” për themelimin e Asociacionit

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit i kërkon Kosovës “përparim urgjent” për themelimin e Asociacionit