Reflektime të mëdha të Reas
së vogël/Nga Rea Shundi

Reflektime të mëdha të Reas<br />së vogël/Nga Rea Shundi
Universi zgjerohet e tkurret cilindrikisht, por asgjë nga këto nuk na bën të pulisim sytë dy herë, dhe mendja padashur na shkon tek soba që mund të jetë lënë e ndezur, apo tek këngët e reja që presim të degjojmë. Ne druhemi të shohim fillin e hollë mbi të cilin qëndron gjithçka. Druhemi nga ajo që s’e dimë dhe s’e kuptojmë, sepse na bën të ndjehemi të vegjël e të pafuqishëm.

Dhe po duke iu dhënë përgjigjes natyrale, ne shmangemi drejt rethit të ngushtë që njohim më mirë. Rrethit të rehatisë vrastare dhe të fjalëve boshe, pra priremi drejt “sedentarizmit”, dhe si pasojë kërkojmë të prishim balancën që na mban në jetë.

Në fund të fundit, jemi aq të mëdhenj, sa ç’jemi dhe të vegjël. Ne vimë nga hiri, dhe po në hi do të kthehemi. Duke iu referuar figurave të mëdha që kanë bërë emër, mund të kishim menduar se ata ishin bërë nga më shumë se aq. Në fakt, çfarë ata kanë kanë mundur të lënë pas, kanë qëne vetëm fjalë.

Koha e shpellave dhe kolektivizmit primitiv ka kaluar, e jo doemos më i forti fizikisht ka edhe pushtetin e fjalës në majën e hierarkisë. Është koha kur prioriteti vendoset në bazë të elokuencës e logjikës. Ndërsa të kesh fjalë është të kesh pushtet, të dëgjohesh është privilegj.

Pushteti dhe privilegjet qëndrojnë në të njëjtën anë të peshores, dhe sa më lart të shkojmë, aq më të rënda behen. E po të hedhim sytë përqark e të mendojmë kritikisht për pozicionin që kemi, mund të kuptojmë që nuk jemi edhe aq të ndryshëm nga të tjerat.

Ne, në fund të fundit nuk i zotërojmë dot sendet pafundësisht dhe pushteti ynë mbi njerëzit është abstrakt. Por ne zotërojmë vetveten, dhe kjo e dhënë është arma më e madhe. Arma, po ta quanim jetën një luftë.

Sepse bota do të vazhdonte të ishte me ose pa ne. Por për sa kohë që jemi, jemi në luftën tonë. Dhe ne nuk luftojmë pa arsye, sepse jemi një tërësi komunitetesh. Sa shpesh e harrojmë rëndësinë e kësaj. Mendoj ndodh sepse priremi nga egoja, nga lartësimi i saj. Dhe ky gabim (duke e marrë si gabim për hir të thjeshtësisë) merr vlerë sot.

Për të mundësuar sigurinë dhe orientimin e përgjithshëm, shtetet dhe njerëzit bien në një hierarki.

Njeriu si egoist, ka arritur të ndërtojë perandorinë ideale, ku çdo gjë të rrotullohet rreth “unit”. Egoja më e madhe sjell rezultatet më të mëdhaja, duke i lënë të tjerët në hijen e tyre.

E mira është që secili ta njohë vendin e tij. Për të mund të ketë luftuar; atë mund ta ketë marrë edhe të pamerituar. Por hapi i parë është njohja.

Dhe njeriu s’është bërë për të jetuar i vetëm, për veten. Mendoj se lumturia që kërkojmë është më e thjeshtë për tu arritur. Por atë e kemi veshur me cilësi kaq të ndryshme, saqë shpesh e ngatërrojmë. E pra, unë besoj vërtetë se njeriu i mirë e njeh veten e tij dhe e përdor atë për të mirën e të tjerëve. Njohja është proces i gjatë dhe shoqërohet me përshtatje e zhvillim të
vazhdueshëm.

Por thelbi nuk duhet të ndryshojë. Dhe nga thelbi, burojnë të gjithë të tjerat. Dhe kur të mos ketë më asgjë, do të mbeten ato. E unë zgjedh fjalët.
Mbase pikturat, fotografitë e monumentet mbeten po ashtu. Bëmat historike dhe kultura nuk ç’bëhen. Por në fund ato kthehen po në fjalë. Dhe unë i mëshoj rëndësisë së tyre.

Më shumë njerëz do të vriten e më shumë do të vuajnë nëse nuk fillojmë të njohim përgjegjësitë tona. Ne kemi kaq shumë në dorë, pa patur asgjë. Mund të bëjmë botë të vërtiten e të shuhen tek fjalët. Mund tu vëmë zjarrin pyjeve dhe të ngrohim brendinë tonë. Mund të lidhim dy mendje, e një komb të tërë. Me një fjalë, mund të jemi njerëz.

Por zgjedhjen e kemi ne në dorë, se ç’formë t’i japim atyre. Përgjegjësia këtu fillon. Dhe kjo përgjegjësi, në dritë më të qartë, ngrihet lart dhe prodhon frikë. Këtu bëhet dallimi i më të fortit nga më pak i forti në një hierarki të shëndoshë.
Përse të ecim të vetëm e me frikë, kur e kemi në dorë të bëjmë më mirë? E kemi ne në dorë, të vendosim prioritetet. Nuk duhet të jetë egoja ajo që të na udheheqë. Sepse një kënaqësi që lehtë arrihet, po aq lehtë dhe me dhimbje humbet. Këtë e di me siguri, sepse për aq kohë sa vazhdoj të ecë në tokë, e di që ka edhe barazpeshim.

Dhe më e pakta që mund të bëj unë është t’ju kërkoj që herën tjetër kur duhet të flisni, të mendoheni mirë.
E në mos nuk doni të mendoheni gjatë, kujdesuni të paktën për higjenën tuaj morale!

1 – sedentarizëm ose sedentizëm i referohet mënyrës së të jetuar shumë kohë në të njëtin vend pa kryer lëvizje. Në aspektin më të gjërë, i referohet moslëvizjes së mendjes, paralel me rehatinë.
 
 Profil/Rea Shundi

Rea Shundi lindi në Tiranë në 1998. Së fundmi ka përfunduar shkollën e mesme të gjuheve të huaja “Asim Vokshi” për gjermanisht dhe anglisht. Interesi i saj i vazhdueshëm për librin ka bërë që Rea të zhvillojë aftesitë reflektuese dhe të njohë më mirë mekanizmin njerëzor.

Autorët e preferuar kategorizohen në klasikët ruse, franceze e amerikane, tek ekzistencialistet gjermane e japoneze. Dostojevski, Fitzgerald, Mopasan e Balzak, Nietzche, Kafka, Bel e Remark, e si i preferuar Haruki Murakami (te lexuara ne anglisht). Pasioni për këtë autor ka bërë që të punojë edhe me përkthimin nga anglishtja të njerit prej vëllimeve të „A ëild sheep chase“. Nga biblioteka Kombetare u vleresuaë si lexuesja e vitit 2015 në prani të drejtoreshës, kryeministrit e ministres se arsimit.

Ne dy vitet e fundit është përfshirë në projekte të organizuara nga Trupat e Paqes „Peace Corps“ , të Ambasadës Amerikane dhe të ELTA-s, ku si më të rëndesishëm përmendim AMUN (Albania Model United Nations). Evidentimi në këtë projekt bëri që Rea të marre çmimin e parë ne Keshillin e Sigurise „Best Delegate of Security Council“ si dhe shumë të tjera të fituara ne grup. Takimi me Ambasadorin Donald Lu ishte pjesë e ceremonisë mbyllese të suksesit.
Përballja me autorë cilësore ka nxitur tek Rea aftësinë dhe dëshirën për të shkruar vetë.

Sot po mundemi të japim një ese filozofike ku ajo përpiqet ti tërheqë vëmendjen lexuesit Shqiptar, që ti japë rëndësinë asaj që duket e parëndësishme: fjala. Ndërkohë nje tok shkrimesh të tjera janë drejt publikimit.
 
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Pr/ligji për shëndetin riprodhues/ Njihen nënat surrogato dhe e drejta për të ruajtur qeliza riprodhuese me metodën e ngrirjes

Pr/ligji për shëndetin riprodhues/ Njihen nënat surrogato dhe e drejta për të ruajtur qeliza riprodhuese me metodën e ngrirjes