Rama: Zgjedhjet do të bëhen, kush i pengon e pret burgu! Hajdari: Përulem, t'i japim fund krizës (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama i dërgoi një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejt sot Partisë Demokratike dhe Lëvizjes për Integrim se nëse do të tentojnë që të bllokojnë procesin zgjedhor të 30 qershorit i pret burgu. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë deklaruar në javën e fundit se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve lokale, por kryeministri sot lexoi atë që parashikon ligji për pengimin e procesit të votimit.

"Pengimi i zgjedhjeve dënohet 1-5 vite burg, falsifikimi i materialeve zgjedhore dënohet 1-5 vite burg, dënimi i materialeve zgjedhore dënohet 6 muaj deri 7 vite burg, korrupsioni 1-5 vite burg, kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje për të votuar dënohet me 6 muaj deri në 3 vite. Kanosja që i bëhet vëzhguesit 1-4 vite burg, 2-5 kur është në bashkëpunim, se këtu është bashkëpunimi i madh, këta duhet ta dëgjojnë.

Pengimi i zgjedhjeve për të votuar personi dënohet 1-5 vite dhe 3-7 vite kur bëhet në bashkëpunim. Nëse ka budallenj që janë gati të përballen me këtë ligj të votuar nga parlamenti me iniciativë të PD-së dhe PS-së kur ishte në opozitë, për hatër të Lulit apo pse filxhani se ka nxjerrë akoma qartë, le të shkojë. Por unë besoj se njerëzit do të ftillohen dhe do të kuptojnë" tha Rama.

Rama u shpreh i vendosur se pavarësisht kërcënimeve në 30 qershor do të zhvillohen zgjedhjet "Ne nuk kemi zgjedhje tjetër vetëm të vijojmë me rrugën tonë, pa u marrë me ata, pa devijuar nga rruga e zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësisht rreziqeve të një procesi kur parti dhe disa kryetarë pa parti përbetohen se do ta dhunojnë të drejtën e popullit për të zgjedhur. Kjo nuk është zgjedhja jonë apo faji ynë, mund të bënim më shumë? Mbase, por nuk e di se cfarë" tha ai.

Me kryeministrin replikoi kryetarja e grupit Demokrat në Kuvend, Rudina Hajdari që u kërkoi me përulësi të gjitha palëve që të ulen për të zgjidhur krizën në mënyrë që vendi të mos shkojë në përplasje civile. "Do kërkoja me përulje dhe të pranoni ftesën time që t'i jepni fund kësaj krize, asnjë nuk do që ne të kemi përballje civile. Kemi kaluar shumë në këtë vend, kemi pasur situata të vështira, dhe ne me vullnet të plotë mundemi dhe duhet ta evitojmë këtë situatë. Nuk mund të themi thjesht ka kaq ndëshkim për këtë që bën atë dhe kaq për këtë" tha ajo.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:45
'Luli dhe Iliri me të shoqen Monikën'/ Rama: A ju kujtohet Republika e Re në 2017?


Në fjalën e tij nga Kuvendi, Rama 'thumboi' edhe Presidentin Meta dhe Monika Kryemadhin që sot drejton LSI-në. "Duan të bëhet nami dhe pastaj të dalë ku të dalë dhe Saliu del këtu me kapuç, i duket vetëm hunda dhe thotë Bindja Demokratike andej dhe rrëmujë duam dhe thonë nuk e kemi për reformën në drejtësi apo të pengojmë negociatat. A u kujtohet Republika e re dhe fushata e 2017, që sot akuzohemi ne për blerje votash, ishte fushata e Lulzmit për të shpëtuar viktimat e PD-së nga lekët e shpk-së, tregtarit të Venedikut, Ilirit bashkë me të shoqen Monikën,  ku ikën ato, apo harrohet, doli telefonata, doli një telefonatë, e gjitha kjo është fatkeqësi, pro ka një të vërtetë që ajo nuk na mundin dot" tha Rama.

Ora 15:03
E kritikoi për batutat, Rama-Hajdarit: Mos trego përralla, por qesh pak

Kryetarja e grupit demokrat në Kuvend, Rudina Hajdari kritikoi kryeministrin Rama për batutat gjatë fjalës së tij. Por kreu i qeverisë replikoi menjëherë duke i kërkuar që të lerë përrallat dhe të qeshë pak, pasi kështu do të ndihet më mirë.  Hajdari e akuzoi edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por Rama i tha se falë tij, ajo sot është në Kuvend. "Humori është e vetmja armë për t'iu kthyer brutalitetit pa rënë në brutalitet dhe nga ana tjetër nuk mendoj se njerëzimit i ka ardhur ndonjë e keqe nga e qeshura dhe besoj se momentet më të bukura të parlamenteve shumë të lartë se i yni është kur bëhet humor. Tani po të mos ishte marrëveshja e 2009 ju nuk do të ishit në parlament, ja një e mirë që ka sjellë. Sot parlamenti ka një numër grash që me atë sistemin tjetër nuk mund të imagjinohej, sot qeveria ka më shumë gra se burra që nuk mund të imagjinohej. E neveris gjyqin e dinjitetit. Nga ajo marrëveshje kemi pasur zgjedhje shumë më të mira se më parë dhe më pak konflikte dhe kemi një parlament më cilësor se më parë.

Nuk ka një sistem zgjedhor më i mirë se një tjetër. Mos e harroni që ju vetë keni ikur në Amerikë, studiuat dhe vendosën të vinit në Shqipëri. Unë nuk besoj që ju jeni më e mirë se dikush që iku dhe nuk u kthye. Mos trego përralla duke bërë sikur po e lufton. Ne mund të bëjmë shumë më mirë si qeveri por kurrë nuk mund ta bëjmë Shqipërinë në Gjermani. Kryetari yt i partisë së deridjeshme ka ikur jashtë dhe është kthyer, edhe unë, të tjerë nuk janë kthyer. Këta shifrat, se dëgjova edhe zotin Myslim që tha janë 300 mijë, ku i gjeni? Te SHQUP-i? Nuk janë të vërteta. Largimet janë tendencë e përgjithshme, jo e Shqipërisë. Përsa i përket pjesës që lidhet me zgjedhjet, a ka Shqipëria zgjedhje të besueshme? Shqipëria ka prej vitesh zgjedhje ku fitimtari del fitimtar dhe humbësi nuk del dot fitues me asnjë metodë. Ju jap një këshillë, mos e merreni seriozisht shumë as Bashën dhe as partinë që latë, dhe qeshni pak se do të ndiheni më mirë dhe do të shikoni më larg
" tha Rama.

Ora 14:47
Rudina Hajdari: Kërkoj me përulje t'i jepet fund krizës...Asnjë nuk do përplasje civile në zgjedhje (VIDEO)

Duke i quajtur legjitime zgjedhjet e vitit 2017, të cilat edhe vetë PD në atë kohë i firmosi si pa probleme, Rudina Hajdari, kryetare e grupit parlamentar demokrat, kërkoi të hidhen bazat që më në fund Shqipëria të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të munguara prej vitesh përsakohë rezultatet janë kontestuar në vazhdimësi nga forcat politike kur ndërronin rolet e pushtetit.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Rudina Hajdari ju drejtua të gjitha palëve që të ulen në bisedime për t'i dhënë fund krizës politike, që siç opozita joparlamentare ka paralajmëruar, mund ta çojë vendin deri në përplasje civile.

"Vërtetë nuk e  kam të lehtë të dal këtu si politikane e re dhe të flas përballë një kryeministri, por e mbaj këtë përgjegjësi mbi shpatulla se e ndjej të nevojshme, se një eksperiencë si kjo e tyre nuk i vlen më Shqipërisë. Këta politikanë në sallë, shumica e tyre jo të gjithë se kam respekt për disa prej jush, nuk kanë bërë asgjë për Shqipërinë. Ata janë arsyeja pse jemi ne sot këtu. Të dalësh këtu të flasësh përralla me mbret, të japësh histori batuta që qeshin disa deputetë, të tjerë që s'e dinë a të qeshin a jo. Është për të ardhur keq. Është ky kryeministër që thotë hajde debatojmë ide. Ku i keni idetë? Pse merreni me Bashën, Kryemadhin e Berishën? E morëm vesh. Ata kanë pasur eksperiencën e tyre, problemet e tyre, abuzimet e tyre, janë provuar, dhe shqiptarët nuk i kanë besuar, kështu treguan edhe zgjedhjet e fundit. Ato zgjedhje ishin legjitime, se firmosën, dhe pas dy vitesh vijnë këtu dhe thonë që nuk janë legjitime. Ne kemi mundësi të kemi zgjidhje të lira dhe të ndershme? Jo! Sepse kemi pasur zgjedhje që nuk janë pranuar edhe nga ju.

Në 2009 zotëri ju me grupin e PS e shitët Shqipërinë me marrëveshjen e 2008. Më thoni dot sot pas asaj marrëveshje, si në grupin tuaj, keni deputetë më të denjë se ç'keni pasur më parë? Përveçse keni deputetë që ju binden dhe qeshin pas batutave tuaja, unë nuk shikoj ndonjë ndryshim tjetër.

Marrëveshja e fundit e opozitës joparlamentare është për të ardhur, keq, e gabuar. Unë jam kundër bojkotit, nuk mund të shkojmë dot në zgjedhje duke bojkotuar. Duhet të marrim fund metodat antikushtetuese në një vend që kërkon të futet në BE. Duhet të tregojmë të gjitha palët vullnetin për ta zgjidhur këtë krizë. Nuk mund thjesht të kritikojmë për opozitën që tashmë është jashtë parlamentit. Ka qytetarë të ndershëm që kërkojnë që kjo mazhorancë t'i japë më shumë dritë këtij vendi.

Ju thoni që nuk jeni arrogantë dhe jeni të vendosur, për çfarë? Që shqiptarët të braktisin Shqipërinë? Që të bëni tenderë pa konkurrencë? Që të pasuroheni edhe për 7 breza të tjerë dhe kur të ikni të jeni rehat ju dhe familja juaj?

Shqipëria sot sipas llogarive të mia duhej të ishte në BE. Ne nuk jemi.

Do kërkoja me përulje dhe të pranoni ftesën time që t'i jepni fund kësaj krize, asnjë nuk do që ne të kemi përballje civile. Kemi kaluar shumë në këtë vend, kemi pasur situata të vështira, dhe ne me vullnet të plotë mundemi dhe duhet ta evitojmë këtë situatë. Nuk mund të themi thjesht ka kaq ndëshkim për këtë që bën atë dhe kaq për këtë. Duhet vullnet real.

Rudina Hajdari

Qëndruam në Kuvend për të mos e çuar vendin në përplasje civile. Të më dhembte mua do t'i dhembte mua dhe çdo shqiptari, ne duhet të heqim dorë nga ky lloj kërcënimi.

Ekziston një opozitë tjetër që është kundër jush që keni në këtë parlament vite të tëra dhe nuk keni sjellë asnjë ndryshim, ekziston një shoqëri civile që ju nuk e përfillni, ekzistojnë të rinj që nuk përndyen me pseudo-paktet tuaja që nuk sjellin asnjë ndryshim, qytetarë që duan ndryshimin e vërtetë të vendit. Këta janë opozita reale dhe prej tyre duhet të druheni. Kjo opozitë herët a vonë do fitojë", tha Hajdari.

Ora 14:41
Rama: Opozitës i kemi lënë vendin në reformën zgjedhore, ne do vijojmë qeverisjen

Edi Rama theksoi sërish sot se pavarësisht largimit nga Kuvendi, opozita e ka vendin në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ndërsa nuk kurseu ironinë dhe kunjat në drejtim të Bashës dhe Kryemadhit.
"Dy parti jo të parëndësishme i kanë braktisur ato, por nuk jemi ne që e duam këtë gjë. Ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Një grup njerëzisht nuk mund të marrin peng një projekt, si te Bregu i Lumit, apo Unaza e Re edhe për pak. Po të mos kishte ekzistuar kokëfortësia për të ndërtuar, nuk do të kishte ekzistuar Parisi. A jemi në një shumicë që nuk dëgjon? Po kush i ka dëgjuar dhe kush u ka kthyer përgjigje me shkrim 41 mijë njerëzve të zakonshëm dhe kush tjetër u ka zgjidhur mijëra halle duke i dëgjuar. Nuk po kthehem te armët kimike, por vij te Kukësi, i dëgjuam dhe u kërkuam ndjesë, se kishin të drejtë ata, dhe jo ne. Por aty ku kemi bindjen se kemi të drejtë nuk tërhiqemi.

Licencat për HEC-et në Valbonë u dhanë nga burri i atyre maleve, Saliu dhe kur diskutohej rrinte si skuth dhe fuste kokën te IPAD-i, ne bëmë sa mundëm aty ku komuniteti ka të drejtë. Basha ka folur tre orë më shumë se unë, megjithëse ka munguar 6 muaj në këtë parlament. Ne kemi pasur gatishmëri të dëgjojmë opozitën për reformën zgjedhore dhe i kemi thënë shkruajeni dhe na thoni si e doni ta votojmë. Kush i ka dëgjuar sikur i kemi dëgjuar ne këngët e librit të shtëpisë me orar dhe pa orar, kush e ka ngrënë si ne në këtë sallë, bojën, baltën dhe vezët.

Pse faji jonë është që pasi i konsumuan të gjitha mjetet e forta vendosën që të ikin nga parlamenti. Këta, edhe ju si ata jeni se nuk jeni ndryshe, por nuk e kam për ju, por ata që ishin këtu. Nuk po them kush i dëgjoi protestuesit poshtë Kryeministrisë pa ia kërcitur në lule të ballit. Tani thonë se na prekni me gaz, me cfarë t'ju tundim ato palmat, pse faji jonë është që ska erë për të shtyrë velat e varkës. Gazi lotsjellës është në protokoll dhe aty ku nuk funksionon kërcet dajaku në botë, ndërsa këtu dajakun e ha policia.

Plus që këta hipnin edhe nëpër pemë, këtë nuk e kam kuptuar se cfarë kanë. Jemi i vetmi vend që lyhen shtyllat me graso se ngjiten këta. Prapë u kemi lënë një vend në komisionin e reformës, të dëgjojmë edhe Murrizin këtu që na tregon lidhjet me Oerd Bylykbashin. Ata nuk na mundin dot prandaj kanë hyrë në një proces të mundjes së vetëvetes dhe ne kemi përgjegjësinë maksimale, jo të fitojmë por të dëgjojmë njerëzit dhe të qeverisim, duan ata, apo nuk duan, do apo nuk do Mediu, Nardi dhe qirje Vangjeli
" tha Rama.

Ora 14:35
Opozita kërcënoi me bllokim zgjedhjesh në 30 qershor/ Rama: Ja sa vite burg rrezikojnë

1556195138_ediramafoto.jpg

Opozita ka deklaruar se do të pengojë procesin zgjedhor të 30 qershorit, ndërsa kryeministri Rama sot i ka paralajmëruar për atë që i pret duke lexuar ligjin. "Pengimi i zgjedhjeve dënohet 1-5 vite burg, falsifikimi i materialeve zgjedhore dënohet 1-5 vite burg, dënimi i materialeve zgjedhore dënohet 6 muaj deri 7 vite burg, korrupsioni 1-5 vite burg, kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje për të votuar apo jo dënohet me 6 muaj deri në 3 vite. Kanosja që i bëhet vëzhguesit 1-4 vite burg, 2-5 kur është në bashkëpunim, se këtu është bashkëpunimi i madh, këta duhet ta dëgjojnë.

Pengimi i zgjedhjeve për të votuar personi dënohet 1-5 vite dhe 3-7 vite kur bëhet në bashkëpunim. Nëse ka budallenj që janë gati të përballen me këtë ligj të votuar nga parlamenti me iniciativë të PD-së dhe PS-së kur ishte në opozitë, për hatër të Lulit apo pse filxhani se ka nxjerrë akoma qartë, le të shkojë. Por unë besoj se njerëzit do të ftillohen dhe do të kuptojnë. Por kur thotë Fatmir Mediu me disa parti fantazëm, ka fatazëm më të madhe se PR-ja me një Famir dhe një Sabri të madh që kishte që tani është në paqe dhe paqja e madhe qoftë mbi të
" tha Rama.

Ora 14:35
Çfarë tha deputeti i 'opozitës së re' që parlamenti shpërtheu në të qeshura?

Deputeti Muslim Murrizi i dha një atmosferë tjetër sallës së kuvendit, me kundërpërgjigjen e tij ndaj kryeministrit Rama, lidhur me "dashurinë e dy djemve të Berishës". E gjithë salla e parlamentit shpërtheu në të qeshura, madje edhe vetë kreu i qeverisë.

"Cunat e Berishës le të bëjnë gili vili dhe të bëjnë qejf sa herë të duan. Unë kam qenë këtu jo nga ligji i gilit vilit. Kjo fletë e bardhë nuk është firmosur, se aq shumë u nxi në prill 2008, sa fytyrë që kanë ardhur në këtë parlament, nuk kanë pasur këllçe që të takojnë qytetarët. Pse unë ua paskam ndaluar dashurinë këtyre. Nëse e kam bërë këtë mëkat zoti më faltw, keni kohë që të takoheni dhe të dashuroheni sa herë të doni. Unë shoh që halli i madh i politikës shqiptare ka qenë pazari që është prishur sa është marrë kësti i parë. Vetëm dy zgjedhje janë pranuar pa sherre publike,pse se këta që kanë qenë këtu e kanë lëshuar karriken të ngopur", tha Murrizi.  

Ora 14:30
Krijimi i 'Bindjes Demokratike'/ Rama: Patozin e futi Berisha në zgjedhje

Eksponentë të Partisë Demokratike kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama në ditët e fundit se qëndron ai pas krijimit të partisë së re të Astrit Patozit, 'Bindja Demokratike'. Por Rama u përgjigj sot nga foltorja e Kuvendit duke thënë se pas Patozit qëndron Berisha, ndërsa duke iu drejtuar Rudina Hajdarit tha se po i bëjnë atë që i bënë të atit të saj, Azem Hajdarit.

"Na doli tani se unë paskam formuar 'Bindjen Demokratike'?! Pse jo Saliu, se ku ndryshon Patozi nga Saliu dhe Luli. Ata merrnin pjesë në aferat e qeverisë, Astriti vinte këtu me duar në xhepa dhe u bënte avokatin. Patozin e futi Saliun në zgjedhje. Një çun për rrugë dhe një për zgjedhje. Mirë cfarë hoqëm me PD, pse na u dashka të krijonim një PD tjetër tani?! Me zonjën Hajdari nuk kam folur asnjëherë, vetëm e kam parë atje. Me zonjën Hajdari bëjnë të njëjtën gjë që bënin me të atin e zonjës Hajdari. A harrojnë cfarë i bënte Baca Azem Hajdarit? Patozi më ka akuzuar në parlament se e hoqa unë nga listat e 2017. Pse faji im ishte që Saliu do të zgjidhte mes çunit me duar në xhepa (Patozi) dhe atij me xhepat plot(Bashës). E keni dëgjuar Saliun nuk thotë asgjë për Patozin, zgjedhje e lirë thotë, pra Bindje Demokratike. Një copë SHQUP-i e kemi në garë një copë në rrugë" tha ai.

Ora 14:26
Shit-blerja e votave/ Rama: S'kemi pasur problem me PD-në, por simotrën tonë

Edi Rama u shpreh sot se asnjëherë nuk kanë pasur me PD-në probleme për blerje votash, por vetëm me LSI-në. Ai tha se nëse LSI nuk merr pjesë në një palë zgjedhje do të vërtetohen fjalët e tij se nuk ka pasur të pasur blerje votash.

"Në rrugë kanë dalë se nuk vijnë dot në zgjedhje se po të vijnë dalin sikur hyjnë, si ajo kënga 'ashtu hyni, ashtu doli'. Ne një problem kishim 'si do i ruajmë nga fallxhorja (i referohet Monika Kryemadhit), kur është diskutuar nuk kemi pasur problem PD-në por simotrën tonë LSI-në. Bëjeni provë të rrijë LSI një turn pushim, nuk ka blerje dhe shitje votash, se nuk ka kush i blen dhe i shet. Do të shpëtojmë Shqipërinë nga blerja e votave" tha Rama.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Izraeli sulmon nga ajri jugun e Libanit, vriten 2 luftëtarë të Hezbollahut

Izraeli sulmon nga ajri jugun e Libanit, vriten 2 luftëtarë të Hezbollahut