Rama publikon pamje të inaugurimit të TKOB: Dinjitoze dhe në lartësinë e më të mirëve në glob, asnjë arsye për të pasur zili më skenat e botës

TIRANË- Katër ditë pas inaugurimit të Teatrit të Operas dhe Baletit, kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video me momentet më të veçanta të mbrëmjes gala, ku performuan dy yjet botërorë, Ermonela Joho dhe Placido Domingo.

Teksa ka publikuar pamjet e ambienteve të teatrit, sesi ishin më parë dhe si kanë ndryshuar pas rikonstruksionit, kryeministri thotë se tashmë artistët shqiptarë do të performojnë në kushte më dinjitoze, të ngjashme me skenat ku ngjiten artistët botëror. Sipas tij, zërat magjik të artistëve tanë do të ndiqen nga qytetarët e apasionuar pas prodhimeve të kësaj skene, e ndërsa thekson se ata nuk do të përballen më me të ftohtin e vapën.

Ngritja e perdes së skenës së teatrit pas rreth 5 vitesh, për Ramën është një një moment i rëndësishëm për ne sepse sipas tij nuk kemi përse të shohim skenat botërore me zili, pasi e kemi një tillë në shtëpi.

"Prej shumë vitesh Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Asamblit të Këngëve dhe Valleve popullore priste të dilte nga një periudhë e stërgjatë degradimi si rezultat i një kohe të pambarimtë mos ndërhyrje për mirëmbajtjen e rikonstruksionin. Më në fund dita erdhi dhe me një projekt që flet vetë. Ne ia dolëm të krijojmë kushte tërësisht të reja tërësisht të ndryshe dhe dinjitoze për të qenë në lartësinë e të gjithë atyre zërave të njohur nëpër botë. Sot ne kemi një teatër të ri i cili ofron një skenë ku zërat magjik, kërcimtarët, valltarët jo vetëm të mund të ndihen të respektuar por të kenë përballë tyre njerëz të pasionuar pas prodhimeve të kësaj skene, që ulen dhe shijojnë art pa qenë të sulmuar nga i ftohti, lagështira, vapa, nga zhurmat prej kërcitjeve të të gjitha dërrasave të shtruara prej më shumë se 60 vjetësh.

E pra, është një krenari dhe kënaqësi që pasi u kapërcye dhe ajo periudhë mallkimi e cila e pamundësoi hapjen e këtij teatri në kohë si rezultat i një tjetër agresioni mbi shëndetin e njerëzve, aktivitetin social, kulturor, ekonomik të COVID-19 të mund të ngremë perden e kësaj skene. Një skene ku kanë kënduar gjithë ata që kanë bërë historinë e këtij teatri, ku kanë luajtur në instrumente të ndryshëm në një orkestër gjithë ata që kanë bërë historinë e muzikës lirike apo muzikës koncertale apo të lehtë.

Brenda kësaj skene nga ku dashamirësit, të apasionuarit pas gjithë aktivitetit dhe krijimtarisë së kësaj godine të mund të shijojnë duke u ndjerë pjesë e të njëjtit komunitet, komunitetit përtej kufijve, të gjithë atyre që ndjekin muzikën koncertale, operistike, të lehtë në teatrot më prestigjioze të botës, në ato teatro ku yjet e Shqipërisë shkëlqejnë fort. Nga momenti i ngritjes së perdes, ne nuk do kemi arsye t'i shohim me zili apo duke bërë vazhdimisht pyetjen kur do të vijë dita që në Shqipëri të kemi një teatër më të njëjtin dinjitet e respekt për ata që japin jetë, qofshin krijues, protagonistë, spirator", tha Rama.

Teatri i Operas dhe Baletit u inaugurua me 15 shtator në një koncert madhështor ku në skenë u ngjitën kolosët botërorë, Placido Domingo dhe Ermonela Jaho. Lule të Bardha që të çonin në hyrje të tetarit u vendosën në nder të të gjithë viktimave që kanë humbur jetën gjatë pandemisë.

TKOB iu nënshtrua një rikonstruksioni për përmirësimin e kushteve, ndërsa hapi dyert për të gjithë artdashësit pas rreth 5 vitesh. Në një intervistë për ‘Report Tv’, ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka thënë se skena e teatrit është rikonceptuar me dy ballkonata, ndërsa është siguruar akustika maksimale. Projekti fillestar i rikonstruksionit është 1.2 miliardë lekë, por për arritjen e standardeve bashkëkohore është përdorur edhe buxhet shtesë.

SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Ju duket e drejtë që studentët e pavaksinuar të humbasin vitin akademik?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Opozitë me padi penale