Qeveria "Rama", 3 vendime pasi
u betua dhe miratua me 82 vota

Qeveria u betua dhe miratua me 82 vota">
TIRANE-  Shqipëria ka tashmë Qeverinë e saj të re të votuar në Kuvend dhe të betuar edhe para Presidentit të Republikës. Madje, ajo ka marrë këtë mbrëmje edhe tre vendimet e saj të para. Lexo: Tre vendimet e para të Qeverisë "Rama"

Betimi i kabinetit të drejtuar nga Edi Rama është kryer në orën 18:05 në Presidencë, i shfaqur në mënyrë ekskluzive nga tv "A1Report!" gjatë gjithë kohës brenda sallës ku u zhvillua. Lexo: Betimi tek Presidenti i Republikës

Pas betimit, kabineti qeveritar i është drejtuar më këmbë, Kryeministrisë, hyrja e së cilës kishte sot një paraqitje skenike. Rama dhe kabineti i tij u ngjitën në shkallët e Kryeministrisë dhe aty, kreu i ri i Qeverisë iu drejtua qytetarëve të mbledhur jashtë godinës me një fjalim. Më pas, i tërë ekipi qeveritar hyri në selinë e Qeverisë, ku zhvilloi një mbledhje të shkurtër pa praninë e medias.

Në hyrje të Kryeministrisë, mbi shkallët e saj, Rama, në krye të kabinetit dhe me Gardën e Republikës të rreshtuar në formë gjysmërrethi,  i drejtoi qytetarëve shqiptarëve një mesazh:

"Me shumë mirënjohje për ata 1 milion shqiptarë dhe shqiptare, nga Tropoja deri në Konispol, që në 23 qershor votuan “Aleancën për Shqipërinë Europiane”. Por edhe respekt, po njësoj, për të gjithë ata që në 23 qershor nuk e votuan “Aleancën për Shqipërinë Europiane”.

Qeveria e re, që sapo është betuar, është qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe do të qeverisë për të gjithë shqiptarët. Ne jemi zgjedhur për të bashkuar jo për të ndarë. Ne do të bashkojmë, nuk do të ndajmë. Ne jemi zgjedhur për të shërbyer dhe jo për të rrëmbyer dhe ne do të shërbejmë dhe do të jemi shembull në luftën kundër padrejtësisë dhe korrupsionit. Ne jemi votuar për t’i dhënë të gjithë së bashku Shqipërisë sonë të dashur, atdheut tonë të përbashkët, energjitë që të ecë më shpejt për një Rilindje Shqiptare dhe të mos humbasë vite të tjera pa fund në rrugën drejt ëndrrës së Shqipërisë Europiane, drejt Bashkimit Europian, drejt përmbushjes së atij amaneti që vjen nga larg dhe që është edhe misioni ynë.

Ne, me shumë përulje, ju themi të gjithëve se Rilindja që duam nuk mund të vijë brenda natës dhe se për Rilindjen që duam, ne, kemi nevojë për të gjithë.

Prandaj, ne do qeverisim me njerëzit dhe për njerëzit. Për ne, këtu mbaron koha e fjalëve në opozitë dhe fillon koha e punës në qeveri. Puna e opozitës është fjala, fjala e qeverisë është puna.

Duke ju falënderuar që të gjithëve, unë ju siguroj edhe njëherë tjetër se këto zyra dhe të gjitha zyrat do të jenë tonat, por pushteti do të jetë përsëri i juaji. Shumë faleminderit edhe një herë të gjithëve ju, të gjithë atyre që na dëgjojnë në të gjithë Shqipërinë dhe të gjithë bashkë atdhetarëve tanë kudo që janë.

Ëndrra ka filluar në dhjetor të vitit 1990 me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe ne jemi këtu për këtë ëndërr, që duhet të vazhdojë dhe do të vazhdojë më e gjallë dhe më e fuqishme se asnjëherë "- përfundoi Kryeministri dhe i gjithë ekipi qeveritar hyri në godinën e Qeverisë për herë të parë.

rama kryeministria
(Në foto: Rama i drejton një mesazh, shqiptarëve para se të hyjë në Kryeministri)

BETIMI TEK PRESIDENTI, PAS VOTEBESIMIT DHE DEBATEVE DY-DITORE
Betimi tek Presidenti Bujar Nishani u bë rreth një orë pasi Kuvendit miratoi me 82 vota pro dhe 55 kundër, Qeverinë dhe Programin "Aleanca për Shqipërinë Europiane" të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama.

Tre votat që mungonin ishin të ish-Kryeministrit Sali Berisha; kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe deputetit demokrat të Lezhës, Mhill Fufi, që ende nuk ka bërë betimin. Berisha e deklaroi gjatë diskutimit të tij sot se nuk do ta votonte një Program që nuk ishte i plotë dhe nuk përfshinte të gjitha premtime e bëra në fushatë.

Kuvendi i ka rinisur sot punimet në orën 9:25, pas mbi 15 orë diskutimesh të zhvilluara dje e që u mbyllën në mesnatë. Sot, në orën 16:15 minuta, pas fjalës së Kryeministrit Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka hedhur në votim Programin dhe përbërjen e Qeverisë "Aleanca për Shqipërinë Europiane", duke kundërshtuar pretendimet e opozitës për të replikuar. Më pas, Qeveria dhe Programi i saj janë votuar duke sjellë duatrokitjen e deputetëve të majtë dhe zbritjen e Ramës në sallë për t'u takuar me ta. 

Tani, në orën 18:00, kreu i Qeverisë dhe kabineti i tij do të bëjnë betimin tek Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe po sonte, kabineti qeveritar do të zhvillojë mbledhjen e parë të Qeverisë në selinë e Këshillit të Ministrave. 

Nesër, Kryeministri Edi Rama me disa ministra, do të udhëtojë drejt Brukselit për të prezantuar Programin e Qeverisë shqiptare për vitet 2013-2017 dhe garantuar mbështetjen e institucioneve të BE-së për reformat dhe integrimin në BE.

Ka qënë pikërisht Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, ai që i ka dhënë urimin e parë Qeverisë "Rama", menjëherë pasi ka dalë nga Kuvendi. E po ashtu, Sequi ka shprehur besimin se me reformat e parashikuara në program, rruga e Shqipërisë drejt Brukselit do jetë më e arritshme.
Lexo: Sequi uron Ramën: Rruga drejt BE, më e arritshme

Po ashtu, i menjëhershëm ka qënë edhe urimi i Ali Ahmetit, kryetarit të BDI-së në Maqedoni, nëpërmjet Fb. Lexo: Ali Ahmeti uron Kryeministrin Rama

Sapo përfundoi votimi në Kuvend, ka reaguar menjëherë Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga selia Lexo: E vetmja Qeveri që starton pa program pune."
 
Gjatë ditës së sotme kanë diskutuar shumë deputetë të opozitës, të cilët e kanë konsideruar dokumentin e paraqitur jo si Program.

Seanca e djeshme e qeverisë për programin zgjati rreth 15 orë. Seanca plenare e ditës së djeshme nisi paraditën e së shtunës në orën 10:00 dhe mbaroi të dielën në orën 01:00. Lista e gjatë e diskutantëve në seancën e djeshme parlamentare bëri që seanca të zgjaste për rreth 15 orë. Në listën zyrtare të Kuvendit ishin regjistruar për të diskutuar me nga 20 minuta secili, 45 deputetë të djathtë, ndërsa nga e majta ishin regjistruar 54 deputetë. Lexo: Debati i djeshëm në Kuvend

ORA 16:13 META: 137 DEPUTET TE PRANISHEM, NISIM VOTIMIN PER QEVERINE DHE PROGRAMIN
Kryetari i Kuvendit jep prezencën: 137 deputetë të pranishëm. Nis votimi per dy projektvendime: Projektvendim për Programin dhe përberjen e Këshillit të Ministravenga 137 deputetë pjesëmarrës, miratohet me 82 vota pro, 55 vota kundër, 0 abstenim!

ORA 15:41 RAMA: KY ESHTE PROGRAMI I KOALICIONIT, NJEREZ PREJ QEVERIVE ME TE RENDESISHME TE PLANETIT
Kryeministri Rama, para votimit në Kuvend, mbajti fjalimin e fundit lidhur me Programin. Ai tha:  "Unë i ndoqa me shumë vëmendje, deri në fund leximet dhe këndimet e opozitës për programin përgjatë të cilave, më lejoni ta them u ndjeva si në klasën e një shkolle nate.
Mirë kundërshtarët, po një popull i tërë, si ka mundësi që s’i paska parë tërë ato suksese, që opozita i rreshtoi, duke na akuzuar ne për verbëri, nihilizëm, e të tjera me radhë, madje edhe për antishqiptari?!
E dyta, e pashmangshme, si ka mundësi që recituesit e sotëm opozitarë të kenë qeverisur deri dje jo pak, 8 vjet këtë vend, me këtë nivel të të kuptuarit të gjërave, që ma ha mendja edhe tek Universiteti “Vitrina” e kanë të vështirë ta përkthejnë në diplomë pa i dhënë edhe lekë në dorë.
Të tjetër përsëritën se ne nuk paskemi fituar, Rilindja nuk qenka votuar, përderisa Partia Socialiste forca e parë në këtë vend, me diferencë shumë të thellë me Partinë Demokratike, nuk paska marrë e vetme mbi 51% të votave.

Ju ishit forcë e dytë në 2009 dhe ishit triumfues mbi “etërit”, ndërsa sot që ne jemi forcë e parë në një përqindje që është më e larta në zgjedhjet parlamentare në Europë për një forcë të parë qeverisëse, ju keni kurajën të thoni se nuk paskemi fituar. Por, nuk keni faj, ia u thashë edhe dje. 1 milionë shuplaka janë shumë.

Foli edhe dikush, për qeveri bashkëkryeministrash, në vazhdën e përpjekjes për të thënë se Partia Socialiste nuk ka fituar dhe se ne kemi dy kryeministra. Dua t’ua them unë, që mos lodheni ju; Që padyshim “Aleanca për Shqipërinë Europiane” ka dy forca kryesore dhe dy liderë të tyre, njëri Kryetar i Kuvendit, tjetri Kryeministër dhe që të dy bashkëdrejtues të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”.

“Aleanca për Shqipërinë Europiane” ekziston dhe është votuar për të qenë sinteza e fuqishme e dy partive, që kanë rigjetur njëra-tjetrën tek e njëjta forcë, kanë marrë një mandat të fortë për të rilindur Shqipërinë, duke ecur më shpejt drejt ëndrrës europiane.

Kishte një kryefjalë në gjithë jermin tuaj, mes ëndrrës së sukseseve imagjinare dhe zhgjëndrrës së dhimbshme të 23 qershorit. Kryefjala ishte që ky nuk është program, s’ka shifra, s’ka afate, s’ka shpjegime si do bëhen ato që thuhen, ka pak faqe të shkruara, ka shumë faqe me ngjyra. Pse ka fotografi? Po shqiponja pse s’ka dalë mirë në fotografi?

Tani ju lutem, do t’u vij në ndihmë se po flas për programin. Edhe ju i shkollës së natës dëgjoni se kapni ndonjë gjë ditën. Tani dua t’ju vij në ndihmë. Dua t’ju vij në ndihmë që ta mësoni për herë tjetër, se do keni prapë programe për të diskutuar këtu dhe mos ikni më nga salla.

Problemi juaj nuk është që besoni atë që lexoni, problemi juaj është që nuk lexoni

Po ju jap edhe një provë që nuk jam unë, nuk jemi as ne pre e paaftësisë për të dëgjuar. E përshëndes kolegun deputet të opozitës, Dashamir Shehin.  I nderuar zoti Shehi, unë jam dakord me ju. reforma territoriale është domosdoshmëri historike për Shqipërinë dhe jetike për ecurinë e punëve të vendit. Bujrum zoti Shehi. Ne jemi në kërkim të ethshëm të partneritetit me opozitën në këtë drejtim, sepse kjo është një reformë themelore e shtetit dhe nëse kemi parashikuar një afat të gjatë për ju, 2015-ën, kjo vjen edhe sepse ne e dimë që kjo kërkon një shumicë përtej shumicës së cilësuar që kemi ne, një shumicë kushtetuese. Prandaj jeni i mikpritur dhe i mirëpritur në qeveri për të filluar qysh këtë javë me diskutimin paraprak për metodologjinë e kësaj reforme. Ashtu siç janë të mikpritur dhe të mirëpritur edhe përfaqësuesit e PD-së, të PDIU-s, të PR-së, të PDK-së, për t’u ulur qysh tani në tryezën e kësaj reforme që do të startojë nën drejtimin e ministrit për Çështjet Vendore.

Ne duam t’i japim fund kalvarit 20 vjeçar të pronës, të pronarëve, të fermerëve e të bujqve, të të ardhurve që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në zonat informale të qyteteve të mëdha. Duam t’i japim fund edhe kalvarit të pronës publike, për Shqipërinë që s’mund të rilindë pa mbaruar ky kalvar dhe për Shqipërinë europiane që as mund të imagjinohet jo më të ndërtohet pa kaluar nga zgjidhja e çështjes së pronës dhe nga marrja e kontrollit të shtetit mbi territorin e këtij vendi që është bërë shesh ku gjithkush bën një përshesh.

Ju flisni për kabinet privat, madje paska tre kushërinj të mitë në qeveri, nuk e di kush është i dyti dhe i treti po nuk kam qenë ndonjëherë sekretar partie i Enver Hoxhës dhe s’di të shikoj biografitë e njerëzve, po di që një është referencë për zonjën Harito dhe duke qenë se kjo u bë referencë publike, unë ia kërkova zonjës Harito ndihmën për të marrë vesh se ku lidhen degët tona, sepse asnjëherë nuk e kemi njohur njëri - tjetrin si kushëri dhe nuk jemi njohur për kushëri. Kjo është pema e familjes së nënës sime. Kjo është për sekretarin e partisë që mungon. Dhe lidhja e degëve kushërore shkon në vitin 1700-1720. Unë nuk e di a keni ju që merreni me kushërinjtë e botës ndonjë pemë familjare që zbret pas në shekuj, për të parë sa kushërinj jeni këtu me njëri - tjetrin. Po kështu në sy të parë janë më tepër se kushërinj një çift i vjetër politik këtu në sallë se sa unë me zonjën Harito. Dhe më duket se nga të gjithë ju dalja në opozitë atij çifti i ka ardhur për mbarë se ulen bashkë si në një stol te parku i parlamentit dhe hyjnë e dalin me njëri tjetrin.

Po në fakt, të vijmë te thelbi. Kjo është një qeveri e zgjedhur nga 1 milion shqiptarë për t’i dhënë fund një qeverisjeje me natyrë familjare me karakter klanor dhe me frymë klienteliste. Një pyetje kam unë. Unë si Papandreu? Që të hymë në këtë diskutim duhet menjëherë që ata që më parashohin fatin politik të Papandreut madje nga maja e drejtimit të deri pardjeshëm të shtetit të pranojnë se po e lënë Shqipërinë po aq të minuar sa ç’ishte Greqia që gjeti Papandreu.

Lidhur me gjoja shpërfilljen e Ibrahim Rugovës gjatë vizitës time në Prishtinë. Kjo është një sajesë e të njëjtit burim që sajoi shpifjen më monstruoze kundër UÇK-së dikur. Ju dhe ata që bëjnë ankesa të tilla primitive, qesharake, Ibrahim Rugovës i doni emrin që të rrisni emrin tuaj kur merreni me emrin e tij. Ndërsa unë Ibrahim Rugovës i adhuroj veprën për të cilën shkova u përula tek varri i tij në Prishtinë me qeverinë dhe siç kam shkuar të përulem sa herë e kam vizituar Prishtinën,"- përfundoi Rama. Lexo: Fjala e Kryeministrit Edi Rama

ORA 15:25 RUÇI: OPOZITA NA LA GJYSEM ORE KOHE PER PYETJE, SOT KA 16 ORE QE DISKUTON
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, e nisi fjalën e tij duke i kujtuar opozitës, mënyrën sesi e diskutoi ajo programin e saj 8 vjet më parë dhe sa hapësirë i dha opozitës në kohë. "Ju kujtoj se në 2005-ën, seanca është hapur në orën 18:00 me paraqitjen e Programit. Na latë vetëm gjysëm ore për të bërë pyetjet; vetëm një orë kohë, kabinetit qeveritar për të kthyer përgjigjet dhe menjëhërë në orën 20:00 keni nisur debatin deri në orën 1.00. Të nesërmen bëtë pushim dreke, e hapët seancën në orën 14:00. Në orën 21:00 keni bërë votëbesimin, kurse ne ju dëgjuam 16 orë me qetësi. Kjo ishte e vërteta e parë.

E dyta ishte seanca e paraqitjes së Programit nga ana e Ramës. Si nuk duruat tetë minuta pasi e kërkuat tetë vjet?! Çfarë u tha? E Rama nuk tha asnjëhërë “unë” por “mazhoranca ime” në fjalën e tij.
 
ORA 15:10 PALOKA: ZYRA E RAMES NE VLORE, SI VAKEF
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi paloka, tha: "Po shihja atë që ndodhi pak ditë më parë me një grua që hynte në zyrën e deputetit në Vlorë. “E zgjidha” tha kur doli. Dukej sikur ishte zbuluar ndonjë vakëf, sepse atje mjaftonte të hyje, shprehje dëshirën dhe dëshira realizohej. Nuk është për duatrokitje, por është fatkeqësi. Më kujtohej kur njerëzit hynin tek Sudja, ku linin njerëz, kurte tek ky njeri linin besimin. Unë isha nga ata njerëz që para zgjedhjeve kisha besimin se njerëzit nuk do ta votonin Ramën dhe s’do ta besonin atë, por gabuam. Nje pjëse e shqiptarëve e besuan Ramën! Kur znj.Bregu i tregoi Ramës se ka kopjuar faqet e integrimit, ky e pa me inat Ditmirin, sepse nuk i kishte treguar atë që kishte kopjuar. Sado i gjatë të jetë Rama, ai nuk do t’i vijë Berishës as deri tek mesi, do mbetet inferior ndaj tij, sepse Berisha firmosi shumë për Shqipërinë. Ministër të Jashtëm bëri atë që nuk la gjë pa bërë për të penguar integrimin. Ministër të Financave, një fosil të PPSH-së, që dje e theu heshtjen duke thënë “Do t’ia marrim hajdutëve.” Harrova edhe ministrin e “Qofteve”.
 
ORA 15.05 META: PROGRAMI DO TË REALIZOHET
Kreu i LSI-së njëkohësisht edhe kreu i Parlamentit ka shprehur mbështetjen për qeverinë e re. Duke folur në emër të grupit parlamentar të LSI-së, Meta tha se, “shpreh mbështetjen e plotë të qeverisë së Re me kryeministër Edi Ramës. Kjo qeveri ka mundësi për të plotësuar premtimet e dhëna. Kjo qeveri përbëhet nga anëtarë të rinj që do të vënë të gjitha energjitë për zbatimin e programit”
Për Metë, fakti që në qeveri ka shumë femra është një arritje. “Ka më shumë zonja dhe duke u uruar suksese të gjithë atyre, shprehim dëshirën që kjo gjë të reflektohet në të gjitha nivelet e qeverisjes”.

“Jam i sigurt se edhe ata që kanë shkruar këtë program, sot do të reflektonin. Por nuk e kuptoj se si mund të atakohet një premtim realist ai i 300 mijë vendeve të punës, kur pala tjetër ka premtuar 250 mijë vende pune. E përmenda këtë për të thënë që nuk ka program apo qeveri perfekte. Aftësia është për të qëndruar çdo ditë më këmbë në tokë dhe për të  reflektuar për të përmirësuar vetveten. Ndaj unë besoj se duke qenë të hapur ndaj kritikave, nga opozita, brenda vetes, shoqëria civile, media, grupet e interesit ne do të arrimë të përmirësohemi çdo ditë për të përmbushur objektivat e marra”, theksoi Meta.

Sipas tij, “vendi ka nevojë për reforma kyçe, si reforma administrative. Hajde të bashkojmë vullnetin që ti japim vendit një reformë efikase. Reforma mjaft të rëndësishme në fushën e drejtësisë. Drejtësia është një fushë ku pa bashkëpunimin mes maxhorancës dhe opozitës e aktorëve të tjerë nuk mund të jenë të sukseshëm”.
Meta foli edhe për integrimin e vendit. “Do ti ftoja në mënyrë të veçantë kolegët e PD-së, me të cilën LSI bashkëqeverisi në interes të integrimit, ku ka pasur arritje të kufizuar i ftoj të kountribojnë në këtë proces për vendin, qytetarët tanë, jo vetëm për socialistët por edhe për demokratët. Ne duke të mësojmë nga gabimet e njëri-tjetrit”.

Sipas kreu të LSI-së, “në fokusin e kësaj qeverie është punësimi që nuk mund të arrihet nëse nuk bëhet një reformë e modelit ekonomik e duke i dhënë prioritet prodhimit vendas, uljes së importeve dhe rritjes së eksporteve. Gjatë fushatës nuk jam angazhuar për rritje rrogash. Vëmendja jonë kryesore do të jetë në drejtim të mbrojtjes së vendeve aktuale të punës dhe hapjen e vendeve të tjera të punës. Përmes tre kollonave, transparencës, llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes kjo mazhoranca do të arrijë ta realizojë këtë program dhe do të jetë suksesi i të gjithë shqiptarëve. Ne i kemi të gjitha mundësitë që të mësojmë nga gabimet e të tjerëve”.

ORA 14:53 AMBASADORI SEQUI MBERRIN NE KUVEND
Disa minuta përpara përfundimit të diskutimit të deputetëve për progamin e qeverisë, dhe vijimin me procesin e votimit, në Kuvend ka mbërritur edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi.

ORA 14:45 DEPUTETI SALI BERISHA LE SALLEN E KUVENDIT
Ndërkohë që kreu i Kuvendit lajmëroi deputetët të jenë të pranishëm në sallë në orën 14:30-15:00 pasi me përfundimin e diskutimeve do të votohet qeveria e re, deputeti i PD, Sali Berisha, është larguar nga seanca.

ORA 14:20 OERD BYLYKBASHI: PROGRAMI I QEVERISË, PA VIZION
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, e ka quajtur pa vizion programin e qeverisë, i cili po diskutohet në Parlament në një seancë maratonë. Sipas tij, kryeministri i zgjedhur Edi Rama, po i kërkon parlamentit t’i japë një mandat pa reforma dhe pa projekte.
 
“Programi i qeverisë duhet të japë jo vetëm vizionin dhe projektin e asaj që do të bëjë, por edhe duhet të tregojë sesi do ta realizojë këtë. Edi Rama po i kërkon parlametntit t’i japë një madant të bardhe pa masa, pa reforma, pa realizime. Kjo është shqetësuese. Pasi votëbesimi për këtë prograsm do t’i japë atij një alibi përfekte për gjëra që ai do të bëjë pak, përgjysmë, apo aspak. Ky program është 2 herë mashtrues”, tha Bylykbashi.
 
Duke përmendur arritjet gjatë qeverisë Berisha, Bylykbashi tha se këto janë premtime të mbajtura, ndërsa kërkoi mbajtje të premtimeve edhe nga qeveria Rama.
 
“Një burrë shteti premton diçka, dhe fjalës i bashkangjit veprimet, duke i bërë ato realitet. Këtë gjë bëri Berisha, duke i bërë realitet ato që ka premtuar. Nuk ka treguar asgjë konkrete për premtimet për uljen e taksave, për shëndetësinë falas. Me këtë mandat që po merr kjo qeveri nga deputetët e saj e jo nga qytetarët. Ju erdhët në pushtet falë zgjedhjeve të lira që i organizuam ne, dhe ju tentuat t’i vidhni, siç ndodhi në Lezhë”, u shpreh Bylykbashi.

ORA 14:05 BERISHA: BETEJE NESE S’MBAHEN PREMTIMET, BLUSHI: MOS BESO ÇDO GJE QE LEXON NE PROGRAM
Deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha replikoi sërisht lidhur me programin e qeverisë së re, duke theksuar se nuk do të votojnë atë nëse nuk është i plotë, dhe nuk përfshinet të gjitha premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale. Duke iu drejtuar deputetit Ben Blushi, ish-kryeministri Sali Berisha, tha se ai nuk mund të premtonte ato që s’mund të realizonte”, ndërsa shton se “Blushi e ka dorëzuar mandati, por Rama s’e ka pranuar si ministër”.
 
Ndërsa thekson se opozita do të vijojë betejën në Parlament, deri në plotësimin e premtimeve të dhëna qytetarëve shqiptare, nga qeveria e re gjatë fushatës së 23 qershorit.
 
“Nuk merrem me ato që tha për partinë e tij. Harroje ti se është i mundur, është i pathyeshëm, i pamposhtur. Ju garantuam në fushatë elektorale të zgjidhnit në dy alternativa, në premtimet e mia dhe tjetra ishte në shëndetësinë falas, legalizime falas, por unë nuk mund t’i premtoja. Ti e ke dorëzuar mandatin, por stë ka pranuar si ministër. Filloi breshëria antiglobaliste. U thatë shqiptarëve do ulin çmimet, do ulim taksat, që do ketë shëndetësi falas. Këto zotëri janë premtime që duhet t’i realizoni. Themeli është dinjiteti njerëzor. Njeriut çdo gjë mund t’i bësh, por nëse i shkelmon dinjitetin e keni rrëzuar. Jemi parti e lirive dhe dinjitetit njerëzor. Ju thashë se do e votoj programin nëse e sillni të plotë, nëse nuk plotësoni premtimet do ketë betejë”, tha Berisha.
 
Por pas këtij reagimi, nuk ka munguar edhe replika e deputetit Blushi, i cili duke iu referuar sërisht programit të qeverisë, i “këshillon” ish-kryeministri Berisha “të mos besojë çdo gjë që lexon në programin e qeverisë”.
 
“Mos i beso të gjithë ato që lexon qoftë edhe nga programi i qeverisë”, tha Blushi.

ORA 13:45 BEN BLUSHI: QEVERIA MOS MARRE BORXH, POR TË SHFRYTËZOJË PASURITË
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka vënë theksin tek niveli i borxhit në vend, duke theksuar se qeveria e re nuk duhet të marrë borxh, por duhet të shfrytëzojë më mirë pasuritë që ka vendi.
 
“Qeveria duhet të mos marrë më borxh në kurriz tonë siç është bërë deri më tani. Mund të lëmë borxhin duke administruar më mirë pasuritë tona. Mungesa e rentabilitetit në një sektor nuk është faliment i një sektori, por i atyre që janë caktuar për të administruar atë. Nëse i hyn debatit se çfarë do jetë private dhe çfarë publike, më të bindurit do të jenë ata që mbrojnë privaten. Në këtë Parlament mbroj të përbashkët, mbroj publiken. Duhet t’i jepen fund kulturës ku dhunohet individi. A i keni bërë pyetjen vetes pse nuk ka investime shqiptare në vende të tjera? Jo se nuk kemi para, por nuk kemi dije. Kërkoj që arsimi të kthehet në një investim strategjik në mënyrë që të jemi konkurrues. Kërkohet reformë kushtetuese dhe duhet të ketë diçka të tillë. Ideja jonë është një Shqipëri më e mirë, më e meritueshme, më mirë e jetueshme. Ky do jetë çelësi i kësaj qeverie”, tha Blushi.
 
ORA 13:20 GENC POLLO: QEVERIA E RAMES DO TË VOTËBESOHET
Deputeti Genc Pollo u ndal tek fjalea e mbajtur në Kuvend nga kryeministri i zgjedhur i Shqipërisë, Edi Rama, duke e quajtur lajthitje krahasimin qe ai i bën zgejdhjeve të 23 qershorit 2013 me rezultatin e zgjedhjeve të 22 marsit 1992. Sipas Pollos, PS në këto zgjedhje ka fituar me 0.2 % vota më shumë.
 
“Rama në fjalim e tij tha se, fitorja e 23 qershorit është e ngjashme me rezultatin e zgjedhjeve të 22 marsit të vitit 1992. Kjo është një lajthitje. Rezultati i votës popullore të partisë së udhëhequr nga zoti Rama i ka dhënë vetëm 0.2 përqind më shumë, apo një mandat minus citojnë kolegët. 1 milionë kanë votuar për mazhorancën e 700 mijë për opozitën, kjo nuk është një shumicë e madhe. Të kthehemi si opozitar për të mbrojtur interesin publik. Populli votoi, rezultati është në Kuvend. Qeveria e zotit Rama do të votëbesohet. Nihilizmi absolut për gjendjen që merr qeveria, nuk është Afganistani i 10 viteve më parë. Por është e kundërta, pasi Shqipëria nuk e ndjeu krizën që ka kapur fqinjët tanë dhe Europën. Jo të gjithë jemi deputetë prej shumë legjislaturash, ka të tillë ka dhe rishtarë, që është normal. Fjalë shkruesi i 1997 i kryeministrit të atëhershëm, është kryeministri aktual”, tha Pollo.

ORA 13:01 NAMIK DOKLE: PROBLEMATIK MBETET KORUPSIONI DHE ÇËSHTJA E PAZGJIDHUR E PRONAVE
Sipas deputetit Namik Dokle, programi i qeverisë së re quhet “Rilindje” pasi synon t’i japë zgjidhje problemeve të përditshme me të cilat përballen shqiptarët. Sipas tij, varfëria në vend shfaqet në niveke të larta edhe për shkak të papunësisë.
 
“Ironia e tyre vjen më së shumti me emërtimin e programit tonë, Rilindje. Ne e kemi emërtuar Rilindje, pasi do të zgjidhim problemet e shqiptarëve, të cilët nuk paguajnë dot ujin, dritat ilaçet. Kjo është rilindja që ne duam të arrijmë. Në këtë Kuvend disa kohë më parë ishte zonja Klinton e cila bëri disa pyetje që përgjigja e tyre do të thotë rilindje për këtë vend. Një nga pyetjet me të rëndësishme ka të bëjë me ekonominë e familjeve shqiptareve. Në qarkun e Kukësit, 71% e familjeve jetojnë me ndihmë sociale. Në të katër cepat e Shqipërisë, nuk ka dyqan pa librin e borxheve. Kjo është bërë më dramatike pasi libri i borxheve është futur edhe në farmaci. Së fundi në një auditim të bërë nga INSTAT bashkë me BB, janë shtuar më shumë se 28 mijë njerëz të varfër. Po shkojmë drejt gjysmë milionë njerëz të varfër”.
 
Po kështu, sipas Dokles, problematik mbetet fenomeni i korrupsionit në vend, si dhe çështja e pazgjidhur e pronave.
 
“Korrupsioni nga rastet ka shkuar në fenomen që rrezikon të bëhet në mënyrë jetese, pasi ka korrupsion kudo në çdo hallkë të shtetit. Edhe kjo nëse luftohet është pjesë e rilindjes. Pronat, kjo qeveria ka për të marrë masat konkrete për të zgjidhur këtë probleme. Në 20 vite për çështjet e pronës janë vrarë më shumë se 5 mijë njerëz. Çdo vite për pronën janë vrarë 400 njerëz. Për qeverinë e re nuk do të ekzistojë më termi ish-pronarë. Shqiptarët do të jenë pronarë të ligjshëm në prona të ligjshme. Ta shpëtojmë administratën nga presioni politik, pra kjo është rilindje. Figura e mësuesit, mjekut dhe policit të jenë tre figurat më të respektuara nga qytetarët dhe nëse këto figura do të bëhen më të respektuara atëherë kemi bërë Rilindje”, tha Dokle.

ORA 12:50 ARMANDO SUBASHI: MASAT E REJA DO RILINDIN DREJTESINE
Deputeti Armando Subashi ka vënë theksin tek sistemi i drejtësisë, duke u shprehur se më programin e ri synohet të rilindet ky sistem.
 
“Nuk do të pajtohemi me këtë situatë të sistemit të drejtësisë. Gjykatat tona nuk mund të vazhdojnë të jenë delja e zezë e drejtësisë, streha e kriminelëve dhe qeveritarëve, rrëmbyesja e pronave nga më të pasurit më të fortët. Masat e prezantuara nga ministrit i Drejtësisë do ta rilindin drejtësinë”, tha Subashi.
 
Sipas Deputetit Subashi, ngritja e Byrosë Kombëtare të hetimit do t’i japë hov luftës ndaj krimit.
 
“Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do ti jap një hov të madh luftës ndaj krimit. Do ti japim fund lojës së kungulleshkave, mes policisë, prokurorisë dhe gjykatës në rast të dështimit të proceseve penale. Nafta, kjo pasuri e madhe kombëtare është kthyer në një problem për buxhetin e shtetit. Albpetroli nuk prodhon asnjë litër naftë por mashtron me kontrata sezonale të militantëve të PD-së. Ku do i gjeni lekët na pyesni. Vetëm që nafta nuk përpunohet në Shqipëri, vendi humb 250 milionë dollarë, e këtu do i gjejmë lekët”, u shpreh Armando Subashi.
 
ORA 12:40 KASTRIOT ISLAMI: NE PROGRAM MUNGON LISTA E PROJEKTEVE MADHORE
Në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti Kastriot Islami u ndal tek bashkëqeverisja PD-LSi dhe tek programi i paraqitur nga kjo qeveri.
 
“Më duhet t'u kujtoj jo pa qëllim, disa pjesë të fjalës së zotit Meta, kur është miratuar qeverisja PD-LSI. “Kjo është qeverisja me shërbime më cilësore për qytetarët shqiptarë. Kjo qeverisje ka në thelb integrimin. Dua të falënderoj kryeministrin Berisha, për mirëkuptimin e plotë për futjen në program të prioriteteve të LSI”. Lidhur me materialin, doja të shtroja disa pyetje. A ka dallim mes këtij dokumenti dhe premtimet në fushatë. Premtimet elektorale janë më fryra se këto në këtë dokument. Shqiptarët duhet ta dinë se disa premtime i ka marrë era. A është ky material një program qeveri? Kam dëgjuar lloj-lloj epitetesh. Ky material nuk i plotëson gjithë kriteret për tu klasifikuar si program qeverisës e jo më si një program rilindjeje”, tha Islami.
 
Duke vijuar me tej, Deputeti Islami tha se në këto program mungon lista e projekteve madhore.
 
“Materiali që paraqitet në Kuvend është bazuar në nxirjen e realitetit. Ky nuk është program qeverie, pasi mungojnë disa gjëra themelore. Nuk janë të qarta mënyrat e arritjes së këtyre premtimeve. Mungon lista e projekteve madhore. Flitet shpesh për 1 milionë shuplaka. PS është në pushtet edhe pse nuk ka asnjë rritje. Në gjysmën e qarqeve ka rrudhje dhe në gjysmën tjetër një rritje modeste. Kjo ka ardhur nga rritja e LSI-së. Nëse LSI pranon të mbajë përgjegjësi për premtimet populiste të PS-së, atëherë programet janë integruar me njëri-tjetrin”, tha Islami.

ORA 12:30 ERMONELA FELAJ: PROGRAMI I QEVERISE, ZOTIM I PLOTE I PREMTIMEVE
Deputetja e Partisë Socialiste Ermonela Felaj tha se qeveria e re nuk do ndjekë mënyrat e punës së qeverisë paraardhëse, e cila sipas saj çoi në varfëri dhe korrupsion.
 
:Ne nuk jemi të gatshëm të ndjekim mënyrat tuaja të punës, pasi çoi në varfëri, korrupsion, krimi u rrit 8 herë, koncesionet e dështuara. Ajo qeverisje e ka marrë përgjigjen në 23 qershor, ku 1 milionë shqiptarë i dhanë fund cinizmit të tyre”, u shpre deputetja e PS.
 
Ndërkaq, Felaj tha se programi i qeverisë së re është zotim i plotë i premtimeve të bëra në fushatë.
 
“Programi qeverisës është zotim i plotë i premtimeve në fushatë. Në mbarë botën e qytetëruar ku duam të integrohemi populli kërkon punë dhe siguri. Koncesionet e dhëna kudo, energji, naftë dhe shërbime publike. Gjatë këtyre viteve është provuar se është mënyra më e shpejtë për ti marrë nën administrim. Ju i dekretuat qeverisjet vendore me buxhetet mjerane që i jepnit. Njihen publikisht shembujt e shumtë të shkeljes së ligjit gjatë dhënies së koncesioneve. Çdo abuzim me të mirat publike do të rishikohet. Kostot i ka mbajtur gjithmonë publiku. Për shkak të inatit të humbjes në zgjedhje mbase më shumë se çdo deputet i mazhorancës i numëruat të gjitha zotimet tona programore”, tha Felaj.
 
ORA 12:25 BERISHA: TE SHTYHET VOTIMI, META: RAMA DO SHKOJE NË BRUKSEL I VOTUAR
Ish-kryeministri Sali Berisha ka replikuar lidhur me programin e qeverisë i cili po diskutohet në një seancë maratonë në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas deputetit Berisha, në Kuvend nuk po diskutohet një program i mirëfilltë, pasi qeveria nuk ka paraqitur një të tillë për 100 ditët e para të qeverisjes. Për këtë, Berisha i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta të shtyhet votimi, në mënyrë plorësohet programi.
 
“Zoti kryetar siç po shkojnë punët këtu nuk po diskutohet për program dhe kabinet. Dinjiteti i vendit është dinjiteti i vendit. Kurrë nuk ka ndodhur këtu që një qeveri të mos vijë me një program 100 ditësh.
 
Propozoj që qeveria të marrë kohë, të shtyjmë punimet. 24 orë. Por pa 100 ditësh nuk ecet, nuk ka ndodhur kurrë. Ku është 100 ditëshi, ju lutem merrni kohën. Kërkoni dhe ndihmën e Fate Velos. Jemi të gatshëm të vijmë të diskutojmë për 100. Nga shkoi, ku është. Duhet 100 ditëshi.
Meta: Nuk besoj se ka nevojë për ta hedhur në votim. Zoti Berisha kërkon që Rama të shkojë në Bruksel si i dekretuar që seancën tjetër ta përmendë këtë fakt”, tha deputeti berisha.
 
Sipas kreut të Kuvendit të Shqipërisë një kërkesë e tillë për shtyrjes të vitmit nuk mund të pranohet, pasi kryeministri i zgjedhur Edi Rama, nuk mund të shkojë në Bruksel i pavotuar”.
 
Pas përfundimit të diskutimeve në Parlament mbi programin e re të qeverisjes 2013-2017, pritet të votëbesohet edhe programi i ri i qeverisë.

12:10 FLORION MIMA: KENI RASTIN PËR TA BËRË MË MIRË KËTË PUNË
Sipas deputetit Florion Mima, programi i qeverisë së re nuk parashikon një zgjidhje efikase, e cila do të mundësojë rritjen ekonomike të vendit.
 
“Shqipëria i bëri ballë krizës botërore, ndërsa programi i qeverisë nuk parashikon zgjidhje për rritjen ekonomike. Keni humbur rastin ta nisni si burrë shteti, pasi pak kortezi nuk i bën keq askujt. Të gjithë paraardhësit e tu e kanë kryer punën si përfaqësues të popullit. Zoti Rama, 4 vite kalojnë shumë shpejt dhe ju do ta kuptoni që nuk jeni një mesi, por punët më të mira janë bërë kur bashkëpunimi mes palëve ka qenë në kulm. Atë që keni shkruar në program është e njëjtë me atë që keni premtuar në fushatë elektorale. Ne sot kurrsesi nuk ju themi shqiptarëve që ishte faji i tij që ju ka votuar”, u shpreh Mima.
 
Më tej, deputeti Mima i është drejtuar kryeministrit të zgjedhur Edi Rama, duke thënë se tashmë ka rastin për të bërë më mirë dhe më shumë se kundërshtari i tij politik.
 
“Tani ke rastin që t’ju thuash shqiptarëve që mund ta bëni më mirë këtë punë se, paraardhësit e krahut tënd politik. Ke rastin që të bësh më mirë se kundërshtari yt politik. Kundërshtari yt politik të ka lënë një stekë të një niveli të lartë dhe ju këtë duhet të sfidoni.
Përbetohesh se do të zhbësh çdo leje dhe koncesion të dhënë. Tani i keni marrë zyrat dhe kontrolloi të gjitha dosjet. Nëse do të gjesh gabime atëherë zhbëji. Opozita do të vigjilojë për çdo premtimin tënd”, tha Mima.

ORA 11:57 TAHIR MUHEDINI: KËRKOJMË ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES ÇAME
Deputeti Tahir Muhedini është ndalur tek çështja Çame. Duke vënë theksin në përfaqësimin e këtyre qytetarëve në Parlament, Muhdedini tha se tashmë kërkohet një zgjidhje për popullsinë Çame. Ndërsa shton se kjo çështej është përfshirë në programin e qeverisë, por nuk janë përfshirë disa problematika të tjera që kanë të bëjnë me shtetin grek.
 
“Si përfaqësues i çamëve kam qenë edhe parë 9 vitesh, ku u ndodhën përballë policisë dhe ku kërkonim miratimin e rezolutës çame. Atëherë ndodheshim jashtë Kuvendit, ndërsa sot bashkë me 4 përfaqësues të PDIU-së jemi në zemrën e Parlamentit. Kjo nuk është e rastësishme pasi, kërkohet një zgjidhje për popullsinë çame. Ne do ta mbështesim këtë qeveri në nismat e saj. E përshëndesim programin e qeverisë pasi e ka përfshirë çështjen çame në të. Në këtë dokument nuk ka përfshirë asnjë nga problemet e shumta të popullsisë çame me shtetin grek”, u shpreh Muhedini.

ORA 11:52 META: RRETH ORES 14:30-15:00 DO TE HIDHET NE VOTE QEVERIA E RE
Rreth orës 14.30 deri në orën 15.00 Kuvendi i Shqipërisë do të votojë për qeverinë e re, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
 
Gjatë seancës që po zhvillohet në këto momente, kryeparlamentari, Ilir Meta u ka bërë thirrje deputetëve që të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit rreth orës 14.30-15.00, pasi do të hidhet në votë qeveria e re.
 
Pas votimit në Kuvend i qeverisë së re, pritet që më pas të bëhet edhe betimi i ministrave tek Presidentit i Republikës, Bujar Nishani.

ORA 11:24 DASHAMIR SHEHI: PROGRAMI, I MBUSHUR ME HIPOTEZA POLITIKE
Deputeti Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së, u shpreh se programit të qeverisëi mungon boshti rreth të cilit lëvizin pjesët e tjera. Ndërsa shtoi se ky program është i mbushUr me hipoteza politike, dhe jo realiste.
 
“Programi që paraqiti këtu zoti Rama ishte i mbushur me dëshirë shpresëdhënëse dhe me hipoteza politike që nuk mu dukën realitete të pritshme dhe të matshme. Qeveria duhet të kishte objektiva të qarta që nuk i ka”, tha Shehi.
 
Shehi më tej është ndalur tek niveli i borxhit në vend. Duke iu drejtuar parlamentarëve dhe kryeministrit të zgjedhur, tha se për të mbajtur premtimet e bëra nevojitet rritjen e tavanit të borxhit dhe jo ulje e tij.
 
“Të gjithë thonë këtu që do të ulim borxhin. Ndërkohë që kush merr vesh nga ekonomia e di se niveli ynë i borxhit nuk konsiderohet i lartë. Ky parlament duhet të ngrejë nivelin e borxhit që të bësh ca reforma. Ky do t’i gjesh paratë të ulni borxhit. Apo për të mbajtur premtimet. Këtu duhet një program serioz. Ky program nuk është program qeverie, është vazhdim i fushatës elektorale”, u shpreh Shehi.

ORA 11:02 ALDO BUMÇI: RAMA HEDH POSHTE PUNËN E 3 MINISTRAVE TË JASHTËM
 Kryeministri i zgjedhur Edi Rama, sipas deputetit të PD, Aldo Bumçi, hedh poshtë punën e 3 ministrave të Jashtëm të Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Duke thënë se do të korigjojë gabimet e së shkuarës në politikën e jashtme, sipas Bumçit, kryeministri i ri hedh poshtë punën e bërë deri më tani.
 
“Gabimet e zotit Rama nuk janë rastësore. Në këtë program thuhet se porgami ynë në politikën e jashtme do të korrigjojë gabimet e së shkuarës. Nuk arrij ta besoj së 3 ministra të Jashtëm që kanë drejtuar këtë dikaster gjatë 8 vitëve të kaluara, të pranojnë këto mendime për punën e tyre. Kjo frazë është shnderuese dhe duhet të hiqet, pasi programi do lexohet edhe nga ndërkombëtarë, që kanë sadopak interes për ne”, u shpreh Bumçi.
 
Sipas Bumçit, opozita mbështet shëmbjen e ndërtimeve pa leje, por është kundër prishjes së ndërtime me leje.
 
“Keni deklaruar se do të prishni ndërtimet pa leje, dhe ju mbështesim plotësisht. Por keni thënë dhe do të prishim ndërtimet me leje. Çfarë garancie duhet të ketë një qytetar që ka një ndërtime me leje, mund të zhbëhet dokumenti që ai zotëron. Ky është shantazh”, tha Bumçi.

ORA 10:43 GERTI BOGDANI: QEVERIA E RE NUK KA ASNJE PROGRAM
“Qeveria e re nuk ka asnjë program”. Kështu u shpreh deputeti i Partisë Demokratike, gerti Bogdani, duke u ndalur tek premtimet e bëra nga qeveria e re gjatë fushatës elektorale. Duke u ndalur kryesisht tek krijimi i vendeve të reja të punës, Bogdani tha se shifrat e dhëna lidhur me nivelin e papunësisë sipas Edi Ramës, dhe vendeve të punës të premtuara së do të hapen, nuk janë reale.
 
“Qeveria e re nuk ka asnjë program. Nuk është ky programi që votuan qytetarët në 23 qershor, as programi që ata besuan. Premtim i Ramës ishte krijimi i 300 mijë vendeve të punës, por për këtë që di bazat e matematikës së thjeshte, me rritjen e forcës punëtore në Shqipëri i bie që në 4 vite të ketë sërish 1 milionë të papunë. Duke e bërë këtë kryeministër të dështuar që në fillesat e tij”, tha Bogdani.

ORA 10:20 MYQEREM TAFAJ: NE PROGRAM S’PËRFSHIHEN PREMTIMET E BËRA PËR SHËNDETËSINË DHE ARSIMIN
Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj është ndalur tek premtimet e bËra nga qeveria e re gjatë fushatës elektorale kryesisht në fushën e shëndetësisë dhe arsimit. Tafaj tha se në programin e qeverisë së re nuk thuhet asgjë për programin e mësuesisë, ndërkohë që nuk mbahet premtimi për tekste shkollore falas, duke e ndryshuar atë në “libra falas për familjet me më shumë se tre fëmijë”.
 
Ndërsa duke u ndalur tek sistemi shëndetësor, Tafaj tha se po dëmtohet një skemë shëndetësore e ndërtuar për vite me radhë.
 
“Programi juaj nuk tregon se si do veprohet konkretisht. Qytetarët pyesin se çfarë do të bëhet me premtimin për shëndetësi falas. Për kaq vite është punuar për një sistem të qendrueshëm të bazuar tek modeli i kontributeve shoqërore. Kjo skemë sapo kishte filluar të funksionojë. Ky ndryshim e shkatërroi këtë kulturë të re të përfitimit të shërbimeve shëndetësore, sipas kontributeve. Ju thoni janë 1 milionë të papunë, dhe premtoni 300 mijë vende të reja pune. Po me 700 mijë të tjerët si do veproni, apo janë një shifër e trilluar. Si do krijohen këto vende pune?”, u shpreh Tafaj.

“Keni përfshirë në program skemën e financimit të universiteteve. Ju përshëndes që keni ndërruar mendje, pasi e keni bllokuar për gjithë këtë kohë që ka qenë gati. Programi juaj nuk i plotë dhe i bindshëm, dhe si i tillë nuk mund të votohet pa ne”, vijoi Tafaj.

ORA 10:08 EDUARD SELAMI: PROGRAMI QEVERISES NUK PERFSHIN PREMTIMET E BERA
Programi i qeverisë së re, sipas deputetit demokrat Eduard Selami, nuk përfshin premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale të 23 qershorit. Deputeti i PD u ndal tek disa premtime të bëra për reduktim taksash, ulje të TVSH, rimbursim të energjisë, etj; që sipas tij nuk janë përfshirë në program ashtu siç janë premtuar, ose janë ndryshuar.
 
“Gjatë fushatës elektorale u premtua heqje e TVSH për prodhimet e shportës, për 5 produkte, por nëprogram u tha se do të përgjysmohet. Kështu u veprua dhe me premtimet e tjera për energjinë. Në program nuk ka një detajim sa i takon taksës progresive. Ndërkaq edhe premtimi i dhënë për shtresat e ish-të përndjekurve është lënë përtej. Është pozitiv fakti që marrin pjesë gra në qeverinë e re, por edhe moshë e re. Por është nënvlerësuar eksperienca. Shqetësimi im lidhet me masën e rritjes së qeverisë, mbi 30%. Pasi Shqipëria është në atë gjendje që është, edhe pse i ka shpëtuar recesionit. Programi i ri nuk është i qartë. Nuk ka asnjë referencë në vlerë monetare. Është shumë i varfër në shifra dhe kjo është shqetësuese”, u shpreh Selami.

ORA 10:00 IMAMI: NA THONI CILAT JANE REFORMAT DHE SI DO REALIZOHEN
Deputeti i Partisë Demokratike Arben Imami i ka kërkuar qeverisë së re një program më të detajuar në të cilin do të cilësohen reformat që u premtuan të realizohen gjatë 4 viteve të ardhshme. Sipas Imamit, shqiptarët duan të dinë se cilat janë reformat dhe si do të realizohen ato. Ndërsa është ndalur më gjerësisht tek reforma në sektorin shëndetësor.
 
“Na thoni cilat janë reformat, kur dhe si do të realizohen. Duam të dimë se kur do të realizohen premtimet tuaja. E dimë se nuk do të ketë taksim të drejtpërdrejtë shëndetësor, por do të merret indirekt, në thelb e gjithë pesha do të bierë në kurriz të qytetarëve. Si do të rrisë kjo metodë integritetin e profesionistëve të shëndetësisë”, tha Imami.

ORA 09:25 RULI: PROGRAMI I QEVERISE ESHTE LAJTHITJE, NUK NJEH REALITETIN
Deputeti i parë që nisi diskutimet në seancën e sotme plenare ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Genc Ruli. Në fjalën e tij, ish-ministri i Bujqësisë e cilësoi programin qeverisës si një manifest që nuk njeh realitetin.
 
“Për të realizuar një pjesë të programit do të duheshin 24 vjet, jo katër. Në asnjë pjesë të programit nuk gjen ndonjë argument konkret, se ku dhe si do te gjenden fondet ekstralarge për të realizuar ato që premtohen. Programi i qeverise është lajthitje, qeveria nuk njeh realitetin, mohon çdo arritje. Ajo që ne dhe shqiptarët kërkojmë sot nga kjo qeveri është çfarë do bëhet brenda katër vitesh”, tha Ruli.

Redaksia online
(arsh/ac/es/ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës