Punët e fshatit Trashovicë! ‘Një nga ne’ sjell historinë e Gëzimit, fermeri i palodhur që mban shpresat tek bujqësia: Ja sa do e shes grurin

Dita për të nis me ritme të shpejta. Gëzim Bajrami u zhvendos 6 vite më parë në fshatin Trashovicë të Gramshit dhe të ardhurat e tij të vetme janë nga bujqësia.

“Në çdo kohë fshati ka punë. Po nuk punove sot, nuk ha mot. Kam pothuajse 30 dynym tokë, jam i kënaqur se është prodhuese. Qëkur kam ardhur këtu me bujqësi jam marrë. Këtu lekët i merr avash avash, s’ka ndonjë të ardhme të madhe. Shpenzimet me zamet, nuk ia dalim dot. Duhet kursyer shumë”, tregon për emisionin “Një nga ne”.

Pas mjeljes së lopës, vazhdon me kontrollin e perimeve në bahçen e tij. Pak kohë i mbetet për vaktin e mëngjesit të cilin e konsumon nxitimthi pasi prilli është periudha me më shumë fluks pune.

Ka mbjellë tërshërë, grurë dhe jonxhë. Ndërsa mbjellja e misrit është e pamundur në këtë zonë për shkak të mungesës së sistemit të vaditjes.

“Këtu në tokat e Trashovicës bëjmë grurin, jonxhën dhe tërshërën. Misrin nuk e bëjmë se do ujë, është më delikat. Kur ishte kooperativë këtu hiqej gruri dhe mbillej misri, por kishte pompë për t’u vaditur. Tani ngelëm me sytë nga Zoti se i hoqën pompat”, shprehet fermeri.

Ngelet në pikëpyetje çmimi që do e shesin grurin për këtë vit, ndaj shpenzimet i bën me laps dhe letër.

“Çmimin e vendos vet, por nëse ti e ke më shtrenjtë dhe tjetri më lirë, klienti largohet. E mira është të mos zbresë nën 40 mijë lekë kuintali i grurit. Kur ka prodhim shumë shitet më lirë, në të kundërt e shesim shtrenjtë”, shprehet Gëzimi.

Na tregon si është jetesa në këtë fshat, problematikat që po ndeshin, shërbimet që kërkojnë kulturat që ka mbjellë dhe pasioni për fyellin. Ditën e përmbyll pikërisht me melodi baritore.

Për më shumë shikoni videon e emisionit.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv

M.Q./N.Xh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Aksident i 3-fishtë në Vlorë, disa të lënduar

FOTO/ Aksident i 3-fishtë në Vlorë, disa të lënduar