Rama: "Armiqtë s'janë në këtë
sallë", por opozita lë KuvendinIku qënëria, erdhi liria-Nga A.Duka

Rama: sallë", por opozita lë KuvendinIku qënëria, erdhi liria-Nga A.Duka">
TIRANË - Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka paraqitur sot, më 11 shtator 2013, për herë të parë në Kuvend, Programin e Qeverisë që do të drejtojë në katër vitet e ardhshme 2013-2017. Ai e nisi fjalën e tij me përkujtimin e 11 Shtatorit në SHBA dhe duke përforcuar angazhimin e Shqipërisë për të qënë në krah të Presidentit amerikan Obama në çdo front lufte kundër armiqve të lirisë e të demokracisë.

Seanca nisi në orën 18:05, hapur nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kreu i LSI-së - partisë kryesore aleate të PS-së në qeverisje. Opozita e Shqipërisë ishte e pranishme në sallë, ku natyrisht binte në sy prania e ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe e ish-Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Por, ç'ka binte edhe më fort në sy, ndër të ftuarit e kësaj seance ulur në lozha, ishte prania e një përfaqësie të veçantë: Grupimit të ish-persekutuarve politikë të drejtuar nga Skënder Tufa. Lexo më shumë: Ish-të persekutuarit në studion e "A1Report!"

Në orën 18:35 minuta, fiks 30 minuta pasi Kryeministri Rama nisi fjalën e tij dhe përmendi marrëdhënien e re me opozitën, thirrje dhe zhurma u ngritën nga salla: Opozita e kryesuar nga deputetët e PD-së,  Berisha dhe Topalli, u largua në mënyrë demostrative. Berisha deklaroi në oborrin e Kuvendit se "Prisnim të dëgjonim Programin, por dëgjuam ligjërata bajate të një OJQ-je familjare." Demokratët u mblodhën më pas në selinë e tyre dhe Kryetari i PD-së, Basha, deklaroi se "Rama riktheu gjuhën e akuzave dhe urrejtjes."

Kreu i Qeverisë, Rama, e vazhdoi pa e ndërprerë fjalën e tij, duke shtjelluar boshtin e Programit të Qeverisjes, ndërkohë që braktisja e sallës nga demokratët u shoqërua nga duartrokitje që erdhën duke u përfocuar. Ishte grupimi i ish-të persekutuarve ai që përshëndeti daljen nga salla të Berishës. 

Në përfundim të seancës, në oborrin e Kuvendit,  Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, lidhur me këtë sjellje të opozitës, u tregua lakonik. Ai përmendi vetëm një detaj, kortezinë. "Kortezia nuk do të dëmtonte askënd,"- tha ai, duke nënkuptuar se kjo mund të ishte e vetmja gjë që opozita kishte detyrim sot.

SEQUI: I KENAQUR QE INTEGRIMI ESHTE PIKA E PARE E PROGRAMIT TE QEVERISE
Po ashtu, në përfundim të seancës së Kuvendit, u prononcua edhe kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, që tha se ishte i kënaqur që integrimi i vendit në BE ishte pika e parë e projektit të qeverisë: “Unë jam i kënaqur që pika e parë e projektit të qeverisë është për integrimin europian. Dhe kishte një fjali në këtë program që unë e kam mbajtur shënim,"- theksoi ai: ‘Integrimi europian është një objektiv kombëtar dhe i shërben demokratizimit të shoqërisë shqiptare sipas vlerave të BE’.  Lexo më shumë: Sequi: I kënaqur që integrimi është pika I e Programit

ambasadore ne salle
(Në foto: Ambasadorët Arvizu dhe Sequi në Sallën Plenare)

ORA 18:05 KRYETARI I KUVENDIT ILIR META HAP SEANCEN
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka hapur sot seancën  me betimin e deputetit të PD-së, Ridvan Bode. Pasi  iu lexua formula e betimit, “Betohem me nderim tim se do kryer detyrën në Kuvend...”,  Bode përsëriti.
 
Do të kemi kohë deri nesër për të dorëzuar pyetjet lidhur me Programin në mënyrë që Qeveria të ketë kohë për t’u përgjigjur dhe seanca do vijojë më pas me debatin në orën 10:00 të së shtunës. Tani kam kënaqësinë të ftoj Z.Edi Rama të paraqesë Programin dhe përbërjen e kabinetit të dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.”




FJALA E KRYEMINISTRIT EDI RAMA
“Si sot, në të njëjtën datë, 11 shtator, viti 2001, një kërpudhë tymi, e zezë me bisht të zjarrtë, u ngrit befasisht në qiellin e botës dhe e zaptoi të tërin. Qysh atë ditë, bota jonë s’është më ajo pa armiq që njihnim pas Luftës së Ftohtë. S’është as ajo me armiqtë që historia e saj ka njohur gjatë Luftës së Parë apo të Dytë.

Jetojmë në një luftë të re, ndoshta më e frikshmja deri më sot për nga natyra e armikut, për nga format perverse të shfaqjes së tij – herë si profet e herë si ushtar, herë si tribun e herë si diktator, herë si martir e herë si turmë. Të vrarët e 11 shtatorit janë edhe të vrarët tanë. Të vrarët në çdo front të kësaj lufte janë edhe të vrarët tanë. Edhe të vrarët e 21 gushtit prej armëve kimike në Siri, janë edhe të vrarët tanë.

Ne do të jemi krah për krah Amerikës dhe çdo aleance që Shtetet e Bashkuara do të ngrenë, në çdo front ku kjo luftë mund ta kërkojë. Shqipëria mbështet pa asnjë ngurrim, çdo vendim që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të marrë në frontin e kësaj lufte globale dhe, pa asnjë fije dyshimi edhe çdo ndërhyrje ushtarake që Shtetet e Bashkuara mund ta shohin të udhës të ndërmarrin për të ndëshkuar Kasapin e Damaskut.

ASPIRATA E PAPERMBUSHUR PER DEMOKRACINE BASHKOI SHQIPTARET
Aspirata e papërmbushur për demokracinë e çdo dite, bashkoi në kutitë e votimit Veriun me Jugun, socialistë me demokratë, aktivistë me indiferentë. Këtë pasqyrë të historisë së re, nuk dua t’jua vendos përpara të humburve të 23 qershorit. Përmasën historike të fitores sonë e përcaktoi domosdoshmëria historike për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë – duke nisur padyshim nga ndryshimi i modelit qeverisës. Ja pse sot unë vij për ta marrë detyrën e lartë me ndjenjën e një përuljeje që ndoshta, nuk do ta kisha pasur kaq të thellë pas një fitoreje të zakonshme në përmasë e në përmbajtje.

OPOZITES I THEM SE NUK DO T’I MUNGOJE AJO QE NA U MOHUA NEVE
Ja pse vij i përgatitur për t’i thënë opozitës, drejtpërdrejtë në sy se, marr sot përsipër përgjegjësinë të sigurojmë që asgjë që neve vetë, na u mohua deri dje në opozitë për shkak të qeverisë së vjetër, nuk do t’i mungojë më tej opozitës për faj të qeverisë së re. Unë besoj se, në fund të fundit, cilësia e bashkëjetesës demokratike të çdo dite nuk varet assesi nga fakti nëse biem ose jo dakord, por nga mënyra se si e jetojmë mosdakordësinë. Duke u dëgjuar edhe pa rënë dakord apo duke u sharë pa u dëgjuar? Duke respektuar tek tjetri kundërshtarin apo duke parë tek njëri – tjetri armikun? Duke ndërtuar me durim kulturën e gjithëpërfshirjes apo duke ushqyer sa herë të vijë rasti dhe të ndizet mikrofoni traditën e dasisë?
rama fjalim
(Në foto: Kryeministri Rama duke majtur fjalimin para deputetëve)

ME ZGJEDHJET E METES, MOREN FUND FYERJET DHE BATUTAT PA SHIJE
Jam i bindur se me zgjedhjen e tij, dje, në krye të Kuvendit të Shqipërisë, koha e ndërhyrjeve pa vend, fyerjeve pa shkak, batutave pa shije nga ajo lartësi drejt deputetëve në sallë dhe publikut në ekran ka perënduar përgjithnjë. Ky është një lajm i mirë për të gjithë. Në radhë të parë për opozitën. Ashtu siç duhet të jenë të gjithë të bindur se është këputur, përgjithnjë, shiriti i pambarimtë i fjalimeve kryeministrore pa fillim as fund dhe ka perënduar edhe koha, kur kryeministri ndërhynte pas çdo deputeti të opozitës me librin e shtëpisë së tjetrit në dorë. Edhe ky është një lajm i mirë për të gjithë, sidomos për opozitën.

Si për ironi të fatit të vet, Partia Demokratike po fillon jetën opozitare me një kryetar që s’e ka deputet, po kryetar bashkie të Tiranës. A nuk ngjan pak sikur tërë mallkimet dhe ofendimet që nuk i’a ka kursyer deri dje opozitës pa lider në parlament apo liderit pa legjitimitet të opozitës, i janë kthyer pakursim në një mallkim që e ka lënë sot si pa kokë? Po sidoqoftë kjo nuk mund të bëhet çështja jonë. Ne nuk kemi ardhur në këtë kuvend për t’i kërkuar opozitës ku e ka kokën, po për t’i ngritur Shqipërisë kokën lart.

DO DEGJOJME, POR DO JEMI NE QE UDHEHEQIM
Por të jetë e qartë për të gjithë: Ne do të dëgjojmë, po do të udhëheqim. Ne do të dialogojmë, po do të marrim vendime. Ne do të kërkojmë konsensuse sa më të gjera, po do të qeverisim me vlerat dhe me bindjet tona të shpallura,"- theksoi Rama.

ORA 18: 34 OPOZITA DEL NE MENYRE DEMOSTRATIVE NGA SALLA, KRYESUAR NGA BERISHA DHE TOPALLI

Opozita e kryesuar nga deputetët Berisha e Topalli, pas këtyre fjalëve në adresë të saj, doli në mënyrë demostrative nga salla. Berisha deklaroi për mediat jashtë Kuvendit: "Pasi i shpalli luftë popullit opozitar, ne erdhëm, por në vend të programit, ne dëgjojmë një retorikë të ulët, banale, fund e krye kundër opozitës, sikur ai të ishte opozitë dhe ne Qeveri. Çfarë ëhstë programi? Programi ëhstë një ligjërata bajate e një OJQ-je familjare, që nuk ka asnjë kosto brenda, asnjë buxhetim. Të gjitha shifrat janë: 300 mijë vende pune pa asnjë kosto."  Lexo më shumë: Berisha dhe opozita braktisin sallën

Opozita iken nga salla
(Në foto: ish-Kryeministri Berisha duke u larguar nga Salla Plenare dhe pas tij dhe deputet të tjerë të PD-së)
Opozita iken nga salla


NUK DO HARROJME POPULLIN E VRARE NE GERDEC
Dua të jem i qartë në këtë pikë për raportin e shumicës së re dhe të qeverisë sonë, me dëmet e kohës që iku: Ne nuk kemi mandat për të harruar krimet e pa gjykuara që janë bërë. Mandati ynë na është dhënë për të mos harruar popullin e vrarë në Gërdec, protestuesit e vrarë në bulevard, deputetin e vrarë në oborr, kryekomunarin e vrarë në rrugë, komisarët e policisë të vrarë në krye të detyrës. Jo për t’u hakmarrë për të shkuarën, po për të mos i hyrë në hak të ardhmes; jo për të bërë politikë me drejtësinë, po për të bërë çmos që drejtësia të mos bëhet politikë; jo për të marrë rolin e prokurorëve e të gjykatësve, po për të krijuar kushtet që prokurorët dhe gjykatësit ta bëjnë rolin e tyre. Ne nuk kemi mandat për të amnistuar falje pronash që i janë grabitur popullit me vendime qeverie, apo për të njohur të drejta që pushteti u ka dhuruar në rrugë abuzive klientëve të tij.

ARMIQTE TANE, VARFERIA DHE PAPUNESIA
Unë e ndaj në çdo pikë e presje me Kryetarin e këtij Kuvendi, fjalën që na adresoi dje dhe dua veçanërisht të rinënvizoj se përsa na takon armiqtë tanë nuk janë në këtë sallë. Nuk janë as në opozitë me qeverinë jashtë kësaj salle. Po janë përballë të gjithëve ne pa dallim: Varfëria dhe Papunësia! Ne jemi këtu për t’i luftuar pa pushim këta armiq, duke e nisur çdo ditë të re me kundërvënien ndaj varfërisë së aspiratave dhe duke e ushqyer përditë qeverisjen tonë, me aspirata të larta për Shqipërinë.

PAS 4 VJETËSH, PUNËSIM REAL DHE FUND “ODISESË” SË ETJES PËR UJË
Jemi zotuar se do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. Do të gdhihemi e ngrysemi në betejën për t’ia dalë dhe jam besimplotë se do t’ia dalim, që Shqipëria e pas katër viteve nga sot, të jetë hapësira e punësimit real jo tuneli i rritjes së papunësisë. Dua të ndaj me ju sot, bindjen time se në mbylljen e këtij mandati, do të jetë mbyllur edhe odiseja e etjes për ujë të njerëzve e të tokave të këtij vendi.

LEGALIZIMIN FALAS DO TA MBIKQYR VETE, SIÇ KAM PREMTUAR
Jemi zotuar se do legalizojmë falas shtëpitë në zonat informale brenda këtij mandati. Nuk tundemi nga ky zotim. Zbatimin e planit të detajuar për ta përmbushur në harkun e katër viteve nga Paskuqani në Sauk, nga “Kodra e Priftit” në Bathore, nga këneta e Durrësit në lagjen Marlulaj të Shkodrës, nga Lagja “5 Maji” e Elbasanit në lagjen “Afrim i Ri” të Fierit e në lagjen “Nënë Tereza” të Lezhës, unë do ta mbikëqyr drejtpërdrejtë vetë siç ju kam premtuar atyre njerëzve, në çdo hap.

ZENGJINEVE TE BETORNAMESE DO T’U ÇOJME FATURE “TE KRIPUR”
Nëse të varfërve që kërkuan Amerikën këtu në Shqipëri, duke ardhur nga humbëtirat e varfërisë e të papunësisë, për të ndërtuar një jetë të re rreth Tiranës e qyteteve të mëdha, ne nuk do t’u kërkojmë lekë po vetëm përmbushjen e detyrimeve të zakonshme të çdo shtetasi për ujin, dritat, plehrat, zengjinëve të betonarmesë së hedhur kuturu pa asnjë leje e gajle për të drejtat e pronës, komunitetit, natyrës, do t’u rezervojmë një faturë sa të kripur aq edhe të paharrueshme.

MESUESI, MJEKU, POLICI – TRE FIGURAT KYÇE TE RIMEKEMBJES
Jemi zotuar se vota për ne do të ishte fillimi i një kapitulli të ri të taksimit të ndershëm dhe fundi i kapitullit të vjetër të taksës së sheshtë. Sot ju siguroj se kështu do të jetë. Kush fiton më shumë do të paguajë më shumë dhe kush fiton më pak do të paguajë më pak. Mësuesi – Mjeku – Polici do të jenë tre figurat kyçe të rimëkëmbjes së shtetit në katër vitet e ardhshme dhe do të përfitojnë nga taksimi i ndershëm.
 
DO ULIM TAKSAT – DOGANAT DO T’I TRANSFORMOJNE BRITANIKET
Jemi zotuar se në fund të katër viteve do të kemi ulur taksat për 95% të shqiptarëve. Jemi zotuar se do ta mbështesim biznesin duke krijuar një marrëdhënie të re partneriteti me sipërmarrësit. Jemi gati për një transformim të madh në shërbimin doganor dhe tatimor me konsulencën e Agjentëve të Kurorës (Croën Agents), Organizata e famshme britanike. Doganierët e Shqipërisë nuk do të jenë më ushtria e partisë.

REFORMA RADIKALE NE SHENDETESI
Jemi zotuar se shërbimet nuk do të varen nga xhepi, po nga nevoja - duke filluar nga shëndetësia e arsimi padyshim. Unë i qëndroj plotësisht zotimit që kemi marrë dhe ky mandat do të jetë mandati i një reforme radikale në shëndetësi. Ne do të themelojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor që do ta blejë shërbimin nga shteti dhe do ta ofrojë atë pastaj pa sigurime shëndetësore e as para në dorë, për të gjithë pa dallim.

SHKOLLA PA SKLLEVER TE PUSHTETIT – JO ME LUME STUDENTESH NE UNIVERSITETE
Do të jem gati po ashtu të dal pas katër vjetësh përpara çdo mësuesi e nxënësi, me krenarinë që koha e dhunës psikologjike për t’i kthyer ata në skllevër të partisë në pushtet do të ketë mbetur vetëm një ëndërr e keqe. Kemi gati projektin për të nisur programimin e tabletave elektronike dhe shtrirë vit pas viti në shkolla, teknologjinë e re që do të zëvendësojë librat e dërrasat e zeza. Kemi gati reformën e domosdoshme të teksteve shkollore dhe të maturës shtetërore për t’i dhënë kuptim konkurrencës dhe meritës përgjatë gjithë viteve, si edhe për të zmbrapsur lumin shpartallues të prurjeve pa kriter e as karar në dyert e universitetit. Jemi zotuar t’u japim të rinjve edhe një rrugë tjetër përveç asaj të universitetit; rrugën e arsimit profesional.

TOKA DO TE JEPET NE BAZE TE LIGJIT 7501
Jemi zotuar për t’a vendosur shtetin në krah të çdo familjeje që jeton me tokën duke filluar menjëherë nga puna për të përmbushur zotimin e dhënies së çertifikatës së pronësisë mbi tokën, të gjithëve atyre që u takon me ligj. Çfarë 7501-shi e jep për tokën e bukës prej gati çerek shekulli dhe burrat po bëhen pleq pa e marrë, ndërsa fëmijët po bëhen burra pa e besuar se do ta marrin ndonjëherë, prandaj marrin arratinë për të punuar në dhe të huaj, ne do ta japim në bazë të 7501-shit dhe pikë.

PLAN KOMBETAR PER KOMPENSIMIN E PRONAREVE
Ne do të nisim menjëherë nga puna për Planin e Përgjithshëm Kombëtar që do të jetë udhërrëfyesi i zhvillimit tërësor, po edhe harta orientuese për rrugët e hapësirat e kompensimit real të pronarëve. Kaosi i njëzet e kusur viteve, mbivendosjet e panumërta të pronës së pretenduar, operacionet e grabitjes së trojeve, e kanë bërë të mundur një zgjidhje optimale për të gjithë.

INSTAT DO TE BINJAKESOHET ME NJE INSTITUCION TE VENDEVE TE BE
Do të thërrasim menjëherë në ndihmë një forcë audituese ndërkombëtare, me pavarësi e reputacion botërisht të padiskutueshëm, për të audituar imtësisht xhepat e shtetit. Prandaj do të nisim urgjent procesin për të binjakëzuar INSTAT-in me institucionin qendror të statistikave të një shtet anëtar të Bashkimit Europian, këdo që do të gjejmë të gatshëm, në mënyrë që shifrat e rritjes ekonomike, papunësisë, analfabetizmit, varfërisë dhe popullsisë, të mos i gatuajë zyra e kryeministrit po t’i nxjerrë një INSTAT i pavarur politikisht dhe i aftë profesionalisht.

DO TE KALOJME NGA INTEGRIMI SI PROPAGANDE NE EUROPIANIZIM
Ne do të kalojmë nga integrimi europian i Shqipërisë si lajtmotiv propagandistik tek europianizimi i shtetit shqiptar si amanet e mision historik - përmes një reforme demokratizuese, modernizuese, njehsuese me Europën si sistem vlerash dhe institucionesh. Unë e çmoj sinqerisht shprehjen publike të vullnetit të opozitës për të mbështetur pa kushte reformat që lidhen me integrimin europian. Shpresoj të mos jetë propagandë, edhe kjo do të jetë gjithsesi e drejta e saj dhe uroj që opozita të kontribuojë aktivisht në procesin legjislativ.

ARMET JANE BERE SI CELULARET – POLICIA DO RIKTHEHET NE DETYRE
Krimi ndaj individit dhe pronës ka marrë përmasa të papara më parë. Armët janë bërë si celularët, janë nëpër makina, klube, shkolla, vetëm se duken më pak pasi nuk mbahen në dorë tërë kohës për të çuar sms. Ndërsa kriminelët e rrugaçët janë shpeshtuar nga të katër anët njësoj ndërtimet pa leje. Ne do ta rikthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës.
 
DEPUTETET, SI ASNJEHERE, 2 DITE KOHE TE SHQYRTOJNE PROGRAMIN
Ju keni marrë në dispozicion qysh dje një kopje të programit të qeverisë. Si asnjëherë në traditën e këtij kuvendi, pas fjalimit të një kryeministri, që kërkon votëbesimin do të keni edhe dy ditë kohë për pyetje dhe për të përgatitur diskutimet. Unë nuk desha as të lexoj krejt programin voluminoz që keni ndër duar, as të marr me radhë çdo çështje të tij, por vetëm të bëj një paraqitje të përmbledhur të kuptimit politik, konceptit qeverisës dhe të boshtit programatik të mandatit të ri.

KOSOVA, PREJ SAJ KEMI SHUME PER TE MESUAR
Ne, përfaqësuesit e shtetit që po bëhet 101 vjeç, kemi jo vetëm për të bashkëpunuar edhe shumë për të mësuar nga shteti pesëvjeçar i Kosovës. Policia jonë ka shumë për të mësuar - mjaft t’i shohësh si ecin e si sillen në rrugë; diplomacia ka jo pak për të mësuar - mjaft të takosh ambasadorët e tyre mbresëlënës në kryeqytetet e Europës; arsimi e shëndetësia jonë kanë për të mësuar - mjaft t’u hedhësh një sy testeve të mësuesve apo korridoreve të spitaleve në Prishtinë.  Prapambetja e tyre është vepër e një armiku që i mbajti të pushtuar gjatë një jete të tërë, prapambetja jonë është mishërim i varfërisë së aspiratave që na mban të pushtuar prej një historie të tërë.

FALENDEROJ PD, KENAQESI QE DO TA LEXOJE PROGRAMIN TONE ME PASION TE VEÇANTE
Njësoj si në Europë unë nuk do ta provokoj kurrsesi opozitën duke ju kërkuar të votoni programin e qeverisë, siç bënte paraardhësi im rëndom. Por vetëm do ta falënderoj sinqerisht, për kënaqësinë që na jep të gjithëve ne fakti se Partia Demokratike do ta lexojë me vëmendje të madhe dhe do ta diskutojë me pasion të veçantë programin tonë.
Nga opozita s’kemi pritur më shumë se sa të na ndiqni me vëmendjen e vet më të madhe dhe të na kundërviheni me pasionin tuaj emblematik. Kjo do të na ndihmojë të ecim më shpejt edhe falë opozitës, që kam shumë besim se do të na mbajë gjithnjë zgjuar për të mos rënë qorrazi, në humnerën e vetëpëlqimit ku ra, u zhyt dhe po kërkon veten. 

PROGRAMI I QEVERISE "RAMA": SHQIPERIA E GJENERATES TJETER"

Kryeministri Rama paraqiti Programin e Qeverisë në Kuvendin e Shqipërisë, por opozita e kryesuar nga Berisha dhe Topalli u largua në mënyrë demostrative nga salla, vetëm 30 minuta pas nisjes së fjalimit.  Ambasadori amerikan Arvizu, lidhur me këtë sjellje, përmendi vetëm një detaj, kortezinë. "Kortezia nuk do të dëmtonte askënd,"- tha ai, duke nënkuptuar se kjo mund të ishte e vetmja gjë që opozita kishte detyrim sot. PD u mblodh në seli dhe Basha deklaroi para shtypit: "Rama riktheu gjuhën e akuzave dhe urrejtjes." Të ftuar të veçantë sot në Kuvend, ish-të persekutuarit politikë.

LEXONI ME SHUME
PROGRAMI I QEVERISE "RAMA": "SHQIPERIA E GJENERATES TJETER"
Basha: Programi s'u depozitua në Kuvend, PS-LSI: U bë dje
"Shqiptarja.com" paralajmëroi bojkotin e Parlamentit nga deputetët e PD
Rama: Po, Shqipëria meriton më shumë
Braçe: Të shtunën - debati për Programi, të dielën - votimi
Halimi:Rama shkeli ligjin, Programi-kabineti, sëbashku
Stano për "A1Report!": Nuk presim konfrontim /VIDEO
VIDEO/Vasili në A1Report: Basha, mos gënje
SONDAZHI/ A duhet të shtyhet seanca, siç kërkon PD?
PDF- Programi i qeverisë/ VIDEO/ FOTOLAJM/ FOTO
Balla dje: Në 2005 Topalli na dha 30 minuta kohe
Babaramo: Programi kuptohet në 100 ditët e para

Redaksia online
(Armanda Shtembari/a.ç/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë