Reciprociteti i targave, Rama mbështet Kosovën: Serbia të bashkëpunojë! Kurti, ambasadorëve: Ato lloj targash ose i përdorim të dyja shtetet ose asnjëra

Mëngjesi i së martës e ka gjetur të bllokuar rrugën në pikën kufitare në Jarinjë , me forcat e policisë së Kosovës të cilat kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës pas protestave lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për masë reciprociteti për targat e veturave të regjistruara në Serbi, që hyjnë në Kosovë.

Kosova duhet të ndryshojë vendimin për targat e automjeteve ose në të kundërt Serbia do të ndërmarrë masa. Kështu është shprehur presidenti serb Aleksandër Vuçiç në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, pa specifikuar masat që do të ndërmarrë.

"Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija”, tha Vuçiç.

Presidenti serb kërkoi që Kosova të tërheqë forcat policore nga veriu i vendit dhe bëri thirrje për ndërhyrjen e Bashkimit Evropian.

“Diskutuam për situatën në Kosovë e Metohi, veçanërisht pas aksionit kriminal të Prishtinës dhe inkursionit të gjashtë në veri, me përdorimin e automjeteve të blinduara, armëve dhe ngacmime të qytetarëve. Duhet që të tërhiqen menjëherë të gjithë trupat nga veriu i Kosovës dhe Metohisë dhe duhet të kemi kthimin në gjendjen e mëparshme’, tha Vuçiç.

Ndërkohë që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një takimi me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog tha se vendimi duhet të jetë i njëjtë për të dyja palët.

 “Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia” theksoi kryeministri Kurti.

Vuçic tha se Serbia do të kërkojë një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian nëse marrëveshja e Brukselit është e ligjshme ose jo dhe se kur do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ai shtoi se kishte biseduar me ambasadorët e vendeve më të fuqishme perëndimore për një zgjidhje kompromisi, të cilin ai e kishte refuzuar sepse për të nënkuptonte poshtërim të Serbisë. Ndërkohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbështetur Kosovën, duke nënvizuar se ka ngritur problemin me plot të drejtë dhe se Serbia duhet të bashkëpunojë. 

Sakaq situata vijon të jetë e tensionuar në kufi. Qytetarët serbë kanë qëndruar gjatë gjithë natës duke bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës, në shenjë proteste për vendimin e reciprocitetit për targat e Republikës së Kosovës.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:48
Reciprociteti për targat, Basha: Kosova është sovrane, Beogradi ta kuptojë sa më shpejt! Kjo është fytyra e Vuçiç, jo ajo që fsheh pas iniciativës në Novi Sad

1632238083_LulzimBasha1.jpg

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me reciprocitetin e targave të makinave që Kosova i ka vendosur Serbisë. Basha shkruan se gjuha kërcënuese e Beogradit i përket një të shkuare dhe se Kosova po është një shtet i pavarur e se marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti. Basha thekson se qendrimet e Beogradit ndaj vendimit legjitim të Kosovës, zbulojnë qëllimet e vërteta të Vuçiç dhe fshehjen pas fallsitetit të iniciativës së 'Open Balkan'.

'Gjuha kërcënuese e Beogradit i përket një të shkuare që askush nuk e kthen dot më! Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti. Kjo është e drejtë e patjetërsueshme e Kosovës.

Sa më shpejt ta kuptojë këtë Beogradi aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit. Qëndrimet e Beogradit ndaj vendimit legjitim dhe që nuk cënon asnjë marrëveshje të nënshkruar në Bruksel nga qeveria e Republikës së Kosovës, zbulojnë qëllimet e vërteta të Vuçiç dhe fshehjen pas fallsitetit të iniciativës së Novi Sadit.'- shkruan Basha.

Ora 17:39
Zëdhënësi i BE: Borell ka kontaktuar mbrëmë Kurtin dhe Vuçiçin, palët t’i ulin tensionet menjëherë

Kryediplomati europian, Josep Borell ka kontaktuar mbrëmë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksander Vuçiç pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, ku ka filluar zbatimi i reciprocitetit me targa të përkohshme. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një përgjigje për Gazetën Express tha se janë duke e monitoruar në terren situatën, teksa ka ripërsëritur thirrjen që palët të ulin tensionet menjëherë.

Për situatën e krijuar, zëdhënësi i BE-së tha se kanë adresuar çështjen në të gjitha nivelet teksa u bën thirrje palëve të përmbahen nga veprimet e njëanshme.

“Ne thamë tashmë dje se liria e lëvizjes është një gur themeli i Bashkimit Europian. Si e tillë, ne presim që Kosova dhe Serbia të promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon. Ne vazhdojmë të monitorojmë vazhdimisht situatën në terren dhe i bëjmë thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje, të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë. Ne jemi duke punuar në mënyrë aktive për të adresuar situatën në të gjitha nivelet. Përfaqësuesi i Lartë Borrell ishte në kontakt me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Kurti mbrëmë, dhe Përfaqësuesi Special i BE -së Miroslav Lajčák është ende në Beograd duke vazhduar punën me të dyja palët”, tha Stano.

Zëdhënësi i BE-së më tej tha se BE-ja pret që palët t’ia adresojnë çështjen e targave në dialogun që ndërmjetësohet nga ta.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përdorin Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes tyre, përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes dhe targat. Ne jemi të gatshëm të presim një takim në Bruksel në çdo kohë”, tha ai.

Nga dje, qeveria e Kosovës është duke zbatuar masën e reciprocitetit me targa të përkohshme për qytetarët e Serbisë që futen në Kosovë. Ky vendim është pritur me protesta nga qytetarët serbë në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugën që shpie në vendkalimet kufitare Jarinje e Bërnjak, bllokim që po vazhdon edhe sot.

Ora 16:33
Reciprociteti për targat, reagon Rama: Kosova ka të drejtë, Serbia duhet të bashkëpunojë

Kryeministri Edi Rama ka mbështetur Kosovën në lidhje me reciprocitetin që kjo e fundit kërkon nga Serbia për targat. Kreu i qeverisë nënvizon se Kosova po e ngre problemin me plot të drejtë dhe se Serbia duhet të bashkëpunojë, ndërkohë që BE të ndërmjetësojë.

'Kosova e ngre problemin me plot të drejtë. Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%). Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë.'- shkruan Rama.

Ora 15:02
Lajçak: Të ulen tensionet në veri dhe të mundësohet liria e lëvizjes

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është shprehur i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Lajçak , me anë të një postimi në Twitter ka bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe për liri të lëvizjes në pjesën veriore.

 “I informova Shefat e Misioneve të BE-së mbi situatën në veriun e Kosovës. Jam i shqetësuar dhe thërras për qetësim të menjëhershëm. Është e rëndësishme që të ulen tensionet, të rikthehet atmosfera paqësore dhe të lejohet liria e lëvizjes. Ne qëndrojmë të gatshëm për të lehtësuar bisedimet mbi të gjitha çështje e hapura të dialogut”, ka shkruar Lajçak.

Ndërkohë që ditën e djeshme zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se të dy palët duhet të punojnë në krijimin e një atmosfere e cila do të ndihmonte lirinë e lëvizjes dhe uljes së tensioneve.

Ora 15:01
Kurti pret në zyrë ambasadorët e QUINT-it: Ato lloj targash ose i përdorim të dyja shtetet ose asnjëra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog. Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës thuhet se në takim është diskutuar rreth vendimit të djeshëm dhe se Kurti i ka njoftuar ambasadorët se nuk ka pasur incidente në asnjë vendkalim kufitar.

 “Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar, tha kryeministri, duke theksuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare. Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpien te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet”, bën të ditur njoftimi.

Tutje thuhet se Kurti ka deklaruar se te çështja e reciprocitetit ose kanë të drejtë të dyja shtetet, ose e kanë gabim të dyja. 

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia, theksoi kryeministri Kurti. Ai i njoftoi ambasadorët edhe për bisedën telefonike që ka pasur mbrëmë me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrell”, thuhet në njoftim.

 “Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë”, thekson njoftimi i Qeverisë së Kosovës.

Ora 14:48
Tensione në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, gazetari britanik Tim Judah paralajmëron përplasje

1632228776_TimJudahmc.rs.jpg

Përmes një postimi në Twitter, gazetari britanik Tim Judah, një njohës mjaft i mirë i çështjeve të Ballkanit, thotë se gjendja në veriun e Kosovës mund të tensionohet pasi në kufi po grumbullohen shumë forca të armatosura.

 “Ushtria serbe raportohet se është duke ju afruar kufijve të Kosovës dhe Policia kosovare tashmë ka zbarkuar në veri. E gjithë kjo pasi qeveria e Kosovës ka vendosur të njëjtat rregulla për targat serbe ashtu siç ka bërë Serbia me ato të Kosovës. Shtyrja e bërrylave Vuçiç-Kurti mund të bëhet e rrezikshme”, ka shkruar Judah.

Korrespondenti i the Economist, ka ripostuar në Tëitter videon e një banori serb të zonës, i cili ka filmuar lëvizjet e Brigadës speciale 72 të ushtrisë serbe pranë Novi Pazarit.

 

Ora 12:55
Vuçiç flet pas mbledhjes urgjente: Kërkojmë tërheqjen e të gjitha trupave nga veriu dhe ndërhyrjen e Bashkimit Evropian

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i është drejtuar publikut serb pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd. Siç raportojnë mediat serbe, presidenti serb tha se Serbia kërkon tërheqjen e të gjitha trupave që po qëndrojnë në veri të Kosovës si dhe një përgjigje urgjente nga BE -ja për situatën.

“Diskutuam për situatën në Kosovë e Metohi, veçanërisht pas aksionit kriminal të Prishtinës dhe inkursionit të gjashtë në veri të Kosovës dhe Metohisë, me përdorimin e automjeteve të blinduara, armëve të gjata dhe ngacmime të qytetarëve. Ne kemi arritur në përfundimin se Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë së plotë për serbët në Kosovë dhe Metohi. Ne i konsiderojmë të papërshtatshme deklaratat në të cilat Beogradi dhe Prishtina barazohen. Serbia dëshiron ta vazhdojë dialogun, por nuk dëshiron të pranojë marrëveshje nga veprimet kriminale”, tha Vuçiç.

Aleksandër Vuçiç ka kërkuar ndërhyrjen e mënjehershme të BE-së për zgjidhjen e situatës.

“ Duhet që të tërhiqen menjëherë të gjithë trupat nga veriu i Kosovës dhe Metohisë dhe duhet të kemi kthimin në gjendjen e mëparshme. Ne kërkojmë një përgjigje urgjente nga BE -ja, nëse ka një marrëveshje të Brukselit. Duhet të shohim nëse kjo marrëveshje ekziston apo jo. Bashkësia e komunave serbe është thelbi i marrëveshjes së Brukselit” - tha presidenti.

Presidenti serb e quajti aksion kriminal, pozicionimin e forcave speciale policore në pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak për ta mbikëqyrur zbatimin e vendimit të fundit të Qeverisë për reciprocitetin në çështjen e targave të automjeteve. Vuçiç tha se ai e mori një propozim për zgjidhjen e situatës në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak dje, por se e refuzoi atë, duke e quajtur poshtërues për Serbinë.

“Unë e refuzova sepse nuk është kompromis dhe sepse e kthen Serbinë prapa. Shkurt është një zgjidhje që përmban 70% të asaj që shqiptarët kishin ndërmend të bënin, në mënyrë që të harrohej kjo. Unë thjesht refuzova sepse jam lodhur nga politika e aktit të përfunduar dhe sepse ju nuk mund ta bëni këtë”, tha presidenti serb

Këshilli u kryesua nga Presidenti i Republikës Aleksandar Vuçiq, dhe seancat u ndoqën, ndër të tjera, nga Kryeministrja Ana Brnabić, Ministrat Nebojša Stefanović, Aleksandar Vulin, si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe Milano Mojsilović dhe Drejtori i BIA -s Bratislav Gašić.

Ora 11:37
Nis mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Serbisë

Ka filluar mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Serbisë, e thirrur nga presidenti serb, Vuçiç pas vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa.

Kjo mbledhje ka nisur në ora 10:00 dhe në të po marrin pjesë presidenti serb Vuçiç kryeministrja Brnabiç si dhe ministrat Nebojsa Stefanovic, Aleksandër Vulin si dhe Shefi i Shtabit të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviç dhe drejtori i BIA-s, Bratislav Gasiç.

Presidenti serb ka postuar një fotografi nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë.

Dje, Presidenti Vuçiç caktoi një seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për shkak të ngjarjeve të fundit në Kosovë dhe Metohi dhe në lidhje me vendimin e fundit për heqjen e targave serbe në Kosovë dhe zëvendësimin e tyre me targa të përkohshme.

 Në fjalimin e djeshëm, Vuçiç tha se kjo është një nga ditët më të vështira për serbët në Kosovë dhe Metohi dhe shtoi se situata është shumë serioze.

/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbër: 22/09/2021 10:10

    Kjo është e vërteta e hidhur që Kosova rrezikon seriozisht integritetin me një hapje të Ballkanit, e që fatkeqësisht Edi Rama i serviloset serborusis. Por, një herë e përgjithmonë Serbia duhet ta di dhe e din se në Kosovë kurrë më nuk do të dirigjon pa pa u "zhdukur" edhe shqiptari i fundit!!!

    Përgjigju
  • ben: 21/09/2021 11:45

    Cudi, gjithe ajo dashamiresia e Serbise per Balkanin e Hapur, nderkohe sillen keshtu me Kosoven dhe pretendojne pastaj te jemi te hapur n eBallkan!

    Përgjigju
    • vjeshta: 21/09/2021 19:11

      Fare çudi. Ballkan i Hapur do të thotë dalje në detë

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Turi në Diasporë, Rama: Vota e emigrantëve, kur të sigurohen kushtet teknike

Turi në Diasporë, Rama: Vota e emigrantëve, kur të sigurohen kushtet teknike