Reciprociteti i targave, 5 ditë bllokim në Jarinjë dhe Bërnjak, Serbia vë në gatishmëri njësitë ushtarake në kufirin e saj! NATO thirrje dy vendeve: Ulni tensionet

Jarinja dhe Bërnjaku, dy pikat kufitare në veri të Kosovës, për të pestën ditë vijojnë të jenë të bllokuara  nga protestuesit të cilët në disa vende kanë ngritur edhe barrier zhavorri. Ata kanë ngritur kampe dhe nuk pranojnë të largohen nga aty pa u hequr masa e reciprocitetit për targat.

Ndërkohë që në vendkalimet kufitare është janë e vendosur edhe trupa ushtarake serbe, të gatshme për të ndërhyrë nëse do të ketë përkeqësim të situatës. Njësitë e ushtrisë së Serbisë janë vënë në gatishmëri të lartë luftarake në garnizonet e Rashkës dhe Novi Pazarit. Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç vizitoi njësitë ku tha se serbët do të mbrohen nëse është e nevojshme.

"Ushtria jonë nuk provokon, por është e gatshme t’i mbrojë njerëzit nëse ndodh ndonjë gjë që rrezikon jetën e tyre. Është e rëndësishme për mua të shoh që këta njerëz janë në disponim të mirë dhe të gatshëm. Pajisjet dhe teknikat që kemi prokuruar janë në duart e duhura të profesionistëve”, tha ministri serb.

Stefanoviçi komentoi edhe deklaratën e BE-së që “të dy palët” të përmbahen nga provokimet.

“Çfarë bëri Beogradi? Çdo provokim ishte nga Prishtina. Dhe çfarë keni mundur të shihni në Jarinje dhe Brnjak. Fatkeqësisht edhe ngjarja e fundit, rrahja e serbëve. Gjithçka që po ndodh tregon se sa i drejtë ishte presidenti kur tha se do të ndodhë kjo, se kjo është pjesë e një fushate të organizuar”, tha më tej ai.

 

Pavarësisht dy pikave kufitare të bllokuara, në katër të tjera vijon puna normalisht. Të dhëna të tjera të sigurta nga burimet në veri, thuhet se mbrëmë ka hyrë një grup i serbëve nga Serbia, të përfshirë në puçin e organizuar nga rusët në Podgoricë në vitin 2016, në krye me Bratislav Dikiçin.

Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve ministri i Brendshëm Aleksandër Vulin tha sot se Prishtinës do t'i duhet të heqë dorë nga masa e në mënyrë që t’i rikthehen dialogut, pasi sipas tij  "Serbia nuk negocion me arme të drejtuar në ballë".

Autoritetet e Kosovës konfirmojnë se që prej të hënës janë lëshuar mbi 6 mijë targa të përkohshme për automjetet me targa serbe.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:14
Reciprociteti i targave, NATO thirrje Kosovës dhe Serbisë: Ulni tensionet

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë po vijojnë për të pestën ditë radhazi. Pas SHBA dhe BE-së, thirrje për uljen e tensioneve mes dy palëve ka bërë edhe NATO ditën e sotme. Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu shkruan se Prishtina dhe Beogradi duhet të shmangin veprimet e njëanshme dhe të dialogojnë.

NATO bën thirrje për ulje të tensioneve në veri të Kosovës. Ne i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të dialogoni. Mandati KFOR-it mbetet për të siguruar një mjedis të sigurt dhe dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet", shkruan Lungescu.

Ora 11:25
Reciprociteti i targave është masa e fundit, ja cilat janë masat që ka marrë më parë Kosova ndaj Serbisë

 

Aplikimi i masës së reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë që hyjnë në Kosovë, nuk është vendimi i parë që autoritetet e Kosovës kanë marrë ndaj Serbisë. Në fakt ky përbën vendimin e 6 për reciprocitet, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2011, për lëvizje të lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian .

Masa e parë e reciprocitetit, në vitin 2011

Masa e parë e reciprociteti është realizuar në korrik të vitit 2011, tre vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008. Masa u ndërmor pasi Serbia kishte bllokuar mallrat nga Kosova, për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës, për faktin se ata nuk e njihnin shtetin. Parimi i reciprocitetit filloi të zbatohet në të gjitha pikat kufitare, por serbët e irrituar me vendimet kanë djegur pikat doganore në atë në Jarinjë dhe Bërnjak. Masa e reciprocitetit zgjati vetëm 40 ditë  dhe me ndërhyrjen e Brukselit, u arrit njohja reciproke e vulave.

2016, Reciprocitet në tekstet shkollore

Në vitin 2016, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, vendosi masa të reciprocitetit ndaj Serbisë në lidhje me tekstet shkollore në gjuhën serbe, pasi autoritet serbe më parë kishin ndaluar dërgimin e teksteve shqipe në Komunat me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës.

2016, Reciprocitet në transportin e naftës dhe gazit

Në 2016, Kosova vendosi masa reciprociteti për transportin e naftës dhe të gazit, pasi Serbia nuk pranonte certifikatat që lëshohen nga autoritetet e Kosovës, për shoferët dhe automjetet që transportojnë  materie të rrezikshme.

2018 vendoset taksa doganore 100%  

Në vitin 2018, qeveria e Kosovës ev drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, vendosi taksë doganore  , fillimisht 10 dhe më pas 100 % ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë, me mallra në vlerë rreth 450 milionë euro brenda një viti. Taksa ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërpritej dhe kundër saj u deklaruan BE dhe SHBA.

Taksa 100% u shndërrua në reciprocitet

Në vitin 2020, taksa u shndërrua në reciprocitet me Serbinë. Me 31 mars të vitit 2020, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, vendosi që emërtimet e certifikatave fitosanitare dhe veterinare si dhe dokumente të tjera përcjellëse, të përdoren në​ përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës. Ky vendim nxiti kundërshtim në Serbi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkim Evropian.

Më 3 qershor të vitit 2020, krijohet qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti shfuqizoi vendimin për reciprocitetin në ditët e para të punës së tij, duke deklaruar se kështu u larguan pengesat në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Reciprociteti për targat

Autoritetet në Kosovë më 20 shtator 2021, nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, veturat që hyjnë nga Serbia, duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikë kalimet kufitare të Kosovës. Për shkak të kësaj mase, serbë lokalë bllokuan dy rrugë nacionale në veri të vendit.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Ekonomia amerikane në krizë? Ja çfarë zbulojnë shifrat e fundit

Ekonomia amerikane në krizë? Ja çfarë zbulojnë shifrat e fundit