Meta e kallëzoi, Dvorani: Faktet i vlerëson drejtësia! Shtetarët tanë nuk ndjehen mirë kur Kushtetuta i heq autoritetin ekskluziv

Meta e kallëzoi, Dvorani: Faktet i vlerëson drejtësia! Shtetarët tanë nuk ndjehen mirë kur Kushtetuta i heq autoritetin ekskluziv

TIRANË - Duke ruajtur etikën, në një përgjigje gjyqtari, pa futur fjalor akuzues e shantazhues siç quan komunikimin e presidentit ditët e fundit, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, thotë se kreu i shtetit nuk ka asnjë status të prvilegjuar për të interpretuar zbatimin e kushtetutës dhe të ligjit. Pas kallëzimit që Ilir Meta dorëzoi sot në tre prokurori kundër Dvoranit, ai thotë se do të tregohet i gatshëm për tu paraqitur prangë organit të akuzës për të dhënë "shpjegimet përkatëse mbi faktet e të vërtetën, si edhe ligjin e zbatueshëm lidhur me to, ashtu siç e bën pa zhurmë e bujë çdo qytetar i zakonshëm i këtij vendi".

"Për sa i përket këtij kallëzimi, të deklaruar në mënyrë aspak institucionale dhe shantazhuese prej kaq ditësh, të gjitha çështjet e interpretimit të ligjit dhe ato të verifikimit të fakteve janë elementë që i vlerëson sipas ligjit vetëm organi i prokurorisë dhe gjykata. Detyrimi im është të respektoj ligjin dhe autoritetin e tyre", shkruan Dvorani.

Dvorani thotë se nuk ka asnje sjellje apo veprim të tijin që të jetë në shkelje me ligjin, edhe pse thekson se kjo mbetet në dëshirën e Presidentit. Kreu i KED-së thotë se baza e këtij kallëzimi është mbi një vlerësim dhe interpretim tërësisht të gabuar dhe aspak profesional të Kushtetutës dhe të ligjit.

"Më konkretisht të kuptimit të radhës së plotësimit të vakancave, afatit brenda të cilit detyrimisht ushtrohet e drejta e zgjedhjes, detyrimit për të respektuar normën kushtetuese të përzgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese vetëm ndërmjet tre kandidatëve të renditur nga KED, si edhe parashikimin urdhërues e të drejtpërdrejtë të Kushtetutës që, kur edhe Presidenti nuk e ushtron kompetencën e tij brenda afatit 30 ditor apo vlerëson mos ta ushtrojë atë, kandidati i renditur i pari nga KED është, ex legge, anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese", thuhet në letrën reaguese të Dvoranit.

Por këto interpretime jo korrekte që i janë bërë kushtetutës dhe ligjit, jo vetëm nga presidentit, kreu i KED-së i argumenton kështu: "Siç duket shtetarët tanë ende nuk janë mësuar dhe nuk ndjehen mirë që ndryshimet kushtetuese i kanë hequr, si në rastin e Presidentit e jo vetëm, autoritetin ekskluziv të mëparshëm, aq shumë të kritikuar e ndoshta të abuzuar, kur procesi ishte mjaft problematik, me mungesë transparence, pa procedura e kritere ligjore seleksionimi e vlerësimi bazuar në integritetin e meritokracinë e kandidatëve, si edhe pa asnjë kufizim ligjor tjetër në thirrjen dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues. Tashmë është KED, një organ i ri i pavarur kushtetues të cilit Kushtetuta i ka ngarkuar kompetencën ekskluzive për të bërë verifikimin e integritetit të kandidatëve dhe më pas vlerësimin e renditjen e atyre që kualifikohen​​​​".

Në këto kushte, Dvorani thotë se është detyrim ligjor i tij si kryetar i KED të kërkojë nga kushdo, pa asnjë dallim, që të respektojë këtë autoritet kushtetues.

Dvorani thotë se dukshëm ka përpëpjekje për të deligjitimuar jo vetëm veprimtarinë e tij si kryetar i KED-së, por të të gjithë institucionit që sipas tij, ka burime njerëzore dhe administrative tepër të kufizuara.

Deklarata

"Gjatë gjithë këtyre ditëve, zoti Ilir Meta ka vijuar të adresojë akuza të panumërta në drejtimin lidhur me veprimtarinë time si anëtar dhe Kryetar i KED, por edhe në drejtim të personit tim, njëkohësisht pa treguar asnjë kujdes elementar në përdorimin e gjuhës dhe epiteteve në komunikim dhe ndaj tjetrit, sikurse e kërkojnë jo vetëm normat elementare të etikës institucionale, por edhe ato të edukatës qytetare. Madje është bërë e vështirë të dallosh nëse sjelljet dhe deklarimet e tij bëhen nga shtetasi Ilir Meta apo Presidenti i Republikës, që sipas Kushtetutës dhe me dinjitet duhet të përfaqësojë unitetin e popullit. Megjithatë, jo vetëm për shkak të formimit tim profesional dhe edukatës qytetare, por duke qenë se jam funksionar publik, në detyrën e anëtarit dhe Kryetarit të KED, nisur edhe nga statusi i gjyqtarit, kam detyrimin kushtetues dhe ligjor të jem i vetëpërmbajtur dhe i kujdesshëm në komunikimin publik. Nga ana tjetër, duke qenë se më përfshin në këtë histori dhe fushatë të tijën për arsye e motive që nuk më përket mua t’ia përmend e vlerësoj, por që gjithsesi ai i lidh me ushtrimin e funksioneve dhe të detyrës time shtetërore, kam edhe detyrimin që në masën, kohën dhe vendin e duhur të bëj transparente qëndrimin tim mbi të vërtetën dhe interpretimin e zbatimit korrekt e të drejtë të Kushtetutës dhe të ligjit. Këtë qëndrim e kam shprehur qartë në njoftimet publike të datës 14 dhe 15 Nëntor. Ndryshe nga Presidenti unë nuk mendoj se ai ka një status të veçantë dhe të privilegjuar për të thënë fjalën e fundit mbi interpretimin dhe zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit. Po kështu edhe bindjet dhe dëshirat e tij nuk ka se si të jenë detyruese për institucionet e tjera. Regjimi demokratik ku jetojmë ka ndarje pushtetesh, ka institucione kushtetuese të pavarura nga njëri tjetri, ka funksionarë shtetërorë që kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin kushtetues e ligjor të shprehen, të mbajnë qëndrime dhe të veprojnë vetëm sikurse ua kërkon detyra shtetërore. Ditën e sotme, për aq sa është e mundur të përcillet nëpërmjet medias, jam njohur me kallëzimin penal që Presidenti i Republikës ka paraqitur pranë organit të prokurorisë. Në fakt, ka ditë që në mungesë qetësie dhe me tone të larta e kërcënuese e paralajmëronte këtë nismë, e cila, në të vërtetë përbën një detyrim kushtetues dhe ligjor që ai, si kushdo tjetër, duhet ta përmbushë kur mendon se ka marrë dijeni për një vepër penale. Sikurse jam shprehur publikisht edhe më parë, unë si çdo shtetas, por edhe si çdo funksionar tjetër shtetëror, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim. Prandaj, ndryshe nga sa ndodhi edhe sot, ku rëndom si herë të tjera publiku është mësuar që të shikojë funksionarë të lartë publikë e politikë që e shesin për heroizëm përpara kamerave dhe mikrofonave mediatikë paraqitjen përpara prokurorit e gjykatës, që në fakt është detyrim ligjor dhe jo zgjedhje e tyre, unë do ti bindem urdhërimeve dhe kërkesave të organit të prokurorisë për të dhënë shpjegimet përkatëse mbi faktet e të vërtetën, si edhe ligjin e zbatueshëm lidhur me to, ashtu siç e bën pa zhurmë e bujë çdo qytetar i zakonshëm i këtij vendi.

Paraprakisht, për aq sa për momentin më rezulton nga media, mund të shprehem vetëm se ky kallzim penal, ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai. Nga ana tjetër, për momentin, parashtroj publikisht se, edhe vetë sjelljet dhe veprimet e mia, qoftë edhe ato të pavërteta por të dëshiruara si të tilla nga kallëzuesi, janë të tilla në natyrë që jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë vepër penale, por as edhe ndonjë shkelje tjetër të ligjit. Por akoma më serioze është fakti që vetë ky kallëzim penal, sikurse edhe të gjitha deklarimet e zhurmshme të Presidentit, bazohen në një vlerësim dhe interpretim tërësisht të gabuar dhe aspak profesional të Kushtetutës dhe të ligjit, më konkretisht të kuptimit të radhës së plotësimit të vakancave, afatit brenda të cilit detyrimisht ushtrohet e drejta e zgjedhjes, detyrimit për të respektuar normën kushtetuese të përzgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese vetëm ndërmjet tre kandidatëve të renditur nga KED, si edhe parashikimin urdhërues e të drejtpërdrejtë të Kushtetutës që, kur edhe Presidenti nuk e ushtron kompetencën e tij brenda afatit 30 ditor apo vlerëson mos ta ushtrojë atë, kandidati i renditur i pari nga KED është, ex legge, anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, jo vetëm që nuk ka shkelje të Kushtetutës e të ligjit, por edhe duke u nisur nga një interpretim dhe pretendim haptazi jokushtetues nuk ka vend as për të pretenduar se kanë ardhur pasoja të tilla në dëm të interesit publik që passjellin përgjegjësinë penale.

Në lidhje me këto aspekte të interpretimit korrekt të Kushtetutës dhe të ligjit vlerësoj edhe se nuk ka asnjë reflektim dhe gjykim racional sikurse ia kërkon detyra nga ana e Presidentit. Madje vërej se kjo po ndodh edhe nga ana e një pjesë të atyre që marrin përsipër të debatojnë publikisht, ndonëse tashmë interpretimi korrekt i Kushtetutës dhe ligjit është bërë i qartë dhe është shpjeguar në mënyrë të përsëritur nga çdo anë. Siç duket shtetarët tanë ende nuk janë mësuar dhe nuk ndjehen mirë që ndryshimet kushtetuese i kanë hequr, si në rastin e Presidentit e jo vetëm, autoritetin ekskluziv të mëparshëm, aq shumë të kritikuar e ndoshta të abuzuar, kur procesi ishte mjaft problematik, me mungesë transparence, pa procedura e kritere ligjore seleksioni e vlerësimi bazuar në integritetin e meritokracinë e kandidatëve, si edhe pa asnjë kufizim ligjor tjetër në thirrjen dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues. Tashmë është KED, një organ i ri i pavarur kushtetues të cilit Kushtetuta i ka ngarkuar kompetencën eskluzive për të bërë verifikimin e integritetit të kandidatëve dhe më pas vlerësimin e renditjen e atyre që kualifikohen.

Edhe për këtë arsye, përbën jo vetëm një të drejtë, por edhe detyrim ligjor për mua të mbroj autoritetin dhe kompetencat që Kushtetuta i njeh KED dhe kryetarit të tij e të kërkoj nga kushdo, pa asnjë dallim, që të respektojë këtë autoritet kushtetues. Aq më tepër, kur këto ditë, ka përpjekje për të cenuar e deligjitimuar, me një qasje dukshëm diversive fillimisht veprimtarinë time si kryetar i KED, por tashmë edhe në tërësi veprimtarinë e jashtëzakonshme që ka zhvilluar dhe po zhvillon intensivisht KED gjatë gjithë këtij viti si edhe vendimarrjet kolegjiale të tij, në kushtet kur burimet njerëzore dhe administrative, për arsye objektive kanë qenë dhe mbeten tejet të kufizuara.

Gjithsesi, për sa i përket këtij kallëzimi, të deklaruar në mënyrë aspak institucionale dhe shantazhuese prej kaq ditësh, të gjitha çështjet e interpretimit të ligjit dhe ato të verifikimit të fakteve janë elementë që i vlerëson sipas ligjit vetëm organi i prokurorisë dhe gjykata. Detyrimi im është të respektoj ligjin dhe autoritetin e tyre. Së fundi, duke qenë se krahas detyrimeve procedurale më duhet të respektoj edhe parimet e transparencës dhe të informimit publik, sigurisht që ky nuk do të jetë komunikimi im i fundit me publikun për këtë çështje".

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • URITHI SHQIPRIS: 20/11/2019 08:00

    O popull debil i ler KRIMINELI enver hoxha ju mbajti 50 vjet si skllevër e nuk bët ciu. Po kur regjimi i t8j ngeli pa buk e lëshoi vet regjimin se të ishte për ju edhe 200 vjet të tjera ju mbante si skllevër. Po ilir meta njeriu më i koruptuar i Shqipris duhet tërhequr zvar po ju vashdon8 skllevër ai nga brek grisur u bë fareon me çfar u bë fateon me rrog o skllevër. Një popull me dinjitet s'ban një president të till një pacavure wc po e gëzofshi e vazhdoni shifini hajrin o popull debil.

    Përgjigju
  • Aha: 19/11/2019 17:37

    U bera kaq dhe skisha pare jurist kaq te rralle. Ca bagazhi, pa pa pa, lere lere. Trump ben gabim nese nuk e merr ne ekipin e tij. Per zotin. Po pse nuk e cuan ne Gjykaten Evropiane me kete fare formimi brilant. Shume gabim..

    Përgjigju
  • O tej: 19/11/2019 16:50

    Meta huri ne by,..,e

    Përgjigju
    • Haha: 19/11/2019 22:12

      Po Monikes?

  • redi: 19/11/2019 16:02

    Pergjigja e zotit Dvorani ,eshte e nivelit te larte juridik dhe kjo tregon se pervec edukates kreu i KED it ka dhe bagazh juridik te klasit te larte.Skjarimi I publikut ishte i domosdoshem dhe kjo tregon dhe nje komunikim perfekt me popullin aq i interesusr per nje dite te bardhe per drejtesine shqiptare . Bravo zoti Dvorani qe je besnik i Kushtetutes dhe tani mbas padise se Metes tia leme drejtesise te vendos

    Përgjigju
  • Daja: 19/11/2019 15:47

    Po kush po e rruan per ty o Like ziu,je fiks per ne portokalli,je bere teper qesharak e i neveritshem.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Ka ende çështje të hapura për të sqaruar me partnerin...çfarë thonë yjet për ju sot

Ka ende çështje të hapura për të sqaruar me partnerin...çfarë thonë yjet për ju sot