Qarku i Lezhës, rivaliteti mes
PS dhe LSI për mandatin e majtë

TIRANE - Në një analizë për Qarkun e Lezhës, politologu Afrim Krasniqi sqaron rivalitetin mes të majtës për një mandat, uljet dhe ngritjet e mbështetjes së qeverisë në këtë qark si dhe pa harruar faktorët që janë në favor të opozitës.

Qarku i Lezhës është i vetmi qark me 7 deputetë. Sipas INSTAT (2013) ai ka 133 mijë banorë, nga të cilët 77 mijë jetojnë në zonat urbane dhe 56 mijë në zonën rurale. Në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë marrë pjesë në votime 71,627 zgjedhës ose 48% e numrit total të banorëve me të drejtë vote. Ky qark përbëhet nga pesë bashki (Lezhë, Rrëshen, Laç, Mamurras, Rubik) si dhe 16 njësi vendore.

Tipar i njësive vendore në Lezhë është se pjesa më e madhe e tyre i kalojnë numrin e 5 mijë votuesve, pra janë më të populluara sesa tri qarqet e mëparshme në analizë, Kukësi, Dibra dhe Gjirokastra.

Referuar numrit të votuesve në zgjedhjet e vitit 2011, bashkia me më shumë votues është Laçi me mbi 21 mijë, ndjekur nga Lezha me rreth 20 mijë, Mamurrasi me rreth 16 mijë, Rrësheni me 10 mijë dhe në fund Rubiku me rreth 6 mijë vota. Komunat e këtij qarku kanë gjithashtu numër të lartë banores përfshirë edhe Shëngjinin me 8.4 mijë zgjedhës.
 
ULJE – NGRITJET PËR SHKAK TË SISTEMIT ZGJEDHOR

Më 2001 zgjedhjet në këtë qark ishin të balancuara: në Lezhë Zef Gjoka i PD fitoi ndaj Ramadan Hasanaj, Nikoll Lesi i mbështetur nga PS fitoi përballë Llesh Kolës. Në Mirditë Ndre Legisi i PS fitoi në raundin e dytë ndaj Kolin Gjoka të PD, por Luigj Gjoka i PD fitoi thellë ndaj Mark Nikolli të PS. Në Laç Pal Dajçi e fitoi mandatin përballë Preg Laskkës.

Me përjashtim të Mirditës, ku pati edhe kontestime të mëdha, në rastet e tjera pjesëmarrja në zgjedhje nuk ishte më lart sesa 50%. Më 2005 listat e partive kryesore pësuan ndryshime me prurje të reja nga dy palët.

Demokratët i fituan të gjitha votimet në mazhoritar, (Bumçi, Paloka, Vuksani, Dajçi, Zogaj përballë Preçi, Nikolli, Çakoni, Cani dhe Kadeli). Risi në këto zgjedhje u bë LSI, e cila fitoi 1.7 mijë vota (V.Tushaj) në Lezhë, si dhe (Gj.Bushi) 2.4 mijë në Mirditë.

Kandidati më i njohur politik i LSI Legisi mori vetëm 0.3 mijë vota, gjithsesi LSI dhe gabimi taktik i aleatëve të majtë i kushtoi atyre dy mandate parlamentare. Në këto zgjedhje Laçi dhe Lezha ruajnë të njëjtin nivel pjesëmarrjeje (nën 50%), kurse Mirdita vijon me rekorde me 60% pjesëmarrje.

Në zgjedhjet e vitit 2009 me sistem proporcional palët politike siguruan balancim përfaqësimi nga raporti 5-0 në 4-3, një zhvillim pozitiv ky për PS dhe të majtën. Në këto zgjedhje rimori mandat parlamentar vetëm, Edi Paloka, ndërkohë që PD solli tre emra të rinj në parlament, pedagogët Mark Marku e Pavlina Hoti si dhe doktorin Rajmond Hoxha. Secili prej tyre përfaqësonte tre njësitë përbërëse të qarkut.

Në krahun e majtë i vetmi i kandiduar nga 2001 ishte Gjovalin Kadeli, ndërkohë që ish kryetari i Bashkisë Gjok Jaku dhe Armando Prenga ishin dy emrat e rinj fitues. Siç shihet, dy emrat e parë janë të Lezhës, i treti nga Laçi, duke lënë Mirditën pa përfaqësim.

Referuar edhe tabelës përmbledhëse së ndarjes së mandateve në zgjedhjet e deritanishme parlamentare, Lezha është dominuar nga demokratët, sidomos në votimet në mazhoritar. I vetmi rast kur socialiustët kanë qënë superiozë janë zgjedhjet e vitit 1997, të cilat kishin specifikën e tyre që lidhej me gjithë situatën në vend.
 
Historiku i mandateve nga zgjedhjet e vitit 1992 deri në zgjedhjet e vitit 2009
(Në foto historiku i mandateve nga zgjedhjet e vitit 1992 deri në zgjedhjet e vitit 2009)

PD – PS, ME MBËSHTETJE LINEARE NË 12 VITET E FUNDIT

Duke iu referuar numrit të votave për dy partitë kryesore, PD dhe PS, në qarkun Lezhë nuk ka pasur devijime të mëdha. Më 2001 PS përfitoi nga ndërhyrja e pushtetit në raundin e dytë për të rrëzuar dy mandate të fituara praktikisht nga të djathtët, një në Lezhë dhe një në Mirditë. I pati u fitua në Gjykatën Kushtetuese, i dyti përmes votimit formal.

Më 2005 PD e thelloi diferencën në zonën e Zadrimës me rreth 4 mijë vota diferencë, por pati vështirësi në zonën tjetër të Lezhës ku diferenca ishte rreth 700 vota. Më 2009 PS pati përqëndrim votash në Lac kurse PD humbi rreth 1.5 mijë vota nga kandidimi në zonë e ish deputetit Preç Zogaj nën siglën e një partie të re politike.

Gjithsesi PD ka mbetur në të njëjtat nivele dhe ndryshimet kanë ardhur kryesisht prej veprimeve të së majtës, e cila ose ka qenë e përçarë (LSI më 2009, gabimet në skemën taktike me aleatët më 2005) ose për shkak të problematikave dytësore që kanë shoqëruar zgjedhjet në zona të nxehta të këtij qarku.
 
RËNIA E BASTIONEVE, TIPAR I ZGJEDHJEVE LOKALE

Më 2003 dhe 2007 bashkia Laç u drejtua nga PD (L.Isufi) duke mbetur një zonë bastion dhe në dy rastet me diferencë të thellë prej 1.5 mijë vota. Më 2011 Laçi ishte surpriza e qarkut, kur socialisti Artur Bardhi fitoi me diferencë të thellë prej 2.3 mijë vota.

Rënia e bastionit të Laçit u paralajmërua më 2007 nga rënia e bashkisë Mamuras, ku një emër i njohur i sportit lokal, Ndreca, fitoi me 145 vota diferencë. Më 2011 demokratët e rimorën këtë bashki, por edhe tani me diferencë prej vetëm 100 vota.

I njëjti fenomen ka ndodhur edhe në bashkinë e Rubikut pas tri mandateve të demokratit M.Ruçi. Më 2011 socialistët e sfiduan atë duke fituar me diferencë rreth 400 vota. Edhe bashkia e Rrëshenit më 2011 u humb nga PD, me diferencë prej 800 vota, ndërkohë që komuna simbolike e Shëngjinit u fitua po nga e majta me diferencë 500 vota.

Në këtë mënyrë demokratët humbën të gjitha bashkitë e qarkut, humbja e parë e tyre në 22 vjet. Ndërkohë ata e ruajtën përfaëqësimin e tyre në komuna, duke i dominuar ato. Sic shihet edhe nga tabela e zgjedhjeve lokale prej vitit 2000, në total demokratët janë dominues, kryesisht në komuna në raportet 3:1. 
 
ROLI I FAMILJEVE / LIDHJEVE FISNORE

Roli i familjeve dhe fiseve reflektohet sidomos në zgjedhjet lokale. Referuar të dhënave zyrtare, bashkia Rrëshen me 17 këshilltarë, vetëm PS ka dy mandate, 1 i pavarur dhe 14 janë mandate nga 14 parti të ndryshme politike.

Parti e parë politike në proporcional në këtë bashki është PBDNJ me 9.3% të votave, kjo falë votave të fituara nga drejtuesi lokal i kësaj partie (Gj.Valca) për disa vite drejtues i sektorit shëndetësor. Rast tipik është edhe komuna Shëngjin, ku kryetari Kaçaj, ish futbollist i ekipit kombëtar, doli fitues duke qenë propozim i PDK dhe i mbështetur nga PS.

Katër vite më parë ai fitoi 25% të votave, por më 2011 fitoi dukshëm ndaj ish deputetit demokrat Gjoka. Gjithsesi edhe pse kryetari është i PDK kjo parti nuk ka asnjë nga 17 këshilltarët.

Parti e parë politike është AAK (Aleanca Arbnore Kombëtare) me 3 këshilltarë, ndjekur nga PD e PS me dy këshilltarë, dhe parti të tjera politike me nga 1 këshilltar. Në këshillin bashkiak Lezhë me 25 këshilltarë PS e PD kanë vetëm nga 3 këshilltarë, LSI e kryetarit Tushaj ka 1 këshilltar, të tjerët janë të pavarur ose nga 17 parti të tjera politike.
 
PËR CILËT DEPUTETË BËHEN ZGJEDHJET NË LEZHË?

Bazuar në sistemin zgjedhor proporcional rajonal shumica e mandateve të deputetëve për qarkun Lezhë janë paracaktuar që prej shpalljes së listave shumëemërore të partive politike. Kështu, nga PD është paracaktuar mandati i Aldo Bumçit, Gjovalin Kadelit dhe Albania Dedës.

Nga PS është paracaktuar mandati i Mimi Kodhelit dhe Armando Prengës. Në zgjedhje diskutohen dy mandatet e mbetura: mandati i pestë i cili diskutohet brenda të majtës, ku rivaliteti i ashpër zhvillohet midis Arben Ndokës të PS dhe Monika Kryemadhit të LSI.

Mandati i fundit diskutohet midis të djathtës, kryesisht në varësi nga votat që do të marrë PD dhe FRD në zgjedhje. Nëse votat e FRD arrijnë të kushtëzojnë mandatin atëherë ky mandat dëmton ndjeshëm PD-në, por nëse FRD nuk arrin të marrë votat për një mandat, atëherë ky mandat vihet në diskutim midis të koalicionit të djathtë dhe të majtë, në varësi nga numri i votave të mbledhura prej tyre.

Nga partitë e treta politike brenda koalicionit të djathtë një rol simbolik mund të ketë PDK (1.3 mijë vota më 2009) dhe PR (1.1 mijë vota më 2009), nga koalicioni i majtë përveç LSI faktor lokal mbetet PSD (2.3 mijë vota më 2009) dhe PSV91 (1.4 mijë vota më 2009).

Megjithëse pretendimet e mëdha që PD më 2009 të siguronte 5 deputetë, rezultatet zgjedhore e pamundësuan këtë. Ajo mori rreth 4200 vota më pak sesa i nevojiteshin për mandatin e pestë, shifër që e pa teorikisht të pamundur ta arrijë më 2013.

Siç shihet nga tabela e ndarjes së mandateve parlamentare, mandati i fundit i shkoi PS me rreth 4.4 mijë vota, por për të përmbysur rezultatin PD asaj i duhen rreth 5.8 mijë vota të tjera shtesë. Me kaq diferencë midis palëve shanset për ndryshim midis tyre janë pothuajse minimale, ndaj vëmendja e tyre kryesore është përqendruar tek vota e FRD dhe LSI-së.

AK në Lezhë ka strukturë, por pa ndikim të pritshëm në raportet e reja të ndarjes së mandateve. Lidhur me FRD: në dallim nga të gjitha qarqet e tjera, FRD në Lezhë ka aplikuar modelin e konkurrimit të brendshëm, me idenë se kandidati që merr përqindjen më të lartë vendoset në krye të listës finale, duke aplikuar dorëheqjen e kolegeve nëse del e nevojshme.

Kjo praktike pozitive për zgjerimin e garës dhe rritjen e konkurrencës mund të mbledhë më shumë vota sesa në rastin klasik të fushatës për vetëm një kandidat. Kryesuesi i listës është ish kryetari i komunës Shëngjin, Gjergj Ivanaj, me përvojë të gjatë politike dhe elektorale.

Vlen të theksohet gjithashtu se njëri prej kandidatëve të FRD-së (Kulli) ka provuar më parë garën si i pavarur në komunën e Fushë Kuqes dhe ka fituar rreth 21% të votave.
 
FAKTORI LSI DHE EKSPERIMENTI I LEZHËS

Kandidimi i bashkëshortes politikane të kryeartit të LSI Meta në Lezhë i bën zgjedhjet në këtë qytet, specifike. Me gjithë fushatën në dukje harmonike, PS është e interesuar që LSI të mos marrë asnjë mandat në Lezhë.

Vendosja e zonjës Kodheli përbën një përgjigje direkte për kandidaturën e Kryemadhit, për më tepër kur ajo ka qenë një nga figurat e njohura në spotet televizive anti-LSI në prag të zgjedhjeve të vitit 2005 dhe 2009. LSI e bazon suksesin e saj tek puna e kryebashkiakut Viktor Tushaj.

Ai kandidoi më 2005 për deputet dhe fitoi 1.7 mijë vota, kandidoi më 2007 në bashkinë Lezhë në emër të koalicionit të majtë dhe fitoi me 1.3 mijë vota, kandidoi më 2011 në emër të koalicionit të djathtë dhe përsëri fitoi me diferencë 300 vota.

Aktualisht ai është një kryetar bashkie i zgjedhur nga votat e PD dhe LSI, por që shkon në zgjedhjet parlamentare me koalicionin PS-LSI kundër PD. Të dhënat në vite nuk flasin për një ndikim të madh të tij, gjithsesi mbetet për tu provuar.

LSI në Lezhë më 2009 fitoi 2500 vota duke pasur kandidat kryesor ish deputetin e PAA, Petrit Gjoni, i cili aktualisht është numri dy i listës proporcionale lokale. Fushata elektorale e LSI në Lezhë dominohet nga praktika e klientelës, harxhime të mëdha financiare dhe përpjekja për ta paraqitur fakt të kryer sigurimin e një mandati, gjë që në kushtet praktike rezulton të jetë një objektiv shumë i vështirë.

Tradicionalisht votuesit e qarkut të Lezhës kanë qenë skeptik ndaj forcave të vogla politike dhe vetë fakti se 21 janari ka një lidhje me Lezhën dhe LSI ka ndikimin e vet edhe në perceptimin kritik të fushatës së saj lezhjane.
 
NJË QARK ME POTENCIAL TENSIONI DHE DEBATI ZGJEDHOR

Pothuajse të gjitha proceset zgjedhore, sidomos ato parlamentare, janë shoqëruar me situata tensioni në zona të caktuara. Më 2001 dy zona ndryshuan fituesit përmes mekanizmit të ndërhyrjes së pushtetit, më 2005 gjithashtu pati incidente dhe ndërhyrje, më 2009 politika vendosi të kërkojë kandidatë me potencial sa për ta fituar aq edhe për ta ruajtur votën, kurse më 2013 palët kanë vendosur në lista persona me potencial të madh konflikti.

Problemet e zgjedhjeve shfaqen edhe në disa aspekte të tjerë me ndikim në rezultat, siç janë votat e pavlefshme apo rritja e fiktivitetit të pjesëmarrjes në zgjedhje.

Në zgjedhjet e fundit lokale në këtë qark, skandalet që lidhen me pjesëmarrjen fiktive të votuesve që figuronin jashtë vendit çuan në procese të shumta gjyqësore dhe në pranimin nga të gjitha palët të këtij fenomeni.

Tipari i përqindjes së lartë të votave si në zgjedhjet parlamentare ashtu edhe në ato lokale është sidomos për zonën e Mirditës, ku pjesëmarrja arrin 8-10% më e lartë sesa në zonat e tjera zgjedhore të qarkut.

Më 2009 gjithashtu të dhënat zyrtare dështojnë se qarku Lezhë ka një përqindje të lartë të votave të pavlefshme, rreth 2,292 vota, një shifër e lartë në një zonë ku kjo shifër votash mund të sillte ndryshime në leximin përfundimtar të mandateve. Problem i tretë mbetet fenomeni i blerjes së votave.

Ky fenomen është zgjeruar më 2013 nga kandidatë të cilët publikisht kanë aplikuara taktika të tilla joligjore, por që mund të kenë efekt në leximin përfundimtar të votave.
 
FAKTORËT NË FAVOR TË QEVERISË

Argumenti kryesor i mazhorancës është argumenti krahinor dhe lidhja tradicionale e të djathtës me këtë qark. Kryeministri Berisha dhe kryetarja e parlamentit e kanë përdorur këtë argument në çdo zgjedhje, përfshirë zgjedhjet e tanishme. Vetë Lezha e ka një ministër në qeveri, gjë që e ndihmon të ngrejë problematikën e saj në nivele të larta politike dhe ekzekutive.

Argumenti i dytë pozitiv për qeverinë janë investimet lokale, sidomos në zonat e komunave. Ka pasur një strategji aktive për investimet në infrastrukturë, me idenë se komunat e Lezhës kanë potencial më të madh sesa bashkitë për votë dominuese, gjë që faktikisht ka ndodhur disa herë gjatë tranzicionit.

Investimet lokale ndikojnë edhe për shkak se gjatë qeverisje së majtë ky qark ka qenë kryesisht jashtë prioriteteve politike. Për më tepër, Lezha është një nga qarqet më të vizituara kohët e fundit nga kryeministri (vetëm në Shëngjin ka bëre 3 vizita).

Një argument shtesë lidhet me dobësinë në listën e kandidatëve të opozitës, sidomos në cilësinë e saj. Retorika e kryeministrit kundër kandidatëve nominalë të opozitës apo përpjekjeve të saj për të tërhequr figura të biznesit lokal, mund të bëjnë efekt në një zonë të njohur tradicionalisht për hierarkinë e familjeve të mëdha dhe me imazh pozitiv.

Një motiv tjetër është tërheqja e medias dhe orientimi i saj pro përfaqësimit qeveritar në Lezhë. Kjo ndodh kryesisht për shkak se grupe të njohura mediatike kanë arritur të imponojnë kandidatë fitues në listën e mazhorancës dhe kanë interesa/investime strategjike në sektorë të turizmit në bregdetin e qarkut të Lezhës.

Ideja se fati i zgjedhjeve paracaktohet në Tiranë dhe se çdo i zgjedhur është nënprodukt i këtij lobingu, e bën garën lokale më pak konkurruese dhe u jep mbështetje kandidatëve të mbështetur nga qeveria.

Së fundi, në dallim nga kryetarët e bashkive socialiste në rrethe të tjera, në Lezhë kryebashkiaku nuk ka ndërmarrë ndonjë akt politik kritik me qeverinë. Ai ka qenë produkt i marrëveshjes PD-LSI dhe si i tillë, tenton të jetë sa më larg valës politike elektorale, gjë që praktikisht shkon në favor të mazhorancës dhe fushatës së saj agresive lokale.

FAKTORËT NË FAVOR TË OPOZITËS
PD ka pasur një bilanc negativ përfaqësimi në 4 vitet e fundit. Fakti se ajo ka ndryshuar tërësisht listën e kandidatëve duke lënë jashtë dy pedagogë dhe një mjek dhe duke i zëvendësuar ata me ish kryetarin lokal të PS, ish deputetin Bumçi dhe dy figura të reja pa përvojë politike, e bën përfaqësimin e saj elektoral të brishtë dhe eksperimentin të rrezikshëm.

Sikur PS të ishte përgjigjur me një listë më dinjitoze, atëherë me siguri PD do të kishte humbur lehtësisht një mandat. Rikthimi i ministrit Bumçi në Lezhë nuk ka më shkëlqimin e vitit 2005 dhe kjo reflektohet edhe në fushatë.

Një faktor tjetër negativ për PD është fakti se në katër kandidatët e parë të listës, tre janë nga Lezha. Deputeti Kadeli mund të sjellë vota të majta, por nuk mund të zgjerojë votat e të djathtës.

Zonja Deda përfaqëson Mirditën, e cila pas problemeve të mëdha në zgjedhjen e kryetarit lokal, ikjen e disa figurave të njohura drejtuese, nuk ka më forcën e dikurshme politike. Zgjedhja e ish trainierit Bici mund të ketë gjithashtu kosto, edhe për shkak se dy javë përpara se të ishte në listën e PD, ai kishte kandiduar për një parti tjetër aleate.

Hyrja e tij i dedikohet më shumë miqve në Tiranë sesa dëshirës së elektoratit dhe strukturave në bazë. E fundit, lënia pa përfaqësim e Laçit/Mamurrasit (e para herë në 20 vjet) duke e kaluar emrin e tyre në vendin e pestë, mund të ndikojë në rënien e entuziazmit dhe besimit se ky qytet bastion do të mund të ketë një vend në listën e deputeteve të ardhshëm të PD.

Në favor të opozitës shkon edhe rivaliteti i brendshëm midis PS e LSI për mandatin e fundit. Kjo garë paralele tregon se Lezha, Laçi, Rrësheni e Rubiku janë në fushatë aktive në favor të opozitës, pavarësisht rivalitetit të brendshëm të saj.

Për më tepër, premtimi i PS se ministrat e ardhshëm nuk do jenë deputet dhe se kryesuesja e listës së qarkut, zonja Kodheli, do të jetë ministre paraqet një garanci numerike që edhe përfaqësuesi i Mirditës në listën shumëemërore, Ndrec Dedaj, të ketë shanse për mandat parlamentar.

Si për ta kompletuar këtë çeshtje me rëndësi përfaqësimi, PS vendosi në Tiranë në vend të sigurt një tjetër figurë politike nga qarku i Lezhës, ish kryetaren e minibashkisë nr. 1, Lindita Nikolli, e cila gëzon një imazh pozitiv në vendlindjen e saj.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Turizmi/A jeni të kënaqur me shërbimet dhe çmimet që gjeni në zonat turistike?



×

Lajmi i fundit

John

Plagosi 2 persona, Aldo Gjini në kërkim nga EUROPOL për tentativë vrasje, trafikim armësh dhe municionesh luftarake! I arrestuar edhe në 2016 në Itali për shpërndarje droge