Raporti sekret i ministrit/ Shënimi i Enverit:  Kosovarët të vijnë si turistë dhe të bëjnë propagandë të mirë, por Sigurimi Shtetit do ketë telashe…

Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme me siglën “Tepër sekret”, i cili i përket vitit 1980, ku Ministri i Punëve të Brendshëm të asaj kohe, Feçor Shehu, informon sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxhën lidhur me shqiptarët e Kosovës dhe atyre të visve të tjera në Jugosllavi që do të vinin si turistë në Shqipëri. Sipas raportit të Ministrit të Punëve të Brendshme, nga 2847 shtetas të huaj të ardhur si turistë në Shqipëri në periudhën korrik-gusht të vitit 1980, 74 prej tyre dyshoheshin si agjentë të zbulimeve të huaja dhe nga ata, 46 ishin nga Jugosllavia, shqiptarë të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Shënimi i Enver Hoxhës mbi raportin e Sigurimit të Shtetit, ku ai sugjeron që “kosovarët do të vijnë në Shqipëri si turistë dhe të bëjnë propagandë të mirë, por kjo gjë natyrisht që do i krijojë probleme dhe telashe Sigurimit të Shtetit, se nuk ka punë pa telashe…”?!

Përpara tre katër vjetësh, në një nga pronocimet e rralla të saj në shtyp, e veja e ish-diktatorit komunist të Shqipërisë, Nexhmije Hoxha, foli edhe për problemin e shumëdiskutuar në media, atë për “korrigjimin e kufijve të Kosovës”. Ndërmjet të tjera ajo vuri në dukje “dashurinë e madhe që kishte pasur Enver Hoxha për Kosovën dhe se çfarë kishte bërë ai për Kosovën dhe kosovarët….”?! Pa dashur të komentojmë fjalët e saj, është vendi të thuhet se; dihet botërisht fati tragjik i emigrantëve kosovarë që erdhën në Shqipëri nga viti 1949 e deri në shembjen e regjimit komunist, pasi që nga viti 1991 e në vazhdim, janë bërë publike me dhjetëra e dhjetëra dokumente arkivore apo dëshmi të ndryshme, se si një numër shumë i madh shqiptarësh të Kosovës apo nga vise të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, kanë vuajtur në burgjet apo kampet e internimeve të Shqipërisë komuniste. Janë të njohura tashmë historitë e kampit të internimit në Llakatund të Vlorës, i hapur enkas që në fillimin e viteve ’50-të, për “sistemimin” e emigrantëve shqiptarë që vinin këtej kufirit nga represioni i egër serb dhe kryesisht politika rankoviçjane. Në atë kamp, por dhe të tjera kampe internimi në fushat e Myzeqesë etj., kanë kaluar disa vite një kalvar të rëndë edhe emra të njohur tashmë, si studiues, historian, shkrimtarë, artistë etj., njerëz të letrave, si: Nazmi Berisha, Esat Myftari, Gani Demiri Ratkoceri, Kapllan Resuli, Sadri Ahmeti, Namik Luci, Estref Kelmendi, Shefqet Kelmendi, Selim Kelmendi, Preloc Margilaj, Zef Gjeloshaj, etj., etj., ku shumë prej tyre vdiqën burgjeve të atij regjimi. Por pa hyrë fare në këto histori që tashmë janë shumë të njohura, se cila ka qenë “dashuria” e Enver Hoxhës për Kosovën dhe kosovarët, veç të tjerash na e bën të ditur një dokument arkivor i vitit 1980, ku Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Feçor Shehu, ndërmjet të tjerash e informon Enver Hoxhën edhe mbi ata shqiptarë të Kosovës apo të viseve të tjera në Jugosllavinë e asaj kohe, që vinin si turistët në Shqipëri. Kështu, sipas dokumentit në fjalë, vetëm për periudhën korrik-gusht 1980, nga 2847 persona të ardhur si turistë në Shqipëri, 74 prej tyre dyshoheshin si agjentë të zbulimeve të huaja, dhe nga këta, 46 ishin nga Jugosllavia. Pra jo vetëm nga sa më sipër cituam, por i gjithë brezi që e ka jetuar atë kohë e kujton fare mirë se mbas çdo kosovari, regjimi komunist shikonte një agjent të UDB-së?! Gjë e cila konfirmohet edhe nga ky dokument që publikohet për herë të parë dhe ekskluzivisht nga Memorie.al.

Letra e Feçor Shehut për Enver Hoxhën në vitin 1980

DISA PROBLEME ME TE HUAJT

Gjatë muajve korrik-gusht, në vendin tonë kanë ardhur 2847 të huaj, nga të cilët 245 tregtarë, 12 specialistë,, 123 shoferë, 369 vizitorë, 1527 turistë, 104 të ftuar, 467 në grupe kulturore-sportive.

Duke ndjekur qëndrimin e sjelljen e këtyre të huajve me vigjilencë, me takt e korrektësi për të mos shkaktuar shqetësime, organet e Sigurimit të Shtetit kanë përcaktuar në radhët e tyre si të dyshimtë (kuadro dhe agjentë të zbulimeve të huaja) 74 persona, prej të cilëve 46 të ardhur nga Jugosllavia (7 janë marrë në përpunim).

Në kuadrin e ardhjes së të huajve përparësi i kem i dhënë ardhjes nga Kosova e vendet e tjera shqiptare në Jugosllavi, nga këto gjatë muajve korrik-gusht kanë ardhur 545 persona, nga të cilët 205 vizitorë-turistë, 122 në grupe kulturore-sportive, 14 të ftuar dhe 16 tregtarë dhe specialist.

Për të ardhmen mendojmë të vazhdojmë kështu, duke i dhënë përparësi ardhjes së shqiptarëve nga Kosova e viset e tjera si vizitorë dhe të mos aplikojmë ardhjen e tyre me grupe turistike, për arsye se:

Jep mundësinë jugosllavëve të shfrytëzojnë këto grupe turistike për të future persona nga të gjitha kombësitë dhe ndërmjet tyre të kamuflojë më lehtë agjentë të vet, të cilët kanë lidhje familjare me persona me qëndrim të keq politik në Shqipëri.

Personat që vijnë me grupe turistike, në bazë të marrëveshjes së Turizmit me firmat e huaja, shqyrtohen e miratohen vetëm si grupe e numër, gjë që vështirëson punën e organeve të Sigurimit në marrjen e masave paraprake e në vazhdim për kontrollin dhe zbulimin e veprimtarisë armiqësore.

MINISTRI I PUNEVE TE BRENDESHME  (FEÇOR SHEHU)

Shënimi i Enver Hoxhës te raporti i Feçor Shehut

Për çështjen e kosovarëve, ne veçanërisht duhet të bëjmë më shumë, të vinë të shohin dhe të bëjnë propagandë të mirë. Sigurimi sigurisht që do të ketë telashe, pse pa telashe s’bëhet, por duhet peshuar, anët pozitive dhe anët negative të turistëve kosovarë me grupe të organizuara. Ne e bëjmë këtë për të huajt, jo për shqiptarët kosovarë./ Memorie.al

I.K./b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se pandemia COVID-19 ka ndikuar në rritjen e çmimeve nëpër zonat turistike në vend?

Komento

Komente

  • Kasem gahinji: 29/06/2020 10:55

    Pse duhet te çuditeni qe nga rradhet e kosovareve vinin edhe agjente te udb.a nuk vepronte,drejtonte,organizonte udb dhe kolonel dushan mugosha ne kosove kunder shqiperise?me cilet punonte?me kosovare dhe shqiptare te arratisur.kush e organizoi lidhjen e dyte te prizrenit?dushan mugosha.kush bente pjese?shqiptare te arratisur dhe kosovare.le te thuhen te vertetat sic jane.me ke punonte celula e udb ne tropoje?me kosoven.nese e "shiti"enveri kosoven te serbi,pse kosovaret u bashkuan me udb e serbit kunder shqiperise?a e dini ju qe per shume vite ,nje nga sekretaret e ambasades jugosllave ne tirane ka qene oficer i larte i udb?pse kosovaret pranuan te tilla ofiqe duke i sherbyer udb ne veprimet kunder shqiperise?çeshtja eshte te mos tregohen virgjeresha kur dihet qe jane virgjeruar ne maternitetet e udb.pse ka patur pak shqiptare qe i kane sherbyer asfalise apo agjenturave te tjera?apo sot,meqe duhet te nxihet enveri,i bejme patriote.

    Përgjigju
  • miri: 29/06/2020 08:50

    Ju gazetarucë sado që të mundoheni ta shëmtoni atë kohë dhe atë regjim kurrë nuk do ta nxini dot,vetëm veten tuaj do të nxini dhe do të bëheni ta pa besueshëm ,sepse ne që kemi jetuar në atë periudhë e dimë më mirë se çfarë u bë mirë dhe çfarë u bë keq.Por më keq se këto 30-të vjet ky vend s'ka vuajtur më shumë që në kohë e Zogut.

    Përgjigju
    • Arbëri: 29/06/2020 09:46

      Të lumt...!!!



×

Lajmi i fundit

John

Eugert Lazaj vrau veten! Flasin prindërit: U fiksua gjatë karantinës, thyente telefona, kërkoi grila të ngurta se thoshte ka njerëz jashtë shtëpisë!