Rasti "Monstra", edhe sot protesta
në Strugë: Lironi djemtë tanë

Rasti në Strugë: Lironi djemtë tanë">
SHKUP - Kanë vijuar edhe sot protestat në qytetet shqiptare në Maqedoni, për të shprehur revoltën dhe kundërshtinë ndaj dënimit me burg të përjetshëm për 6 shqiptarë për vrasjen e 5 maqedonasve dy vjet më parë në procesin “Monstra” që sipas tyre nuk ka pasur prova.

Në Strugë edhe sot për të dytën ditë me radhë me dhjetëra qytetarë protestuan kundër dënimit të gjashtë shqiptarëve me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”. Në dallim nga dita e djeshme, protestës iu bashkua edhe kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela. Protestuesit strugan me flamuj kombëtar parakaluan nga qendra e Strugës në drejtim të tregut dhe nga aty - marshuta vazhdoi në itinerarin e njëjtë deri te Gjykata Themelore ku nuk munguan edhe thirrjet për lirimin e gjashtë shqiptarëve të Shkupit. Protestuesit u shpërndan të qetë dhe u ndan me premtimin se do t5ë vazhdojnë të protestojnë deri sa të lirohen të arrestuarit për rastin “Monstra”.

Duhet thënë se në fillim ishte një numër i pakët i protestueseve por gradualisht numri i protestueseve rritej rrugës. Marshimi i protestuesve dhe vetë protesta gjatë gjithë kohës u përcoll nga ana e policisë.
 

“Nuk do të ndalemi deri sa të lirohen djemtë tanë”. Me këtë kërkesë janë bërë thirrjet për protesta edhe ditën e sotme në rrugët e Shkupit. Por jo vetëm kaq. Protesta janë paralajmëruar çdo ditë deri sa të lirohen nga burgu 6 shqiptarët e dënuar me burgim të përjetshëm. Ky njoftim i cili qarkullon dhe shpërndahet ende në rrjetet sociale tregon qartë se protetsuesit janë të vendosur t’i shkojnë deri në fund qëllimit të tyre.
 
Organizatorët e protestave, ende të panjohur kartuan një tabelë me orën dhe vendin ku pritet të mblidhen protestuesit.
 
Kështu, protesta u njoftuan në disa qytete njëkohësisht, në Çairçanja të Shkupit, në sheshin “Iliria” në Tetovë, në qendër të Gostivarit, tek sheshi “Skënderbej” në Dibër dhe në sheshin e qytetit të Strugës.
 
Kjo është dita e katërt e protestave që morën shkas nga dënimi me burgim të përjetshëm të 6 të akuzuarve për rastin “Monstra” në Maqedoni”.
 
Dhjetëra protestues dolën në Shkup, Tetovë, Gostivar, madje gjatë së Dielës prostesta pati edhe në Dibër, ku situata u përshkallëzua në përleshje të dhunshme fizike mes forcave të policisë dhe turmës. Gaz lotsjellës u përdor ndaj tyre, ndërsa nga përplasjet mbetën të plagosur ndër radhët e protestuesve, por edhe uniformat blu. 

BDI do të kërkojë monitorim ndërkombëtar
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në prononcimin e tij të parë për protestat kundër rastit Monstra dhe dënimin me burg të përjetshëm të pesë personave ka theksuar se është e drejte e çdokujt që të protestojë dhe të shpreh pakënaqësinë e tij. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Pol Uolers tha se dhuna nuk i ndihmon procesit.

“Sot kisha një takim të rëndësishëm me ambasadorin e SHBA-ve dhe bashkërisht vlerësuam që e drejt e çdo qytetari është të protestojë. E drejtë legjitime është që të gjithë të shfaqin pakënaqësi për procese të caktuara, që këto procese të jenë sa më transparente dhe të jenë sa më të besueshme për opinionin, publikun dhe opinion-bërësi. Bashkërisht vlerësuam se dhuna nuk ndihmon procesin, dhuna nuk i ndihmon zhvillimit të mëtejmë të procesit, nuk ndihmon zgjidhjen institucionale, që ky proces të jetë sa më bindës për gjykatën e apelit me qëllim që ky zhvillim të rikthehet në shkallë të parë”, tha Ahmeti.

Ai më pas theksoi se e ka informuar ambasadorin e SHBA-ve se BDI do të kërkojë monitorim nga ekspert ndërkombëtar dhe vendor me qasje të plotë në të gjithë procesin dhe procedurat që opinioni të jetë në mënyrën më transparente i njoftuar.

Redaksia Online
(e.s/Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet