Relacioni sekret nga Pekini, dhjetor 1975/ Në Ministrinë e Jashtme janë grumbulluar elementë armiq dhe agjentë nën ombrellën e Kiço Ngjelës, ka gënjyer Partinë

Relacioni sekret nga Pekini, dhjetor 1975/ Në Ministrinë e Jashtme janë grumbulluar elementë armiq dhe agjentë nën ombrellën e Kiço Ngjelës, ka gënjyer Partinë

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat janë nxjerrë nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret” që i përkasin vitit 1975, ku ambasadori shqiptar në Pekin, Behar Shtylla, me anë të një raport-informacioni dërguar dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, Ministrisë së Tregtisë dhe për njoftim sektorit të Jashtëm pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, u bën me dije për, mbledhjen e zhvilluar në përfaqësinë e tregtare në Pekin, lidhur me analizën e bërë në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme në Tiranë në gushtin e vitit 1975.

Raport-informacioni i plotë i ambasadorit Behar Shtylla, lidhur me diskutimet e bëra në mbledhjen e përfaqësisë tregtare shqiptare në Pekin, të mbajtur në datat 27 dhe 28 tetor të vitit 1975, ku përveç ambasadorit Shtylla, morën pjesë edhe Musin Kroi dhe Abdulla Dautaj, si zv/Sekretari i Organizatës bazë të Partisë.

Mes diskutuesve të shumtë në atë mbledhje, e morën fjalën edhe Hysni Hoxha, Ilia Pulluqi, Skënder Thëllimi, Sotir Doraci, të cilët bënë kritika dhe hodhën akuza ndaj disa ministrave si: Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati, e gjithashtu edhe ndaj disa kuadrove dhe funksionarëve të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, si Andrea Manço, Sami Muhameti, etj., duke e konsideruar punën dhe veprimtarinë e tyre si armiqësore, që i kishin sjellë dëme të mëdha Partisë dhe popullit.

Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga ambasadori shqiptar në Pekin, Behar Shtylla, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, Ministrisë së Tregtisë dhe për njoftim sektorit të Jashtëm pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me mbledhjen e bërë në përfaqësinë e tregtare në Pekin.

AMBASADA E R.P. TË SHQIPËRISË

PEKIN

4.12.1975

MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME

DREJTORISË SË I-rë

MINISTRISË SË TREGTISË

Shokut Marko Xega

Për njoftim Komitetit Qendror të PPSH-së

Sektorit të Jashtëm

T I R A N E

Bashkëngjitur ju dërgojmë një informacion mbi mbledhjen e Përfaqësisë Tregtare në Pekin, lidhur me analizën e Tregtisë së Jashtme që u bë në gusht të 1975 në Ministrinë e Tregtisë në Tiranë.

Ambasadori

Behar Shtylla

I N F O R M A C I O N

Mbi mbledhjen e analizës së Përfaqësisë Tregtare në Pekin.

Mbledhja u zhvillua në datat 27-28 Tetor 1975, nën frymën e vendimeve të Plenumit të 7 të K.Q., dhe mbi analizën e Tregtisë së Jashtme në Tiranë në datat 27-28 gusht 1975.

Në të, merrnin pjesë të gjithë punonjësit e përfaqësisë tregtare sh. Behar Shtylla, sh. Musin Kroi, dhe Zv/Sekretari i Organizatës bazë të Partisë, sh. Abdulla Dautaj.

Disa ditë përpara mbledhjes, të gjithë punonjësit e përfaqësisë u njohën me detyrat “Mbi tregtinë e jashtme”, dërguar nga Ministria e Tregtisë.

Shoku Theohar, informoi shokët e përfaqësisë, mbi zhvillimin e mbledhjes në Tiranë, vuri në dukje frymën e lartë kritike e autokritike dhe me përmbajtje të shëndoshë ideologjike, me të cilën ajo u zhvillua.

Ajo, dënoi me forcë punën armiqësore, gabimet e rënda, dhe të metat e mëdha në punë, sepse në Tregtinë e Jashtme, ishin grumbulluar elementë armiq, dhe agjentë, që i kishte marrë nën ombrellën e tij Kiço Ngjela.

Shoku Theohar, radhiti fakte mbi gabimet dhe fajet e Kiço Ngjelës e të Vasil Katit, që dolën nga diskutimet në mbledhje, dhe dëmet që i kanë sjellë ata popullit dhe Partisë, në të gjitha fushat.

Ai, e ribëri autokritikën edhe përpara shokëve të Tregtisë së Jashtme, dhe ndonëse nuk ka qenë i ndërgjegjshëm për gabimet e vërtetuara në këtë sektor, nën dritën e mësimeve të Plenumit të 7-të e të shokut Enver, ai gjërat i sheh më qartë, ndjen përgjegjësinë për këto gabime sepse, i ka munguar vigjilenca e duhur, nuk ka mundur t’i kapë në kohë e t’ja thotë Partisë, porse ai ka reflektuar thellë e vazhdimisht do reflektojë.

Ai, ju kërkoi të gjithëve që të reflektonin, dhe të ndihmojë Partinë, me aq sa din mbi punën armiqësore të zbuluar në Tregtinë e Jashtme, të nxjerri edhe detyra për tani e për të ardhmen, për vete dhe për gjithë përfaqësinë tregtare.

Ai, gjithashtu, vuri në dukje porositë që dha analiza e mbledhjes në Tiranë, lidhur me detyrat që ju dalin të gjithë punonjësve të Tregtisë së Jashtme, për të ndrequr pasojat e kësaj pune armiqësore, në një kohë sa më të shkurtër. Nga diskutimet e shokëve dolën shkurtimisht këto gjëra:

1. Hysni Hoxha
Tha se Kiço Ngjela, kishte mbledhur njëfarë tarafi që i mbante ison. Ai, nuk bënte autokritikë për mungesat dhe të metat në Tregtinë e Jashtme, dhe i mbulonte ato duke vënë përpara pengesa artificiale, dhe jua hidhte fajin bllokadës revizioniste sa për të kaluar situatën.

Në Ministrinë e Tregtisë, vetëm Kiço Ngjela, kishte imponuar autoritet. Organizata bazë, nuk e thoshte fjalën e vet dhe pikërisht këtu, e ka burimin puna e sëmurë në Tregtinë e Jashtme. Për realizimin e planit ai, ka gënjyer Partinë dhe Qeverinë.

Ndërsa Vasil Kati kishte frymë moskokëçarëse. Për linjën Bistricë-Konispol, u bë një mbledhje që e drejtonte Vasil Kati. Aty Mançoja, ngrinte zërin më shumë nga të gjithë.

Katit, i bëri përshtypje liberalizmi dhe mungesa e disiplinës së Manços dhe e disa punonjësve të tjerë të cilët, ziheshin kush e kush të shkonte në Greqi, për këtë punë. Vasil Kati, nuk e drejtonte dot mbledhjen, nuk i dha rrugëzgjidhje çështjes, dhe aty nuk u mor asnjë vendim.

Në Pekin, shokët e përfaqësisë, janë munduar dhe kanë kapur shumë çështje që janë bërë problem. Por, thotë se ai, duhet të tregohej më tepër i pjekur. P.sh., dërgoheshin materiale sekrete, letra, dhe vizatime, nëpërmjet Moskës dhe duhet t’i bënte problem. Koço Theodhosi përgjigjej formalisht për kursantët, gjë që nuk i kishte hije një personi të rangut të tij.

Disa veprime që mund të komprometonin marrëdhëniet me Kinën, duhet të kapeshin më shpejt si p.sh., çështja e tankerit të naftës 3-4 mijë ton, për ngarkimin e të cilit luteshin shokët kinezë. Kjo çështje, u zgjidh vetëm kur u njoftua Kryeministria.

Lidhur me punën në përfaqësi, theksoi se ekonomia pret shumë nga të gjithë ne. Prandaj ai, i vë si detyrë vetes që të jetë më i vëmendshëm, të lidhet më shumë me problemin e lëvrimeve për objektet, sidomos të Kombinatit Metalurgjik, sepse e ndien që ka boshllëqe. Po kështu, Tirana të tregojë më tepër kujdes e të mos i zvarrisë të dhënat që kërkon pala kineze.

Për kursimet tha se është bërë diçka, pasi janë nisur me avion vizatime e projekte falas, me anën e grupeve që kthehen, dhe se në këtë drejtim duhet bërë akoma dhe më tepër. Partia, na mëson që të jemi më kërkues ndaj vetes, të kontrollojmë më mirë punën tonë, dhe të rrisim vigjilencën gjithmonë në rrugën e Partisë.

Solidarizohet me masat e marra në mbledhjen e analizës në Tiranë, kundër Kiço Ngjelës dhe Vasil Katit.

2. Ilia Pulluqi
Tha se, nga analiza e Tregtisë së Jashtme në Tiranë, dolën gjëra të reja. Se Kiço Ngjela me tarafin e tij, kanë bërë punë armiqësore me qëllim. Ai, është dakord që Kiço Ngjela e Vasil Kati, të mos jenë më as anëtarë partie, por të vihen në një punë që të riedukohen.

Tha se, gjatë kohës që ka punuar në Tregtinë e Jashtme, ka konstatuar se puna ideologjike ka munguar, se në Ministrinë e Tregtisë dhe në Makina-import, problemet nuk trajtoheshin në frymë partie. Ai, këtu në Pekin po vëren sesi duhet të jetë një anëtar partie, sesi duhet t’i shoh gjërat. Dhe për këtë, ka mësuar shumë nga shoku Behar.

Në Ministrinë e Tregtisë ka ekzistuar konservatorizmi sepse Kico Ngjela mbante pranë disa kuadro, që i mbanin ison e për të tjerët nuk kujdesej. Mbante pranë njerëz të paaftë si Sami Muhameti që mezi dinte të shkruante, mbronte njerëzit që gënjenin, por që linin përshtypje të keqe dhe tek të huajt, gjë që diskreditonte shtetin dhe Partinë.

Ai, bën autokritikë se nuk ka ngritur zërin për të metat e konstatuara, se tek Kiço Ngjela dhe Andrea Manço mbizotëronte arroganca, se Andrea Manços nuk i dilte njeri përpara, se ai kishte në krah Kiço Ngjelën, se ky i bërtiste dhe Vasil Katit pale të tjerëve.

Kiço Ngjela kishte futur një frymë liberale në punë, nuk mbaheshin shënime në takimet me të huajt, informacion mbi takimet në kuptimin e asaj që mban Ministria e Punëve të Jashtme ose dhe si ato që mbajmë neve këtu në ambasadë, nuk mbaheshin fare.

Kiço Ngjela, shkriu sektorët e konjekturës, çmimet e mallrave vendoseshin pa u thelluar e pa u konsultuar. Atij, i vinte keq që Ministria e Tregtisë të ndahej në dy dikastere, pasi kishte frikë se mos i ikte nga dora, Tregtia e Jashtme, dhe bashkë me të edhe dhuratat.

Lidhur me detyrat në Kinë, tha se të gjithë shokët përpiqen me ndërgjegje të lartë që të bëjnë punën. Por mbetet akoma dhe më shumë për të bërë. Për këtë duhet të forcohen akoma dhe më tepër lidhjet e punës me shokët kinezë, të kemi takime më të shpeshta me ta, si dhe të gjejmë forma pune më operative dhe më efikase, të shkojmë më tepër nëpër porte dhe qendra prodhimi, të organizojmë dhe takime me udhëheqësit e ndërmarrjeve, etj.

3. Skëndër Thëllimi
Tha se, analiza e Tregtisë së Jashtme tregon për frymën e fortë të Plenumit të 7-të dhe parashikimet e shokut Enver, se analiza e mëtejshme do të nxirrte në dritë fakte të reja, për metodat që përdorte armiku për të na dëmtuar. Kiço Ngjela, mbante rreth vetes elementë armiq, por edhe elementët armiq, e kanë mbajtur rreth vetes atë.

Ata, i bënin atij lëvdata të mëdha dhe ky i fundit, fryhej si gjel. Kiço Ngjela, mbështetej tek elementi që i ka pëlqyer komoditeti. Ai, ishte dhelpër dhe dilte pa u lagur nga situata. Me arrogancën dhe prepotencën e tij, bënte që asnjë të mos e kritikonte, vështirësitë e tregut, ja hidhte bllokadës dhe revizionistëve.

Vasil Kati, kishte filluar të degjeneronte, dhe ishte bërë indiferent. Kur u dogj kompresori i azotikut ai, nuk e çau kokën fare, dhe as mendoi që të na jepte një rrugëzgjidhje. Dy fjalë ju desh t’i thoshte shoku Mehmet që, Vasili, të zgjidhte qesen.

Është dakord me propozimin që as Kiço Ngjela dhe as Vasil Kati, të mos jenë më anëtarë partie. Shoku Theohar, si kuadër i vjetër në Tregtinë e Jashtme, mban edhe ai përgjegjësinë e vet. Autokritika që bëri, tregon se ai ka reflektuar drejt në çështjen e përgjegjësisë.

Duke e parë punën, në këtë prizëm, shoku Skëndër tha se: të gjithë ne duhet të nxjerrim konkluzione për të përmirësuar punën, dhe që të mos i lëmë shteg elementit armik që të na dëmtojë, por të zbatojmë parimin “beso e kontrollo”.

Ai shton gjithashtu se, në sektorin e objekteve ku punon, duhet të mprehim vigjilencën që, elementi armik të mos cenojë marrëdhëniet me Kinën. Kështu, nga investitorët kërkoheshin shumë materiale të cilat mund të siguroheshin në vend, por kërkoheshin me pretekst se, nuk na i jep Komisioni i Planit apo Industria.

4. Sotir Doraci
Tha se, është dakord, me masat e propozuara për Kiço Ngjelën dhe Vasil Katin. Nga kjo analizë ai, nxjerr mësim se puna politike është kryesorja, dhe se çdo gjë duhet parë në prizmin politik. Nga analiza në Tregtinë e Jashtme duket se lufta e klasave, nuk ishte zhvilluar siç duhet, madje sikur atje nuk ekzistonte fare luftë klasash.

Ai, nuk ka punuar në Tregti por në bazë, megjithatë ka dëgjuar se Kiço Ngjela, hiqej dhe konsiderohej si i pagabueshëm. Detyra që ai nxjerr është se çdo të metë në kundërshtim me vijën e Partisë, duhet të luftohet. I dalin detyra të mëdha pasi, marrëdhëniet me Kinën, zbatohen nëpërmjet të gjithëve.

Ai shton se, fakti që ka mallra të pa kontraktuara akoma, tregon edhe njëherë për punën e tij të pamjaftueshme. Vuri në dukje problemet që kanë dale, lidhur me mallrat tona të eksportit sidomos të kromit, ngritur nga pala kineze për tu zgjidhur. /Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit