Rama: Diploma të marra me lopë dhe dru zjarri

Nga EDI RAMA
Pamja që ndoqëm nuk lë vend për asnjë kënaqësi, por ngjall vetëm trishtim dhe revoltë. Trishtim, për aq mijëra dhe mijëra familje që kanë investuar gjithë kursimet e sakrificave të tyre, për t’u dhënë fëmijëve një diplomë dhe në fakt, i kanë derdhur paratë në shumë skema piramidale, tërësisht mashtruese, sikundër nxjerr në pah në mënyrë therëse, kontrolli i nisur shumë muaj më parë dhe i realizuar brenda kornizës ligjore, me vullnet, profesionalizëm dhe integritetet të plotë.

Ne kemi qenë të vetëdijshëm për këtë situatë katastrofike në gjithë Sistemin e Arsimit të Lartë. Jemi zotuar të ndërhyjmë për një operacion rrënjësor. Por, sigurisht, përtej vetëdijes të krijuar në distancë dhe nga hulumtime shumë të pjesshme, rezultatet e këtij kontrolli, bazuar në legjislacionin në fuqi, në ligjet e hartuara dhe miratuara nga qeveria paraardhëse, janë absolutisht rrëqethëse. Një sistem i përçudnuar në formë dhe në përmbajtje, i kalbur deri në fund, që ka gjeneruar vetëm kalbëzim, vit pas viti.

Kemi arritur të kemi sot numrin më të madh të universiteteve për frymë në Europë, 8 herë më shumë se Britania e Madhe. 20 universitete për 1 milionë banorë. Kemi arritur një kulm tjetër, me 1432 programe të ndryshme mësimore, a thua se vendi ynë i ka mundësitë t’i përgatisë të rejat dhe të rinjtë për 1432 profesione dhe nënprofesione të ndryshme. Kemi arritur një tjetër rekord, europian nuk diskutohet, rajonal padyshim, por, mbase, edhe botëror, me 50 programe studimore në universitetet tona publike, ku nota mesatare e të gjithë të regjistruarve është nën 5.5.

Kemi arritur që në kaq pak vite të gjenerojmë 32 mijë diploma nga sistemi universitar privat. 32 mijë! Gjysmën e të cilave i ka dhënë një universitet i vetëm, 16 mijë. Kemi arritur të japim 900 diploma për të huaj, ndërkohë që s’japim asnjë leksion në gjuhë të huaj. Kemi arritur që të kemi pedagogë që vetëm një vit përpara rekrutimit kanë marrë diplomën në bachelor. Për shembull, në Universitetin publik të Elbasanit, 16 vetë janë punësuar si pedagogë në infermieri, me një bachelor në një universitet privat. Merreni me mend se çfarë infermierësh e infermieresh dalin nën kujdesin e këtyre 16 personave!

Kemi arritur të japim diploma në natyrë, për shërbime të ndryshme, lyerje, shpëlarje, punime hidraulike, punime zdrukthëtarie, të shpërblyera jo me para, por me diploma nga pronarët e universiteteve në fjalë. Kemi arritur që të fusim pagesën në natyrë për t’u shkolluar, lopë, dele, oriz, fasule, zhavorr, dru zjarri. Ka studentë që e kanë paguar studimin me dru zjarri. Natyrisht, të prera pa leje nëpër pyje. Kemi arritur që të kemi regjistra themeltarë universitetesh, ku shkruhet “10 diploma i ka tërhequr shefi”.

Ne kemi arritur gjëra që janë të paimagjinueshme për një shoqëri mendërisht të shëndetshme dhe një vend gjeografikisht në Europë. Pa folur pastaj, për një shtet që i thotë vetes shtet europian dhe që tenton të bashkohet me Familjen Europiane.

E, të gjitha këto kanë ndodhur për një arsye sa banale, aq edhe të pabesë; Që qeveria e mëparshme të blinte qetësi dhe të mos përballej me papunësinë e të rinjve. Të blinte qetësi me paratë e prindërve, duke i yshtur të gjithë të paguajnë gjithçka kanë, për të shkuar fëmijët e tyre në universitet dhe për t’i ushqyer fëmijët, me iluzionin se po bëhen inxhinierë, se po bëhen doktorë në infermieri, se po bëhen ekonomistë, juristë e kështu me radhë. Ndërkohë që, për numrin e viteve që ky iluzion ushqehej, qeveria nuk kishte nevojë që të vriste mendjen dhe të gjendej përballë kërkesës legjitime për punësim të të rejave dhe të rinjve. Dhe, kemi arritur praktikisht, ta transformojnë Shqipërinë në një vend që prodhon vetëm nivel të lartë arsimor dhe nuk prodhon nivel profesional arsimor. Kjo qetësi është blerë pabesisht, duke futur duart në xhepat e familjeve shqiptare dhe duke bërë që dhjetëra mijëra familje ta investojnë kursimin e tyre, për të mbajtur qeverinë rehat.

Ne nuk kemi ardhur në qeveri që të rrimë rehat dhe as që të blejmë qetësi, duke futur duart në xhepat e shqiptarëve dhe duke ushqyer me paratë e mundit e të djersës, jo aspiratat e ëndrrat e tyre, por iluzionet se po investojnë për një jetë më të mirë.
Diplomat e universiteteve tona, në masën e tyre më të madhe, pavarësisht publike apo private, janë kthyer si indulgjencat e mesjetës së errët. Copa letre që paguhen me para, por që nuk kanë asnjë vlerë. Përveç faktit se ekzistojnë si dokument, që vlen për një të ardhme imagjinare. Njësoj si braktisja e indulgjencave që çoi Europën nga Mesjeta në Rilindje, ashtu edhe kjo braktisje e menjëhershme, drastike, e prerë, që ne bëjmë me diplomat pa vlerë, për dijen e vërtetë, është hapi më i sigurt për t’u larguar nga mesjeta e errët në Arsimin tonë të Lartë dhe për të hapur rrugën e Rilindjes së Universitetit në Shqipëri.

Sigurisht, ne kemi një avantazh të jashtëzakonshëm, mbi të cilin do të mbështetemi shumë fort. Ky është një avantazh i jashtëzakonshëm, dhe nuk është aspak një avantazh i supozuar folklorik si shumë avantazhe të tjera të supozuara që jemi mësuar të dëgjojmë për vite të tëra, ndër të cilët, meqë jemi tek Arsimi i Lartë, avantazhin se kemi numrin më të madh të  universiteteve në Europë dhe ky avantazh është dashuria e familjes shqiptare për arsimin. Është botërisht e provuar se familja shqiptare, pavarësisht nivelit të ekonomisë së saj, investon mesatarisht për arsimin, bazuar sigurisht tek të ardhurat relative, ndër familjet që janë sot në majën e klasifikimit europian. Ky është një avantazh shumë i madh, por, njëkohësisht, një përgjegjësi e jashtëzakonshme për ne, që të mos lejojmë më tutje që investimi i familjeve shqiptare të shkojë dëm dhe as që familja shqiptare të tërhiqet në hullinë e një skeme piramidale mashtruese, siç ka ndodhur deri sot.

I kam hedhur një sy raportit shumë voluminoz të Ministrisë së Arsimit dhe kam parë gjëra që janë përtej imagjinatës të të gjithë humoristëve të talentuar të këtij vendi. Gjëra që kanë befasuar, por edhe kanë ndikuar mbi kontrollin e bërë në të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë, për të arritur në rezultate të qarta e të prekshme dhe në përfundime të padiskutueshme lidhur me qëndrueshmërinë e operacionit që ne do të ndërmarrim. Nuk dua të shkoj në të gjitha dhe as tek disa prej tyre, por dua t’u them se rastet për të qarë e për të qeshur, bashkë, janë të panumërta në të gjitha universitetet. Besoj se mjafton degjenerimi i Qendrës së Studimeve Albanologjike, për të parë se ku është katandisur mendimi shkencor shqiptar dhe për të parë se ku është katandisur në tërësi bota e të menduarit, në atë që supozohet niveli i lartë i shoqërisë, niveli i arsimit të lartë, niveli i laboratorëve të arsimit të lartë, niveli i shkencës që mësohet dhe zhvillohet në Institucionet e Arsimit të Lartë. Sesi mund të ketë doktorë shkencash, sot, që kanë doktoruar me tema të tilla si “Universi muzikor i Inva Mulës”, apo “Historia e funksionimit të noterit”, apo “Humori në këngët popullore”, apo “Aktrimi në filmin kosovar”, apo, copë fare, temë doktorature “Diana Çuli dhe Helena Kadareja”. Kjo është diçka që imagjinata ime nuk e rrok dot, por besoj se është e paimagjinueshme për çdo njeri normal, në një vend normal.

Për të qenë shumë të qartë, kjo e gjitha është as më shumë dhe as më pak se puna e kryer mbi legjislacionin në fuqi.

Ne kemi marrë përsipër që të shkojmë në një nivel tjetër. Nivelin e akreditimit të universiteteve. Akreditimin e universiteteve do ta bëjmë siç jemi zotuar, me një agjenci prestigjioze ndërkombëtare. Përkatësisht, me një nga agjencitë më prestigjioze në botë, që do të vijë nga Britania e Madhe dhe do të bëjë akreditimin e universiteteve tona, duke filluar nga dhjetori i këtij viti.

Por akreditimi është diçka krejt tjetër nga kjo punë që ka përfunduar ditët e fundit, me këtë Raport. Kjo punë është vetëm kontrolli ligjor i domosdoshëm, të cilin Ministria e Arsimit duhet ta kishte kryer rregullisht dhe që nuk është bërë në 20 e ca kusur vite, as edhe një herë. Kontroll ligjor, i bazuar jo mbi ligjet që i kemi hartuar dhe miratuar ne, por në ligjet e Republikës së Shqipërisë, që kanë qenë aty prej vitesh të tëra dhe që askush, që nga qeveria që e ka për detyrë që të veprojë përmes vendimeve të saj, në zbatim të ligjit për Arsimin e Lartë, tek Ministrat e Arsimit me radhë, profesorët, doktorët e shkencëtarët që kemi pasur në krye të atij institucioni, tek vetë institucioni dhe sigurisht, tek strukturat përkatëse, që në letër kanë ekzistuar, por që nuk kanë bërë as edhe një kontroll. Sepse, po të kishin bërë kontrollet e gjendjes faktike mbi bazën e ligjit, do të kishin kursyer qindra mijëra e miliona lekë, dollarë, euro, investime të prindërve dhe qindra e mijëra e miliona orë të shpenzuara kot, nga të rejat e të rinjtë, nëpër institucione që nuk duhet t’i kishin dyert të hapura dhe nuk mund t’i kenë dyert e hapura si Institucione të Arsimit të Lartë në Shqipëri.

Është faza e vendosjes së Arsimit të Lartë brenda kornizës ligjore, ku siç u sqarua, ka tre fasha; fasha e atyre që përgjithësisht plotësojnë kriteret, por duhet të bëjnë disa përmirësime normale, brenda kornizës së parashikuara nga ligji dhe që mund ta vazhdojnë normalisht aktivitetin  tyre; fasha e mesme ku pezullohet funksionimi i universitetit në vazhdimësi, pra, ndalohen universitetet të marrin studentë në vitet e para, sepse nuk përmbushin kriteret ligjore, por duke bërë një sërë përmirësimesh mund të shkojnë më tutje, me studentët ekzistues dhe; fasha e tretë, që mbyllen imediatisht dhe ku gjithë studentët ekzistues të merren përsipër, nën kujdesin e shtetit, për t’u adresuar në universitete publike apo private, për të njëjtin profil, bazuar në kreditet që kanë marrë dhe bazuar në të gjithë dokumentacionin që zotërojnë, për të vazhduar normalisht studimet e tyre dhe për të mos lejuar që investimi i tyre të humbasë.

E gjitha kjo nuk mbaron këtu. Sepse, universitetet që e kalojnë testin e ligjshmërisë do të përballen në fund të vitit, me testin e cilësisë, me akreditimin. Nëse grupi i kontrollit i Ministrisë së Arsimit nuk ka bërë shaka, të jeni të sigurt që agjencia ndërkombëtare e akreditimit që do të vijë nga Britania e Madhe s’ka asnjë shans që të bëjë shaka. Prandaj, përballë vlerësimit objektiv për akreditimin, të gjitha universitetet që i shpëtojnë operacionit të pastrimit, bazuar mbi ligjin do të duhet të përgatiten shumë fort, për të gatshëm që të kapërcejnë testin e akreditimit, me sukses. Sepse dhe në testin e akreditimit ka shumë të ngjarë që të ketë të mbetur në klasë. Siç ka kaq shumë të mbetur në klasë vetëm nga testi i ligjshmërisë, që është diçka e paimagjinueshme. Një sistem i tërë i paligjshëm. Një sistem i tërë, ku mbi 90% e funksioneve ushtrohen jashtë kornizës ligjore. Ndërkohë që, korniza ligjore është gjëja më e padiskutueshme në një vend normal. Pastaj, testi i cilësisë sigurisht bëhet brenda kornizës ligjore.

Duke shprehur falenderimin më të sinqertë për të gjithë ata që punuan me këtë kontroll ligjshmërie, që ka filluar praktikisht qysh në muajin tetor dhe që ka qenë për ne, i domosdoshëm, për të pasur një diagnozë shumë të qartë të sistemit, përpara sa t’i drejtohemi fazës tjetër të akreditimit dhe duke i shprehur gjithë respektin dhe mbështetjen Ministres dhe ekipit të Ministrisë së Arsimit, dua ta përfundoj duke e vënë theksin tek një fakt që të gjithë duhet ta kenë parasysh;

Ashtu siç jemi zotuar, ne nuk do të kemi një ndarje artificiale, të dëmshme, siç ka ndodhur për vite të tëra, mes universiteteve të shtetit dhe universiteteve të privatit. Ashtu siç jemi zotuar, kontrollit të ligjshmërisë dhe kontrollit të cilësisë do t’i nënshtrohen të gjithë njësoj. Ndërkohë që, me ligjin e ri të Arsimit të Lartë, ne do të kemi praktikisht universitete publike të financuar nga shteti apo nga privatët, por që në renditjen e përgjithshme do të konsiderohen tërësisht të barabartë, në kushtet e konkurrencës dhe do të shkojnë përpara sipas meritës dhe jo disa të nënës e disa të njerkës.

E, kështu, ky kontroll bie plotësisht ndesh me një filozofi skandaloze të së kaluarës dhe e vendos këtë element si gur themeli. Konkurrencë dhe meritë për të gjithë, në mënyrë të barabartë. Ky kontroll mbyll një numër të konsiderueshëm universitetesh dhe programesh, qoftë në shtet dhe qoftë në privat, sot, pezullon një numër të konsiderueshëm programesh, qoftë në shtet dhe qoftë në privat, sot, dhe po ashtu, i njeh legjitimitetin dhe mbështetjen e mëtejshme një numri tjetër, të konsiderueshëm, universitetesh, qoftë në shtet dhe qoftë në privat sot, që i plotësojnë kushtet e ligjshmërisë.

Ne do të bëjmë që arsimimi të jetë një vlerë, në mos tërësisht të njëjtë, por shumë të përafërt, pavarësisht se zhvillohet në Tiranë, Kukës apo në Sarandë. Dhe që, nga ana tjetër, konkurrenca të jetë e barabartë, qoftë për nxënësit që dalin nga shkolla e mesme në Tiranë, qoftë ata që dalin nga shkolla edhe në Kukës apo në Sarandë. Në mënyrë që edhe diploma të ketë të njëjtën peshë dhe të ketë të njëjtën vlerë, pavarësisht se në cilin universitet, ajo merret. Ky është arsimi i një vendi normal.

Ne nuk po bëjmë absolutisht asgjë më shumë, sesa po i njohim Shqipërisë një të drejtë të mohuar për kaq shumë vite, që të trajtohet si një vend normal, kur vjen puna tek arsimi dhe po u njohim vajzave dhe djemve të këtij vendi, një të drejtë të mohuar për shumë vite, që të trajtohen si njerëz normalë. Ndërkohë, po vazhdojmë ta mohojmë të drejtën e defiçencës si status dhe si cilësi, madje, e vlerësueshme shumë më tepër dhe në mënyrë shumë më masive sesa ekselenca. Ne duam arsimin e ekselencës dhe jo arsimin e defiçencës. Ky është një tjetër hap në drejtim të ekselencës dhe një tjetër moment i rëndësishëm ku ndahemi nga arsimi i defiçencës.

Shumë faleminderit dhe suksese!

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët