Rënia e madhe/ Ja 20 humbësit e mëdhenj të LSI! Nga Monika Kryemadhi, Braimllari te Petrit Vasili, disfata sipas qarqeve

Selia e LSI

Në zgjedhjet e parlamentare të 25 prillit 2021, Lëvizja Socialiste për Integrim, u zhbë si faktor politik që mund të diktojë krijimin e shumicave parlamentare në Shqipëri, duke u fshirë nga harta elektorale në 9 qarqe të vendit. Partia e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka marrë më pak se gjysmën e votave që mori në zgjedhjet e 2017. Në 15 bashki ka marrë vetëm 3 mijë vota, ndërsa në Qarkun e Kukësit vetëm 64 vota. Disfata dramatike e LSI-së është edhe shkaku kryesor i humbjes së opozitës në zgjedhjet e 25 prillit 2021, pasi nga ana tjetër, Partia Demokratike u rrit me 165 mijë vota krahasuar me rezultatin në zgjedhjet e 2017.

Po kush janë përgjegjësit kryesorë për disfatën e LSI-së, e cila nga 225.975 vota që mori në 2017, në 2021 ra në 107 533 vota?  Pesha kryesore e përgjegjësisë bie Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Ilir Meta i ktheu zgjedhjet e 25 prillit një referendum kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim, rolit të SHBA-BE në Shqipëri dhe kundër reformës në drejtësi. Që në vjeshtën 2020 deri 24 orë para datës së zgjedhjeve, Ilir Meta zhvilloi një fushatë konfrontuese dhe negative, shoqëruar me kërcënime, shantazhe dhe gjuhë luftarake, duke u angazhuar hapur, në krah të LSI-së, bashkë me stafin e Presidencës.

Përdorimi flagrant i Presidencës për interesa elektorale të partisë së tij dhe retorika agresive, mendohet se janë përkthyer në ndëshkim me votë për LSI-në nga zgjedhësit. Nga ana tjetër, një vit pasi Ilir Meta i la në administrim partinë bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, në LSI nisi eksodi i madh, ku qindra anëtarë dhe dhjetëra drejtues e braktisën, duke iu bashkuar Partisë Socialiste. Përpos kësaj, në zgjedhjet e 2021, Monika Kryemadhi kryesoi listën e kandidatëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier, qarqe në të cilat LSI-ja mori një goditje të rëndë.

Në Elbasan, LSI-ja ka rënë nga 14.4 % ose 23 mijë vota në 2017, në 4.4 % ose 6.8 mijë vota në 2021, duke mos marr asnjë mandat deputeti. Në Tiranë, LSI ka rënë nga 13 % ose 55 mijë vota në 2017, në 28 mijë vota ose në 6 % në 2021. Në Fier, LSI-ja ka rënë nga 21 mijë vota në 2017, në 12 mijë vota në 2021. Meta dhe Kryemadhi nuk janë gjegjësit e vetëm. Pas Kryemadhit, pesha e humbjes në Tiranë rëndon edhe mbi Petrit Vasilin, Erisa Xhixhon, Klajda Gjoshën, Floida Kërpaçin, Nora Malajn dhe Edmond Haxhinaston, të cilët kanë drejtuar fushatën në Qarkun e Tiranës.

Në Elbasan, protagonistët kryesorë të fushatës së LSI-së, përpos Kryemadhit, ishin Altin Toska dhe Sokol Skura, ndërsa në Fier, është Kejdi Mehmetaj. Në Korçë, ku LSI-ja ka rënë nga 15 % në 6.8 %, Meta dhe Kryemadhi ia besuan fushatën Endrit Braimllarit, i cili ka kryesuar listën e kandidatëve. Në Gjirokastër, qark në të cilin LSI-ja ka rënë nga 23 % në 12 %, fushata është drejtuar nga Vangjel Tavo, i cili ka kryesuar edhe listën e kandidatëve për deputetë.

Në Vlorë, ku LSI-ja doli pa mandat, fushata është drejtuar nga Luan Rama, ndërsa është angazhuar hapur edhe Ilir Meta, bashkë me stafin e Presidencës. Në Berat, ku LSI-ja ka pësuar humbjen më të rëndë, protagonist kryesor është Ardit Çela. Në Qarkun e Beratit, LSI-ja ka rënë nga 23 % në 11 %, duke dalë pa mandat.

As në Durrës, LSI-ja nuk mori mandat në zgjedhjet e 25 prillit, nga 2 mandate që kishte marrë në 2017. Në Durrës është angazhuar Ilir Meta me stafin e Presidencës, kryemadhi, Elona Guri që ka kryesuar listën, Bahri Shaqiri dhe Shemsi Premçi. Në Dibër, ku LSI-ja ka rënë nga 17 % në 7 %, lista është kryesuar nga Hajri Laçi, ndërsa në Qarkun e Kukësit, ku LSI-ja ka marrë vetëm 64 vota në të tria bashkitë, protagonist i humbjes është Erblin Bulica.

As në Qarkun e Lezhës, LSI-ja nuk arriti të fitonte mandat deputeti, duke rënë nga 15 % në 10 %. Fushata është drejtuar nga Viktor Tushaj, i cili ka kryesuar edhe listën e kandidatëve për deputetë. Në Shkodër, LSI-ja ka rënë me 2 mijë vota, duke shënuar humbjen më të vogël në Shqipëri. Fushata në Shkodër është drejtuar nga Agron Çela. Megjithatë, në Shkodër, LSI-ja ka marrë 6 mijë vota më pak se sa partia e Tom Doshit.

20 humbësit e mëdhenj të LSI

1.            Monika Kryemadhi

2.            Petrit Vasili

3.            Erisa Xhixho

4.            Klajda Gjosha

5.            Floida Kërpaçi

6.            Nora Malaj

7.            Edmond Haxhinasto

8.            Altin Toska

9.            Sokol Skura

10.          Kejdi Mehmetaj

11.          Endrit Braimllarit

12.          Vangjel Tavo

13.          Luan Rama

14.          Ardit Çela

15.          Elona Guri

16.          Bahri Shaqiri

17.          Shemsi Premçi

18.          Hajri Laçi

19.          Erblin Bulica.

20.          Viktor Tushaj

 

K.T./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A janë të përballueshme për ju çmimet e produkteve ushqimore?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Zaev: Bllokimi nga Bullgaria është i pandershëm për të dyja vendet, sidomos për Shqipërinë