Raporti ‘Tepër sekret’: “Nënkoloneli rumun, Birçak, më tha se ju shqiptarët nuk e dini se Enver Hoxha, ka mbajtur…”! Relacioni për kontraditat me Moskën në ’61-in

Janë publikuar disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) të cilat i përkasin vitit 1961 dhe janë pjesë e një dosje voluminoze me letra, raporte, informacione, relacione, udhëzime, peticione, etj., ku bëhet fjalë për fillimin e kontradiktave dhe prishjen e marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Bashkimin Sovjetik, gjë e cila asokohe u ndie shumë tek studentët shqiptarë që asokohe ndodheshin me studime në shkollat dhe universitetet e Bashkimin Sovjetik, të cilët, sipas urdhrit të marrë nga Tirana, i ndërprenë studimet dhe prisnin udhëzimet për t’u kthyer në Shqipëri.

Dosja e plotë e studentëve shqiptarë në ish-Bashkimin Sovjetik, ku pjesa më e madhe e tyre, kryesisht ata që vazhdonin Akademitë Ushtarake, Shkollën e Lartë të Sigurimit të Shtetit, Policisë, Kufirit, Drejtësisë, etj., patën probleme të mëdha dhe u ndeshën me peripeci të shumta me autoritetet zyrtare ruse, duke u vënë deri në masën e arrestit si dhe ndërhyrja e atasheut ushtarak shqiptar në Moskë, gjeneral-major Halim Ramohito, për zhbllokimin e situatës dhe kthimin e studentëve ushtarakë shqiptarë në atdhe.

   R e l a c i o n

Në përmbledhjet e ditës së parë të muajit shkurt, pasi ekzaktësisht data nuk më kujtohet, (data është dhënë e saktë tek relacioni zyrtar dërguar ambasadës sonë në BRSS-së) kam pasur takim me Nën-Kolonel Birçak (rumun). Biseda ka lindur kështu :

Kur isha duke shkuar në dhomë për të fjetur, ai më thotë që t’i jap një cigare. Pasi ja jap, ai më pyet sesi qëndronte puna me kursantët tanë marinarë në Leningrad?! Shumë mirë qëndron, i them, pasi ata i nisëm shpejt e shpejt për në Shqipëri dhe kryen detyrën që u ka ngarkuar Partia.

Enver Hoxha, më thotë ai nuk ka folur mirë në Mbledhjen e 81 Partive Komuniste në Moskë, dhe ka mbajtur qëndrim të keq kundër qeverisë sovjetike.

Unë ju përgjigja se: kjo ishte një shpifje që i bëhej vendit tonë të vogël, pasi ata duan të mbysin shpirtin revolucionar të partisë sonë. Sepse ai, mbron marksizëm-leninizmin dhe demaskon qëndrimet anti-marksiste.

Më tha që: shoku Enver nuk u përkrah nga vendet e kampit socialist.

I them se: ai u përkrah nga të gjitha ato parti që zbatojnë me vendosmëri marksizëm-leninizmin. Vija jonë përfaqësohet nga kinezët, vietnamezët, indonezianët, kubanezët, etj. I theksova se këto parti përfaqësojnë klasën punëtore dhe luftojnë me vendosmëri, rrethimin kapitalist pa kompromise.

I deklarova njëkohësisht që partia jonë, ishte e vetmja në Mbledhjen e Bukureshtit që u theu hundët revizionistëve që tentuan me çdo kusht që të përjashtonin Kinën. Po kështu i theksova atij se qeveria sovjetike nëpërmjet Komisionit, po çarmatos popullin shqiptar, duke hequr bazën e Vlorës, e vendosur nga Traktati i Varshavës.

Më thotë që: ju shqiptarët, do ta kërkoni ndihmën e Bashkimit Sovjetik shumë shpejt, por nuk do ta gjeni më atë.

I them që: neve na ndihmon i tërë populli sovjetik, ai kinez, dhe popujt e kampit socialist.

(Rumuni Birçak) Partia dhe qeveria juaj, i ka bërë një mesazh qeverisë sovjetike në lidhje me heqjen e bazës së Vlorës dhe e ka cilësuar atë, agresore.

(Unë): Nuk kam dijeni për këtë gjë, por nëse këtë e ka thënë Partia jonë, unë si komunist me gjithë zemër e aprovoj këtë si veprim të padrejtë.

Më thotë që: mos u bëj merak se do të flasim përsëri pas dy javësh dhe do ta shikoni, se çfarë do t’ju ndodhi nga kjo që po bëni.

I deklaroj se: nëse shpresoni se revizionistët do të përmbysin partinë dhe qeverinë tonë, por ata nuk do t’ja arrijnë kurrë këtë gjë. Partia dhe qeveria jonë, gëzojnë tërë simpatinë e punonjësve tanë. Juve, e provuat në Leningrad, ku, sado që provokuat kursantët marinarë shqiptarë, për t’i mashtruar dhe për t’i hedhur në situatë të vështirë, ata nuk ranë pre e tyre.

Njëkohësisht, tentuat nëpërmjet veprimeve të poshtra, që t’i izolonit dhe arrestonit ata, por, biri besnik i partisë, i edukuar me frymën e marksizëm-leninizmit, nuk lejoi që të krijohej një anomali dhe ndoshta edhe gjakderdhje (e kam fjalën për Gjeneral Ramohiton).

Edhe në kongresin tonë, ju tentuat që nëpërmjet delegatëve tuaj, t’i prisnit hovin revolucionar popullit tonë, që ka shpërthyer fuqishëm. Për këtë akt thoni se nuk keni dijeni se gazeta dhe radioja juaj nuk flet për këtë gjë.

Më pyet se: ku qëndron uniteti i vërtetë i partisë suaj?! Sikur partia juaj të largohet nga kampi socialist, çfarë do të ndodhi?

Përgjigje: Partia jonë është besnike e marksizëm-leninizmit, sepse vija e saj, është përcaktuar që në fillim të saj.

I them se: nuk do ketë absolutisht pajtim me oportunizmin.

Më thotë se: ti je i ri dhe se nuk e din tamam se sa keq është sjellur Enver Hoxha në konferencë.

Përgjigje: I them që unë, e lexoj, e dëgjoj, dhe e kuptoj, Enver Hoxhën, po ti, ku vallë e gjete të shaptilografuar fjalimin e tij, që e ditke para meje?! U deklaroj atyre se partia jonë, nuk ka frikë nga anëtarët e saj dhe ajo ua thotë haptazi në shtyp politikën e saj, popullit të vet. Kurse ju, trembeni dhe nuk shkruani për politikën konsekuente që ndjek PPSH-ja.

Pyetje: Më thonë se: ju shqiptarët ankoheni se inxhinierët dhe teknikët sovjetikë, marrin shumë para?!

Përgjigje: Nuk është e vërtetë, i them, pasi këto gënjeshtra i thonë revizionistët, të cilët tentojnë të ndajnë popullin tonë nga ai sovjetik. Populli ynë, e ka vlerësuar dhe e vlerëson drejt ndihmën e popullit sovjetik, dhe miqësia jonë me BRSS-në, do jetë e pathyeshme. As që na ka shkuar në mëndje të përmendim nivelin e pagave të tyre, sepse të mirat që i kanë sjellë inxhinierët sovjetikë shqiptarëve, nuk paguhen me lekë. Neve, e kemi dashur popullin sovjetik edhe atëherë kur nazistët gjermanë, të ndihmuar nga ushtritë rumune, vrisnin popullin e Odesës dhe të Stalingradit.

Rumuni Birçak, i inatosur, më thotë të lexoj broshurën e 40 Vjetorit të Partisë Komuniste Rumune, se sa komunistë rumunë janë vrarë.

I them që: e kam lexuar, pasi shtypi jonë në lidhje me këtë gjë, botoi një faqe gazete, kurse shtypi juaj, për gjyqin që po bëhet tek ne, nuk boton asgjë.

Para 3-4 ditëve, duke qenë të grumbulluar në kohën e pushimit të drekës, isha me nën-kolonel Strati Vodicën, kolonel Pertef Pumon dhe kolonel Maman Saliun. Strato, mori një gazetë ‘Pravda’ dhe po ja lexonte Mamanit, artikujt ku qeveria sovjetike sulmonte hapur popullin shqiptar.

Mamani, nga inati, e mori gazetën dhe e grisi. Rumuni, pasi pa këtë ngjarje, shkoi dhe raportoi tek Komanda e Shkollës. Pasi erdhi, më deklaroi se po të isha unë si qeveria sovjetike, shokun tuaj e arrestoja në vend ,se grisi gazetën.

I them se: ku e gjete kurajën që të shkosh dhe të raportosh e shpifësh për një shok shqiptar, me paturpësi, më thotë që nuk e raportova unë.

Gjatë zhvillimit të kësaj ndodhie me ne, ishin dhe dy kolegë, një çekosllovak, dhe një hungarez. Hungarezi, më shkeli syrin që të largohesha, ndërsa rumuni më hodhi krahun, dhe me ironi më tha që: ju do ta kuptoni më vonë këtë gjë.

I them që: unë e kam kuptuar, por shikoni se mos nuk e kuptoni ju.

Kam pasur biseda me shokë sovjetikë, dhe një nga bisedat më të rëndësishme në muajin Prill (data nuk më kujtohet), kam pasur me major Kavalovin, që është përgjegjës i grupit të I-rë të fakultetit të VII.

Një ditë, shkoj në dhomën e tyre dhe pasi i përshëndes të gjithë grupin, një nga oficerët, më pyet sesi shkoja me mësime unë që vija nga vendi i shqiponjave, sesi e ka punën Enver Hoxha dhe se çfarë diskuton ai.

I them se: populli shqiptar nën udhëheqjen e partisë dhe të shokut Enver, po ndërton socializmin dhe po ka suksese të mëdha.

Pse nuk na thua ndonjë gjë se, çfarë po ndodh ndërmjet Hrushovit dhe Enverit, më thonë ata?!

Mbasi u shpjegoj punët, që nga Konferenca e Bukureshtit, Mbledhjen e Moskës, çështjen e Pallatit të Kulturës, dhe ikjen e bazës sovjetike.

Ata, u habitën dhe më thanë se: këto që i shpjegova, ishin shumë interesante dhe se askush nuk u’a kishte treguar atyre më parë këto gjëra. Por njëkohësisht njëri prej tyre, më tha të kisha kujdes, se mos isha keqinformuar për këto gjëra.

I deklaroj me bindje se: këto që u thashë, janë të vërteta dhe se partia jonë ne popullit shqiptar, nuk na mban asgjë të fshehtë dhe se na informon për mosmarrëveshjet me sovjetikët. I’u them gjithashtu, se: shtypi juaj, nuk po boton asgjë lidhur me gjyqin e komplotistëve që po zhvillohet në Tiranë.

I shpjegoj se në këtë gjyq me fakte, po demaskohet veprimtaria e revizionizmit jugosllav në bashkëpunim me shovinizmin grek dhe imperializmin amerikan.

Më thonë se: edhe për grupet armiqësore që zbulohen këtu në Bashkimin Sovjetik, shtypi ynë nuk shkruan gjë, por ne do të kërkojmë në fund një përmbledhje të këtij gjyqi.

Më thonë se: heqja e flotës ishte një gabim, sidomos tani që ne kemi dhe raketa të mëdha.

I them që: nuk është kështu, pasi i deklarova faktin se partia jonë me guxim marksist-leninist kritikoi Hrushovin dhe qeverinë e Bashkimit Sovjetik për qëndrimet e tyre ndaj Shqipërisë.

Atyre j’u mbushën sytë me lot dhe pas dy orë e gjysëm biseda mes nesh, u ngritën dhe njëzëri më thanë se miqësia midis popullit tonë dhe popullit tuaj, do jetë e pathyeshme, se ne të mos mërziteshim, se gjithçka do rregullohej, dhe se çdo kush, do marri meritën që i takon.

Mbasi ata u larguan, unë mbeta vetëm me përgjegjësin e grupit Major Kavalovin. I citoj të gjithë raportin e shokut Enver dhe e pashë që u trishtua shumë. Kur i thashë se: Enver Hoxha në mes të Konferencës së Moskës, i deklaroi Hrushovit se ky i kishte drejtuar një letër K.Q. të PPSH-së, që ne të pranonim tradhtarin e popullit shqiptar që sot ndodhet në Jugosllavi, Panajot Plakun dhe na kërkoi që të mos pushkatonim armiqtë, Dali Ndreun dhe Liri Gegën, që pas tradhtisë së Titos, tentuan që të arratisen.

Më tha i trishtuar, që: ne kuadrove sovjetikë na thonë që ka disa mosmarrëveshje me Shqipërinë dhe me Kinën, që do të rregullohen.

Në datën 12.7.1961, në periudhën që do largoheshim nga Bashkimi Sovjetik, e lajmëroj në telefon dhe dolëm në qytet (në parkun Gorki). Unë isha së bashku me Xhemal Morinën dhe kur ai na takoi, na pyeti sesi ishim.

I them që: jemi shumë mirë dhe se Hrushovi na përjashtoi nga shkolla, sepse ne mbrojmë komunizmin. Qeveria sovjetike, përjashtoi përgjegjësin e grupit tonë dhe Sekretarin e Organizatës së Partisë të grupit të Sigurimit. Dhe për këtë arsye, partia jonë, vendosi që të tërheqë nga Bashkimi Sovjetik, të gjithë studentët që mësojnë për llogari të Ministrisë së Punëve të Brendshme. I komunikova dhe urdhrin për të ndërprerë mësimin.

Më thotë i trishtuar se: kjo ishte e pabesueshme dhe se, po të ja kishte thënë ndonjë tjetër, nuk do ta kishte besuar.

I shpjegoj ngjarjen e largimit të flotës nga vendi ynë dhe i theksova se sipas marrëveshjes, Hrushovit, atë pjesë të flotës që na dha, i’a kthyem, ndërsa pjesën tjetër që na e ka dhënë Stalini, e mbajtëm.

Më pas i them, sesi në mbledhjen e Traktatit të Varshavës, në vend që të diskutohej për të mbrojtur interesat e kampit të socializmit, u kthye në sulm ndaj Shqipërisë dhe nëse Mbledhja e Bukureshtit, ishte kundër Kinës, ajo e Moskës ishte kundër Shqipërisë.

Kisha me vete raportin e shokut Enver të përkthyer në rusisht dhe i’a jap që ta lexojë ai. I them: shikoje këtë raport dhe më thuaj se ku është kundër politikës së BRSS-së dhe marksizëm-leninizmit?!

Pasi e lexon, më thotë se: keni plotësisht të drejtë që partia dhe qeveria juaj luftojnë revizionizmin. Unë tashmë, më thotë se e kam të qartë, së bashku me shokët e mi, sesi qëndron e vërteta dhe se kjo është një çështje e thellë, se ky nuk është faji i partisë dhe qeverisë suaj, por është vijimësia e një problemi të gjatë. (Unë) populli ynë, nuk e ka mbështetur dhe aprovuar përjashtimin nga K.Q. të Malenkovit, Molotovit, Zhukovit, apo dhe udhëheqësve të tjerë të partisë.

Hrushovi, kritikon kultin e individit, por është më shumë se kaq, pasi sot, ai e ka kaluar në represion dhe po likuidon gjithë udhëheqësit e partisë, siç janë p.sh.: rastet e atyre të Moldavisë dhe Azerbajxhanit. Me fshehtësi, hoqi Kryetarin e Këshillit të Ministrave dhe ka vënë njeriun e tij, Podgornijn atje. Edhe në aparatin e Komitetit Qendror, ka mbledhur njerëzit e tij, madje një është i rrethit familjar të Hrushovit.

Më në fund më tha, se: neve Shqipërinë nuk e lëmë vetëm, se ajo dhe Kina, janë vendet më të dashura për ne rumunët, bullgarët, hungarezët, etj.

Kavalovi, më deklaroi se: Hrushovi likujdoi të gjithë njerëzit e mire, por në fund partia dhe populli i Bashkimit Sovjetik, do t’i tregojnë vendit atij dhe të tjerëve. Ju shqiptarët, mos u dëshpëroni, por punoni fort dhe duajeni atdheun tuaj dhe mos lejoni asnjë revizionist që t’ju futet në kufi.

Më pas, më theksoi se: shumë vetë flasin sesi është gjendja juaj me sovjetikët, por këtë gjë nuk e bëjnë hapur, se ti e di se çfarë ju ndodh më pas.

Biseda të kësaj kategorie kam bërë me shokë dhe përgjegjësa dhe qëndrimet kanë qenë të njëjta./Memorie.al

J.SH./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se strukturat shtetërore i kanë kapacitetet për të përballuar stinën e përmbytjeve?



×

Lajmi i fundit

John

Putin: Njerëzit e vaksinuar me Sputnik nuk duhet të privohen nga e drejta për të udhëtuar