Raporti i Progresit të KE-së për Kosovën: Zgjedhjet e parakohshme dhe pandemia, integrimi drejt BE ka ngecur

Raporti i Progresit të KE-së për Kosovën: Zgjedhjet e parakohshme dhe pandemia, integrimi drejt BE ka ngecur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kuri

Pak përparime janë bërë në Kosovë në drejtim të reformave që lidhen me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, theksohet në Raportin e Progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dy faktor kryesorë përmenden në raport, situata e paqëndrueshme politike si pasojë e zgjedhjeve të shpeshta të parakohshme dhe pandemia e Covid-19. "Zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2021 ishin të administruara mirë, transparente dhe konkurruese, pavarësisht disa mangësive, por forcimi i kuadrit ligjor dhe institucional mbi fushatën zgjedhore dhe financimin e partive politike mbetet një fushë ku duhet të kryhen reforma të thella” thuhet në raport.

Kosova të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë

Në raportin e progresit në pjesën për Kosovën flitet edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

"Komisioni Evropian i bën thirrje Kosovës që të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshëm me Serbinë”. Sipas Komisionit Evropian, një marrëveshje e tillë me Serbinë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugëtimin e tyre evropian.

Përparim i kufizuar në luftën kundër korrupsionit

Për sistemin e drejtësisë në Kosovë raporti thekson se reformimi vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefikas dhe i cenueshëm nga ndikimi politik. "Kosova ka bërë përparim të kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar por duhet shtuar përpjekjet për hetime më aktive, vendime përfundimtare gjyqësore dhe konfiskim përfundimtar të pasurive të paligjshme”.

Në raport theksohet qartë, se "Kosova ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit” posaçërisht në lidhje me rehabilitimin dhe ri-integrimin e familjarëve të luftëtarëve terroristë që morën pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme”.

Si edhe në vitet e mëparshme, prej vitit 2018, në raportin e Progresit të Komisionit Evropian përmendet që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por, një gjë e tillë akoma nuk po ndodh. Kosova është i vetmi vend në Evropë që ka kufizim të lirisë së lëvizjes në zonën Shengen.  

Reagimi i qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës nga ana e saj, nuk ka kundërshtuar asnjë konkluzion të raportit të progresit. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se qeveria e tij tashmë po bën përpjekje të pandalura që të përmirësojë situatën në fushën e sundimit të ligjit. "Kemi miratuar strategjinë për sundimin e ligjit, projektkodin e procedurës penale dhe ligjin për Agjencinë kundër Korrupsionit si dhe e kemi finalizuar draft-dokumentin për zhvillimin e Vettingut dhe draftin e parë të projektligjit për verifikim dhe konfiskim të pasurisë të pajustifikuar, veprime këto që do të forcojnë dhe avancojnë sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit e korrupsionit”, tha kryeministri Kurti  në reagimin e parë  pasi e pranoi raportin e progresit nga shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Kryeministri Kurti ka përmendur dy proceset e fundit zgjedhore, atë të zgjedhjeve të përgjithshme në shkurt dhe të zgjedhjeve lokale në tetor, procese këto që i vlerësoi si  transparente dhe me garë demokratike. "Në këta gjashtë muaj të qeverisë kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besueshmëri të lartë në institucione nga ana e qytetarëve, që përbën progres të madh shoqëror, që do ta kishin zili, jo vetëm rajoni, por edhe jo pak vende të Bashkimit Evropian”, tha  Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha, se Kosova do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar për bisedime me Serbinë, ndërsa hodhi poshtë mundësinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Për këtë të fundit, përfaqësuesit e Listës Srpska që kanë 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës, tashmë kanë paralajmëruar se nëse deri në fund të vitit nuk formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ata do të largohen nga institucionet e Kosovës. Këtë përpjekje të tyre e kanë mbështetur hapur edhe autoritetet e Beogradit./ DW

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Kanabis me postë nga SHBA, kush janë dy të rinjtë e arrestuar

FOTO/ Kanabis me postë nga SHBA, kush janë dy të rinjtë e arrestuar